Një analizë strategjike e implikimeve për Ballkanin Perëndimor
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Abstrakt
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme në periudhën 2025–2026 ka prodhuar pasoja të rëndësishme për arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në marrëdhëniet transatlantike dhe në pozicionimin strategjik të Bashkimit Evropian. Ky studim analizon ndikimet sistemike të këtij konflikti mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë në çështjen shqiptare dhe në shtetndërtimin e Kosovës. Duke përdorur një qasje ndërdisiplinore që ndërthur teorinë realiste, institucionalizmin liberal dhe konstruktivizmin, artikulli zhvillon tre skenarë gjeopolitikë për rajonin dhe argumenton se Ballkani mbetet një hapësirë e ndërmjetme strategjike në një rend ndërkombëtar në transformim. Studimi përfundon me rekomandimin se aktorët politikë shqiptarë duhet të zhvillojnë një strategji më autonome dhe fleksibile në raport me ndryshimet globale.
Fjalët çelës: Lufta në Lindjen e Mesme, Ballkani Perendimor, Çështja shqiptare, Marrëdhëniet transatlantike, Autonomia strategjike evropiane, Rendi ndërkombëtar në transformim
1. Hyrje
Në fillim të dekadës së tretë të shekullit XXI, sistemi ndërkombëtar po përjeton një transformim të thellë strukturor. Lufta në Lindjen e Mesme, e përfshirë në një kontekst më të gjerë rivalitetesh ndërmjet fuqive të mëdha, ka nxjerrë në pah dobësitë e rendit liberal ndërkombëtar dhe ka rritur pasigurinë globale.
Përshkallëzimi i tensioneve ndërmjet SHBA-ve dhe aktorëve rajonalë në Lindjen e Mesme, si dhe reagimi më i rezervuar i BE-së dhe shteteve nacionale veç e veç, si aleatë të SHBA-ve për dekada të tëra, sugjerojnë një divergjencë në rritje në marrëdhëniet transatlantike. Kjo situatë ka implikime të drejtpërdrejta për rajonet periferike të sistemit euroatlantik, ndër të cilat Ballkani Perëndimor zë një vend të veçantë.
Kjo ese politike synon të analizojë:
(1) ndikimet sistemike të konfliktit në Lindjen e Mesme;
(2) transformimin e marrëdhënieve SHBA–BE;
(3) implikimet për Ballkanin dhe çështjen shqiptare;
(4) skenarët e mundshëm gjeopolitikë për rajonin.
2. Korniza teorike
2.1 Realizmi dhe rivaliteti i fuqive të mëdha
Në perspektivën realiste, sistemi ndërkombëtar karakterizohet nga anarkia dhe konkurrenca për fuqi (Mearsheimer, 2001). Konflikti në Lindjen e Mesme mund të interpretohet si pjesë e një rivaliteti më të gjerë ndërmjet fuqive globale për kontrollin e burimeve energjetike dhe të korridoreve strategjike.
Realizmi thekson se rajonet periferike, si Ballkani, shpesh shndërrohen në fusha ndikimi dhe konkurrimi ndërmjet fuqive të mëdha.
2.2 Institucionalizmi liberal dhe kriza e rendit ndërkombëtar
Sipas institucionalizmit liberal (Keohane & Nye, 1977), institucionet ndërkombëtare luajnë një rol kyç në stabilizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Megjithatë, krizat e fundit tregojnë një dobësim të këtij rendi institucional, veçanërisht në raport me:
- rolin e NATO-s
- kapacitetet e politikës së jashtme të BE-së
- efektivitetin e mekanizmave multilaterale
2.3 Konstruktivizmi dhe identiteti strategjik evropian
Konstruktivizmi (Wendt, 1999) thekson rëndësinë e ideve dhe identiteteve në politikën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, debati mbi “autonominë strategjike” të BE-së reflekton një transformim të identitetit të saj si aktor global.
3. Lufta në Lindjen e Mesme si katalizator sistemik
3.1 Dimensioni energjetik dhe ekonomik
Një nga efektet më të menjëhershme të konfliktit është goditja ndaj tregjeve globale të energjisë. Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit global me naftë, është bërë një pikë kritike e tensioneve.
Pasojat përfshijnë:
- rritje të çmimeve të energjisë
- inflacion në ekonomitë evropiane
- presion mbi politikat fiskale dhe sociale
Por valët tronditëse po përhapen tashmë përtej tregjeve globale të energjisë.
