Nga Dr. Selim IBRAIMI
Asetet ruse u bënë çështje uniteti ose përçarjeje në BE. Anëtarët e BE-së për arsye të mospajtimeve, nuk qëndruan të bashkuar në çështjen e shfrytëzimit të aseteve ruse. Frika nga sulmet ruse ishte një arsye. Sipas disa analistëve, dallimet mbi asetet, nxorën në pah dobësitë e BE-së. Për të mos u cilësuar si një bashkim i padobishëm, shtetet anëtare në fund ranë dakord për një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, duke lënë të hapur debatin rreth përdorimit të kapitalit rus për dëmshpërblimet ruse pas përfundimit të luftës. Në kontekstin e fuqisë në rritje të shteteve të BE-së apo rënies së rëndësisë globale, qëndrimi i qeverisë gjermane ishte në përputhje me ambiciet për një ushtri të fortë dhe gjithashtu me BE-në.
Por kjo nuk ndodhi në realitet, pasi anëtarët e BE-së nga ish-pjesa lindore bashkë me disa shtete anëtare refuzuan të preknin asetet ruse. “Përdorimi i aseteve të federatës ruse do të tregojë forcën dhe vendosmërinë e BE-së kundër Rusisë”,- tha kancelari gjerman Friedrich Merz para takimit.
“Përshtypja ime është se mund të arrijmë një marrëveshje. I kuptoj shqetësimet e disa shteteve anëtare, veçanërisht të qeverisë belge. Por shpresoj që së bashku t’i largojmë ato dhe të demonstrojmë forcën dhe vendosmërinë e BE-së ndaj Rusisë. Dhe sa e nevojshme është kjo, tregohet nga reagimet e presidentit rus në orët e fundit”. Pavarësisht reagimeve gjermane, presidenti rus Vlladimir Putin në një paraqitje televizive nga Moska tha se Brukseli dështoi të sekuestrojë asetet tona. “Ata vazhdojnë të përpiqen, por nuk ka funksionuar”. “Është grabitje e hapur. Dështoi sepse
pasojat do të ishin serioze. Përdorimi i aseteve tona për kredi do të rriste borxhin kombëtar në ato vende”,- tha Putin.
Disa nga anëtarët e BE-së, përfshirë Hungarinë, Sllovakinë dhe Belgjikën, kanë qenë kundër përdorimit të aseteve ruse qysh më herët, për shkak të kërcënimeve ruse, dhe njëkohësisht qëndrimeve pro ruse të disa shteteve të Evropës Qendrore.
Të gjitha këto reagime mund të shihen si një provë nëse BE-ja do të qëndrojë më tej e bashkuar apo do të vazhdojë të humbë besueshmërinë. Këtu kryeministri i Hungarisë Viktor Orban i quajtur nga kritikët si zëdhënës i
Rusisë, në një deklaratë tha: “Nuk do të doja ta shihja një BE në luftë. Të japësh para do të thotë luftë. Mendoj se është një rrugë pa krye. Nuk ka mbështetje të mjaftueshme të nivelit të lartë për asetet e ngrira ruse për Ukrainën. Unë po punoj për paqen sepse na duhen hapa drejt paqes, e jo luftës”. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, ndërkohë gjatë një takimi në Bruksel me Bart De Weverg tha se i kupton shqetësimet belge rreth aseteve ruse.
“Së bashku me kryeministrin e Belgjikës, Bart De Wever, diskutuam mekanizmat për përdorimin e aseteve të ngrira ruse. Unë i kuptoj të gjitha shqetësimet e Belgjikës; megjithatë, duhet të merret një vendim për kredinë e dëmshpërblimit. Është i drejtë dhe do të sigurojë parashikueshmëri afatgjatë për Ukrainën”. “Ne diskutuam gjithashtu koordinimin e diplomacisë midis Evropës dhe SHBA-së për hir të paqes, anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në BE, mbështetjen për sistemin energjitik të Ukrainës dhe rindërtimin e tij”. Për sa u përket aseteve
ruse, Polonia që nga fillimi ka pasur që qëndrim të paluhatshëm.
Kryeministri polak Donald Tusk tha: “Është një zgjedhje e thjeshtë, ose para sot ose gjak nesër. Dhe nuk po flas vetëm për Ukrainën. Po flas për Evropën”. Në këtë kontekst, Rumania dhe Bullgaria kanë shfaqur reagime jo të qarta. Bullgaria është deklaruar jo aq haptazi kundër, ndërsa Rumania ka mbajtur një qëndrim neutral në lidhje me shfrytëzimin e aseteve ruse.
