Autor: Lirim Gashi
Ka raste kur një dokument i vetëm nuk ta tregon tërë fotografinë. Është vetëm një pjesë e pazëllit. Një copëz e vogël që, po ta shikosh veçmas, mund të duket krejt e pafajshme. Por kur copëzat fillojnë të bashkohen, fotografia shfaqet. Dhe zakonisht fotografia nuk është ajo që disa njerëz do të kishin dashur ta shihnin.
Afera “Leptir”, e përmendur në materialet e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, është pikërisht njëra prej këtyre copëzave që nuk duhet parë e shkëputur, por brenda një historie më të gjerë. Sipas materialeve të bëra publike, dokumenti “Leptir” lidhet me një plan të strukturave të sigurimit serb për komprometimin e Albin Kurtit dhe, sipas pretendimeve të Prokurorisë, me veprimtarinë e Shehollit në funksion të interesave të një shërbimi të huaj.
Por pyetja më interesante nuk është vetëm: çfarë ishte “Leptiri”?
Pyetja është: çfarë ndodhi më pas?
Sepse, nëse “Leptir” ka qenë pjesë e një mekanizmi për komprometimin dhe diskreditimin e Kurtit, atëherë lind një pyetje e pakëndshme, por legjitime:
A u shfaqën më vonë të njëjtat narrativa, të njëjtat interesa ose të njëjtat objektiva në politikën, gazetarinë dhe analizën publike të Kosovës?
Kjo nuk është pyetje që mund të zgjidhet me hamendësime. Por është pyetje që mund të hetohet.
Dhe pikërisht këtu pazëlli fillon të bëhet interesant.
Duhet shqyrtuar periudha e rrëzimit të Qeverisë Kurti gjatë pandemisë: kush e kërkoi rrëzimin, kush e justifikoi, kush e paketoi si “shpëtim të demokracisë”, kush e shndërroi në fushatë mediale dhe, mbi të gjitha, cilat interesa politike u favorizuan nga ai ndryshim?
Sepse në politikë ndonjëherë është shumë më interesante të shikosh kush përfiton nga një zjarr, sesa kush del në televizor duke na shpjeguar se sa shumë i vjen keq që po digjesh.
Por kjo nuk mjafton.
Duhet të shqyrtohen kontaktet, komunikimet, takimet, deklaratat, financimet dhe ndërmjetësimet. Jo vetëm fjalët e bukura të thëna në studio televizive, ku çdo ekspert mund të duket si profesor i Harvardit për aq kohë sa askush nuk e pyet se nga e mori informacionin dhe kush ia dha.
Dhe këtu duhet të hapet edhe një kapitull tjetër i pazëllit: roli i oligarkëve shqiptarë që janë pasuruar marramendësisht përmes tregtisë dhe marrëdhënieve ekonomike me struktura, kompani ose interesa të lidhura me Serbinë.
Pyetja nuk është nëse pasuria e një biznesmeni është automatikisht provë e ndonjë veprimtarie të paligjshme. Nuk është.
Pyetja është shumë më konkrete: Cili është roli i oligarkëve shqiptarë të pasuruar marramendësisht nga tregtia me strukturat kriminale të shtetit serb?
Cilat kompani kanë bërë biznes me këto struktura?
Kush ka qenë ndërmjetës?
Nga kanë ardhur paratë?
Nëpër cilat kompani, fondacione, organizata apo kanale janë qarkulluar ato?
Dhe, mbi të gjitha, a ka ekzistuar ndonjëherë një lidhje ndërmjet fuqisë së krijuar përmes këtyre marrëdhënieve ekonomike dhe financimit të mediave që veprojnë kundër shtetit të Kosovës?
Sepse financimi i një medie nuk është në vetvete provë se ajo media kontrollohet nga financuesi. Por nëse një biznesmen financon vazhdimisht media, portale, analistë, emisione ose platforma që sistematikisht prodhojnë narrativa kundër institucioneve të shtetit të Kosovës, atëherë pyetja për konfliktin e interesit, ndikimin dhe qëllimin bëhet plotësisht legjitime.
Duhet parë kush i financon këto media, përmes kujt financohen, sa para marrin, në çfarë forme i marrin dhe çfarë përmbajtjeje prodhojnë më pas.
A janë këto financime reklama normale?
A janë sponsorizime?
A janë kontrata biznesi?
A janë pagesa për shërbime?
A janë donacione?
A janë investime të fshehura?
Apo ekzistojnë forma të tjera financimi që publiku nuk i njeh?
Sepse një media mund të jetë formalisht e pavarur, por pavarësia reale e saj duhet të matet edhe me pyetjen se kush e mban financiarisht në këmbë.
