Nga Dan GASHI
Përpjekja për de-dollarizim dhe pasiguria e tregjeve perëndimore kanë krijuar një situatë të favorshme për eksperimentimin me alternativa ndaj të ashtuquajturit “rend i vjetër botëror”.
Në dy vitet e fundit të aktivitetit shumë intensiv të BRICS-it, tema qendrore e grupit është identifikimi i problemeve të sistemit të dominuar nga dollari dhe faktorët dallues si:
- Transformimi i dollarit dhe arkitekturës perëndimore të pagesave ndërkufitare në instrumente presioni gjeopolitik;
- Brishtësia e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara, prej nga lëshohet dollari si monedhë dominuese ndërkombëtare.
Sa i përket pikës së parë, nuk ka dyshim se tendenca e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre për të përdorur monedhat dhe sistemet financiare si armë gjeopolitike kundër shteteve të konsideruara armiqësore ose jo bashkëpunuese, ka prodhuar edhe efekt të kundërt – humbjen e besimit në rendin e bazuar në dollar. Besimi është gjithmonë thelbësor për stabilitetin e institucioneve monetare dhe financiare.
Jo vetëm vendet e synuara drejtpërdrejt vuajnë pasojat e sanksioneve, por edhe shtetet e tjera që tregtojnë ose dëshirojnë të tregtojnë me to. Këto të fundit përballen me demet që krijohen si produkt i sanksioneve, qofshin ato reale apo potenciale. Rëndësia e tyre rritet me numrin dhe peshën ekonomike të vendeve që u nënshtrohen sanksioneve parësore nga Perëndimi, si dhe me madhësinë aktuale ose potenciale të tregtisë së tyre me vendet e sanksionuara.
Faktori i dytë, megjithëse më pak i menjëhershëm, ka rëndësi të madhe në dobësimin e rendit aktual ndërkombëtar. Bëhet fjalë për çështje makroekonomike; besimi në një monedhë varet nga besimi në politikat fiskale, monetare dhe financiare të vendit që e lëshon atë. Sot, themelet makroekonomike të Shteteve të Bashkuara nuk janë më ato që ishin dikur.
Politika fiskale e SHBA-së po del jashtë kontrollit. Borxhi publik po rritet vazhdimisht në raport me BPV, pavarësisht se për shumë vite Rezerva Federale ka mbajtur norma interesi të ulëta, si afatshkurtra ashtu edhe afatgjata, me koston e zgjerimit të bazës monetare. Me norma interesi relativisht të ulëta për borxhin – shpesh negative në terma realë, balancat primare të nevojshme për të stabilizuar raportin borxh–BPV nuk do të ishin të paarritshme.
Pjesërisht, deficitet mund të mbulohen duke krijuar para me kosto pothuajse zero, siç ndodh në vendet që lëshojnë monedhën e tyre. SHBA-të gëzojnë privilegje që rrjedhin nga roli historik i dollarit si monedhë kryesore ndërkombëtare. Sasia e dollarëve dhe letrave me vlerë të thesarit që qarkullojnë amplifikohet nga kërkesa e vazhdueshme e jashtme për asete financiare amerikane. Kjo shpjegon kundërshtimin e fortë amerikan ndaj çdo iniciative që mund të dobësojë statusin ndërkombëtar të dollarit.
Në vitet e fundit, BRICS-i ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare si burim i mundshëm alternativash ndaj marrëveshjeve aktuale monetare dhe financiare, të cilat konsiderohen të brishta dhe politikisht të pabalancuara. Pjesa tjetër e Perëndimit nuk ka as autonominë, as kapacitetin për të sfiduar hegjemoninë e dollarit amerikan. Edhe euro, e cila në fillim të viteve 2000 dukej se do të bëhej rivale e dollarit, nuk i ka përmbushur pritjet. Ajo mbetet nën hijen e dollarit, ashtu si edhe Bashkimi Evropian mbetet i mvarur ndaj SHBA-ve në politikën ndërkombëtare.
Mbretëria e Bashkuar është tradicionalisht më afër SHBA-ve, duke kultivuar “marrëdhënien e veçantë”; siç thoshin dikur, Kanali Anglez është më i gjerë se Atlantiku. Ndërsa Japonia, që nga Lufta e Dytë Botërore, nuk ka pasur dhe ka pak gjasa të fitojë peshën politike për të vepruar si forcë monetare autonome. Vendet tjera të pasura janë shumë të vogla për të përfaqësuar alternativa të besueshme.
