Nga Dan GASHI / Njujork
Eskalimi i shpejtë i krizës mes Iranit, SHBA-së dhe aleatëve, si dhe pozicionimi i flotes detare për një sulm masiv, po e vendos zgjedhjen në vetëm dy opsione të mundshme: bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë e Iranit, që përfundojnë duke shpëtuar ekonominë nga një apokalips, ose duke i hapur “Portat e Ferrit” në Azinë Perëndimore dhe përtej. Ora kritike po afrohet dhe copat e enigmës po bien në vendin e tyre një nga një. Dislokimi i flotës gjigante, pozicionimi gjithnjë e më i qartë për një sulm masiv, retorika agresive dhe luftënxitëse në rrjetet sociale me kërkesa gjithnjë e më maksimale, po minimizojnë mundësinë e negociatave të mirëfillta dhe po e reduktojnë tërë këtë ndërmarrje në kapitullim ose luftë.
Të tri kërkesat kryesore të SHBA-së, gjegjësisht Izraelit dhe aleatëve, që për sovranitetin e Iranit duhet të jenë të papranueshme:
- Irani duhet të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, përfshirë edhe atë civil, dhe të ndërpresë plotësisht pasurimin e uraniumit.
- Irani duhet ta reduktojë në minimum programun e tij raketor.
- Irani duhet të ndalojë së mbështeturi forcat e lëvizjeve rezistuese si Hezbollah, Ansarallah të Jemenit dhe milicitë irakiane.
Mundësia që Ajatollahu Khamenei, Garda Revolucionare dhe Mexhlisi (Parlamenti) të bien dakord për ndonjë pikë të këtij ultimatumi të diktuar, sigurisht nga boshti sionist brenda dhe jashtë Izraelit, është thuajse e papranueshme, është kapitullim klasik. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, para ose gjatë një lufte detare në shkallë të gjerë në Gjirin Persik, do ta ngrinte çmimin e naftës në disa qindra dollarë për fuçi. Edhe nëse lufta do të jetë vetëm e përkohshme, e gjithë ekonomia globale do të shembet. Mbi të gjitha, bllokimi i Hormuzit do të shkaktonte shpërthimin e tregut boterore dhe sistemit financiar.
Kulminimi i përgatitjeve ushtarake dhe kërcënimeve të SHBA-së ngjajnë me modus operandi të Trump-it për të krijuar “masën kritike” si një prelud për një “marrëveshje” e cila do të zhbënte programun bërthamor të Iranit dhe të gjithë mekanizmat e tij të mbrojtjes, njëkohësisht duke e çuar SHBA-në përtej pikës së kthimit. Teherani, nga pamundësia e manovrimit politik dhe diplomatik, do të detyrohet të përgjigjet me tërë kapacitetin e tij posedues, duke sulmuar Izraelin me raketa hipersonike ndaj të cilave sistemi i mbrojtjes kundërajrore nuk është tërësisht efikas. Edhe nëse Izraeli arrin pjesërisht të mbrohet, ai nuk do të mbetet entitet funksional për një kohë. Sulmi i Iranit do të përfshijë edhe shtete fqinje aleate të SHBA-së, duke shkatërruar në masë të madhe ekonominë e tyre, e sidomos burimet dhe infrastrukturën e naftës, gjegjësisht duke sjellë rënien e ekonomisë globale.
Përmes përplasjes me Iranin, Trump-i synon provokimet ndaj Kinës dhe Rusisë, për të prishur në të njëjtën kohë projektet e integrimit të Iniciativës “Një Brez, një Rrugë” (Kinë-Iran) dhe Korridorin Ndërkombëtar të Transportit Veri-Jug (INSTC), që bashkon Rusinë, Iranin dhe Indinë. Kjo strategji është niveli tjetër, shumë përtej nivelit hibrid, që i afrohet nivelit të “nxehtë”, luftës gjithëpërfshirëse kundër BRICS-it, gjegjësisht katër vendeve kryesore të tij: Iranit, Rusisë, Kinës dhe Indisë. Kjo strategji e gjithanshme në të gjithë spektrin gjeopolitik dhe gjeoekonomik, rrezikon drejtpërdrejt rrjedhat e energjisë, korridoret e lidhjes dhe partneritetet strategjike, duke u proklamuar si përplasje me Iranin, por dimensioni dhe synimi i vërtetë është global.
