Më 20 Mars 1999 Serbia ndërmorri kundër Kosovës dhe UÇK-së Mësymje të Përgjithshme Genocidale Ushtarako-Politike e ideologjike.
Nga Dilaver GOXHAJ, Kolonel
Në luftën kundër pushtuesve serbë veprimet luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luajtën rolin kryesor për dëbimin e pushtuesve serbë, kurse lufta e NATO-s duke u angazhuar vetëm me aviacionin e saj gjuejtës-bombardues, luajti rol ndihmës. Cilido intelektual i mirëfilltë ushtarak profesionist dhe historian objektiv ka arritur tashmë në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.
Shkak për këtë trajtesë është propaganda e fuqishme dhe e maskuar ani-Ushtri Çlirimate e Kosovës, duke e paraqitur NATO-n faktorin kryesor për dëbimin e Serbisë nga Kosova. Mund të duket në këtë rast se në luftën e bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) me metodat e luftës partizane, duke qenë edhe ushtri e vogël dhe jo shumë e fuqishme në raport me kundërshtarin, mund të shtrohen vetëm çështje të taktikës partizane.
Pse atëherë unë e titulloj shkrimin në aspektin strategjik të asaj lufte partizane, duke e radhitur atë si faktor kryesor për çlirimin e Kosovës?
Faktikisht Kosova është një vend i vogël, dhe në rast se NATO-ja do të angazhohej edhe me forca tokësore, krahas me aviacinin e saj, pranë të cilave UÇK-ja do të zhvillonte veprimet e saj partizane, atëhere, sigurisht, në trajtesën e luftës partizane të saj do të dilnin në analizë vetëm çështjet e taktikës së saj partizane dhe nuk do të dilte asnjë lloj çështjeje e strategjisë së luftës partizane.
Nga ana tjetër, në qoftë se Kosova do të ishte një vend i madh e i fuqishëm aq sa dhe Serbia, dhe UÇK-ja do të zhvillonte luftën partizane, (sikundër e zhvilloi në periudhën mars-qershor 1999), krahas forcave tokësore të NATO-s, Serbia do të ishte dëbuar shumë më shpejt ose edhe në se jo shumë shpejt, sidoqoftë, nuk do të mund ta pushtonin tërësisht Kosovën nëse ajo do të kishte një territor sa vetë Serbia – edhe në këtë rast veprimet partizane të UÇK-së do të luanin rol ndihmës në lidhje me operacionet e forcave tokësore të NATO-s, dhe atëherë, sigurisht, edhe në luftën partizane të UÇK-së do të dilnin në pah vetëm çështjet e taktikës, dhe aspak të strategjisë së luftës partizane.
Çështjet e aplikimit të strategjisë së luftës partizane nga ana e UÇK-së lindën për shkak të rrethanave të mëposhtme:
Së pari, duke qenë se armiku kaloi në mësymje të përgjitshme, natyrisht që ne ishim ushtria që do të mbroheshim, për faktin se ishim dhe do të ishim gjithnjë shumë më të dobët se kundërshtari.
Në këto kushte ishim të detyruar të zhvendosnim vendndodhjen e forcave tona, gjë që do të zhvendosnim edhe teatrin e veprimeve luftarake. Vetëm kështu do t’ia prishnim llogaritë armikut dhe do ta detyronim të luftonte në çaste të tilla dhe në vende të tilla, të cilat nuk u përgjigjeshin aspak parashikimeve të tij, gjë që do të ishin krejt të papërshtatshme për të. Me këtë strategji do të na jepej mundësia të tregoheshim më të fuqishëm se ai në çdo pikë që ne do ta sulmonim.
Me taktikën e luftës partizane ne do të na jepej mundësia ta sulmonim armikun ditën dhe natën, në krahët dhe në shpinë të tij. Si rrjedhojë, avantazhet e pozicionit ku ne do të sulmonim do të ishin në anën tonë dhe, frymëzimi i shkaktuar nga sulmi do t’u jepte forcave tonë një epërsi edhe shumë herë të madhe morale, ngaqë luftonim për jetën e familjeve tona dhe të Atdheut tonë.
Së dyti, përveç që ishim shumë më të dobët se armiku, Kosova ishte një shtet, (po e quajmë një shtet), edhe shumë i vogël. Ky “shtet” i vogël e i dobët ishte pushtuar dhe kontrollohej tërësisht nga një shtet jo i vogël dhe me ushtri shumë më të madhe e më të fuqishme. Këtu është gjithë puna.
Së treti, kalimi në këtë strategji edhe për faktin që Serbia kishte një shekull që e mbante të pushtuar gjithë territorin e Kosovës dhe ushtria e saj e njihte me hollësi dhe kish një vit e gysëm që luftonte me strategjinë e sulmeve masive, gjë që edhe UÇK-ja po këtë lloj strategjie kish përdorur gjatë kësaj periudhe. Kjo lloj strategjie e UÇK-së gjatë periudhës nëntor 1997 – mars 1999 kish bërë të mundur krijimin e “zonave të lira” në shumë rajone në Kosovë, por të izoluara nga njera-tjetra!