Euro, paundi, jeni dhe monedhat më të vogla perëndimore nuk mund të konkurrojnë realisht me dollarin dhe mbeten thelbësisht instrumente të nënshtruara. Kështu, është e natyrshme që vendet e BRICS – dhe Kina në veçanti të konsiderohen si burimi kryesor, nëse jo i vetmi, i alternativave potenciale ndaj sistemit aktual monetar dhe financiar.
BRICS ka masën kritike dhe interesin strategjik për të kërkuar zgjidhje të reja. Vendet tjera të ashtuquajtura të Jugut Global nuk mund të luajnë rol përçarës, megjithëse mund të marrin pjesë në iniciativa si anëtarë ose partnerë.
Për shkak të madhësisë së saj ekonomike dhe zhvillimit të shpejtë, Kina përbën rast të veçantë. Nëse vendet e BRICS-it nuk veprojnë bashkërisht, Pekini mund të forcojë gradualisht rolin e monedhës së tij dhe institucioneve financiare si alternativa ndaj dollarit.
Moska, nga ana e saj, është përpjekur të avancojë në dy drejtime:
- Krijimi i një grupi ekspertësh për të mbështetur prezencën ruse në çështjet ndërkombëtare monetare dhe financiare.
- Një prej ideve ishte krijimi i një njësie të re llogarie të bazuar në një shportë monedhash BRICS, të peshuara sipas madhësisë relative ekonomike të secilit vend, një koncept i ngjashëm me SDR-në e FMN-së. Kjo njësi do të shërbente si instrument kalimtar drejt një monedhe të ardhshme rezervë. Mirëpo, nuk u arrit marrëveshje e qartë brenda BRICS-it për këtë.
Zhvillimi i një infrastrukture alternative të pagesave ndërkufitare.
Rusia propozoi Iniciativën e Pagesave Ndërkufitare të BRICS (BCBPI) një sistem dixhital, të bazuar në monedhat kombëtare dhe të menaxhuar nga bankat qendrore, i pavarur nga SWIFT, i shpejtë, më i lirë dhe i pambërritshëm nga ndërhyrjet perëndimore. Synimi ishte anashkalimi i sanksioneve dhe ulja e kostove. Por për realizimin e tij duhen shumë përpjekje, besim dhe transparencë elemente të vështira në rrethanat aktuale.
Ky propozim u diskutua gjatë vitit 2024 dhe disa elementë u përfshinë në Deklaratën e Udhëheqësve në Samitin e Kazanit (tetor 2024). U riafirmua angazhimi për bashkëpunim financiar dhe u njohën përfitimet e instrumenteve të pagesave më të shpejta, më të lira, më efikase, transparente dhe më të sigurta bazuar në reduktimin e barrierave tregtare dhe aksesin jodiskriminues.
Deklarata mirëpriti përdorimin e monedhave lokale në shkëmbimet financiare midis vendeve të BRICS dhe partnerëve të tyre tregtarë, duke mbështetur trendin e de-dollarizimit. U inkurajua gjithashtu forçimi i rrjeteve bankare korrespondente brenda BRICS dhe lehtësimi i pagesave në monedha lokale, në përputhje me BCBPI-në, e cila mbetet vullnetare dhe jo-detyruese.
Udhëheqësit i ngarkuan ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore me detyrën e analizimit të monedhave lokale, instrumenteve të pagesave dhe platformave, dhe raportimin përkatës. Presidenti brazilian Lula deklaroi se ka ardhur koha për të ecur përpara me krijimin e mjeteve alternative të pagesës në transaksionet ndër-vendore, duke sqaruar se kjo nuk nënkupton zëvendësimin e monedhave kombëtare. Brazili mbështet idenë e një monedhe të re rezervë.
Nga ana tjetër, vende si India kanë shprehur qëndrime diametralisht të kundërta. Ministri i Jashtëm indian, Subrahmanyam Jaishankar, deklaroi se India nuk ka pasur kurrë probleme me dollarin dhe se ideja e një monedhe të re nuk është e zbatueshme, pasi vendet e BRICS nuk plotësojnë parakushtet për një bashkim monetar të ngjashëm me euron. Ndërkohë, përkrahësit e monedhës së re nuk parashikojnë zëvendësimin e monedhave kombëtare, por krijimin e një monedhe që qarkullon paralelisht me to siç e ka theksuar Brazili.
Deklarata e Kazanit, e miratuar me konsensus, ofron bazë të mjaftueshme për zhvillime të mëtejshme. Megjithatë, qëndrimet kundërshtare si ato të Indisë, kanë peshë më të madhe sesa ato pro, për shkak të mekanizmit të vendimmarrjes me konsensus të BRICS-it ku çdo anëtar ka të drejtë vetoje dhe një qëndrim negativ e bllokon iniciativën edhe kur mbështetet nga të gjithë të tjerët.
