Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Abstrakt
Deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe angazhimin e ekspertëve për shqyrtimin e një ndërhyrjeje të tillë, e zhvendosin çështjen e ujërave ndërkufitare nga fusha e administrimit hidroteknik në atë të sigurisë strategjike. Përtej realizueshmërisë teknike të një projekti të tillë, vetë përdorimi publik i kërcënimit për ndërhyrje në një sistem ujor nga i cili varet një pjesë e konsiderueshme e furnizimit me ujë dhe e sigurisë energjetike të Kosovës përbën një formë të presionit strategjik.
Kjo ese politike analizon çështjen e Ibrit dhe sistemit Ujman–Ibër-Lepenc në katër dimensione të ndërlidhura: juridik, ekologjik, strategjik dhe gjeopolitik.
Argumenti qendror është se uji, në kushtet e varësisë së lartë infrastrukturore dhe të konfliktit të pazgjidhur Kosovë–Serbi, mund të shndërrohet nga burim natyror në instrument të fuqisë politike dhe të luftës hibride. Në këtë kuptim, kërcënimi ndaj rrjedhave ujore nuk duhet trajtuar vetëm si deklaratë politike, por si pjesë e një spektri më të gjerë të presionit mbi infrastrukturën kritike.
Analiza mbështetet në parimet e së drejtës ndërkombëtare të ujërave, veçanërisht në parimin e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm, detyrimin për të parandaluar dëmin ndërkufitar dhe detyrimin për bashkëpunim. Konkludohet se mbrojtja e sistemit Ujman–Ibër-Lepenc kërkon jo vetëm masa teknike dhe institucionale nga Kosova, por edhe një ndërkombëtarizim juridik dhe strategjik të çështjes së sigurisë ujore.
Fjalë kyçe: Ibër, Ujman, Ibër-Lepenc, siguri ujore, luftë hibride, infrastrukturë kritike, e drejta ndërkombëtare, Kosovë, Serbi, gjeopolitikë.
1. Hyrje
Në shekullin XXI, siguria kombëtare nuk mund të konceptohet më vetëm në terma të kapaciteteve ushtarake. Uji, energjia, ushqimi, komunikimet, sistemet digjitale dhe infrastruktura kritike janë shndërruar në komponentë të drejtpërdrejtë të fuqisë shtetërore dhe të reziliencës shoqërore.
Kjo paradigmë bëhet veçanërisht e rëndësishme në hapësirat ku konfliktet territoriale dhe etnopolitike mbeten të pazgjidhura. Në këto rrethana, burimet natyrore nuk janë thjesht objekte të menaxhimit ekonomik; ato mund të shndërrohen në leva presioni, instrumente të shtrëngimit politik dhe, në raste ekstreme, objektiva të luftës hibride.
Në këtë kontekst duhet lexuar deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, sipas së cilës Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit në territorin e saj dhe ka angazhuar ekspertë për të shqyrtuar këtë çështje. Raportimet e 9 gushtit 2026 e lidhin këtë deklaratë drejtpërdrejt me pretendimin e Beogradit për trajtimin e serbëve në Kosovë.
Kjo deklaratë është e rëndësishme jo vetëm për atë që thotë, por edhe për atë që nënkupton. Ibri nuk është një lumë i zakonshëm në marrëdhëniet Kosovë–Serbi. Ai lidhet me sistemin Ujman–Ibër-Lepenc, ndërsa ky i fundit është pjesë e një infrastrukture nga e cila varen furnizimi me ujë, bujqësia dhe funksionimi i sektorit energjetik të Kosovës.
Studimi i Pacific Northwest National Laboratory, i përgatitur për Departamentin amerikan të Energjisë, e cilëson Liqenin e Ujmanit [Gazivodës] si një rezervuar ndërkufitar nga i cili Kosova është thellësisht e varur: sipas raportit, ujërat e liqenit sigurojnë rreth një të tretën e ujit të pijshëm të Kosovës dhe shërbejnë për ftohjen e dy termocentraleve të qymyrit që prodhojnë pjesën dërrmuese të energjisë elektrike të vendit. Raporti thekson gjithashtu se sistemi menaxhohet pa një marrëveshje të plotë të bashkëpunimit ndërkufitar.