Dhe këtu lind pyetja edhe më e rëndësishme: A po përdoret pasuria e krijuar përmes lidhjeve ekonomike me struktura të caktuara serbe për të financuar një ekosistem mediatik që dobëson besimin e qytetarëve në shtetin e Kosovës, delegjitimon institucionet e tij dhe relativizon çdo përpjekje për forcimin e sovranitetit?
Kjo nuk duhet të përgjigjet me akuza. Duhet të përgjigjet me dokumente. Kontrata. Transferta. Regjistra financiarë. Pronarë përfitues. Rrjete kompanish. Burime reklamimi. Marrëdhënie biznesore. Komunikime. Takime. Dhe kronologji.
Sepse vetëm atëherë mund të kuptohet nëse kemi të bëjmë me biznes normal, me ndikim të papranueshëm, me konflikt interesash apo me diçka shumë më të organizuar.
Në këtë pjesë të pazëllit duhet vendosur edhe një element që shpesh lihet jashtë: bllokimi i krijimit të institucioneve shtetërore në përputhje me vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.
Në demokraci, vota nuk është dekor festiv që përdoret një herë në katër vjet, pastaj futet në sirtar dhe harrohet. Vota duhet të prodhojë institucione dhe qeverisje në përputhje me vullnetin e qytetarëve.
Përndryshe, demokracia fillon të ngjajë me një restorant ku klienti porosit mish, kamerieri ia sjell faturën, ndërsa kuzhinieri vendos ta hajë vetë porosinë.
Prandaj çdo përpjekje për ta penguar, vonuar ose deformuar këtë proces duhet të shqyrtohet si pjesë e panoramës më të gjerë politike dhe institucionale.
Pastaj vjen pjesa e dytë e pazëllit: veriu i Kosovës.
Kur Qeveria Kurti filloi të ndërmarrë hapa për shtrirjen e autoritetit shtetëror në veri, duhet pyetur: kush i kundërshtoi këto masa? Kush i pengoi politikisht? Kush prodhoi narrativën se çdo veprim i institucioneve të Kosovës ishte “provokim”? Kush e relativizoi ndikimin e strukturave ilegale serbe? Dhe kush përfundoi duke artikuluar argumente që, në praktikë, përputheshin me interesat e Beogradit?
Sepse ndonjëherë nuk ke nevojë të marrësh trenin për në Beograd për t’ia bërë një shërbim Beogradit.
Mjafton të ulesh në një studio televizive në Prishtinë.
Pastaj vjen pjesa e tretë: drejtësia.
Nëse një qeveri synon ta çlirojë prokurorinë dhe gjyqësorin nga ndikimi politik, pyetja është e thjeshtë: kush kishte interes që kjo të mos ndodhte? Kush e mbrojti status quo-në? Kush e shndërroi çdo përpjekje për reformë në “sulm ndaj institucioneve”? Dhe cilat rrjete politike, mediale apo ekonomike mund të humbnin nëse mekanizmat e vjetër të ndikimit do të çmontoheshin?
Por këtu duhet shtruar edhe një seri tjetër pyetjesh, ndoshta edhe më të pakëndshme: Kush ka frikë nga konfiskimi i pasurisë së paligjshme? Kush ka frikë nga zhvillimi ekonomik? Kush ka frikë nga investimet e huaja ? Kush ka frikë nga armatimi modern i forcave mbrojtëse të Kosovës ? Kush ka frikë nga pavarësimi energjetik? Kush ka frikë nga drejtësia sociale? Kush ka frikë nga zhdukja e dinarit? Kush ka frikë nga zhdukja e korrupsionit institucional? Kush ka frikë nga heqja e targave?
Sepse secila prej këtyre pyetjeve ka një dimension të veçantë, por të gjitha bashkohen në një pyetje më të madhe: Kush ka interes që Kosova të mbetet e varur, ekonomikisht e brishtë, energjetikisht e pasigurt, institucionalisht e kapur dhe e ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme?
Dhe këtu duhet të rikthehemi te pyetja e oligarkëve.
Sepse nëse një pjesë e kapitalit të madh shqiptar është krijuar ose është zgjeruar përmes marrëdhënieve tregtare me aktorë ekonomikë të lidhur me strukturat kriminale të shtetit serb, atëherë është e arsyeshme të kërkohet të dihet nëse ky kapital është përdorur vetëm për të krijuar pasuri private apo edhe për të krijuar ndikim politik, mediatik dhe shoqëror.
Cili është roli i tyre në financimin e mediave anti-shtet?
A ekzistojnë media që marrin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë financime nga biznesmenë që kanë interesa të mëdha ekonomike në Serbi?
A ekzistojnë ndërmjetës që e bëjnë të pamundur të shihet burimi real i parave?