SHBA-ja vazhdon të mbetet kundër shfrytëzimit të asesteve ruse nga BE-ja për Ukrainën. Sipas tyre kjo mund të ndërlikojë jo vetem shtetet evropiane, por edhe bisedimet për paqe në Ukrainë. Ish- kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson në një postim në X shkruajti se është një turp i madh që ata në fund u penguan nga vendet e tjera të BE-së, përfshirë, disa vende që në fakt u pushtuan nga Rusia në shekullin e kaluar. “Kam frikë se Putini do të jetë i kënaqur në heshtje me rezultatet e Këshillit Evropian. Ai në mënyrë efektive e ka frikësuar BE-në, dhe Britaninë e Madhe që të heqin dorë nga plani”. “Ne kemi rreth 15 miliardë paund asete ruse në Londër dhe megjithatë Keir Starmer nuk ka thënë asgjë…”.
Përderisa shtetet anëtare të BE-së nuk u pajtuan rreth përdorimit të aseteve të bllokuara ruse, shtetet e Ballkanit nuk kanë ndonjë ndikim të drejtëpërdejtë në këto asete financiare. E gjithë diplomacia perëndimore është përqendruar në rrimëkëmbjen ekonomike, dhe sundimin e ligjit në këto vende. BE-ja gjithashtu e sheh zgjerimin me anëtarë të rinj si imperativ gjeopolitik.
Shtetet e Ballkanit në përgjithësi vazhdojnë të jenë në përputhje me politikat e BE-së, edhe pse nuk janë pjesë e BE-së. Siç e dihet, Serbia ka luajtur një rol të dyfishtë që nga viti 2022, për më tej duhet parë politikën e jashtme në vitin 2026. Shtetet e Ballkanit në këtë kohë kur vetë BE-ja nuk u tregua aq e bashkuar rreth aseteve, nuk ju mbeten shumë opsione: t’i bashkohen unionit të reformuar ose të rrëshaqsin drejt bashkimeve të tjera ekonomike e politike. Kështu presidentja e Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen tha para Samitit BE- Ballkan (18-19 dhjetor), se në kohë pasigurie gjeopolitike, zgjerimi është një zgjedhje strategjike. “Është një investim në sigurinë dhe lirinë tonë të përbashkët.
Samiti i Ballkanit Perëndimor vjen në një moment vendimtar. Rusia vazhdon të nxisë luftën e saj agresive në kontinentin tonë, ndërsa bashkimi ynë ka qenë një projekt paqeje që nga themelimi i tij. Paqja është ajo që bashkon
shtetet tona anëtare dhe nxit çdo fazë të integrimit tonë”. “Në këto kohë pasigurie gjeopolitike, zgjerimi është më shumë sesa një zgjedhje për paqe.
Është një zgjedhje strategjike. Është një investim në sigurinë dhe lirinë tonë të përbashkët. Erërat e vështira gjeopolitike të sotme janë të forta dhe të shpejta. Dhe shpejtësia e procesit të pranimit duhet të përputhet me
ritmin e ndryshimeve gjeopolitike”. Leyen më tej tha: “Për herë të parë në më shumë se një dekadë, zgjerimi është bërë një mundësi reale. Dua të përgëzoj progresin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Është mbresëlënëse ajo që kanë arritur. Dhe është një burim i jashtëzakonshëm frymëzimi për partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Dhe i dërgon një mesazh të fortë botës në lidhje me atraktivitetin e ofertës së Evropës.
Është një ofertë solidariteti, mundësie dhe stabiliteti. Për ta shndërruar këtë ofertë në realitet, ne po punojmë intensivisht për integrimin gradual, themelet e pranimit. Kjo është puna e Planit të Rritjes”. – Ursula von der Leyen. Pavarësisht dështimit të fundit, vënies në pikëpyetje të besueshmërisë, një BE me mbi 500 milionë banorë, mbi 19 trilionë (PBB), dhe me shtete që zotërojnë armë moderne, duhet të ketë sukses si union. Një gjë shihet si alarm e që mbetet mbi kokën e drejtuesëve politikë të kancelarive evropiane. Nëse do të vazhdojnë të sillen si në shekujt 19-20, atëherë Rusia do ta ketë shumë lehtë. Ky vlerësim jep edhe më shumë një dozë pesimizmi se shtetet e BE-së ndonjëherë po veprojnë sipas interesave të tyre kombëtare. Në këtë drejtim, presidenti francez Emmanuel Macron tha se do të ishte “e dobishme” që Evropa të riangazhohej me presidentin rus Vlladimir Putin.
“Unë besoj se është në interesin tonë si evropianë dhe ukrainasë të gjejmë kornizën e duhur për t’u riangazhuar në këtë diskutim. Evropianët duhet të gjejnë mjetet për ta bërë këtë në javët e ardhshme”. Marrëveshja për të shpëtuar financiarisht Ukrainën (2026-27), duket se shpëtoi edhe vetë BE-në nga kriza e hapur e unitetit. Testi për BE-në do të vazhdojë me planin e ri të paqes nëse ai nënshkruhet nga palët. Në frontin diplomatik, bisedimet kanë vazhduar midis SHBA-së, Ukrainës dhe shteteve më të fuqishme evropiane. Të dërguarit e presidentit Donald Trump, Steve
Witkoff, dhe Jared Kushner, pritet të takohen në Majami (Miami) me të dërguarin e presidentit Putin, Kirill Dmitriev.