Strategjia e mbrojtjes detare e Iranit për të kundërshtuar një sulm të koordinuar të SHBA-së dhe Izraelit, mbështetet në mijëra mina detare dhe sulme me anije të vogla të armatosura. Raketa të panumërta balistike dhe anti-anije janë pozicionuar përgjatë bregdetit të Gjirit Persik, së bashku me qindra dronë kamikazë, nëndetëse dhe raketa anti-anije të shpërndara në ishujt e Gjirit. Irani do të përqendrojë të gjithë fuqinë e tij të zjarrit në atë që e përshkruan si “vija e parë e konfrontimit”. Ndryshe nga lufta 12-ditore e vitit të kaluar, gjithçka do të përdoret në këtë teatër lufte; armë “jokonvencionale”, një sërë “surprizash strategjike”, raketa të reja hipersonike, sisteme të reja elektronike kineze dhe ruse, si dhe sulme masive kibernetike me përmasa globale.
Në përgatitje të sulmit, Irani tashmë i ka fikur radarët, duke përfshirë edhe radarët civilë në Aeroportin Ndërkombëtar të Teheranit, për të mundësuar instalimin e sistemeve ruse të bllokimit “Murmansk-BN”, që kërkojnë heshtje të plotë të radarëve për të kalibruar siç duhet sistemin e ri të mbrojtjes kundërajrore. Ekspertët iranianë dhe këshilltarët e tyre rusë e kinezë janë të vetëdijshëm se SHBA-ja në këtë teatër do të aplikojë sistemin dhe teknologjinë më të sofistikuar, si E-11A BACN; një avion mbikëqyrës dhe qendër komunikimi, një lloj “router-i fluturues” masiv. Ky është një Wi-Fi shumë i lartë që lidh F-35, F-22 dhe avionë të tjerë e sisteme të ndryshme komunikimi me forcat tokësore dhe detare, gjithçka në kohë reale, për t’iu shmangur terrenit malor të Iranit.
NATO, si strukturë ushtarake e mbikëqyrur nga SHBA-ja, si dhe shtetet e BE-së mund të kenë bërë pazarin në heshtje. SHBA-ja përmbahet nga aneksimi i Grenlandës në këmbim të mbështetjes në luftën kundër Iranit. Në këtë kuadër është edhe shpallja e Gardës Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste nga Brukseli si al-Kaeda dhe ISIS. Tani është plotësisht e qartë për Teheranin se Trump-i dhe Izraeli duan ndryshimin e regjimit, dhe programi bërthamor është vetëm një pretekst.
I ballafaquar me situatë të rrezikshme dhe kërcënuese, Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad-Baqer Qalibaf, vazhdon të theksojë se Teherani nuk e kundërshton parimin e dialogut dhe diplomacisë, për sa kohë që ai përfshin respekt të ndërsjellë. Nga ana tjetër, Erdogani, duke ditur pasojat tronditëse për ekonominë dhe pozitën gjeopolitike të Turqisë, po bën çmos të aranzhojë një takim trepalësh të nivelit të lartë midis Iranit, SHBA-së dhe Turqisë, madje edhe nëpërmjet videokonferencës. E gjithë kjo dramë traumatike ose merr kahjen e bisedimeve dhe zgjedhjes përmes diplomacisë duke shpëtuar ekonominë globale, ose shkohet drejt humnerës dhe kaosit me pasojat më katastrofike që bota ka parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
