Nga Refik HASANI
Pasivizimi i adresave për shqiptarët e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duhet kuptuar si një proces që prodhon pasoja përtej atyre administrative. Në momentin kur një qytetar nuk posedon dokumente identiteti, ai trajtohet si një shtetas i huaj dhe jo si shtetas i Republikës së Serbisë.
Në këto rrethana, ai nuk mund të kryejë asnjë veprim ligjor dhe mbetet pa të drejtë të fillojë, të kryejë apo të vazhdojë procedura juridike, në kundërshtim të plotë me standardet dhe konventat e Bashkimit Evropian, si dhe me aktet ndërkombëtare të garantuara edhe nga Karta e OKB-së.
Si pasojë e pasivizimit të adresës, qytetari humb të drejtën për të votuar dhe për t’u votuar; humb qasjen në kujdesin shëndetësor dhe shërbimet sociale; humb të drejtat civile, si dhe të drejtën për të blerë apo shitur pronë, për të regjistruar dhe trashëguar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Po ashtu, ai humb mundësinë e përdorimit të llogarive bankare, si dhe sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për të cilat ka kontribuar ndër vite.
Përmes pasivizimit të adresave, Serbia po zbaton në mënyrë të heshtur dhe pa zhurmë një strategji të qartë, e cila në praktikë po çon në shpopullimin gradual të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Serbia vazhdon të shkelë, cenojë dhe mohojë të drejtat themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve. Për këtë arsye, më 8 korrik 2022, Parlamenti Evropian miratoi një Rezolutë në të cilën kërkohet hetim për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke e konsideruar atë një formë të spastrimit etnik dhe diskriminimit sistematik.
Ky çështje është reflektuar edhe në Raportin e Progresit për Serbinë për vitin 2021, përmes amendamentit 79, i cili u propozua dhe më pas u miratua nga eurodeputetët.
Parlamenti Evropian, për më shumë se një dekadë, ka ngritur vazhdimisht diskutimin mbi pasivizimin e adresave dhe pasojat e tij diskriminuese. Edhe në raportin e 2 majit 2025 theksohet qartë se spastrimi etnik dhe diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë manifestohet përmes anulimit të adresave të banimit, gjë që i privon ata nga e drejta e votës, qasja në kujdesin shëndetësor dhe dokumentet personale.
Një zhvillim me ndikim të madh ndërkombëtar është edhe prezantimi i projekt-rezolutës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e iniciuar nga kongresmeni Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën. Më 21 janar 2026 ai paraqiti Rezolutën me numër H.R. 6411 në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-së.
Ndërkohë, më 2 mars 2026 është paraqitur një padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Edhe pse padia është dorëzuar në emër të një individi, rasti ka të bëjë me shkelje të të drejtave themelore të njeriut që prekin një komunitet të tërë.
Këto veprime përbëjnë shkelje të konventave dhe akteve të Bashkimit Evropian dhe të së drejtës ndërkombëtare, duke sjellë mohimin e të drejtave elementare të njeriut në shumë fusha dhe në mënyrë sistematike.
Gjykata Evropiane në Strasburg, pas shqyrtimit të provave të shumta dhe raportimeve të mediave ndërkombëtare kredibile, si dhe të hulumtimeve investigative të realizuara ndër vite, pritet të marrë në konsideratë edhe raportet e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Serbi dhe në Evropë.
Kjo gjykatë disponon një sërë faktesh dhe pritet të vendosë që të gjithë personat e prekur të kompensohen për dëmet e shkaktuara dhe të ndalohet mekanizmi administrativ diskriminues i pasivizimit të adresave, i cili përbën një formë të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.
Në këtë proces do të merren parasysh edhe raportimet e vazhdueshme të OSBE-së, si dhe studimet dhe trajtesat akademike që dëshmojnë se pasivizimi i adresave nuk është një veprim individual apo i izoluar.
Në fakt, ai përfaqëson një mekanizëm të ndërtuar nga aparati administrativ i Serbisë me qëllim arritjen e një objektivi të qartë: spastrimin e heshtur etnik dhe diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve.
Sipas të dhënave të disponueshme, kjo praktikë ka prekur rreth 25 mijë qytetarë shqiptarë, jo vetëm në këtë rajon, por edhe në pjesë të tjera të Serbisë.
Një precedent i rëndësishëm juridik është edhe rasti i Sllovenisë, ku Gjykata Evropiane e Strasburgut ka marrë një vendim të formës së prerë për një çështje të ngjashme që lidhej me pasivizimin e adresave për minoritetet. Në atë rast, Sllovenia u dënua financiarisht për shkelje të të drejtave të njeriut.
Pasivizimi selektiv i adresave vetëm për shqiptarët në Serbi, veçanërisht në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, përbën një formë të qartë të spastrimit etnik dhe diskriminimit sistematik.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës Evropiane të Strasburgut pritet të jetë një moment i rëndësishëm juridik dhe politik në luftën kundër kësaj praktike diskriminuese dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore të shqiptarëve në Serbi.
Rezoluta e Parlamentit Evropian e 8 korrikut 2022, projekt-rezoluta H.R. 6411 e paraqitur në Kongresin Amerikan më 21 janar 2026, si dhe padia e regjistruar më 2 mars 2026 në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përbëjnë një bazë të fortë juridike dhe politike për të dëshmuar shkeljet sistematike ndaj shqiptarëve autoktonë në Serbi.
Rasti i znj. Teuta Fazliu nga Bujanoci, e cila ka ndjekur me këmbëngulje rrugën ligjore për kundërshtimin e pasivizimit të adresës së saj, është një shembull i qartë i rezistencës juridike ndaj këtij mekanizmi diskriminues.
Të gjithë këta faktorë tregojnë se padia e paraqitur më 2 mars 2026 në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjasa reale të çojë drejt një vendimi që do ta konstatojë pasivizimin e adresave si një formë diskriminimi sistematik dhe spastrimi etnik.
Ky artikull, i mbështetur në burime dhe referenca kredibile, trajton në mënyrë studimore fenomenin e pasivizimit të adresave për shqiptarët e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Analiza argumenton se praktika e zbatuar nga Serbia përbën shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe përfaqëson një formë të spastrimit etnik dhe diskriminimit sistematik.
