Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrje
Debati bashkëkohor mbi demokracinë po zhvillohet në një moment të thellë dislokimi paradigmatik. Kornizat teorike që dominuan pas përfundimit të Luftës së Ftohtë – veçanërisht ato që parashikonin zbehjen progresive të shtetit-komb përballë globalizimit, integrimit supranacional dhe qeverisjes shumë-nivelëshe – po përballen sot me një realitet empirik që i sfidon në themele. Në vend të një bote “post-sovraniste”, të karakterizuar nga transferimi i qëndrueshëm i kompetencave drejt aktorëve transnacionalë, po kristalizohet një rend ndërkombëtar ku shteti-komb rikthehet si nyje strukturore e pushtetit, sigurisë dhe legjitimitetit demokratik.
Kjo ese mëton ta pozicionojë shtetin-komb jo si mbetje anakronike të modernitetit politik, por si aktor strukturor i metamorfozës demokratike në kushtet e rendit post-neoliberal dhe të fragmentimit gjeopolitik. Argumenti qendror është se demokracia nuk mund të kuptohet më si një arkitekturë thjesht procedurale apo normativisht universale, e shkëputur nga kapacitetet reale të shtetit për të ushtruar sovranitet funksional. Përkundrazi, transformimi aktual i demokracisë është i pandashëm nga transformimi i vetë shtetit-komb: nga një garant minimalist i rregullave të tregut në një aktor strategjik që ndërthur sigurinë, ekonominë politike dhe mbrojtjen e rendit demokratik.
Në këtë kuptim, paradigma post-sovraniste e viteve 1990 – e cila e trajtoi sovranitetin si pengesë dhe shtetin si njësi të destinuar për tejkalim – shfaqet sot si teorikisht e pamjaftueshme dhe analitikisht reduktuese. Ajo nënvlerësoi dimensionin konfliktual të politikës ndërkombëtare, mbivlerësoi autonominë e tregjeve dhe supozoi se demokracia mund të mbijetojë pa një substrat shtetëror të fuqishëm dhe koherent. Zhvillimet e dekadës së fundit – nga krizat financiare dhe pandemike deri te lufta, sanksionet ekonomike dhe rivalitetet teknologjike – kanë treguar se pa shtet funksional nuk ka as reziliencë demokratike.
Hyrja në këtë kapitull synon, pra, të vendosë kornizën teorike për një rikonceptim të marrëdhënies midis shtetit, sovranitetit dhe demokracisë. Duke u nisur nga kritika e paradigmës post-sovraniste dhe nga leximet realiste e gjeopolitike të rendit ndërkombëtar, në këtë ese argumentojmë se shteti-komb nuk është në regres historik, por në proces metamorfoze. Pikërisht në këtë proces, ai shndërrohet në kusht të domosdoshëm për mbijetesën dhe thellimin e demokracisë në një botë gjithnjë e më të polarizuar dhe të pasigurt.
1. Paradigma post-sovraniste dhe kufijtë e saj analitikë
Diskursi dominues mbi demokracinë në tri dekadat e fundit është ndërtuar mbi supozimin se shteti-komb përfaqëson një formë historikisht të tejkaluar të organizimit politik. Globalizimi, integrimi supranacional dhe universalizmi normativ liberal janë paraqitur si horizonte të pashmangshme të “pjekurisë demokratike”, ndërsa sovraniteti shtetëror është reduktuar në një relikt pengues të rrjedhave transnacionale. Kjo qasje, e ngulitur në paradigmën post-sovraniste të viteve 1990, ka funksionuar më shumë si projekt normativ sesa si analizë e realitetit politik (Mearsheimer, 2018).
Zhvillimet e fundit gjeopolitike—rikthimi i konkurrencës së fuqive të mëdha, militarizimi i sigurisë ekonomike dhe fragmentimi i rendit liberal ndërkombëtar—kanë ekspozuar kufijtë strukturorë të kësaj paradigme. Në vend të zhdukjes së shtetit-komb, po asistojmë në rikonfigurimin e tij si aktor qendror i një demokracie në transformim.
