Pse Tirana zyrtare duhet të pësojë një rikëndellje të plotë në procesin e rikonfigurimit të rendit gjeopolitik: shqiptarët duhet të kalojnë Rubikonin nga objekt i gjeopolitikës në subjekt të saj – imperativi i një doktrine të re shqiptare
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Mbërritja e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë, me një avion ushtarak amerikan, nuk është një ngjarje që mund të trajtohet si një episod i zakonshëm diplomatik. Vetë mënyra e udhëtimit, në një periudhë kur marrëdhëniet amerikano-ruse ndodhen në një prej pikave më të tensionuara të dekadave të fundit, e bën vizitën politikisht të rëndësishme. Në diplomacinë e fuqive të mëdha, edhe simbolika e mjeteve të komunikimit ka rëndësi: një avion ushtarak që zbarkon në Moskë nuk është thjesht një mjet transporti, por një sinjal se po zhvillohet një komunikim i një niveli që kërkon diskrecion dhe siguri të veçantë.
Megjithatë, do të ishte metodologjikisht e gabuar që, vetëm mbi bazën e këtij fakti, të nxirrej përfundimi se kemi të bëjmë me një marrëveshje të re ruso-amerikane apo me një kthesë strategjike të Uashingtonit. Për momentin kemi një ngjarje, ndërsa arsyet e saj mbeten hipotetike. Pikërisht këtu duhet bërë dallimi ndërmjet faktit dhe interpretimit. Tezat për shkëmbim të burgosurish, përgatitje të një takimi të nivelit të lartë, komunikim të drejtpërdrejtë të shërbimeve të inteligjencës apo diskutim të faktorëve të përshkallëzimit janë të gjitha të mundshme, por asnjëra nuk mund të trajtohet si fakt pa konfirmim të pavarur.
Ajo që mund të thuhet me më shumë siguri është se kanalet e komunikimit ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës nuk janë mbyllur plotësisht. Dhe ky fakt është politikisht shumë më domethënës sesa vetë destinacioni i Ratcliffe. Në marrëdhëniet ndërmjet fuqive bërthamore, komunikimi në momente krize nuk është shenjë dobësie; përkundrazi, ai është mekanizëm i menaxhimit të rrezikut. Edhe gjatë periudhave më të errëta të Luftës së Ftohtë, Uashingtoni dhe Moska ruajtën kanale të drejtpërdrejta komunikimi pikërisht sepse një konflikt ndërmjet tyre nuk do të kishte më karakterin e një lufte tradicionale.
Nga Ukraina te rendi i ri i sigurisë
Nëse vizita lidhet me luftën në Ukrainë, atëherë rëndësia e saj duhet parë përtej pyetjes se çfarë kërkon Uashingtoni nga Moska apo çfarë kërkon Moska nga Uashingtoni. Çështja themelore është nëse palët kanë filluar të kuptojnë se lufta në Ukrainë nuk mund të ndahet më nga çështja më e gjerë e arkitekturës së sigurisë në Evropë.
Kjo ishte pikërisht çështja që Rusia e vendosi në qendër të propozimeve të saj në fund të vitit 2021. Perëndimi i konsideroi atëherë këto kërkesa të papranueshme, ndërsa Moska i paraqiti si përpjekje për të rivendosur një ekuilibër të ri sigurie. Pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022 e bëri këtë debat shumë më tragjik dhe shumë më kompleks.
Katër vjet më vonë, problemi strategjik mbetet: si të arrihet një ekuilibër i ri evropian pa e shndërruar Ukrainën në një konflikt afatgjatë, respektivisht të përhershëm ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit?
Kjo pyetje nuk ka përgjigje të lehtë. Një paqe që do të perceptohej si kapitullim i Ukrainës do të ishte politikisht e papranueshme për një pjesë të madhe të Evropës. Por një konflikt pa fund, që gradualisht i afron NATO-n dhe Rusinë drejt përplasjes së drejtpërdrejtë, do të ishte po aq i rrezikshëm. Pikërisht midis këtyre dy skenarëve gjendet hapësira e vërtetë e diplomacisë.
Një dimension edhe më shqetësues: Rusia–Evropa
Megjithatë, pjesa më interesante e analizës së Meterit është ajo që lidhet me përshkallëzimin ndërmjet Rusisë dhe Evropës. Sepse edhe nëse SHBA-ja dhe Rusia arrijnë të krijojnë një kanal të ri komunikimi, kjo nuk do të thotë automatikisht se marrëdhëniet Rusi–Evropë do të ndjekin të njëjtën trajektore.
