Nga Dan GASHI / Njujork
Evropianët as që kanë guximin, as vullnetin e as qëllimin t’i rezistojnë ushtarakisht aneksimit të ujdhesës daneze nga SHBA. Deklaratat kundërshtuese, madje edhe mburravece, si dhe vendosja e një grushti trupash evropiane, janë më shumë mburrje nga politikanët evropianë për konsum lokal dhe një përpjekje mjerane e elitës politike për të sanuar sado pak pozitat e tyre në vendet përkatëse. Përfundimi nuk kërkon shumë intuitë e as kalkulim politik, ata një nga një apo bashkërisht, do t’i binden Trump-it.
Vetë fakti që një problem i tillë është ngritur në këtë nivel të paimagjinuar më parë, është definues për atë se sa janë bërë marrëdhëniet ndërkombëtare anormale nën presidentin Trump. Ironikisht, kjo ekspozon më së miri falimentimin e rendit ekzistues në norma dhe rregulla diplomatike. Për tetë dekada, SHBA-ja dhe shtetet evropiane brenda NATO-s ishin mbrojtëse të sovranitetit dhe rendit demokratik të shteteve anëtare të kësaj organizate, si dhe të paqes, sigurisë dhe ligjit ndërkombëtar.
Shtetet e Bashkuara, me një politikë krejt tjetër dhe me ambicie të pastër vetiake për të aneksuar Groenlandën përmes presionit, shantazhit diplomatik e madje edhe forcës ushtarake nëse është e nevojshme, e përmbysin tërë konceptin dhe arkitekturën e NATO-s, duke rrezikuar edhe vetë ekzistencën e saj.
Këtë javë, diplomatët danezë dhe ata të Groenlandës u takuan në Shtëpinë e Bardhë me zyrtarë të administratës Trump, zëvendëspresidentin JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, për të kërkuar respektimin e të drejtave sovrane të Danimarkës dhe Groenlandës, por pa ndonjë rezultat. Trump vazhdon të këmbëngulë për marrjen e Groenlandës nën kontrollin e SHBA-së, duke mos përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake, me arsyetimin se kjo është një çështje e sigurisë kombëtare, pasi sipas tij, territori i Arktikut rrezikon të merret nga Kina dhe Rusia.
Duhet theksuar se Rusia zotëron territorin më të madh të Arktikut dhe rruga e saj e Detit të Veriut është një kanal detar strategjikisht i rëndësishëm midis Evropës dhe Azisë. Edhe pse Rusia nuk ka nevojë për Groenlandën, ngushticat detare, ngrohja globale dhe tkurrja e përshpejtuar e sipërfaqeve të mbuluara me akull që hapin mundësi të reja lundrimi, e bëjnë këtë pjesë të kontestuar të hemisferës veriore strategjikisht tejet të rëndësishme.
Groenlanda është ishulli më i madh jokontinental në botë, me një sipërfaqe mbi 2.1 milion kilometra katrorë. Ky territor arktik është i pasur me naftë, gaz, minerale, elemente të rralla dhe uran, të cilat SHBA-ja i lakmon për të ardhmen e saj ekonomike. Preteksti i mbrojtjes së ujdhesës nga Rusia dhe Kina mbetet jobindës për evropianët. Por, njëkohësisht, Danimarka dhe shtetet evropiane e kanë luajtur paradoksalisht kartën e kërcënimit rus, duke ngritur nivelin e alarmit dhe panikut. Në këtë mënyrë, ata indirekt kanë ndihmuar në krijimin e narrativës që Trump po përdor tani për të aneksuar territorin danez.
Historikisht, Bashkimi Evropian kishte një harmoni dhe koordinim politik me SHBA-në sa i përket NATO-s. Kohët e fundit, Trump sillet gjithnjë e më shumë si despot në arenën ndërkombëtare, duke shkelur sistematikisht dhe pamëshirshëm të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së. Pandëshkueshmëria që kjo ka sjellë ka kulmuar në injorimin e hapur të normave ndërkombëtare.
Këtë fundjavë, danezët, britanikët, francezët, gjermanët, holandezët, norvegjezët dhe të tjerët po dërgojnë një numër simbolik trupash në Groenlandë si sinjal solidariteti kundër Trump-it, përmes Operacionit “Qëndrueshmëria Arktike”. Tërë ky teatër qesharak bëhet absurd, kur kujtojmë se mu këto shtete shprehën gatishmëri vitin e kaluar për të formuar një koalicion që do të vendosej në Ukrainë për të siguruar paqen. Tani, po këta, duan të formojnë një koalicion të vogël për të “mbrojtur” Groenlandën nga vetë aleati i tyre kryesor, Shtetet e Bashkuara.