Prandaj, çështja e Ibrit duhet të trajtohet si një rast paradigmatik i asaj që literatura bashkëkohore e sigurisë e quan sekuritizim i burimeve natyrore.
2. Nga burim natyror në infrastrukturë strategjike
Uji zakonisht perceptohet si burim jetësor dhe si e mirë publike. Por kur një sistem ujor lidhet me prodhimin e energjisë, furnizimin urban, industrinë dhe stabilitetin ekologjik, ai shndërrohet njëkohësisht në infrastrukturë kritike.
Kjo është pikërisht karakteristika e sistemit Ujman–Ibër-Lepenc.
Në rastin e Kosovës, varësia nga ky sistem krijon një asimetri strategjike: pala që kontrollon burimin ose mund të ndikojë mbi rrjedhën e tij, potencialisht zotëron një levë që mund të prodhojë pasoja shumë përtej sektorit të ujërave.
Kjo e shpjegon rëndësinë e deklaratës së ministres Fitore Pacolli, e cila me të drejtë e vendos çështjen në kryqëzimin e sigurisë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore.
Këtu qëndron një ndryshim konceptual i rëndësishëm: kërcënimi ndaj ujit nuk është vetëm kërcënim ndaj ujit. Në një sistem të integruar, ndërprerja e ujit mund të prodhojë zinxhir pasojash në energji, industri, bujqësi, shëndet publik dhe rend shoqëror.
Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024 e ilustroi konkretisht këtë cenueshmëri [vulnerabilitet]. Vetë ndërmarrja Ibër-Lepenc deklaroi se shpërthimi në Varagë ndërpreu rrjedhën e ujit dhe preku furnizimin me ujë të papërpunuar të disa ndërmarrjeve rajonale të ujësjellësit dhe të industrisë. Reuters raportoi në atë kohë se kanali furnizon sistemin e ujit dhe termocentralet e Kosovës.
Prandaj, agresioni i vitit 2024 dhe deklarata e vitit 2026 mund të analizohen si dy episode të ndryshme të të njëjtit problem strategjik: cenueshmëria e infrastrukturës ujore të Kosovës ndaj ndërhyrjeve të jashtme.
Ky fakt flet shumë për përgjegjësinë e mundshme dhe direkte të Serbisë për sulmin e vitit 2024. Natyrisht se një përfundim i tillë kërkon prova juridike dhe hetimore. Prandaj në një analizë serioze akademike jemi të shtrënguar ta evidentojmë këtë dallim.
3. Dimensioni juridik: Ibri dhe kufijtë e sovranitetit mbi ujërat
Një nga keqkuptimet më të zakonshme në çështjet e ujërave ndërkufitare është ideja se shteti mund të bëjë çfarë të dëshirojë me pjesën e lumit që ndodhet në territorin e tij.
E drejta bashkëkohore ndërkombëtare nuk e pranon këtë koncept të pakufizuar të sovranitetit territorial.
Konventa e UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare, e miratuar në Helsinki më 1992, ndërton regjimin e saj mbi tri shtylla:
1. Parandalimin e dëmit të rëndësishëm ndërkufitar,
2. Përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave dhe
3. Bashkëpunimin ndërmjet shteteve.
Serbia është palë në këtë Konventë që nga 27 gushti 2010.
Kjo ka rëndësi të veçantë.
Nëse një ndërhyrje në territorin serb mbi rrjedhën e Ibrit do të prodhonte pasoja të rëndësishme në territorin e Kosovës, çështja nuk mund të reduktohej juridikisht në kategorinë e një projekti të brendshëm hidroteknik serb.