2. Rikthimi i shtetit-komb: nga relikt normativ në nyje strukturale
Në këtë kontekst, shteti-komb nuk po rikthehet si nostalgji ideologjike apo regres autoritar, por si aktor strukturor i metamorfozës demokratike. Ky rikthim nuk nënkupton restaurimin e sovranitetit absolut në kuptimin klasik, por rikonceptimin e funksioneve shtetërore në kushtet e një rendi ndërkombëtar të paqëndrueshëm dhe të një demokracie që po përjeton një kalim ontologjik. Shteti nuk shfaqet më vetëm si garant procedural i rendit kushtetues, por si hapësirë ku përballen, negociohen dhe rikonfigurohen tensionet ndërmjet sigurisë, sovranitetit dhe legjitimitetit demokratik.
Këtë transformim e ilustron qartë reagimi i shteteve demokratike ndaj pandemisë COVID-19. Në një moment krize sistemike, edhe demokracitë më të integruara ekonomikisht u detyruan të rikthejnë kontrollin shtetëror mbi kufijtë, zinxhirët e furnizimit, politikat shëndetësore dhe kapacitetet prodhuese strategjike. Vendimmarrja vendimtare nuk u krye nga tregjet apo nga mekanizma transnacionalë abstraktë, por nga shtetet, të cilat u shndërruan sërish në garantë të mbijetesës kolektive dhe të besimit publik. Demokracia, në këtë rast, u mbështet jo në minimizimin e shtetit, por në aftësinë e tij për të vepruar.
Një shembull i dytë përfaqësues është lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka rikthyer sigurinë territoriale dhe mbrojtjen ushtarake në qendër të politikës demokratike evropiane. Vendime si rritja drastike e buxhetit të mbrojtjes në Gjermani (Zeitenwende), militarizimi i politikës industriale evropiane dhe koordinimi shtetëror i sanksioneve ekonomike tregojnë se demokracitë nuk mund të mbijetojnë pa kapacitet shtetëror për të ushtruar pushtet. Në këtë kontekst, shteti-komb shfaqet si nyja përmes së cilës demokracia mbrohet nga kërcënimet ekzistenciale, dhe jo si pengesë për të.
Edhe ndryshimi paradigmatik në politikat ekonomike dhe teknologjike e konfirmon këtë rikthim. Programet masive të subvencioneve shtetërore në SHBA (Inflation Reduction Act), politikat industriale të BNë të gjitha këto raste, shteti-komb nuk operon si sovran absolut, por si nyje koordinuese midis shoqërisë, ekonomisë dhe rendit ndërkombëtar. Demokracia nuk zhvendoset përtej shtetit, por riformësohet brenda tij. Pikërisht këtu bëhet e qartë se kriza aktuale e demokracisë nuk buron nga “tepria e shtetit”, por nga dobësimi i tij funksional. Rikthimi i shtetit-komb është, në këtë kuptim, parakusht për rindërtimin e një demokracie që është në gjendje të përballojë pasigurinë, konfliktin dhe përgjegjësinë historike.E-së për çipat dhe energjinë, si dhe kontrolli i investimeve strategjike, dëshmojnë se tregu i lirë nuk perceptohet më si mekanizëm vetërregullues i mjaftueshëm. Shteti është rikthyer si planifikues strategjik, jo për të zëvendësuar demokracinë, por për ta bërë atë funksionale në kushte rivaliteti gjeoekonomik.
Në të gjitha këto raste, shteti-komb nuk operon si sovran absolut, por si nyje koordinuese midis shoqërisë, ekonomisë dhe rendit ndërkombëtar. Demokracia nuk zhvendoset përtej shtetit, por riformësohet brenda tij. Pikërisht këtu bëhet e qartë se kriza aktuale e demokracisë nuk buron nga “tepria e shtetit”, por nga dobësimi i tij funksional. Rikthimi i shtetit-komb është, në këtë kuptim, parakusht për rindërtimin e një demokracie që është në gjendje të përballojë pasigurinë, konfliktin dhe përgjegjësinë historike.
