Është e dhimbshme dhe e pakuptueshme që zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Republikën e Kosovës ende nuk janë kurorëzuar me krijimin e institucioneve shtetërore. Populli i Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, po e ndjek me habi dhe zemërim lojën politike të partive politike të Kosovës. Natyrisht, secili fajëson tjetrin sipas interesave të veta.
Duke e ndjekur situatën në mënyrë të pavarur, jopartiake, mund të thuhet me besueshmëri të plotë se fajin kryesor për këtë bllokadë politike të paparim ka opozita e dikurshme e Kosovës: PDK, LDK, AAK dhe NISMA.
Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021 — me meritë — kjo opozitë ka marrë një drejtim të gabuar dhe krejtësisht të çoroditur. Në vend se të ndryshojnë dhe të bëhen një opozitë konstruktive, ata kanë hyrë në një cikël të errët veprimesh negative nga i cili vështirë të dalin.
Në mungesë të propozimeve konkrete dhe programeve reale për zhvillimin dhe forcimin e shtetit, gjithë angazhimet e tyre janë drejtuar në veprime destruktive dhe bllokada institucionale, nënshtrim të plotë ndaj ndërkombëtarëve dhe nënshtrim ndaj kërkesave shkatërruese të regjimit fashist serb dhe dorës së tij të zgjatur në Kosovë, organizatës armiqësore “Lista Serbe.”
Gjithë shpresat e tyre për marrjen e pushtetit janë përqendruar në bllokimin e institucioneve dhe krijimin e kaosit, me shpresën për ta bindur popullin dhe bashkësinë ndërkombëtare për “paaftësinë” e LVV-së dhe koalicionit të udhëhequr nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për të qeverisur. Të paaftë për të fituar me votë, ata po përpiqen të marrin pushtetin me mjete joligjore, duke bërë lëshime në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Propozimet e disa përfaqësuesve të partive humbëse për një qeveri të përkohshme “teknike” apo “të unitetit” shkojnë në këtë drejtim. Këto propozime janë joreale, të pabazuara dhe krejtësisht të panevojshme. Nëse ata refuzojnë në çdo mënyrë të formojnë koalicion dhe të bashkëpunojnë me LVV-në, partinë fituese me një qeveri të ligjshme, si mund të presin të bashkëpunojnë brenda një qeverie artificiale, joligjore?
Interpretimet e njëanshme dhe të interesuara të Kushtetutës, duke shfrytëzuar edhe hapsirat e paqarta, janë bërë absurde. Kuptohet që Kushtetuta lejon votë të lirë dhe vullnet të lirë, por kjo nuk arsyeton bllokimin e shtetit vetëm sepse dikush nuk e pëlqen fituesin e shumicës.
Ndërkohë që fituesi i zgjedhjeve Albin Kurti, po përpiqet ta zgjidhë situatën me propozime dhe kompromise reale e të kuptueshme, humbësit e zgjedhjeve, të shtyrë nga proserbi Grenell, proserbi Edi Rama dhe oligarkë të lidhur me shtetin serb, nuk pranojnë asnjë kompromis, duke deklaruar haptazi se qëllimi i tyre i vetëm i përbashkët është largimi i Kryeministrit Kurti nga politika.
Problemi i tyre i madh është se nuk kuptojnë që Albin Kurti, me veprën e tij shtetërore dhe kombëtare deri tani, është për ta i paarritshëm. Ai ka — dhe nëse vazhdon me të njëjtin angazhim do të vazhdojë të ketë — mbështetjen e popullit për një kohë të gjatë.
Propozimi i LVV-së për të mandatuar z. Glauk Konjufca për formimin e qeverisë nuk është kompromis i lehtë për Kryeministrin Kurti. Nëse partitë opozitare dhe deputetët e tyre nuk e votojnë, ata do të mbajnë përgjegjësi për rrezikimin e funksionalitetit të shtetit. Ata që bllokojnë, që refuzojnë të votojnë buxhetin e shtetit dhe marrëveshjet ndërkombëtare të dobishme, janë thjesht armiq të Kosovës.
Mundësia tjetër e kompromisit për këto çështje është krijuar edhe nga Presidentja Vjosa Osmani, duke ofruar t’i paraqesë vetë propozimet ligjore. Vënia e pengesave të ndryshme ndaj kësaj gjëje nuk do të ketë fare kuptim dhe do t’i zhvesh plotësisht qëllimet e atyre që kërkojnë të shkatërrojnë shtetin.
Pas gjithë vështirësive dhe bllokadave të krijuara nga opozita lidhur me konstituimin e institucioneve shtetërore, zgjedhjet e reja janë bërë të paevitueshme. Ata që i bllokojnë institucionet do të ndëshkohen nga vota e popullit. As oligarkët, as Ramët, as Grenellët, as diplomatët e padrejtë ndërkombëtarë, as gazetarët-komentatorë të shitur tek armiqtë e Kosovës nuk do t’i ndihmojnë dot.
Pas dorëheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike, z. Memli Krasniqi, ka shpresë që kjo parti do të bëjë ndryshime në interes të shtetit, dhe që e njëjta të ndodhë me LDK-në dhe partitë e tjera. Përndryshe, do të mbeten përgjithmonë në opozitë.
Demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës nuk mund t’i rrëmbejë askush. Kosova jonë Dardane është në rrugën e drejtë dhe të shenjtë, e mbrojtur nga populli i saj, nga gjaku i dëshmorëve, nga drejtësia amerikane dhe nga vetë Zoti i Plotfuqishëm.