Konventa kërkon parandalimin, kontrollin dhe reduktimin e ndikimit ndërkufitar, përdorimin e arsyeshëm dhe të drejtë të ujërave dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve që ndajnë ujëra ndërkufitare.
Është e rëndësishme gjithashtu të mos ekzagjerohet mekanikisht statusi juridik i Konventës në raportin Kosovë–Serbi. UNECE sqaron se, kur një palë e Konventës ndan ujëra me një shtet jo-palë, detyrimet specifike të Konventës nuk lindin automatikisht ndaj shtetit jo-palë; megjithatë, e drejta zakonore ndërkombëtare mbetet e zbatueshme.
Pra, edhe përtej debatit mbi statusin formal të palëve, parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare të ujërave — përdorimi i drejtë dhe i arsyeshëm, detyrimi për të mos shkaktuar dëm të rëndësishëm dhe detyrimi për bashkëpunim në mirëbesim — mbeten pikënisje themelore e analizës.
Kjo e dobëson ndjeshëm argumentin se Serbia, për shkak të sovranitetit territorial mbi pjesën e sipërme të Ibrit, mund të ndërhyjë në rrjedhë pa marrë parasysh pasojat për Kosovën.
4. Nga “e drejta për të reaguar” te përdorimi i ujit si instrument presioni
Dimensioni më shqetësues i deklaratës së Vuçiqit nuk qëndron vetëm te ideja teknike e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit. Ai qëndron në arsyetimin politik të kërcënimit.
Sipas raportimeve, ndërhyrja është lidhur me pretendimin se Serbia duhet të reagojë ndaj trajtimit të serbëve në Kosovë.
Këtu shfaqet një mekanizëm tipik i instrumentalizimit politik të një burimi natyror në disa nivele:
- pretendimi për viktimizim;
- prodhimi i ndjenjës së kërcënimit;
- shpallja e të drejtës për reagim;
- identifikimi i një objektivi strategjik;
- normalizimi i përdorimit të levave të presionit.
Në këtë logjikë, uji nuk është më vetëm burim jetësor. Ai shndërrohet në levë shtrënguese.
Kjo është arsyeja pse formulimi retorik që i vendos përballë njëri-tjetrit “serbët” dhe “shqiptarët” duhet të merret seriozisht. Ai e zhvendos një çështje të menaxhimit të ujërave nga fusha teknike dhe juridike në fushën e konfliktit etnopolitik.
Nëse një lumë ndërkufitar paraqitet si instrument për “t’u treguar shqiptarëve” pasojat e politikave të Prishtinës, atëherë burimi natyror po politizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ky është një mekanizëm që literatura e luftës hibride do ta kategorizonte si përdorim të varësive strukturore për prodhimin e presionit politik.
5. Uji dhe lufta hibride
Koncepti i luftës hibride nënkupton përdorimin e një kombinimi instrumentesh — politike, ekonomike, informative, kibernetike, infrastrukturore dhe, kur është e nevojshme, ushtarake — për të dobësuar kundërshtarin pa kaluar domosdoshmërisht në një konflikt të hapur.
Në këtë kuptim, infrastruktura ujore është objektiv veçanërisht i përshtatshëm për presion hibrid.
Arsyeja është e thjeshtë: ajo është njëkohësisht:
- kritike për jetën e përditshme;
- relativisht e ekspozuar;
- e ndërlidhur me sektorë të tjerë;
- e vështirë për t’u zëvendësuar në afat të shkurtër;
- politikisht jashtëzakonisht e ndjeshme.
Në rastin e Kosovës, këto karakteristika janë të gjitha të pranishme.
Agresioni i vitit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc e bëri të dukshëm këtë cenueshmëri. Por deklarata e fundit e Vuçiqit e ngre çështjen në një nivel tjetër: nga sabotimi i infrastrukturës te kërcënimi publik për ndërhyrje mbi vetë burimin hidrik.