2.1 Rasti i Shqipërisë & Kosovës si mikro-laborator i metamorfozës demokratike
Rasti shqiptar, me dy shtete formalisht të ndara por historikisht, shoqërisht dhe gjeopolitikisht të ndërvarura, ofron një mikro-laborator të veçantë për të vëzhguar rikthimin e shtetit-komb si aktor strukturor të demokracisë në transformim. Shqipëria dhe Kosova nuk janë thjesht periferitë e një rendi demokratik evropian, por hapësira ku tensionet ndërmjet sovranitetit të kufizuar, sigurisë ndërkombëtare dhe legjitimitetit demokratik shfaqen në formë të kondensuar.
Në Kosovë, shteti u ndërtua që në fillim në kushtet e sovranitetit të mbikëqyrur, me një arkitekturë institucionale të dizajnuar për të garantuar procedurat demokratike, por jo domosdoshmërisht kapacitetin e veprimit shtetëror. Për më shumë se një dekadë, demokracia u reduktua në ritual elektoral dhe menaxhim teknik të pluralizmit, ndërkohë që funksionet reale të shtetit – sundimi i ligjit, kontrolli i territorit, lufta kundër kapjes oligarkike – mbetën të fragmentuara. Ky është shembulli tipik i asaj që mund të quhet demokraci procedurale pa shtet funksional.
Kriza e fundit e besueshmërisë zgjedhore, përfshirë dyshimet për manipulim të votës brenda subjekteve politike dhe përpjekjet për të delegjitimuar procesin elektoral, e ka ekspozuar qartë këtë hendek strukturor. Reagime si ndërhyrja e prokurorisë në Prizren nuk janë thjesht akte teknike të drejtësisë, por shenja të një rikthimi të shtetit si autoritet normativ. Në këtë pikë, shteti nuk vepron për të mbrojtur status quo-në politike, por për të rivendosur kufirin ndërmjet konfliktit demokratik dhe kriminalizimit të politikës. Kjo përfaqëson pikërisht momentin ku demokracia kalon nga administrimi formal në mbrojtje substanciale.
Edhe Shqipëria përfaqëson një variant tjetër të së njëjtës metamorfozë. Pas një periudhe të gjatë ku shteti u perceptua kryesisht si instrument i kapjes klienteliste dhe i menaxhimit informal të pushtetit, presioni ndërkombëtar dhe nevoja për stabilitet rajonal e kanë detyruar shtetin shqiptar të rikonceptojë rolin e tij si garant i rendit dhe sigurisë. Reforma në drejtësi, pavarësisht kufizimeve dhe tensioneve të saj, është shembulli më domethënës i kësaj përpjekjeje për të rindërtuar autoritetin shtetëror si kusht i demokracisë funksionale.
Në të dyja rastet, Shqipëria dhe Kosova nuk po ecin drejt një modeli post-sovran, por drejt një sovraniteti funksional, të kufizuar nga aleanca ndërkombëtare, por të domosdoshëm për mbijetesën demokratike. Këtu bëhet e qartë se pa shtet të aftë për të vepruar, demokracia reduktohet në retorikë; ndërsa pa demokraci, shteti rrezikon të rrëshqasë në autoritarizëm. Metamorfoza demokratike ndodh pikërisht në këtë tension.
Në këtë kuptim, hapësira shqiptare merr edhe një dimension gjeopolitik të veçantë. Shqipëria dhe Kosova përbëjnë thellësi operacionale të NATO-s dhe SHBA-ve në Evropën Juglindore. Ky pozicionim nuk është vetëm ushtarak, por edhe politik: kërkon shtete funksionale, të qëndrueshme dhe legjitime. Demokracia shqiptare nuk mund të mbijetojë si projekt i dobët institucional në një mjedis gjeopolitik të militarizuar. Prandaj, rikthimi i shtetit si aktor strukturor nuk është luks ideologjik, por domosdoshmëri strategjike.
Rasti shqiptar/kosovar tregon kështu se rikthimi i shtetit-komb nuk është regres, por kusht për emancipim demokratik. Ai dëshmon se demokracia e shekullit XXI nuk mund të funksionojë pa një shtet që ka kapacitet për të vepruar, për të imponuar ligjin dhe për të menaxhuar rrezikun. Pikërisht për këtë arsye, ky mikro-laborator ballkanik e bën të dukshme atë që në qendrat e mëdha perëndimore shpesh mbetet e fshehur: se metamorfoza e demokracisë kalon përmes rindërtimit të shtetit-komb, jo përtej tij.
