Nga Getoar MJEKU
Bllokuesi i Prishtinës paska nisur sërish të akuzojë të tjerët për ligësitë që i bën vetë. Pasi ka dështuar disa herë të miratojë buxhetin e komunës brenda afatit ligjor, tani paralajmëron se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për ndarjet buxhetore – për të bllokuar gjithë shtetin.
Kjo është taktika e partisë së vet, LDK, dhe e partisë simotër, PDK. Kryetari i Prishtinës thotë se nuk është anëtar partie. Për këtë nuk mund të jemi plotësisht të sigurt. Por jemi të sigurt se këta e trajtojnë Kushtetutën si barrikadë kundër demokracisë dhe si mjet për të grabitur pushtetin.
Gjykatën Kushtetuese e konsiderojnë vegël politike. Gjatë vitit 2025, e vunë në funksion për t’u kujtuar deputetëve si duhet të votojnë — pro ose kundër. Gjatë kësaj rruge, Kushtetutës iu dhanë kuptime që nuk i ka, me shpresën se mund të përmbyseshin themelet e demokracisë. Falë kësaj metode, Lista Srpska siguroi një lloj fermani kundër pluralizmit brenda komunitetit serb.
Ka mbi pesë vjet që ka nisur instrumentalizimi i Gjykatës. Dhjetëra ligje janë pezulluar për vite të tëra dhe më pas janë rrëzuar për imtësi procedurale ose janë shpallur të vlefshme me vonesë të pajustifikueshme. Ligjit për Byronë e Pasurisë së Pajustifikueshme iu desh gati një vit e gjysmë për të marrë vlerësim. Ligji për çmimet e produkteve themelore u vonua mbi 12 muaj, ndonëse ishte propozuar si masë urgjente në rrethanat e krijuara nga lufta në Evropë. Ligji për pagën minimale priti më shumë se një vit për miratim. Ligji për investime të qëndrueshme qëndroi në gjykatë nëntë muaj dhe në fund rezultoi i paprekur. Ndryshimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial priti dhjetë muaj herën e fundit, ndërsa Ligji për Fondin Sovran ndodhet tashmë në vitin e tretë të vlerësimit të kushtetutshmërisë.
Sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese ka afat 60 ditë për të vendosur në këto raste. Në praktikë, ky afat po zgjatet mbi trembëdhjetë herë.
Edhe në Evropë ndodh që opozita t’i dërgojë ligjet për vlerësim kushtetues. Por nuk ndodh që gjykatësi i kushtetutshmërisë t’i vonojë vendimet për kaq gjatë. Aq më pak që ata që vetë vonojnë dhe bllokojnë proceset t’ia hedhin fajin kundërshtarit — siç po bën kryetari që u zgjodh me megapremtime dhe u rizgjodh me pazare në kurriz të Prishtinës.
Shtetet evropiane kanë modele të ndryshme kushtetuese, por Kosova po bëhet rast i pashembullt. Në shumë vende, gjykatat i vlerësojnë ligjet vetëm pasi ato hyjnë në fuqi. Ndërsa aty ku ekziston kontrolli ex ante, nuk ka vonesa. Në Francë vendimi merret brenda afatit: 30 ditë në raste të zakonshme dhe 8 ditë në raste urgjente. Në Portugali duhen 25 ditë, në Estoni 30, ndërsa në Irlandë saktësisht 60 ditë. Rumania nuk vonon më shumë se dy muaj, ndërsa Polonia zakonisht arrin deri në tre ose katër muaj. Disa shtete e përdorin këtë mekanizëm rregullisht, disa shumë rrallë — pothuajse kurrë. Vetëm në Kosovë, tani që procedura po përdoret shpesh dhe po zgjat me vite, vlerësimi kushtetues po shndërrohet në veto kundër qeverisë së zgjedhur me shumicë absolute.
Sa kohë që ka një qeveri të mirë, Republika e Kosovës do ta kapërcejë dëmin që shkaktojnë teprimet dhe vonesat gjyqësore. Por si mund t’i shpëtohet Prishtinës nga barra e një qeverisjeje të korruptuar?
Kushtetuta, mbi të gjitha, nuk duhet t’i shërbejë mendësisë bllokuese. Ajo nuk është buton dremitjeje, por alarm për ata që qeverisin kryeqytetin pa përgjegjësi.