Përkundrazi, mund të shfaqet një paradoks i ri strategjik: Uashingtoni mund të kërkojë një modus vivendi me Moskën, ndërsa disa kryeqytete evropiane mund të vazhdojnë të ndërtojnë politikën e tyre të sigurisë mbi supozimin e një kërcënimi afatgjatë rus.
Kjo do të kishte pasoja të mëdha për vetë NATO-n. Aleanca është ndërtuar mbi një parim themelor: unitetin strategjik transatlantik. Por nëse perceptimet e kërcënimit fillojnë të diferencohen ndjeshëm ndërmjet Uashingtonit dhe kryeqyteteve evropiane, atëherë NATO do të përballet me një sfidë që nuk është thjesht ushtarake, por politike.
Këtu qëndron edhe një nga paradokset e rendit të ri ndërkombëtar: Evropa po përpiqet të bëhet më autonome në siguri pikërisht në një kohë kur SHBA-ja po rishqyrton shkallën e angazhimit të saj në kontinent. Nëse ky proces përshpejtohet, Evropa mund të fitojë më shumë kapacitete strategjike, por njëkohësisht mund të dobësohet kohezioni tradicional i Perëndimit.
Çfarë mund të kërkojë Washingtoni nga Moska?
Nëse pranojmë hipotezën se Ratcliffe nuk ka shkuar në Moskë vetëm për çështje operative të inteligjencës, atëherë një prej skenarëve më interesantë është ai i negociimit të fshehtë për menaxhimin e përshkallëzimit.
Washingtoni mund të ketë interes të dijë jo vetëm se çfarë kërkon Moska për Ukrainën, por edhe deri ku është e gatshme të shkojë Rusia në përballjen me Evropën. Kjo është një pyetje që bëhet veçanërisht e rëndësishme në kushtet kur lufta hibride, lufta kibernetike, sabotazhi, lufta informative dhe përballja ekonomike po krijojnë një zonë gri ndërmjet paqes dhe luftës.
Në këtë kuptim, vizita e Ratcliffe mund të jetë më pak një përpjekje për të “negociuar paqen” dhe më shumë një përpjekje për të matur kufijtë e përshkallëzimit.
Kjo është edhe më e rëndësishme për SHBA-në. Një konflikt i drejtpërdrejtë NATO–Rusi do ta vendoste Uashingtonin përballë një dileme strategjike jashtëzakonisht të rrezikshme: të mbështesë aleatët evropianë në përputhje me detyrimet e aleancës, duke rrezikuar përshkallëzimin me një fuqi bërthamore, ose të kufizojë përfshirjen dhe të rrezikojë kredibilitetin e garancive amerikane.
Ballkani duhet ta lexojë këtë zhvillim
Për Ballkanin, kjo dinamikë nuk është periferike. Nëse raportet SHBA–Rusi hyjnë në një fazë të re të komunikimit strategjik, pasojat do të ndihen edhe në Evropën Juglindore.
Kosova dhe Serbia, në veçanti, nuk mund të shkëputen nga kjo arkitekturë. Çështja e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është e lidhur me mënyrën se si do të rikonfigurohet marrëdhënia ndërmjet SHBA-së, NATO-s dhe Evropës, por edhe me hapësirën që do t’i mbetet Rusisë për të ushtruar ndikim përmes Serbisë.
Nëse Washingtoni dhe Moska hyjnë në një fazë të re të negociimit të interesave të tyre, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se “Ballkani do të ndahet në tavolinë”, siç shpesh pretendohet në diskursin politik. Por do të thotë se fuqitë e mesme dhe, sidomos, shtetet e vogla duhet të kenë një politikë shumë më të artikuluar të interesit kombëtar, të mbështetur në kapacitete reale dhe në një vizion të qartë strategjik.
Pikërisht për këtë arsye, Tirana zyrtare duhet ta rikonceptojë tërësisht qasjen e saj ndaj hapësirës shqiptare dhe ndaj zhvillimeve gjeopolitike në Ballkan. Shqiptarët nuk mund të lejojnë që edhe në shekullin XXI të shfaqen si objekt negocimi dhe kusuritjeje ndërmjet fuqive të tjera apo shteteve të rajonit. Historia e shekujve XIX dhe XX dëshmon se dobësia politike dhe mungesa e një strategjie të përbashkët kanë prodhuar pasoja të rënda për kombin shqiptar. Pas rënies së dy perandorive që kishin dominuar hapësirën ballkanike – Perandorisë Osmane dhe Perandorisë Austro-Hungareze – riformatimi i rendit politik evropian u shoqërua edhe me vendime mbi territoret dhe popujt e Ballkanit, në të cilat interesat shqiptare nuk u përfaqësuan gjithmonë në përputhje me peshën e tyre demografike, historike dhe gjeopolitike. Përkundrazi, Shqipëria u shndërrua në një torzo; më shumë se gjysma e territoreve dhe popullsisë së saj ju ndanë fqinjëve, me theks Serbisë dhe Greqisë.