3. Vendimi sovran dhe kriza e liberalizmit procedural
Carl Schmitt e artikuloi herët tensionin themelor ndërmjet liberalizmit procedural dhe sovranitetit real, duke argumentuar se sovrani është ai që vendos për gjendjen e jashtëzakonshme (Schmitt, 1922/2005). Demokracia liberale e shekullit XX u përpoq ta neutralizonte këtë problem përmes juridifikimit të politikës dhe depolitizimit të vendimmarrjes.
Megjithatë, krizat e shumëfishta të dekadës së fundit kanë rikthyer në qendër pikërisht atë që liberalizmi kishte tentuar ta përjashtonte: vendimin politik si akt sovran. Procedurat demokratike funksionojnë gjithnjë e më shpesh në një hapësirë ku pushteti real operon jashtë tyre, duke i ekspozuar kufijtë e demokracisë procedurale.
4. Demokracia si çështje ontologjike: pushteti, siguria dhe administrimi i jetës
Në këtë kuptim, metamorfoza e demokracisë nuk është thjesht institucionale, por ontologjike. Demokracia nuk mund të reduktohet më në një sistem rregullash procedurale, sepse këto procedura veprojnë në një hapësirë të zbrazët nga kontrolli mbi mekanizmat realë të pushtetit.
Michel Foucault argumenton se pushteti bashkëkohor nuk lokalizohet më ekskluzivisht në institucionet formale, por qarkullon përmes dispozitivëve të sigurisë, menaxhimit të popullsisë dhe kontrollit të jetës (Foucault, 2007). Nëse demokracia nuk ndërhyn në këto fusha, ajo humb karakterin e saj politik dhe shndërrohet në administrim teknokratik.
5. Shteti-komb si hapësirë negociuese e sovranitetit demokratik
Rikthimi i shtetit-komb ndodh pikërisht si përpjekje për të riartikuluar këtë kapacitet politik. Shteti rifiton funksione që tejkalojnë garantimin formal të procedurave demokratike dhe shndërrohet në hapësirën ku negociohet tensioni ndërmjet sovranitetit, sigurisë dhe formave të reja të pjesëmarrjes politike.
Pa këtë hapësirë negociuese, demokracia ose degjeneron në populizëm afektiv, ose ngurtësohet në teknokraci post-politike—dy forma që, ndonëse duken antagoniste, janë në thelb simbiotike.
6. Gjendja e jashtëzakonshme: rrezik apo moment rikonfigurimi?
Giorgio Agamben e ka përshkruar këtë dilemë përmes konceptit të gjendjes së përhershme të jashtëzakonshme, ku ligji mbetet formal, por politika operon përmes pezullimit të tij (Agamben, 2005). Megjithatë, ndryshe nga leximi pesimist i Agambenit, metamorfoza demokratike nuk duhet kuptuar vetëm si rrezik autoritar, por edhe si moment rikonfigurimi.
Pyetja qendrore nuk është nëse shteti po forcohet, por nëse ky forcim po ndodh brenda apo jashtë një kornize demokratike.
7. Shteti-komb dhe hapësira gjeopolitike e demokracisë
Ndryshimi që po përjeton rendi ndërkombëtar në 15 vitet e fundit nuk është ciklik, por strukturor. Rendi neoliberal, i ndërtuar mbi ndarjen funksionale midis tregut dhe politikës, mbi ndërvarësinë ekonomike si mekanizëm paqeje dhe mbi supozimin se globalizimi është proces linear e i pakthyeshëm, po lëkundet në themelet e tij. Ajo që po shohim nuk është thjesht korrigjim kursi, por rikthim i pushtetit shtetëror si kategori qendrore e organizimit politik dhe gjeopolitik.
Nga perspektiva e gjeopolitikës kritike, shteti-komb mbetet nyja themelore ku ndërthuren hapësira, pushteti dhe identiteti politik (Ó Tuathail, 1996). Demokracia nuk ekziston në vakum normativ, por është gjithnjë e ankoruar në hapësira konkrete sovraniteti.
Përpjekjet për ta universalizuar demokracinë duke anashkaluar këtë dimension kanë prodhuar forma të dobëta shtetësie, demokraci të varura dhe sisteme politike të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve të jashtme.