“Pasojat më të menjëhershme dhe të rrezikshme të një mbylljeje të zgjatur të Ngushticës së Hormuzit mund të ndihen në tryezën e ushqimit dhe jo në pompat e benzinës. Në fund të fundit, Ngushtica e Hormuzit nuk është vetëm një rrugë transporti për anijet cisternë të naftës, por edhe një arterie jetësore e sistemit global ushqimor… Përafërsisht 70 përqind e ushqimit të konsumuar në Bahrein, Kuvajt, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Irak transportohet përmes Ngushticës së Hormuzit.”1
Por, ndërprerjet e mëtejshme në Ngushticën e Hormuzit pritet të kenë pasoja shumë përtej Gjirit. Bujqit gjithandej – nga Azia Jugore në Afrikën Sub-Sahariane, si dhe në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara – varen nga furnizimi i qëndrueshëm me plehra dhe karburant.
Gazi natyror është një përbërës kyç i plehrave të azotit, një gur themeli i bujqësisë moderne dhe një kontribues i madh në rendimentet rekord të të korrave. Rreth 30 deri në 40 përqind e plehrave të azotit të tregtuara në botë transportohet përmes Ngushticës.2
3.2 Dimensioni ushtarak dhe strategjik
Ndryshe nga konfliktet e mëparshme, përfshirja e aktorëve të shumtë rajonalë dhe globalë e bën këtë krizë më komplekse. Rreziku i përshkallëzimit rajonal mbetet i lartë, ndërsa përfshirja direkte e fuqive të mëdha mund të prodhojë pasoja globale.
4. Divergjenca transatlantike
4.1 Evolucioni i marrëdhënieve SHBA–BE
Marrëdhëniet ndërmjet United States dhe European Union kanë kaluar në disa faza:
- bashkëpunim i ngushtë gjatë Luftës së Ftohtë
- tensione pas ndërhyrjeve në Lindjen e Mesme
- divergjencë strategjike në dekadën e fundit
Qasja më unilaterale e administratave amerikane, përfshirë atë të Donald Trump, ka nxitur debat në Evropë për nevojën e një autonomie më të madhe strategjike.
4.2 Autonomia strategjike evropiane
Koncepti i autonomisë strategjike përfshin:
- zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të pavarura
- politikë të jashtme më të koordinuar
- reduktimin e varësisë nga SHBA
Megjithatë, ky proces përballet me sfida të mëdha:
- divergjenca ndërmjet shteteve anëtare
- kufizimet financiare
- mungesa e një kulture të përbashkët strategjike
Koncepti i autonomisë strategjike evropiane i referohet aftësisë së Bashkimi Evropian për të vepruar në mënyrë të pavarur në fushat kyçe të politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, pa varësi të tepruar nga aktorë të jashtëm—veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky koncept nuk nënkupton izolim apo shkëputje nga aleancat ekzistuese, por synon një balancim më të madh të kapaciteteve dhe përgjegjësive brenda arkitekturës euroatlantike.
Në dimensionin ushtarak, autonomia strategjike përfshin zhvillimin e kapaciteteve të pavarura operacionale, duke përfshirë strukturat komanduese, industrinë e mbrojtjes dhe aftësitë për projeksion force. Kjo lidhet ngushtë me rolin e NATO, ku BE synon të jetë një partner më i barabartë, jo një aktor i varur.
Në dimensionin politik dhe diplomatik, autonomia strategjike nënkupton aftësinë për të formuluar dhe zbatuar politika të jashtme koherente dhe të pavarura, duke reflektuar interesat dhe vlerat e përbashkëta evropiane. Kjo përfshin menaxhimin e krizave ndërkombëtare, ndërmjetësimin diplomatik dhe ndërtimin e partneriteteve globale.
Në aspektin ekonomik dhe teknologjik, koncepti shtrihet në reduktimin e varësive strategjike—sidomos në energji, teknologji kritike dhe zinxhirë furnizimi—duke rritur reziliencën e brendshme të BE-së në një mjedis global gjithnjë e më konkurrues.
Megjithatë, realizimi i autonomisë strategjike përballet me sfida të konsiderueshme: divergjencat ndërmjet shteteve anëtare mbi kërcënimet dhe prioritetet, kufizimet buxhetore, si dhe mungesa e një kulture të përbashkët strategjike. Për më tepër, tensioni ndërmjet dëshirës për autonomi dhe nevojës për kohezion transatlantik mbetet një dilemë thelbësore.
Në këtë kuptim, autonomia strategjike evropiane duhet parë më shumë si një proces evolutiv sesa një gjendje e arritur—një përpjekje për të ripozicionuar BE-në si aktor global në një rend ndërkombëtar në transformim.
5. Ballkani Perëndimor në një rend në transformim
5.1 Ballkani si hapësirë gjeopolitike
Ballkani përbën një nga hapësirat më të ndjeshme dhe më të kontestuara në historinë dhe politikën ndërkombëtare, duke funksionuar si një nyje ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, si dhe si një zonë ndërthurjeje e interesave strategjike të fuqive të mëdha.