Këto dy forma nuk janë identike. E para është veprim fizik; e dyta, në fazën e tanishme, është deklaratë politike. Por të dyja mund të prodhojnë të njëjtin efekt strategjik: krijimin e pasigurisë mbi vazhdimësinë e furnizimit.
Në këtë aspekt, kërcënimi mund të ketë vlerë edhe pa u realizuar.
Kjo është një karakteristikë klasike e shtrëngimit strategjik: efekti politik mund të prodhohet vetëm nga besueshmëria e mundshme e kërcënimit.
6. Ujmani si nyje e sigurisë kombëtare
Rëndësia strategjike e Ujmanit nuk është thjesht një interpretim politik kosovar.
Raporti i Pacific Northwest National Laboratory e identifikon Ujmanin/Gazivodën si një rezervuar ndërkufitar me rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë ujore dhe energjetike të Kosovës. Sipas raportit, liqeni furnizon rreth një të tretën e ujit të pijshëm të Kosovës dhe përdoret për ftohjen e termocentraleve që prodhojnë pjesën dërrmuese të energjisë elektrike të vendit. Raporti e konsideron koordinimin ndërkufitar si të domosdoshëm për sigurinë rajonale të ujit dhe energjisë.
Kjo e bën Ujmanin një nyje strategjike, në kuptimin e plotë të konceptit.
Në rast të ndërprerjes së furnizimit, efektet nuk do të kufizoheshin në komunat drejtpërdrejt të lidhura me sistemin. Ato do të mund të transmetoheshin përmes zinxhirit:
ujë → energji → industri → ekonomi → shërbime publike → stabilitet shoqëror.
Pikërisht kjo ndërvarësi e shndërron sigurinë ujore në komponent të sigurisë kombëtare.
Në këtë pikë, deklarata e ministres Pacolli është konceptualisht e saktë kur e përkufizon sistemin Ujman–Ibër-Lepenc si infrastrukturë kritike strategjike dhe kërkon që çështja të trajtohet nga komuniteti ndërkombëtar në dimensionin e saj të plotë.
7. “Bota Serbe”, Sanxhaku dhe gjeopolitika e rripave të sigurisë
Çështja e Ibrit dhe e sistemit Ujman–Ibër-Lepenc nuk mund të kuptohet plotësisht nëse shkëputet nga hapësira më e gjerë gjeopolitike në të cilën zhvillohet rivaliteti Kosovë–Serbi. Uji, energjia dhe infrastruktura kritike janë vetëm një dimension i këti rivaliteti. Një dimension tjetër lidhet me hapësirat ndërmjetëse, korridoret strategjike dhe zonat ku përplasen projekte të ndryshme identitare e gjeopolitike.
Në këtë kuadër, Sanxhaku merr një rëndësi të veçantë.
Nëse “Bota Serbe” konceptohet si projekt për konsolidimin politik, identitar dhe strategjik të hapësirave me popullsi serbe, atëherë Sanxhaku përbën një nga hapësirat më të ndjeshme ku ky projekt ndeshet me një realitet tjetër identitar dhe gjeopolitik. Për këtë arsye, Sanxhaku nuk duhet parë thjesht si periferi e Serbisë, por si hapësirë strategjike e ndërmjetme, stabiliteti i së cilës ka rëndësi për të gjithë arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor.
Kjo e vendos Sanxhakun në një marrëdhënie konceptuale të drejtpërdrejtë me çështjen e Ibrit dhe Ujmanit.
7.1. Nga gjeopolitika e territorit te gjeopolitika e burimeve
Në Ballkan, rivalitetet gjeopolitike janë interpretuar tradicionalisht përmes kontrollit mbi territorin. Mirëpo, në kushtet e shekullit XXI, territori nuk është më i vetmi objekt i fuqisë. Kontrolli ose ndikimi mbi burimet ujore, energjetike, korridoret infrastrukturore dhe nyjet strategjike mund të prodhojë efekte të ngjashme me kontrollin territorial.
