Nga Dr. Selim IBRAIMI
“Ne jemi dëshmitarë të një situate ku Rusia pretendon se negocion në një situatë ku ajo në të vërtetë duhet të negociojë”, tha përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, gjatë një takimi në Këshillin e Jashtëm. Ndërsa ajo po diskutonte për rolin e Rusisë, zyrtarë të lartë të Francës, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Germanisë së bashku me përfaqësues të Ukrainës, u takuan gjatë javës për t’i dhënë fund luftës duke u bazuar në planin e fundit 28 pikësh i reduktuar në 18 pika të tjera.
Nga të gjitha lëvizjet dhe marrëdhëniet me ngritje e rënie midis SHBA-së dhe BE-së e deri te planet e reja për Ukrainën, një gjë është shumë e dukshme: marrëdhëniet transatlantike po përballen me një fazë sfiduese. Ajo që mbetet shqetësuese është politika e re amerikane ndaj evropianëve e këtu e sekretarit Marco Rubio ndaj shefes së diplomacisë evropiane Kaja Kallas, ku ky i fundit ka refuzuar të takojë diplomaten e BE-së si në Uashington dhe në Evropë. Mund të konsiderohet si asgjë, por në marrëdhëniet transatlantike, është, dhe të gjithë e shohin këtë.
Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe, sigurisht, shkojnë në favor të politikës së Rusisë për të përçarë shtetet evropiane në raport me SHBA-në. Ky nuk është i vetmi rast, së fundimi, zyrtarë të lartë të BE-së kanë shprehur shqetësim se një marrëdhënie e tillë me administratën amerikane mund të dëmtojë BE-në, Ukrainën dhe, sigurisht, çështjet e hapura në Ballkan. Kancelari gjerman Friedrich Merz u trondit nga plani i paqes i SHBA-së. Gazeta autoritative amerikane, The New York Times (NYT), raportoi se Merz mësoi për planin nga mediat. Sipas NYT, ai nuk kishte pranuar asnjë informacion nga Uashingtoni.
“Për një aleat të nivelit të tillë, kjo u ndje si një shuplakë në fytyrë ndaj Gjermanisë”, raportoi NYT. Sipas burimeve të gazetës, ekipi i kancelarit gjerman u përpoq disa herë të kontaktonte presidentin Donald Tramp për të kuptuar se çfarë përmbante dokumenti. Të ndodhur në një situatë të pavolitshme, diplomatë të lartë të shteteve më të fuqishme evropiane u nisën drejt Gjenevës për të shpëtuar jo vetëm Ukrainën, por edhe veten.
Javën që lamë pas është raportuar se në bisedimet e Gjenevës, është arritur njëfarë përmirësimi për një pozicion më të mirë të Ukrainës në planet përfundimtare me Rusinë. Megjithatë, shqetësimi kryesor është se SHBA-të dhe BE-ja, në përgjithësi, nuk po punojnë së bashku pavarësisht shqetësimeve se sjellje të tilla mund të çojnë në një zhvendosje më të gjerë, dhe me më shumë ndikim në Evropë nga shtetet si Rusia ose Kina.
SHBA-ja dhe shtetet evropiane, sidomos pas planit të papritur amerikan i përshtatur në 18 pika, tregon se në të dyja anët e Atlantikut, dallimet janë të pranishme, dhe do të vazhdojnë të mbeten deri në fund të mandantit të Trampit me pasoja të paparashikueshme. Të mbetur të ndarë dhe pa një mbështetje të duhur nga SHBA-të, disa qeveri evropiane po shqyrtojnë disa politika më të ashpra ndaj Moskës. Gazeta Politico Europe, ka raportuar se shtetet evropiane konsidrojnë disa masa ndaj Rusisë si asnjëherë më parë.
“Pas një sërë provokimesh ruse, duke përfshirë ndërhyrje me dronë, bllokim të GPS-it dhe akte sabotimi, BE-ja po diskuton kundërmasa të mundshme, të tilla si sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kyçe ruse, ushtrime të papritura të NATO-s pranë kufijve të Rusisë dhe operacione informative që synojnë qytetarët rusë”.
Nga e kaluara e raporteve transatlantike, ndonjëherë SHBA-të dhe BE-ja janë bërë bashkë, por që nga viti 2016 është shumë e qartë se çarja transatlantike është zgjeruar. Andaj nuk duhet nënvlerësuar nismat e shteteve evropiane për politika të reja ndaj Rusisë dhe për një mbrojtje më të fuqishme e të pavarur nga SHBA-të. Kështu, ligji i miratuar të martën nga eurodeputetët ka për synim të forcojë industrinë e mbrojtjes të BE-së, për të nxitur prokurimin e përbashkët evropian të mbrojtjes, për të rritur prodhimin e mbrojtjes, dhe njëkohësisht për të rritur mbështetjen për Ukrainën në këtë kohë të vështirë.
