Nga Dan GSHI / Njujork
Turqia do të jetë mikpritëse e Samitit të NATO-s më 7-8 korrik 2026, i cili pritet të mbahet në Kompleksin Presidencial (Beştepe) në Ankara. Samiti i parë i aleancës i organizuar nga Turqia u zhvillua në Stamboll në vitin 2004, i përqendruar atëherë në Afganistan, Irak dhe Lindjen e Mesme.
Ky samit u vlerësua në atë kohë si një “sukses diplomatik” për Turqinë. Sot, Turqia është shndërruar në një bazë kyçe për zgjerimin ushtarak të NATO-s drejt Lindjes së Mesme dhe Azisë Jugore.
Pas njëzet e dy vjetësh, në agjendë nuk janë më Afganistani apo Iraku, por forcimi ushtarak në Evropën Lindore, i nxitur nga lufta në Ukrainë dhe tensionet në rritje me Rusinë. Ndonëse temat dhe preokupimet ndryshojnë, strategjia kryesore mbetet e njëjtë: zgjerimi dhe forcimi i pranisë ushtarake të NATO-s.
Çështja kryesore në Samitin e 36-të të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive nuk do të jenë thjesht përgatitjet për luftë, por objektivi i rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) për shtetet anëtare.
Ky objektiv, i mbështetur në vazhdimësi nga Donald Trump dhe Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, pritet të shkaktojë polemika të mëdha të brendshme. Kjo kërkesë po trondit veçanërisht anëtarët evropianë që përballen me kriza të thella ekonomike, sociale dhe politike.
Çfarë do të thotë objektivi 5 për qind për Turqinë?
Turqia është ndër vendet që e kanë miratuar pa hezitim këtë rritje, duke deklaruar vazhdimisht se po i shton shpenzimet ushtarake për të arritur këtë synim. Megjithatë, realiteti aktual mbetet sfidues.
Shpenzimet aktuale të Turqisë janë rreth 2 për qind e PBB-së (afërsisht 40-50 miliardë dollarë), bazuar në PBB-në e saj prej 1.538 trilionë dollarësh. Përmbushja e objektivit prej 5 për qind do të kërkonte më shumë se dyfishimin e buxhetit, duke e çuar atë në mbi 80 miliardë dollarë, një barrë shtesë prej 40-50 miliardë dollarësh mbi nivelet aktuale.
Për ta arritur këtë, zakonisht ndiqen dy rrugë:
- Reduktime graduale në sferën civile: Shkurtime në arsim, shëndetësi, ndihmë sociale dhe pensione, një metodë që shumë vende evropiane po e planifikojnë tashmë.
- Ripërcaktimi i industrisë së mbrojtjes: Kompanitë turke, të promovuara si “vendore dhe kombëtare” shpesh në retorikë kundër Perëndimin, do t’i nënshtrohen certifikimeve të NATO-s dhe integrimit të plotë në prioritetet ushtarake të aleancës.
Nëse anëtarët dështojnë të arrijnë këtë shifër, pavarësisht zotimeve në Samitin e Hagës (2025), ata duhet të paraqesin plane konkrete dhjetëvjeçare deri në vitin 2035. Ndonëse dokumentet e NATO-s nuk parashikojnë sanksione apo përjashtime, raportet vjetore të progresit do të rrisin presionin dhe obligimin e përshtatjes vit pas viti.
Për shtetet që ngecin, mund të mundësohen “kompensime” përmes rritjes së kapaciteteve operacionale: marrja e më shumë misioneve ushtarake dhe pjesëmarrja më intensive në zonat e rrezikut.
Roli i Turqisë në Sigurinë Rajonale
Samiti i Ankarasë do të përcaktojë nëse prania në Evropën Lindore do të kthehet në një rajon të përhershëm sigurie, ku Turqia pritet të veprojë si një “zbatues i suksesshëm” dhe mbikëqyrës.
Me ushtrinë tokësore më të madhe në NATO pas SHBA-së, angazhimi i forcave turke në “rajone me rrezik të lartë” duket i logjikshëm. Dialogu i Turqisë me Rusinë e bën këtë rol një nga opsionet më racionale për sigurinë rajonale.
Ky proces do të pasohet nga NATO Edge 26 në Izmir (nëntor 2026), ku do të promovohen inovacioni dhe gatishmëria. Qëllimi është krijimi i një platforme ku teknologjitë ushtarake dhe industria e mbrojtjes integrohen plotësisht në strukturat e NATO-s. Sipas deklaratës së Agjencisë së Komunikimit dhe Informacionit të NATO-s (NCIA):
“NATO Edge 26 do të përqendrohet në forcimin e gatishmërisë për luftë përmes një bashkëpunimi më të shpejtë dhe më të avancuar me industrinë.”
Në strategjinë e parapare te zmirit, industria e mbrojtjes do të ketë rol qendror, duke krijuar një ekosistem ushtarak që funksionon mbi logjikën e tregut dhe partneriteteve të ngushta mes kompanive dhe komandave ushtarake.
Kalkulimet e NATO-s gjegjsishte Turqisë
Të marra së bashku, Samiti i Ankarasë dhe NATO Edge 26 sugjerojnë se NATO po e pozicionon Turqinë në një rol edhe më të varur, si politikisht ashtu edhe teknologjikisht. Megjithatë, edhe Turqia ka kalkulimet e veta. Ajo llogarit në “qëndrime gri” dhe “ambiguitet në pjesëmarrje, gjegjësisht dhënie përparësie interesave kombëtare”, ose “mbrojtja nga aleanca ndërsa është brenda aleancës”, duke blerë kohë në rritjen dhe forcimin e saj si faktor gjithnjë e më relevant rajonal dhe aktor gjeopolitik global.
NATO, e cila ka ndikuar fuqishëm në strukturën politike turke për më shumë se gjysmë shekulli, duket e vetëdijshme se konceptet e Turqisë së Erdoganit, si pavarësia, sovraniteti dhe interesat kombëtare, duhet të akomodohen brenda aleancës, edhe nëse ato nuk janë plotësisht në harmoni me teorinë, konceptin dhe strukturën politike e ideologjike të saj.
