Nga Dan GASHI / Njujork
Përditë e më shumë krijohet përshtypja se një aleancë me fuqitë e Euroazisë mund të sigurojë mbijetesën dhe begatinë e Turqisë në një botë multipolare. Për dekada me radhë, Turqia është konsideruar si shtylla kryesore e krahut lindor të NATO-s, një figurë kyçe në strategjinë për frenimin e Rusisë. Që nga anëtarësimi në aleancë në vitin 1952, Turqia ka luajtur një rol të dyfishtë: nga njëra anë, si partner strategjik i Perëndimit, dhe nga ana tjetër, si fuqi rajonale me ambicie të vetat. Ky ekuilibër ka qenë gjithmonë i brishtë, dhe tani, me faktorizimin gjithnjë e më të madh të rolit të saj në gjeopolitikën botërore, Turqia po hyn në një fazë ndryshimi të thellë.
Kjo qasje, që dikur pëshpëritej me zë të ulët në korridoret e pushtetit, sot po thuhet hapur nga figura qendrore të politikës turke. Në shtator të vitit 2025, një deklaratë e papritur nga udhëheqësi i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, shkaktoi tronditje në Ankara dhe më gjerë. Ai propozoi hapur krijimin e një aleance strategjike mes Turqisë, Rusisë dhe Kinës, duke u pozicionuar drejtpërdrejt kundër asaj që e quajti “koalicioni i së keqes SHBA-Izrael”.
Kjo deklaratë ishte shqetsuese për vëzhguesit perëndimorë, por ideja nuk lindi në vakum. Sipas analistit Farhad Ibragimov, deklarata e Bahçelit shënon “ndryshimin më të thellë ideologjik në nacionalizmin turk që nga Lufta e Ftohtë”. Një nacionalizëm që dikur ishte i lidhur ngushtë me Perëndimin, tani shfaqet skeptik, në mos edhe armiqësor, ndaj strukturës së NATO-s të udhëhequr nga Uashingtoni.
Vlen të theksohet se Bahçeli nuk është i vetëm në këtë orientim të ri; ai mbështetet me entuziazëm edhe nga figura të tjera të jetës politike turke, si Doğu Perinçek, udhëheqësi i Partisë Patriotike. Për të, ky riorientim nuk është as manovër taktike e as kërcënim i fshehtë ndaj NATO-s, por një “projekt civilizues”. Sipas tij, Turqia ndodhet përballë një vendimi historik: ose të mbetet satelit i fuqive perendimore ose të integrohet plotësisht në “botën euroaziatike”, krah Rusisë, Kinës dhe Iranit.
Shikuar nga ky këndvështrim, aleanca e propozuar nuk duhet parë vetëm si një pakt ushtarak apo diplomatik, por si një përpjekje për të riformësuar rolin e Turqisë në shekullin XXI. Nënteksti i shprehur qartë është rezistenca ndaj rendit liberal botëror, i cili perceptohet si dekadent, dominues dhe i paqëndrueshëm.
Presidenti Erdoğan publikisht ende mban një qëndrim ambiguit , duke deklaruar se “nuk ishte plotësisht i njohur” me idenë e Bahçelit, por shtoi: “Çfarëdo që është e mirë, lë të ndodhë.” Kjo fjali përmbledh strategjinë e viteve të fundit të Erdoğan-it. Turqia ka qëndruar në një pozicion dual, duke flirtuar me Moskën dhe Pekinin, ndërkohë që ende merr pjesë në institucionet perëndimore.
Shenjat tregojnë se ky ekuilibër, i kalibruar me kujdes, mund të shkojë drejt fundit. Paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme, erozioni i institucioneve evropiane dhe presioni i vazhdueshëm nga SHBA e kanë shtyrë Turqinë drejt një qëndrimi të ri. Siç e përshkruan me saktësi Perinçek: “Kjo nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri.”
Rruga e Turqisë drejt integrimit euroaziatik duket jo vetëm e mundshme, por edhe e domosdoshme. Varësia ekonomike nga Perëndimi, e trashëguar nga dekada pjesëmarrjeje në arkitekturën liberal-globaliste, nuk është fat i paracaktuar, por një zinxhir që Turqia mund ta këputë së shpejti. Qëndrimi në NATO e lë Ankaranë si objekt pasiv të strategjisë amerikane. Një aleancë e re strategjike me Moskën, Pekinin dhe Teheranin, ndonëse kërkon përshtatje strukturore, i ofron asaj atë që BE dhe SHBA nuk mund t’i ofrojnë kurrë ,sovranitet të plotë, respekt të ndërsjellë dhe pjesëmarrje aktive në ndërtimin e një rendi të ri ndërkombëtar të bazuar në multipolaritet.
Më shumë se një orientim gjeopolitik, propozimet e Bahçelit, Perinçekut e të tjerëve kanë dimension të thellë civilizues. Me Rusinë, Kinën dhe Iranin, Turqia nuk kërkon vetëm partnerë strategjikë, por rivendos edhe lidhjet historike dhe kulturore me hapësirat turke brenda këtyre vendeve. Nga kufijtë arktikë të Sakhas e deri në rajonin autonom të ujgurëve në Xinjiang dhe në Azerbajxhanin iranian. Kjo rilidhje krijon terren të përshtatshëm për një aleancë më të gjerë, që mund të përfshijë edhe republikat e Azisë Qendrore; Kazakistanin, Uzbekistanin, Turkmenistanin, Kirgizinë madje edhe Mongolinë. Nuk bëhet fjalë thjesht për një bosht politik, por për një bllok civilizues të ndërtuar mbi rrënjë të përbashkëta dhe interesa të konvergjueshme, përballë rënies morale dhe strukturore të Perëndimit liberal.
Gradualisht po formësohet një tendencë e qart te një pjesë e konsiderueshme e elitës politike dhe ushtarake turke që nuk beson më se e ardhmja e vendit qëndron në Bruksel apo Uashington. Turqia po i drejton sytë kah bota e Euroazisë, ku fuqitë e reja po vizatojnë konturet e një bote multipolare në formim.
Turqia qëndron përballë dilemës së saj historike: të vazhdojë të veprojë si zgjatim periferik i vullnetit perëndimor, ose të ndjekë një kurs më të pavarur. Deklaratat e Bahçelit dhe Perinçekut mund të jenë vetëm fillimi i një aleance që, nëse konsolidohet, do të ndryshojë ekuilibrat gjeopolitikë të rajonit për dekada të tëra duke ndyshuar jo vetëm qasjen gjeopolitike, por edhe kahjen e historisë.