Kjo është pikërisht ajo që e bën rastin e Ibrit dhe Ujmanit kaq të rëndësishëm.
Nëse një aktor mund të ndikojë mbi furnizimin me ujë të një popullsie, mbi funksionimin e termocentraleve ose mbi infrastrukturën që lidh disa sisteme jetike, atëherë ai fiton një instrument të fuqisë që nuk kërkon domosdoshmërisht pushtim territorial.
Kjo mund të përkufizohet si gjeopolitika e varësisë.
Ujmani përfaqëson një shembull të qartë të saj: rëndësia e tij strategjike nuk buron vetëm nga territori ku ndodhet rezervuari, por nga varësia që krijohet përtej tij. Në këtë kuptim, kontrolli mbi një nyje infrastrukturore mund të jetë më i rëndësishëm se kontrolli formal mbi një sipërfaqe territoriale.
Këtu shfaqet lidhja e drejtpërdrejtë me konceptin e “Botës Serbe”. Nëse ky projekt synon zgjerimin ose konsolidimin e ndikimit politik përtej kufijve formalë të Serbisë, atëherë instrumentet e tij nuk duhet të kërkohen vetëm në pretendimet territoriale. Ato mund të shfaqen edhe në kontrollin e rrjeteve, burimeve, infrastrukturës, narrativave dhe varësive ekonomike.
7.2. Sanxhaku si “rrip sigurie”
Në këtë perspektivë, Sanxhaku mund të konceptohet jo si një territor periferik, por si rrip strategjik sigurie.
Pozita e tij ndërmjet Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe hapësirës kosovare e bën atë një zonë me rëndësi të veçantë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Një Sanxhak i qëndrueshëm, i integruar ekonomikisht dhe i mbështetur mbi mekanizma të bashkëjetesës ndëretnike mund të funksionojë si zonë amortizuese ndaj përhapjes së tensioneve. Në të kundërtën, politizimi etnik, marginalizimi ekonomik dhe instrumentalizimi i identitetit mund ta shndërrojnë atë në korridor të transmetimit të krizave.
Këtu qëndron edhe rëndësia e tij në raport me “Botën Serbe”.
Nëse “Bota Serbe” synon të ndërtojë një hapësirë të konsoliduar politike dhe identitare, Sanxhaku paraqet një realitet që nuk përshtatet lehtë me një model të tillë homogjenizues. Ai është një hapësirë ku identiteti shqiptar dhe ai boshnjak, lidhjet me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, marrëdhëniet me Malin e Zi [sakt[sisht gjsma e Sanxhakut kur ishte aneksuar më 2013 ishte ndarë mes Serbisë dhe Malit të Zi] dhe Serbia ndërthuren në mënyrë komplekse.
Prandaj, stabiliteti i Sanxhakut mund të shihet si kundërpeshë ndaj logjikës së fragmentimit etnopolitik të rajonit.
7.3. Ibri dhe Sanxhaku: dy nyje të së njëjtës arkitekturë
Në shikim të parë, Ibri dhe Sanxhaku janë dy çështje të ndryshme.
Njëra lidhet me ujin, energjinë dhe infrastrukturën kritike; tjetra me identitetin, territorin dhe sigurinë rajonale.
Por në një lexim më të thellë gjeopolitik, ato lidhen përmes të njëjtës pyetje:
Kush kontrollon varësitë strategjike të Ballkanit Perëndimor?
Në rastin e Ibrit, instrumenti i fuqisë është uji. Në rastin e Ujmanit, është infrastruktura kritike. Në rastin e Sanxhakut, instrumenti potencial është pozita gjeografike, identiteti dhe lidhja ndërmjet disa hapësirave strategjike.
Të tria këto dimensione mund të ndërthuren në një arkitekturë të vetme të fuqisë hibride.