7.1 Shteti-komb pas neoliberalizmit: nga arbitër në aktor
Në rendin neoliberal, shteti-komb ishte konceptuar kryesisht si garant procedural: rregullator i tregjeve, mbikëqyrës i konkurrencës dhe administrator i stabilitetit makroekonomik. Siguria ishte deleguar (NATO), zhvillimi ekonomik ishte privatizuar, ndërsa teknologjia ishte globalizuar. Ky model funksionoi për aq kohë sa ambienti gjeopolitik ishte relativisht i qëndrueshëm.
Sot, ky ambient ka ndryshuar rrënjësisht. Konkurrenca e fuqive të mëdha, fragmentimi i zinxhirëve të furnizimit, militarizimi i teknologjisë, shndërrimi i energjisë dhe i tregtisë në mjet lufte, si dhe kthimi i luftës konvencionale në Evropë, e kanë bërë të qartë se tregjet nuk janë neutrale dhe globalizimi nuk është politikisht i pafajshëm.
Në këtë kontekst, shteti-komb po rikthehet jo si relikt ideologjik, por si aktor strategjik i sigurisë, si arkitekt i reziliencës ekonomike dhe teknologjike, respektivisht si mbrojtës i hapësirës demokratike nga ndërhyrjet e jashtme.
Kjo është arsyeja pse flitet sot për një “ndryshim paradigme gjeo-ekonomike”: ekonomia nuk shihet më si sferë autonome, por si instrument i fuqisë dhe i mbijetesës politike.
8. Realizmi strukturor dhe kufijtë e demokracisë normative
Siç na mëson realizmi strukturor, rendi ndërkombëtar mbetet anarkik dhe shtetet mbeten aktorët kryesorë të sigurisë dhe mbijetesës (Mearsheimer, 2001). Demokracia, nëse shkëputet nga kjo logjikë, rrezikon të shndërrohet në luks normativ të pambrojtur.
Në këtë kuptim, shteti-komb është kusht paraprak jo vetëm i sovranitetit, por edhe i mbijetesës demokratike.
8.1 Hapësira gjeopolitike e demokracisë: nga universalizmi normativ në funksionalitet strategjik
Në rendin liberal të pas Luftës së Ftohtë, demokracia u trajtua si vlerë universale abstrakte, e shkëputur nga hapësira, historia dhe raportet reale të fuqisë. Përvoja e tri dekadave të fundit tregoi kufijtë e këtij universalizmi: demokracitë e eksportuara pa shtet funksional, pa sovranitet real dhe pa kapacitete mbrojtëse rezultuan të brishta, të varura ose të kapshme. [Shih: Sllovakinë, Hungarinë, Serbinë, Bullgarinë…]
Në rendin e ri në formim, demokracia po riankorohet gjeopolitikisht [rasti i Kosovës]. Ajo po vlerësohet jo vetëm për procedurat e saj, por mbi të gjitha për aftësinë për të mbijetuar në kushte presioni strategjik; pastaj për kapacitetin që dëshmon për të prodhuar siguri, stabilitet dhe besueshmëri; për rolin e saj në arkitekturën më të gjerë të sigurisë kolektive.
Kjo do të thotë se hapësira gjeopolitike e demokracisë nuk është më neutrale. Demokracia ekziston dhe konsolidohet brenda hapësirave konkrete të fuqisë, dhe aty ku këto hapësira janë të fragmentuara, edhe demokracia mbetet e pambrojtur.
8.2 Shqipëria dhe Kosova: nga periferi normative në thellësi operacionale
Në këtë rikonfigurim, Shqipëria dhe Kosova nuk janë thjesht “demokraci të vogla në tranzicion”, por pjesë e një thellësie operacionale euroatlantike në Evropën Juglindore. Kjo hapësirë ka rëndësi jo vetëm politike, por edhe ushtarake (NATO), energjitike dhe infrastrukturore, teknologjike dhe dixhitale, por edhe gjeostrategjike në raport me Rusinë, Kinën dhe Turqinë.
Fragmentimi politik dhe institucional i hapësirës shqiptare e dobëson këtë rol. Dy shtete të ndara, me kapacitete të kufizuara dhe me varësi të ndryshme, janë më të ekspozuara ndaj presioneve të jashtme dhe më pak funksionale si nyje strategjike.
