Arsyet e vërteta pse Evropa u tërhoq nga konfiskimi i pasurive ruse?
Nga Dan GASHI, Njujork
Më datë 19 dhjetor 2025, pas 19 orësh rresht bisedime në Bruksel, brenda selisë së Këshillit Evropian, liderët më të fuqishëm të Evropës ishin mbyllur në një sallë duke debatuar nëse do të sekuestronin 105 miliardë dollarë nga asetet e ngrira ruse për të financuar mbrojtjen e Ukrainës. Në parim, ky konsiderohej një akt suprem i drejtësisë: të detyrosh agresorin të paguajë për luftën.
Por, kur liderët e rraskapitur dolën para kamerave, narrativa kishte ndryshuar. Konfiskimi i parashikuar ishte anuluar. Pasi pati kundërshtime brenda anëtarëve të BE-së, në vend të përdorimit të shumës ruse, BE-ja njoftoi se do t’i huazonte paratë vetë, një kredi prej 90 miliardë dollarësh.
Pse u tërhoqën ata në momentin e fundit? Pse hoqën dorë nga një “thesar” rus prej 105 miliardësh dhe zgjodhën të rëndonin qytetarët e tyre? Mediat raportuan versionin zyrtar se bëhej fjalë për teknikalitete, konflikte mes shteteve individuale dhe mungesë uniteti. Megjithatë, e vërteta duket se është shumë më e errët, më komplekse dhe më e rrezikshme.
Euroclear: Infrastruktura, zemra e sistemit financiar evropian
Euroclear, sistemi qendror financiar i BE-së që proceson, aprovon dhe rregullon dhe ekspediton të gjitha transaksionet brenda bllokut dhe ato ndërkombëtare, u ballafaqua me një padi të papritur dhe befasuese të ngritur në një gjykatë të Moskës, e cila kërkonte 18 trilionë rubla si dëmshpërblim. Efekti i kësaj padie qëndron në cenueshmërinë e Euroclear-it, por edhe në një paralajmërim sekret e alarmant nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), e cila potencoi se sekuestrimi i aseteve ruse mund të shkatërronte vetë Euron.
Për të kuptuar më qartë pse plani dështoi, duhet të kuptojmë kompleksitetin e sistemit bankar evropian, gjegjësisht lëvizjen dhe transferimin e shumave të mëdha të parave. Që nga shkurti i vitit 2022, anëtarët e G7 kanë bllokuar rreth 260 miliardë dollarë të aseteve të Bankës Qendrore ruse. Këto para nuk ndodhen në një kasafortë në Uashington apo në një bankë në Londër. Shumica dërrmuese, rreth 191 miliardë dollarë, ndodhen në Belgjikë, ku është edhe selia e Euroclear.
Çfarë është Euroclear? Euroclear është infrastruktura shpërndarëse ose “sistemi nervore” i sistemit financiar global. Një depo qendrore e letrave me vlerë të deponuara nga bankat qendrore të vendeve kryesore të botës. Kur blihet apo shitet një obligacion gjerman, danez, kinez, indian ose një aksion francez, turk etj. Euroclear është subjekti që lëviz pronësinë nga shitësi te blerësi potencial. Ata menaxhojnë mbi 37 trilionë dollarë asete për klientë në 90 vende të botës. Me fjalë të tjera, Euroclear është zemra dhe motori i tregjeve evropiane dhe botërore të kapitalit. Pa funksionimin e tij 24-orësh, ekonomia evropiane dhe ajo e shumë shteteve të botës do të kolapsonte.
Kundërsulmi i Moskës: “Hakmarrja simetrike”
Për ta bërë edhe më të koklavitur këtë sagë, asetet ruse që mbahen aty janë obligacione me vlera që kanë maturuar. Kur një obligacion monetar i deponuar maturohet, ai fillon të gjenerojë interes dhe paguhet në para kesh. Për shkak të sanksioneve, Euroclear nuk mund t’ia kthejë ato para Moskës. Kështu, paratë grumbullohen dhe gjenerojnë miliona në interes. Komisioni Evropian, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen, pati idenë praktike që t’i përvetësonte këto para si një fitim të papritur për të mbështetur një hua masive për Ukrainën.