Sot rrethanat janë thelbësisht të ndryshme. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova ka ndërtuar institucionet e veta shtetërore dhe është e lidhur ngushtë me strukturat euroatlantike të sigurisë. Prandaj, paralelja historike nuk duhet marrë si përsëritje mekanike e së kaluarës, por si një mësim strategjik: rendet ndërkombëtare ndryshojnë dhe, kur ato ndryshojnë, hapësira politike e shteteve përcaktohet në masë të madhe nga aftësia e tyre për t’i artikuluar dhe mbrojtur interesat e veta.
Kjo është arsyeja pse shqiptarët duhet të kalojnë nga një kulturë politike e reagimit ndaj zhvillimeve në një kulturë të parashikimit dhe prodhimit të politikave strategjike. Nuk mjafton të presim se çfarë do të vendosin Washingtoni, Brukseli, Moska, Beogradi apo aktorë të tjerë dhe pastaj të përcaktojmë qëndrimin tonë. Një shtet serioz duhet të ketë skenarët e vet, vijat e veta të interesit dhe kapacitetet për t’i mbrojtur ato.
Në këtë pikë, interesi kombëtar shqiptar duhet të konceptohet si interes shtetëror dhe rajonal njëkohësisht. Shqipëria dhe Kosova, për shkak të lidhjeve të tyre kombëtare, ekonomike, gjeografike dhe të sigurisë, nuk mund ta trajtojnë më veten si dy realitete plotësisht të ndara strategjike. Sa më shumë të rritet pasiguria në Evropë dhe sa më shumë të riformatohet arkitektura e sigurisë, aq më e domosdoshme bëhet koordinimi i tyre.
Në të kundërtën, ekziston rreziku që, në një fazë të re të rivalitetit të fuqive të mëdha, jo vetëm dy republikat shqiptare, por gjithë hapësira shqiptare të gjendet përsëri përballë një realiteti të krijuar nga të tjerët, në vend që të jenë bashkëformësuese të tij. Dhe ky është pikërisht skenari që një doktrinë e re strategjike shqiptare duhet ta parandalojë.
Sepse në politikën ndërkombëtare, nuk mjafton të kesh të drejtë historike apo morale; duhet të kesh edhe fuqinë politike, diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë për ta bërë atë të drejtë pjesë të ekuilibrit real të fuqive.
Shtetet që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për ta mbrojtur pozicionin e tyre rrezikojnë të shndërrohen në objekte të marrëveshjeve të të tjerëve. Ndërsa shtetet që ndërtojnë kapacitete dhe vizion strategjik kanë mundësinë të kalojnë nga objekt i gjeopolitikës në subjekt të saj.
Ky duhet të jetë një prej parimeve themelore të doktrinës së re strategjike shqiptare.
Nga diplomacia e deklaratave te politika e kapaciteteve
Prandaj, pyetja kryesore që ngre vizita e Ratcliffe nuk është thjesht: “Pse shkoi drejtori i CIA-s në Moskë?”
Pyetja më e rëndësishme është: “Çfarë po ndryshon në marrëdhëniet ndërmjet fuqive të mëdha dhe çfarë duhet të bëjnë shtetet më të vogla përpara se ndryshimi të materializohet?”
Kjo është dilema reale e kohës sonë.
Në një sistem ndërkombëtar që po kalon nga rendi relativisht unipolar drejt një konfigurimi më konkurrues dhe multipolar, shtetet nuk mund të mbështeten vetëm te deklaratat politike, te garancitë e jashtme apo te supozimi se status quo-ja do të vazhdojë. Sovraniteti politik pa kapacitete strategjike është sovranitet i brishtë.
Në këtë kuptim, vizita e një drejtori të CIA-s në Moskë mund të jetë vetëm një episod i vogël i një procesi shumë më të madh: negocimi i heshtur për kufijtë e rendit të ri ndërkombëtar.
Dhe nëse historia e vizitës së William Burns në Moskë në vitin 2021 na mëson diçka, është se takimet e tilla mund të bëhen të rëndësishme jo për atë që thuhet publikisht në ditën e vizitës, por për atë që ndodh në muajt që pasojnë.
Prandaj, më shumë sesa vetë vizita, duhet të vëzhgojmë atë që do të vijë pas saj. Aty do të kuptohet nëse kemi të bëjmë me një episod të inteligjencës, një kanal të ri negociimi apo me fillimin e një rikalibrimi më të gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit.