Kjo kish sjellë që lufta e UÇK-së kundër pushtuesve serbë të zhvillohej me veprime luftarake mbrojtëse të pakoordinuar mes veti këto “zona të lira”, dhe aspak sipas taktikës partizane.
Ishte zbatuar ajo strategji duke menduar se Serbia do të lodhej apo do të gjakosej sado pak dhe do ta largohej vetë nga Kosova. Mirëpo, këto veprime luftarake mbrojtëse të UÇK-së patën edhe ato një rezultat pozitiv, ngaqë filluan ta pengonin sundimin absolut të Serbisë. Për këtë qëllim Serbia vendosi që, më 20 mars 1999 të ndërmerrte Operacionin e saj Mësymës të emërtuar “Operacioni Potkoi”.
Atëherë ne si UÇK-ë u detyruam që, flakë për flakë, të ndryshonim strategjinë e zhvillimit të veprimeve luftarake, duke kaluar në luftë me aktivitete më të shumta, në të gjithë Kosovën, por jo të karakterit mbrojtës si deri në marsin e vitit 1999. Pikërisht nga këto shkaqe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së vendosi që të vijonim të bënim mbrojtje strategjike, por përmes një strategjije të re, me strategji sulmuese të gjithanshme.
Kjo strategji, natyrisht, që do ta shndërronte luftën çlirimtare të Kosovës në luftë të gjatë. Mirëpo lufta e gjatë do të kishte shumë probleme jo të zakonshme për ne, pasi përveç krijimit të bazave mbështetëse të fuqishme, ku të mbështeteshin forcat tona për të sulmuar, po ashtu dhe çështja e kalimit të luftimeve sipas metodës së taktikës partizane, një lloj lufte manovruese, njëkohësisht sa në një rajon në tjetrin.
Duke qenë se po ndryshehej strategjija e mbrojtjes të popullit dhe të UÇK-së, prandaj dhe pati debate në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së; mbledhje kjo qysh në orët e para të fillimit të mësymjes nga ana e armikut, për kalimin nga strategjia e mbrojtjes pozicionale, në strategjinë e mbrojtjes përmes taktikës së luftës partizane, të luftës sulmuese.
Pas një konsulte debatuese disa orëshe midis gjthë anëtarëve të SH.P prezentë, më në fund u vendos kalimi në strategjinë e luftës partizane; kjo edhe për faktin se na ishte bërë e qartë nga vetë Presdidenti Klinton, prej fjalimit të tij të së shtunës në radio, në datën 13 shkurt 1999, (pikërisht atë ditë që zonja Medlin Ollbrajt mbrriti në Mbledhjen Ndërkombëtare të Rambujesë – Paris), se, NATO-ja nuk do ndërhynte me forca tokësore, duke deklaruar: “Mirëmëngjes. Këtë javë, palët ndërluftuese në Kosovë janë takuar në Francë, në një kështjellë të shekullit XIV, në kërkim të një paqeje të shekullit XXI. Ato arritën të takohen sipas vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara, të aleatëve tanë evropianë, si dhe të Rusisë, për të ndihmuar në dhënien fund të gjakderdhjes në Kosovë dhe për të ndërtuar një të ardhme paqësore në atë vend.. . Në qoftë se Serbia nuk i përmbush angazhimet e saj të mëparshme për të tërhequr trupat dhe nuk e mbështet marrëveshjen e paqes, NATO-ja është e autorizuar të kryej sulme ajrore kundër saj. Në të njëjtën kohë, ne ua kemi bërë të qartë shqiptarëve të Kosovës se nëse ata e kundërshtojnë planin tonë ose e vazhdojnë luftën, ata nuk do të kenë mbështetje nga ne”. (Bill Klinton “Ne luftën, ju paqen 1998-1999”, Tiranë, 2000, f.15).
Ndërsa më 19 mars 1999 Komandanti i NATO-s, Gjenerali Uesli Klark, duke vlerësuar situatën e atyre ditëve në Kosovë si jashtëzakonisht të rëndë, për shkak të shtimit të vazhdueshëm të forcave serbe në Kosovë, delaroi: ”Vetëm nga tetori e deri tash janë zhvendosur (në male) 60 mijë civilë. Rreth 50 për qind e Kosovës është e pabanuar…. Sipas informatave që kam, qëllimi i forcave serbe është për ta shkatërruar Kosovën për 5-7 ditë.” (Arkivi i luftës i Agjensisë Kosovapress, Vëll.2, Prishtinë 2016, f.257-258). Dhe po atë mbasdite të 19 marsit 1999, me urdhër të Knut Volebek, (shefi i rradhës i OSBE-së), 1.400 vëzhguesit e Misionit Verifikues të OSBE – filluan ta lëshonin Kosovën.