Euro deputetët kanë rënë dakord të krijohet Programi i parë evropian në industrisë e mbrojtjes (EDIP). Skema synon të forcojë bazën teknologjike dhe industriale të mbrojtjes evropiane dhe të rrisë aftësitë mbrojtëse evropiane. Sipas planit, nga buxheti prej 1.5 miliardë eurosh i EDIP, 300 milionë euro do të shkojnë në Instrumentin Mbështetës të Ukrainës.
Deputetët europianë gjithashtu ranë dakord të krijojnë një Fond për Përshpejtim të Transformimit të Zinxhirit të Furnizimit të Mbrojtjes (FAST).
Nga takimi i fundit, me planin e ri, shteteve anëtare ju lejohet të përdorin Instrumentin e Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (RRF).
Nga veprimet e fundit po shihet se eurodeputetët po bëjnë shumë, dhe kjo lidhet me politikën jo të drejtë amerikane ndaj Evropës. Në këtë drejtim, Danimarka sipas njoftimeve të gazetave evropiane ka krijuar njësi të quajtur “Roje Nate” për të monitoruar veprimet e presidentit amerikan Donald Tramp për shkak të frikës për Grenlandën. Ndërkaq, në Ballkanin Perëndimor në fillim të mandatit të dytë të presidentit amerikan Donald Tramp, kishte një farë shprese dhe gëzim sidomos nga Serbia dhe Maqedonia për problemet e tyre kombëtare, dhe të sigurisë energjetike.
Një vit pas situata është krejtësisht tjetër as Serbia dhe as Maqedonia e Veriut nuk kanë çfarë të presin më shumë nga administrata e presidentit Tramp. Ashtu si pjesa tjetër e shteteve të BE-së që janë në frikë të përhershme nga veprimet e papritura të administratës së Tramp-it, edhe qeveritë e shteteve ballkanike, po përballen me të njëjtat dilema dhe shqetësime rreth asaj që e nesërmja mund të sjellë nga veprimet e Uashingtonit. Fundi i planit të paqes në Ukrainë do të tregojë më shumë rreth asaj se si do të përfundojnë bisedimet tjera dhe çështjet e hapura të Ballkanit. Gjithnjë pa harruar për pasojat e veprimeve të pakoordinuara amerikane apo të mirat kur të dyja demokracitë e zhvilluara e kuptojnë njëra tjetrën, e mbrojnë dhe ndërmarrin veprime të duhura në çështjet botërore.
Përveç mosmarrëveshjeve dhe ditëve të mira midis SHBA-së dhe BE-së, shtetet e Evropës Qendrore si Hungaria dhe Sllovakia po largohen nga politikat e BE-së. Kohët e fundit, Hungaria dhe Serbia kanë rënë dakord për lidhje të ngushta në sigurinë energjetike dhe transportin, madje Orban ka propozuar një aleancë me Serbinë në krye. Gjithashtu, në këtë kontekst, Dodiku, një ultranacionalist serb i Bosnjës, ka udhëtuar për në Budapest
për bisedime me Orbanin. Duke pasur parasysh të gjithë faktorët, lëvizje të tilla do të çojnë në një përçarje më të madhe brenda BE-së dhe shteteve të Ballkanit, gjë që do t’i japë fund përgjithmonë ëndrrës së disa shteteve nga rajoni i Ballkanit për në BE, dhe njëkohësisht ndikimit të Uashingtonit në Evropë dhe në Ballkan.
Në një skenar të tillë, Maqedonia e Veriut dhe Republika Srpska do t’i bashkohen Aleancës Qendrore. Ndërkohë që ekzistojnë marrëdhënie të paprecedentë midis zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së deri në një farë mase. SHBA-të po shihen si një partner i paqëndrueshëm, gjë për të cilën disa senatorë në SHBA kanë shprehur shqetësime.
E tëra çfarë mund të themi tani është se marrëdhëniet aktuale midis BE-së, SHBA-së dhe demokracive të tjera të reja janë në shkallën e tyre më të ulët me pasoja afatmesme dhe afatgjata.
Raportet aktuale kanë kontribuar në rritjen e fraksioneve, ideologjive të reja, një boshllëk më të madh për shtetet e tjera dhe rritjen e aleancave të reja. Në veçanti, Aleanca Qendrore, e cila do të përbëhet nga disa shtete të ish-sferës sovjetike dhe ish-Jugosllavisë, duhet të vëzhgohet dhe ndiqet në muajt në vijim me fokus në formën dhe veprimet konkrete nga Hungaria dhe Serbia.
Në plan afatgjatë, përçarjet dhe keqkuptimet mund të çojnë në ide dhe bashkëpunime të reja, të cilat duhen shihen nga Uashingtoni, Brukseli dhe kryeqytetet e tjera të BE-së, duke përfshirë shtetet e Ballkanit.
