Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Katër net protesta radhazi në Tiranë nuk mund të interpretohen më si një shpërthim i zakonshëm pakënaqësie qytetare. Ato përfaqësojnë manifestimin e një krize më të thellë të legjitimitetit politik, e cila ka marrë formë si pasojë e konsumimit progresiv të besimit ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë. Në çdo sistem demokratik funksional, protesta është një mekanizëm korrigjues i rendit politik; ajo bëhet sinjal alarmi kur kanalet institucionale të përfaqësimit nuk arrijnë më të përthithin dhe artikulojnë kërkesat e qytetarëve.
Pikërisht për këtë arsye, problemi nuk qëndron te ekzistenca e protestave, por te paaftësia e pushtetit për të kuptuar domethënien e tyre politike. Një qeveri që përballet me revoltë të vazhdueshme qytetare dhe zgjedh ta shpërfillë atë, në fakt po demonstron krizën e vet të komunikimit me shoqërinë.
Në vend të reflektimit institucional, ajo që po vërehet është aktivizimi i mekanizmave klasikë të vetëmbrojtjes së establishmentit. Përpjekjet për t’i paraqitur protestuesit si instrumente të qarqeve antishqiptare, si grupime ekstremiste apo si faktorë destabilizues nuk përbëjnë analizë politike, por propagandë defensive. Etiketimet e tilla nuk synojnë të shpjegojnë fenomenin, por ta delegjitimojnë atë.
Deklarata e Edi Rama se ata që nuk pajtohen me projektin në Zvërnec mund të “shkojnë me guna përmbi tela”, duke aluduar në mënyrë ironike te rezistenca popullore gjatë Lufta e Vlorës, nuk mund të lexohet thjesht si humor politik. Në kontekstin e tensionit të lartë shoqëror, ajo tingëllon si një formë banalizimi i një prej momenteve më të rëndësishme të memories kombëtare.
Ky episod e rëndon edhe më shumë krizën e komunikimit politik që po shoqëron protestat.
Problemi nuk qëndron vetëm te ironia, por te raporti që kjo ironi krijon me historinë dhe me qytetarët. Lufta e Vlorës [1920] nuk është një anekdotë folklorike që mund të përdoret si material për batuta politike. Ajo përfaqëson një akt themelor të vetëdijes kombëtare dhe të sakrificës për sovranitetin e vendit.
Më shqetësues është fakti se ky ligjërim nuk kufizohet vetëm te strukturat qeveritare. Në forma të ndryshme, të njëjtën gjuhë po e artikulojnë edhe segmente të opozitës tradicionale. Kjo dëshmon se përtej polarizimit formal partiak ekziston një interes i përbashkët për ruajtjen e status quo-së politike. Kur sfidohen themelet e modelit ekzistues të qeverisjes, dallimet mes pushtetit dhe opozitës tradicionale zbehen, ndërsa bëhet më i dukshëm solidariteti i tyre në mbrojtje të sistemit.
Në këtë kuptim, protestuesit nuk po sfidojnë thjesht një qeveri të caktuar. Ata po sfidojnë një model politik të ndërtuar mbi rotacionin e elitave të njëjta, mbi klientelizmin, kapjen e institucioneve dhe përqendrimin e pushtetit në duart e një klase politike që, ndonëse ndryshon pozicionet në raport me qeverisjen, ruan të paprekur mekanizmat themelorë të kontrollit mbi shtetin.
Për establishmentin e vjetër, çdo lëvizje qytetare autonome përbën një rrezik potencial, sepse ajo nuk mund të kontrollohet përmes instrumenteve tradicionale të patronazhit politik. Për këtë arsye, demonizimi i protestës shndërrohet në strategji mbrojtëse. Në mungesë të argumenteve prodhohen etiketime; në mungesë të reformimit shpiken teori konspirative; në mungesë të përgjegjësisë identifikohen armiq të jashtëm.
Megjithatë, historia politike dëshmon se etiketimi i qytetarëve nuk e zgjidh krizën e legjitimitetit. Përkundrazi, sa më shumë që protestuesit paraqiten si kërcënim, aq më qartë ekspozohet pasiguria e atyre që ushtrojnë pushtetin. Kjo është logjika klasike e sistemeve oligarkike: kur nuk mund të mbrohet më qeverisja, sulmohet qytetari; kur nuk mund të mbrohet më sistemi, delegjitimohet çdo përpjekje për ta ndryshuar atë.
Prandaj, përpjekjet për ta minimizuar revoltën qytetare, për ta paraqitur atë si produkt të qarqeve greke, serbe apo të aktorëve të tjerë të jashtëm, madje edhe për ta krahasuar me formacione ekstremiste si “Agimi i Artë”, nuk e adresojnë problemin real. Një krizë e tillë nuk zgjidhet me deklarata televizive, me etiketime apo me fushata propagandistike. Një vullkan shoqëror nuk shuhet me komunikim politik; ai kërkon vendimmarrje politike.
Në këtë kontekst, largimi i kryeministrit Edi Rama nuk duhet interpretuar si humbje personale apo si fitore e kundërshtarëve të tij politikë. Ai do të përbënte një akt përgjegjësie shtetërore, që do t’i hapte rrugë deeskalimit të krizës dhe rikthimit të besimit te institucionet. Demokracitë e konsoliduara kanë dëshmuar se në situata të caktuara stabiliteti i shtetit është më i rëndësishëm se mbijetesa politike e individëve.
Për këtë arsye, Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje institucionale që shkon përtej interesave të ngushta partiake. Një qeveri teknike tranzitore, e drejtuar nga një personalitet me integritet të lartë publik që vjen nga bota akademike dhe e përbërë nga ekspertë, profesionistë dhe figura publike të pakontestuara, do të mund të krijonte kushtet për rikthimin e besimit qytetar dhe garantimin e një procesi politik të paanshëm.
Misioni i një qeverie të tillë nuk do të ishte qeverisja afatgjatë, por rikthimi i normalitetit institucional, garantimi i transparencës dhe krijimi i kushteve për një konkurrencë demokratike të ndershme. Në momente të jashtëzakonshme, demokracitë serioze shpesh zgjedhin instrumente të jashtëzakonshme për të mbrojtur vetveten.
Mesazhi që vjen nga rrugët e Tiranës duket tashmë i qartë: qytetarët nuk po kërkojnë thjesht ndryshime kabinetesh apo zëvendësime ministrash. Ata po kërkojnë rivendosjen e kontratës së besimit ndërmjet shtetit dhe shoqërisë. Nëse pushteti vazhdon të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur, zemërimi nuk do të zbehet, por do të akumulohet. Sepse një vullkan mund të injorohet për një kohë, por nuk mund të qeveriset. Dhe kur politika humbet aftësinë për të dëgjuar shoqërinë, shoqëria fillon të kërkojë jo thjesht një qeveri tjetër, por një rend tjetër politik.