Përderisa NATO nuk do të angazhohej me forca tokësore, por vetëm me aviacion, ndërkohë që pushtuesit serbë kishin grumbulluar në Kosovë mbi 140 mijë forca të armatosura, me idenë që për 5-7 ditë ta asgjësonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ta shpopullonin atë, si dhe kur tashmë gati 500 mijë shqiptarë ishin shpërngulur jashtë Kosovës, natyrisht që ishim të detyruar që lufta e UÇK-së të dilte nga kuadri i strategjisë së deriatëhershme mbrojtëse; kështu që taktika e luftës partizane, detyrimisht që do të trokiste me forcë në “derën” e strategjisë së ardheshme të UÇK-së.
Për këto arsye çështja e luftës çlirimtare në Kosovë duhej të shikohej nga Shtabi i Përgjithshëm edhe në prizmin e strategjisë dhe taktikës së luftës partizane, pasi ishte e vetmia forcë tokësore që do të ndeshej me një kundërshtar 7 (shtatë) herë më të madh në numur dhe mijëra herë më i fuqishëm në armatime e teknikë luftarake e motorizuar dhe e blinduar.
Një vëmendje të posaçme merrte fakti se kjo luftë partizane e UÇK-së do të ishte tepër e gjerë dhe që nuk dihej se sa do të zgjaste(?), gjë që ishte në vetvete diçka krejt e re në historinë e luftrave që ka bërë kombi shqiptar. Kjo rrethanë ishte e lidhur shumë ngushtë me epokën që jetonte Kosova – në vitin e fundit të shekullit të XX, dhe fillimin e shekullit XXI, e lidhur shumë ngushtë me ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe me mosshpopullimin e saj prej popullsisë autoktone që ishte 95 % shqiptare.
Këtu qëndron thelbi i çështjes pse u kalua në strategjinë e luftës partizane, pasi kundërshtari ynë ende shihte ëndërra të mira: duke e parë Kosovën të shpopulluar 100% prej shqiptarëve autoktonë.
Por në Kosovën e vitit 1999 ajo ëndërr e serbëve ishte e parealizueshme, sepse ishin shfaqur shumë faktorë gjatë ngjarjeve prej 1912 – 1999, prej kur Serbia pat mbajtur të pushtuar Kosovën. Dhe një nga këta faktorë ishte kjo luftë partizane që ishte diçka krejt e re në raport me luftrat e mëparshme prej shqiptarëve në Kosovë.
Dhe nodhi që kundërshtari ynë e nënçmoi këtë faktor, prandaj edhe u shporr jetë e mot prej Kosove!
Pikërisht për shkak të këtyre që u thanë më lartë luftimet sipas taktikave të luftës partizane u panë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së edhe në prizmin e strategjisë; dhe, duke qenë se NATO-ja nuk u angazhua me forca tokësore, por vetëm me bombardime me aviacion, lufta e UÇK-së kundër pushtuesve serbë luajti rolin kryesor në çlirimin e Kosovës. Për këtë arsye në debatet e Shtabit të Përgjithshëm u këmbëngul që të zbatoheshin parimet strategjike të përgjithshme të luftës kundër pushtuesve serbë.
Çështjet e strategjisë së luftës partizane nga Ushtria Çlrimtare e Kosovës kundër pushtuesve serbë, në thelb qenë të lidhura ngushtë me çështjet strategjike të të gjithë luftës në tërësi dhe se ato kanë shumë gjëra të përbashkëta. Por, nga ana tjetër, lufta partizane që ndërmori UÇK-ja për përballimin e asaj mësymjeje genocidale ushtarako-fetare, dallohet nga lufta që bën zakonisht një ushtri e rregullt, ngaqë ajo ka veçoritë e saj specifike. Prandaj edhe strategjia e luftës partizane që aplikoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës pati shumë veçori specifike.
Me këtë dua të them, se nuk mund të krahasohen mekanikisht parimet e përgjithshme strategjike të luftës partizane të UÇK-së kundër pushtuesve genocidalë serbë dhe të shihet se si u zbatuan parimet e saj të përgjithshme nga formacionet e UÇK-së, e cila ka veçoritë e saj. Objektivi kryesor i kalimit në strategjinë e luftës partizane prej UÇK-së ishte: Të ruante me çdo mënyrë forcat e veta, të bënte të mundur dështimin e Operacionit armik “Potkoi” e cila të çonte drejt dëbimit përfundimtar të Serbinë nga Kosova, i cili ishte dhe qëllimi politik i asaj lufte. Dhe përfundmisht, përmes kësaj strategjie Ushtria Çlirimtare e Kosovës ia arriti qëllimit të saj strategjik, pa e mohuar aspak ndihmën e jashtëzakonshme të aviacionit të NATO-s.
Tiranë, 20 mars 2026