8.3 Federata Shqiptare në vorbullën gjeopolitike: nga ide identitare në zgjidhje funksionale
Në këtë kuadër, Federata Shqiptare nuk shfaqet si projekt romantik apo si devijim nga rendi euroatlantik, por si rezultat logjik i rikonceptimit të shtetit, demokracisë dhe sigurisë.
Në një rend ku sovraniteti po rikthehet si kapacitet real veprimi, ku demokracia po matet edhe me funksionalitetin e saj strategjik dhe hapësirat e vogla dhe të fragmentuara po humbin peshë, një federatë midis Shqipërisë politike dhe Republikës së Kosovës do të rriste kapacitetin shtetëror dhe demokratik, jo ta dobësonte atë; do ta konsolidonte hapësirën shqiptare si nyje gjeopolitike, jo si periferi; do ta përforconte arkitekturën e NATO-s dhe interesat amerikane në rajon, duke ofruar një partner më koherent dhe më rezilient.
Në këtë vorbull gjeopolitike, Federata Shqiptare shfaqet si formë e re e sovranitetit funksional, e përshtatur me realitetet e rendit post-neoliberal: as shtet-komb i izoluar klasik, as hapësirë e shpërndarë post-sovrane, por strukturë politike e aftë për të menaxhuar sigurinë, demokracinë dhe zhvillimin në mënyrë të integruar.
9. Pjesëmarrja politike dhe riformatimi i përfaqësimit
Demokracia procedurale liberale u ndërtua mbi figurën e qytetarit-votues periodik; realiteti bashkëkohor prodhon qytetarë të mobilizuar vazhdimisht, por të përjashtuar nga vendimmarrja reale. Pa një shtet të aftë për të institucionalizuar këtë energji politike, pjesëmarrja ose kanalizohet në forma destruktive të antagonizmit, ose shpërndahet në aktivizëm fragmentar pa ndikim strukturor.
Shteti-komb mbetet, në këtë kontekst, e vetmja hapësirë politike ku mund të ndërtohet një ekuilibër i ri ndërmjet përfaqësimit klasik dhe formave të reja të demokracisë pjesëmarrëse.
10. Përfundim: nga “kriza e demokracisë” te metamorfoza e saj
Prandaj, rikthimi i shtetit-komb nuk duhet interpretuar përmes paradigmës së konsumuar të “krizës së demokracisë”, por si shenjë e një transformimi ontologjik të vetë demokracisë. Demokracia nuk po shembet; ajo po ndryshon formë.
Në këtë proces metamorfoze, shteti-komb nuk është pengesë, por nyja strukturale ku ky transformim bëhet i mendueshëm dhe politikisht i realizueshëm.
Rilindja e pushtetit shtetëror nuk është kthim prapa në histori, por adaptim ndaj një bote më të rrezikshme dhe më të fragmentuar. Në këtë botë, demokracitë që nuk rikonceptojnë raportin e tyre me shtetin, hapësirën dhe fuqinë, rrezikojnë të mbeten forma bosh.
Për hapësirën shqiptare, kjo do të thotë se çështja nuk është nëse Federata Shqiptare është e dëshirueshme ideologjikisht, por nëse ajo është e nevojshme funksionalisht. Dhe në logjikën e rendit të ri gjeopolitik, përgjigjja po bëhet gjithnjë e më e qartë.
Referenca bibliografike
- Agamben, G. (2005). State of Exception. University of Chicago Press.
- Foucault, M. (2007). Security, Territory, Population. Palgrave Macmillan.
- Mearsheimer, J. J. (2001). The Tragedy of Great Power Politics. Norton.
- Mearsheimer, J. J. (2018). The Great Delusion: Liberal Dreams and International Realities. Yale University Press.
- Habermas, J. (2001). The postnational constellation: Political essays. MIT Press.
- Ó Tuathail, G. (1996). Critical Geopolitics. University of Minnesota Press.
- Schmitt, C. (2005). Political Theology (orig. 1922). University of Chicago Press.
- Ramabaja, Sadri, Federta Shqiptare – Kohezioni i shtetit-komb në BE, Albanica, Lubljana, 2016
