Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Zgjedhjet e 7 qershorit nuk janë zgjedhje të zakonshme. Ato nuk janë thjesht garë partish, liderësh apo mandatesh. Përpjekja për t’i paraqitur ato si përballje rutinore elektorale – garë emrash, është strategji mashtrimi – pjesë e manipulimit politik që synon të fshehë thelbin e krizës nëpër të cilën po kalon Republika.
Në të vërtetë, këto zgjedhje janë referendum për vetë karakterin e Republikës së Kosovës.
Për herë të parë pas shumë vitesh, përplasja politike nuk zhvillohet vetëm mes alternativave programore, por mes dy logjikave krejtësisht të kundërta të shtetit dhe të ardhmes kombëtare.
Në njërën anë qëndron establishmenti i vjetër politik — një strukturë e konsumuar nga korrupsioni, klientelizmi, kapja e institucioneve dhe kompromiset e vazhdueshme në dëm të interesit shtetëror. Një elitë që për vite të tëra e trajtoi Republikën si pronë politike dhe shtetin si mekanizëm mbijetese të pushtetit të vet. E gatshme të bëjë çfardo kompromisi me qendrat e jashtme të vendosjes, edhe kur segmente të tyre hapur punojnë për interesat e Beogradit!
Në anën tjetër qëndron kërkesa për funksionalizim permanent të Republikës; ndryshim real: për institucione të forta, sovranitet politik dhe çlirimin e Republikës nga logjika e tranzicionit të pafund.
Pikërisht këtu qëndron arsyeja pse kjo betejë po bëhet kaq brutale.
Sepse nuk po luftohet vetëm për pushtet. Po luftohet për kontrollin mbi drejtimin strategjik të Kosovës dhe në nj masë të ndjeshme edhe të Kombit.
Nuk është rastësi që në këtë përballje shihen gjithnjë e më qartë interesat e aktorëve të jashtëm. Serbia e ka kuptuar prej kohësh se nuk mund ta rikthejë Kosovën përmes luftës klasike. Prandaj investon në kriza politike, në delegjitimim institucional, në polarizim të brendshëm dhe në dobësimin e shtetit nga brenda. Një Kosovë e paralizuar politikisht është më e dobishme për Beogradin sesa një Kosovë e fortë dhe funksionale.
Për këtë arsye, çdo bllokim institucional, çdo relativizim i sovranitetit dhe çdo rikthim i elitave të konsumuara interpretohet në Beograd si fitore strategjike.
Edhe më shqetësues është fakti se një pjesë e establishmentit rajonal duket gjithnjë e më e gatshme të bashkëjetojë me këtë realitet, për aq kohë sa ruhet status quo-ja e interesave të veta politike dhe ekonomike. Kjo e bën betejën edhe më të rëndë, sepse Kosova nuk po përballet vetëm me krizën e brendshme, por edhe me përpjekjen për ta mbajtur atë në gjendje të kontrollueshme, të varur dhe të dobët.
Në këtë kuptim, 7 qershori është shumë më tepër sesa datë e zakonshme zgjedhjesh.
Është përballja ndërmjet Republikës funksionale dhe republikës së kapur.
Ndërmjet shtetit që synon të bëhet pjesë organike e botës euroatlantike dhe logjikës së vjetër ballkanike të pazareve politike, korrupsionit dhe varësisë nga qendrat e jashtme të ndikimit.
Ndërmjet një Kosove që ecën drejt konsolidimit historik e me këtë faktorizimit të Kombit dhe një Kosove që rrezikon të mbetet peng i së kaluarës.
Prandaj këto zgjedhje kanë rëndësi jo vetëm për Kosovën, por për vetë të ardhmen politike të shqiptarëve në Ballkan. Sepse kur dobësohet Kosova, dobësohet edhe faktori shqiptar në rajon. Dhe kur forcohet Republika e Kosovës, forcohet edhe pozita strategjike e Kombit shqiptar në arkitekturën e re gjeopolitike të Evropës Juglindore.