Në planin historik, rajoni ka shërbyer si kufi civilizimesh dhe perandorish—nga Perandoria Osmane te Perandoria Austro-Hungareze—duke prodhuar një trashëgimi komplekse etnike, fetare dhe politike. Kjo trashëgimi vazhdon të ndikojë në dinamikat e sotme shtetformuese dhe në marrëdhëniet ndëretnike.
Ballkani historikisht ka qenë një zonë ndërmjetëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Në kontekstin aktual, ai mbetet:
- një korridor energjetik
- një hapësirë e ndikimit ndërkombëtar
- një rajon me procese të papërfunduara shtetndërtimi
Ballkani mund të konceptohet si një “zonë ndërmjetëse” (buffer zone) në një rend ndërkombëtar në transformim—një hapësirë ku ndikimet globale përkthehen në dinamika lokale. Kjo e bën rajonin një test të rëndësishëm për aftësinë e aktorëve ndërkombëtarë dhe lokalë për të menaxhuar konkurrencën, për të ndërtuar stabilitet dhe për të avancuar integrimin euroatlantik.
5.2 Roli i NATO-s dhe siguria rajonale
Siguria në Ballkan vazhdon të mbështetet kryesisht në NATO dhe në praninë e misioneve ndërkombëtare si KFOR.
Megjithatë, një dobësim i marrëdhënieve transatlantike mund të ndikojë negativisht në këtë arkitekturë sigurie.
6. Implikimet për çështjen shqiptare
6.1 Kosova në kontekstin gjeopolitik
Kosova përfaqëson një rast unik të shtetndërtimit nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Stabiliteti i saj varet nga:
- mbështetja e SHBA-së
- integrimi në BE
- marrëdhëniet me Serbinë
6.2 Rreziqet dhe mundësitë
Javën e kaluar, Gjenerali Alex Grynkewich, komandant i forcave amerikane në Evropë, deklaroi në një seancë dëgjimore në Senatin e SHBA-së se disa sisteme Patriot amerikane janë zhvendosur tashmë nga Evropa për të mbrojtur aleatët e NATO-s në Lindjen e Mesme. E njëjta gjë ndodhi edhe me sistemet Patriot në Korenë e Jugut. Prandaj, është e qartë se, për shkak të aftësive të reduktuara të mbrojtjes ajrore, aleatët e SHBA-së në Evropë dhe Azi (Japonia, Koreja) po bëhen dukshëm më të prekshëm në kontekstin e përshkallëzimit të tensioneve të sigurisë midis Evropës dhe Rusisë, si dhe partnerit të saj aziatik, Kinës.3
Deklarimet e Gjeneralit Alexus Grynkewich mbi zhvendosjen e sistemeve Patriot nga Evropa drejt Lindjes së Mesme tregojnë një fakt të rëndësishëm: SHBA po rishpërndan kapacitetet sipas prioriteteve globale, megjithatë ky fakt nuk dtth se ato po “braktisin” Evropën.
- Sistemet MIM-104 Patriot janë vetëm një komponent i mbrojtjes ajrore
- Evropa ka shtuar kapacitete të tjera (SAMP/T, IRIS-T, NASAMS)
- Prania e NATO në rajon nuk reduktohet vetëm në Patriot
Pra, kemi reduktim relativ të fleksibilitetit, jo kolaps të mbrojtjes.
Kjo situatë ilustron një fenomen klasik në teorinë realiste, e që ka të bëjë me fenomenin e ashtuquajtur mbishtrirje strategjike [strategic overstretch] – kur një fuqi e madhe është e angazhuar në disa teatro njëkohësisht.
Në këtë rast:
- Lindja e Mesme
- Ukraina / raportet me Rusinë
- Indo-Paqësori (China)
Kjo krijon gjithësesi perceptim të dobësimit relativ të pranisë amerikane dhe një lloj hapësire për testim të kufijve nga aktorë rajonalë, në këtë rast Serbia.
6.3 Diskursi i Aleksandar Vuçiqit: strategji e brendshme dhe sinjal i jashtëm
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, i ka quajtur çmenduri pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se “Kroacia, Shqipëria e Kosovës janë duke planifikuar ta sulmojnë Serbinë”.4
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq konfirmoi për transmetuesin RTS së fundmi se vendi i tij zotëron raketa hipersonike kineze CM-400AKG. “Ato janë të shtrenjta dhe efektive; ne morëm një zbritje të vogël”, tha Vuçiç, pa dhënë detaje të mëtejshme. Vuçiç deklaroi gjithashtu se ishte i shqetësuar për aleancën ushtarake midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Tutje ai deklaroi: Aleanca ushtarake midis tre shteteve të Ballkanit Perëndimor u formua vetëm për të sulmuar Serbinë “në një moment në të ardhmen”. “Ata do të presin për një moment kur të shpërthejë një konflikt më i madh midis evropianëve dhe rusëve, dhe konflikti në Lindjen e Mesme të përshkallëzohet më tej”, deklaroi Vuçiç.5
Sipas shifrave të fundit nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia është renditur e 37-ta midis importuesve të armëve në botë gjatë pesë viteve të fundit. 61 përqind e këtyre importeve ishin nga Kina. (APA)
Deklaratat e Aleksandar Vuçiqit për një “kërcënim” nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia duhen lexuar në disa nivele:
a) Politikë e brendshme
- mobilizim i opinionit publik
- legjitimim i rritjes së kapaciteteve ushtarake
b) Mesazh ndërkombëtar
- testim i reagimit të Perëndimit
- pozicionim në raport me Rusinë dhe Kinën
c) Strategji negociuese
- rritje e levave në dialogun me Kosovën
Ndërkaq reagimi i Zoran Milanović, që i cilëson këto pretendime si “çmenduri” dhe heshtjen e frikshme të Tiranës zyrtare, tregon mungesën e konsensusit rajonal për narrativën serbe.