Kjo do të thotë se lufta hibride nuk duhet kuptuar vetëm si sabotim, dezinformim apo operacione kibernetike. Ajo mund të përfshijë edhe administrimin politik të varësive, instrumentalizimin e burimeve dhe prodhimin e pasigurive në hapësira të ndjeshme.
Në këtë kuptim, kërcënimi ndaj Ibrit është një formë e fuqisë së shtrëngimit; ndërsa stabiliteti i Sanxhakut është një formë e fuqisë parandaluese.
7.4. Nga “Bota Serbe” te “gjeopolitika e varësive”
Kjo na çon te një përfundim më të gjerë teorik.
Nëse versionet bashkëkohore të projekteve gjeopolitike nuk synojnë domosdoshmërisht aneksimin territorial, por ndikimin mbi sjelljen politike të shteteve dhe shoqërive, atëherë instrumentet e tyre mund të jenë shumë më të sofistikuara.
Një shtet nuk ka nevojë të pushtojë territorin e një shteti tjetër për ta dobësuar atë.
Mund të mjaftohet edhe përmes:
- kontrollit ose kërcënimit mbi një burim strategjik;
- varësisë energjetike;
- ndikimit mbi infrastrukturën kritike;
- instrumentalizimit të pakicave;
- prodhimit të krizave identitare;
- dezinformimit;
- presionit ekonomik;
- destabilizimit politik.
Kjo është arsyeja pse “Bota Serbe” duhet analizuar jo vetëm si ideologji identitare, por edhe si potencial arkitekturor i ndikimit.
Në këtë arkitekturë, Ibri dhe Sanxhaku mund të përfaqësojnë dy skaje të së njëjtës logjikë: i pari lidhet me kontrollin e burimit; i dyti me kontrollin e hapësirës së ndërmjetme dhe të ekuilibrave identitarë.
7.5. Sanxhaku si alternativë ndaj logjikës së konfliktit
Por ekziston edhe një perspektivë tjetër.
Sanxhaku mund të shndërrohet nga një hapësirë potencialisht e cenueshme në një rrip të qëndrueshëm sigurie rajonale.
Kjo kërkon që ai të trajtohet jo si problem i brendshëm serb, por si pjesë e arkitekturës së sigurisë së Ballkanit Perëndimor.
Një politikë e tillë do të duhej të mbështetej në: bashkëpunimin ndërkufitar; zhvillimin ekonomik; mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve; lidhjen infrastrukturore; integrimin evropian; dhe mekanizmat e sigurisë parandaluese.
Në këtë kuptim, Sanxhaku mund të shërbejë si hapësirë lidhëse ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës, në vend që të shndërrohet në një hapësirë ndarëse. Një Zvicër e Ballkanit.
Kjo do të ishte një qasje krejtësisht e kundërt me logjikën e projekteve që e ndërtojnë sigurinë mbi homogjenizimin etnik.
7.6. Një doktrinë alternative: nga “hapësirat e ndikimit” te “rripat e sigurisë”
Rrjedhimisht në vend që Ballkani të organizohet rreth hapësirave të ndikimit etnopolitik, ai duhet të organizohet rreth rripave të sigurisë, korridoreve të bashkëpunimit dhe infrastrukturave të përbashkëta të reziliencës.
Në këtë doktrinë, Sanxhaku do të ishte një prej rripave të sigurisë njerëzore dhe politike, ndërsa sistemet ujore dhe energjetike ndërkufitare do të duhej të trajtoheshin si pasuri të sigurisë së përbashkët, jo si armë të presionit shtetëror.
Kjo e ndryshon edhe mënyrën se si duhet parë Ujmani.
Një qasje e tillë do ta kthente logjikën nga:
kontrolli → varësia → shtrëngimi
në:
bashkëpunimi → ndërvarësia → stabiliteti.
8. Nga siguria e Kosovës te arkitektura e sigurisë së Ballkanit
Kjo perspektivë e zgjeron edhe më tej kuptimin e sigurisë së Kosovës.