Por, ata harruan faktin se në botën e financës nuk ekziston “aseti pa rrezik”. Ndërsa Brukseli hartonte legjislacionin për përvetësim, Moska hartonte padinë, duke e piketuar saktësisht pikën e dobët të Evropës, jo politiken, politikanët, por vetë “sistemin e tubacioneve” financiare.
Më 12 dhjetor 2025, vetëm një javë para samitit, Banka Qendrore ruse ngriti një padi për 18 trilionë rubla (rreth 229 miliardë dollarë) kundër Euroclear. Logjika e Moskës ishte e thjeshtë: “Ju mbani paratë tona dhe refuzoni t’i ktheni; pra jeni në mospagim (default). Ne ju padisim për vlerën e plotë plus dëmet ndëshkuese.” Edhe pse një vendim gjykate ruse nuk ka fuqi legale në Belgjikë, Euroclear ka asete brenda Rusisë. Bankat perëndimore dhe fondet e pensioneve kanë ende miliarda të bllokuara në Rusi në ato që quhen “llogari të tipit C”. Mesazhi i Kremlinit ishte kërcënues: “Nëse na merrni 105 miliardë në Bruksel, ne do të falimentojmë Euroclear-in duke sekuestruar 229 miliardë dollarë të aseteve perëndimore në Moskë.”
Paralajmërimi i BQE-së dhe Faktori Trump
Banka Qendrore Evropiane, e udhëhequr nga Christine Lagarde, dërgoi një shënim konfidencial ku refuzonte të siguronte mbështetje likuiditeti për planin. Argumenti i tyre ishte themelor: Euroja është monedha e dytë rezervë në botë. Vende si Arabia Saudite apo Brazili e mbajnë euron sepse besojnë se të drejtat e pronësisë në Evropë janë të pacenuara. Nëse BE-ja do të sekuestronte asete sovrane, kjo do t’i dërgonte një sinjal “Jugut Global” se paratë e tyre janë të sigurta vetëm derisa Brukseli të pajtohet me politikën e tyre.
Mbi samit qëndronte pezull edhe hija e administratës së re Trump. Ndryshe nga ekipi i Biden-it, ekipi i Trump-it kërkoi kujdes të veçantë. Ata i shihnin asetet e ngrira jo si një burim parash, por si një kartë negociuese për një marrëveshje paqeje. Nëse asetet shpenzohen për armë, Rusia nuk do të kishte më asnjë nxitje për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.
Kurthi ligjor i vitit 1989
Pengesa e fundit ishte e groposur thellë në arkivat e ligjit ndërkombëtar. Në vitin 1989, Mbretëria e Belgjikës dhe Bashkimi Sovjetik kishin nënshkruar një traktat dypalësh investimi. Rusia, si shtet pasardhës, e trashëgoi këtë traktat, i cili ndalon rreptësisht shpronësimin pa dëmshpërblim. Juristët paralajmëruan se nëse Belgjika lejonte përdorimin e këtyre aseteve, Rusia do të fitonte në çdo gjykatë arbitrazhi në botë. Kjo do t’i mundësonte Rusisë të sekuestronte çdo pronë belge globalisht: anije, avionë, hotele dhe llogari diplomatike etj.
Përfundimi: Financa kontrollon Politikën
Në orën 4 të mëngjesit të 19 dhjetorit, ndodhi ballafaqimi me realitetin e hidhur. Rreziqet ligjore, financiare dhe gjeopolitike ishin tepër të mëdha. Liderët e BE-së u dakorduan për “Planin B”: një hua prej 90 miliardësh e mbështetur nga buxheti i BE-së.
Kjo odisejade e dhjetorit 2025 është një leksion i veçantë se politika nuk e kontrollon financatm, kjo krizë vërtetoi të kundërtën. Financa kontrollon politikën. Integriteti i sistemit bankar dhe frika nga kolapsi i tregut peshuan më shumë se dëshira morale dhe politike për ndëshkim. Sistemi ishte i dizajnuar për të mbrojtur veten. Lufta ne Ukraine vazhdon, asetet mbeten të ngrira dhe regjistrat e Euroclear mbeten te balancuara.