Sidoqoftë luftrat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme janë në vetvete uverturat më të qarta të ndryshimit të paralajmruar të rendit ndërkombëtar dhe prologu i kalimit në rendin e ri.
Ndërkaq ndryshimet në rendin ndërkombëtar krijojnë rreziqe dhe paralajmrojnë mundësitë për dobësimin e mbështetjes ndërkombëtare; rriten e presionit diplomatik dhe destabilizim rajonal
Por këto rrethana imponojnë vënien në jetë edhe të mundësive reale, si: diversifikimin e partneriteteve, rritjen e autonomisë politike dhe ngritje të gadishmërisë për roli më aktiv në
diplomacinë rajonale.
7. Skenarët gjeopolitikë për Ballkanin
7.1 Skenari i autonomisë evropiane
BE konsolidohet si aktor strategjik i pavarur.
- Ballkani integrohet gradualisht në BE.
- Kosova përfiton nga procesi i zgjerimit.
7.2 Skenari i fragmentimit
Marrëdhëniet transatlantike dobësohen.
- Ballkani bëhet zonë rivaliteti.
- Rritet ndikimi i aktorëve të jashtëm.
7.3 Skenari i rikonfirmimit transatlantik
SHBA dhe BE rivendosin koordinimin strategjik.
- Stabilitet i qëndrueshëm rajonal.
- Konsolidim i shtetndërtimit në Kosovë.
8. Diskutim
Analiza tregon se Ballkani mbetet një “zonë gri” në sistemin ndërkombëtar. Ndryshimet globale nuk prodhojnë efekte të menjëhershme ushtarake, por ndikojnë në:
- orientimin strategjik të elitave politike
- stabilitetin institucional
- proceset e integrimit evropian
9. Përfundime dhe rekomandime
Studimi arrin në përfundimin se lufta në Lindjen e Mesme është një katalizator i ndryshimeve globale që ndikojnë drejtpërdrejt edhe në Ballkan.
Rekomandime strategjike:
- Diversifikimi i politikës së jashtme
- Forcimi i institucioneve demokratike
- Rritja e bashkëpunimit rajonal
- Investimi në siguri dhe energji
Në këtë kontekst, aktorët shqiptarë [Shqipëria dhe Kosova] duhet të adoptojnë një qasje më pragmatike dhe strategjike ndaj ndryshimeve globale dhe me urgjencë të kenë Strategjinë unike kombëtare.
Referenca
- Keohane, R. O., & Nye, J. S. (1977). Power and Interdependence. Boston: Little, Brown.
- Mearsheimer, J. J. (2001). The Tragedy of Great Power Politics. New York: Norton.
- Wendt, A. (1999). Social Theory of International Politics. Cambridge: Cambridge University Press.
- European Union Institute for Security Studies (EUISS). (2026). Global Risks to the EU.
- International Crisis Group. (2026). Conflict and Consequences: Global Impact of the Middle East War.
- Atlantic Council. (2026). Europe and the Middle East Conflict.
- Raporte të ndryshme të NATO dhe European Union (2025–2026).
1. https://www.ipg-journal.de/regionen/global/artikel/blockierte-lebensader-8942/?utm_campaign=de_40_20260319&utm_medium=email&utm_source=newsletter
2. Po aty
3. https://www.geopolitika.news/analize/blic-analiza-zorana-metera-iako-u-iranu-sah-odavno-ne-vlada-teheran-u-sahu-sada-drzi-citav-zapad/?utm_source=Onesignal&utm_campaign=Pushnotification#goog_rewarded
4. https://www.koha.net/arberi/milanoviqi-e-quan-cmenduri-pretendimin-e-vuciqit-se-kroacia-shqiperia-e-kosova-po-planifikojne-sulm-ndaj-serbise
5. https://www.diepresse.com/20672588/vucic-bestaetigt-besitz-chinesischer-hyperschallraketen