Kosova nuk duhet ta konceptojë mbrojtjen e saj vetëm si mbrojtje të kufirit territorial. Në kushtet e luftës hibride, ajo duhet të mbrojë njëkohësisht:
territorin, ujin, energjinë, infrastrukturën, informacionin dhe kohezionin shoqëror.
Kjo është arsyeja pse Ujmani dhe Ibër-Lepenci duhet të futen në të njëjtën kategori strategjike me infrastrukturat e tjera kritike.
Por, në të njëjtën kohë, Kosova ka interes strategjik për stabilitetin e hapësirave përreth saj.
Një Sanxhak i qëndrueshëm, një Bosnjë-Hercegovinë funksionale, një Mal i Zi i qëndrueshëm dhe një arkitekturë euroatlantike e konsoliduar në Ballkanin Perëndimor krijojnë një mjedis shumë më pak të favorshëm për përdorimin e instrumenteve hibride.
Prandaj, siguria e Kosovës nuk fillon dhe nuk përfundon në kufijtë e saj administrativë.
Ajo është pjesë e një sistemi rajonal ndërvarësie.
Në këtë sistem, destabilizimi i një nyjeje mund të prodhojë efekt domino mbi të tjerat. Një krizë ujore në veri të Kosovës, një krizë identitare në Sanxhak, një krizë politike në Bosnjë-Hercegovinë ose një krizë e sigurisë në Mal të Zi nuk janë domosdoshmërisht kriza të izoluara. Ato mund të ndërthuren përmes të njëjtave rrjete politike, ekonomike, infrastrukturore dhe informative.
Prandaj, përgjigjja strategjike duhet të jetë po aq e ndërlidhur.
9. Përfundim
Çështja e Ibrit dhe Ujmanit na tregon se lufta hibride e shekullit XXI nuk zhvillohet domosdoshmërisht në fushëbetejë. Ajo mund të zhvillohet edhe për ujë, energji, infrastrukturë, identitet dhe perceptim.
Në këtë kontekst, “Bota Serbe” duhet analizuar jo vetëm përmes deklaratave politike mbi bashkimin identitar, por edhe përmes mënyrës se si ndërtohen dhe përdoren varësitë strategjike.
Uji mund të bëhet instrument presioni. Energjia mund të bëhet instrument varësie. Infrastruktura mund të bëhet objekt sabotimi. Pakicat mund të instrumentalizohen si burim legjitimimi politik. Ndërsa hapësirat ndërmjetëse mund të shndërrohen në zona të tensionit ose në zona tamponuese.
Në këtë pikë, Sanxhaku dhe Ibri takohen në të njëjtën hartë strategjike. Ibri përfaqëson gjeopolitikën e burimit. Ujmani përfaqëson gjeopolitikën e infrastrukturës. Sanxhaku përfaqëson gjeopolitikën e hapësirës ndërmjetëse.
Të tria së bashku na japin një pamje më të plotë të mënyrës se si funksionon fuqia hibride në Ballkan.
Prandaj, alternativa strategjike për rajonin nuk duhet të bazohet në platforma si ko e “Botës serbe” e dhe të hapësirave të ndikimit, por krijimi i rripave të sigurisë, korridoreve të bashkëpunimit dhe sistemeve të përbashkëta të reziliencës.
Në këtë paradigmë, Sanxhaku nuk është periferi. Është rrip sigurie.
Ujmani nuk është thjesht rezervuar. Është nyje e sigurisë strategjike.
Dhe Ibri nuk është thjesht lumë. Është një nga arteriet hidropolitike të Ballkanit Perëndimor.
Prandaj, mbrojtja e tyre nuk është çështje e politikës ditore. Është pjesë e një koncepti më të gjerë: mbrojtja e hapësirave të ndërvarura të Ballkanit nga instrumentalizimi i burimeve, identiteteve dhe infrastrukturave si armë të fuqisë hibride.