A financohen portale, televizione, analistë ose emisione përmes reklamave dhe kontratave që në dukje janë normale, por që në praktikë krijojnë varësi editoriale?
A ka ndonjë përputhje të përsëritur ndërmjet interesave ekonomike të financuesve dhe narrativave të prodhuara nga mediat që ata mbështesin?
Dhe nëse ekziston një përputhje e tillë, kush duhet ta hetojë?
Sepse një gjë është kritika ndaj një qeverie.
Tjetër gjë është financimi i një ekosistemi të tërë që synon ta paraqesë shtetin si problem, sovranitetin si pengesë, luftën kundër korrupsionit si hakmarrje dhe shtrirjen e ligjit si provokim.
Kjo është arsyeja pse financimi duhet të jetë pjesë e hetimit po aq sa përmbajtja.
Kush paguan? Kush përfiton? Kush publikon? Kush shpërndan? Kush ndërmjetëson?
Dhe a ekziston një lidhje ndërmjet këtyre katër hallkave?
Pastaj duhet shtruar edhe një pyetje tjetër: Kujt i konvenonte “Ballkani i Hapur”?
Jo si slogan, jo si deklaratë diplomatike dhe jo si etiketë politike, por si projekt që duhet analizuar në mënyrë konkrete: kush do të fitonte ekonomikisht, kush do të fitonte politikisht, kush do të fitonte në aspektin e ndikimit rajonal dhe çfarë do të nënkuptonte ai projekt për sovranitetin, subjektivitetin dhe pozicionin e Kosovës në rajon?
Sepse edhe këtu nuk mjafton të thuhet se një projekt është “rajonal”, “ekonomik” apo “evropian”.
Duhet parë kush e projektoi, kush e promovoi, kush e kundërshtoi, cilat interesa ekonomike qëndronin pas tij dhe kush do të kishte përfituar më shumë nga realizimi i tij.
Por këtu pazëllit i mungon edhe një pjesë tjetër, shumë më e ndjeshme dhe për këtë arsye edhe më e rëndësishme për t’u shqyrtuar.
Kujt i konvenonte një Kosovë e vërshuar nga klerikë dhe rryma vehabiste e selefiste që promovonin islamin politik, veçanërisht në xhamitë e ndërtuara me financime nga qarqe të huaja me interesa potencialisht armiqësore ndaj stabilitetit të Kosovës? Kujt i shërbente krijimi i një mjedisi ku të rinj shqiptarë mund të ekspozoheshin ndaj propagandës ekstremiste, të mobilizoheshin, të rekrutoheshin ose të frymëzoheshin për akte terroriste, përfshirë ato të kryera jashtë Kosovës?
Kjo pyetje nuk nënkupton se çdo klerik, çdo xhami apo çdo besimtar ka pasur lidhje me ekstremizmin. Përkundrazi. Pikërisht për shkak të seriozitetit të saj, ajo duhet të ndahet qartë nga përgjithësimet dhe të trajtohet përmes provave: kush i financoi këto ndërtime, nga erdhën paratë, përmes kujt kaluan, cilat organizata vepruan, kë rekrutuan, çfarë rrjetesh krijuan dhe kush përfitoi nga krijimi i tyre?
Sepse edhe këtu pyetja kryesore nuk është thjesht se çfarë ndodhi. Është: kush kishte interes që të ndodhte?
Nëse një shoqëri e sapodalë nga lufta, me institucione ende të brishta dhe me një gjeneratë të re që kërkonte identitet e orientim, u ekspozua ndaj rrjeteve të radikalizimit dhe rekrutimit, atëherë kjo nuk mund të trajtohet vetëm si një histori fetare.
Duhet parë edhe si çështje sigurie, ndikimi të huaj dhe manipulimi shoqëror.
Këtu emrat e përmendur publikisht në kontekste të ndryshme — Fatmir Sheholli, Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq, Edi Rama, Richard Grenell dhe Aleksandar Vuçiq — nuk duhet të hidhen në një thes dhe të shpallen automatikisht pjesë e së njëjtës skemë.
Kjo do të ishte propagandë, jo hetim. Pikërisht për këtë arsye duhet bërë e kundërta: të ndiqen lidhjet konkrete.
Kush ka komunikuar me kë? Kush është takuar me kë? Kush ka financuar kë? Kush ka ndërmjetësuar kë? Kush ka marrë informacione dhe ku i ka publikuar? Kush ka koordinuar narrativa politike? Kush ka qenë në kontakt me njerëz të lidhur me Beogradin? Kush ka shërbyer si ndërmjetës mes politikës, biznesit dhe medias?
Dhe mbi të gjitha: a ekzistojnë prova të verifikueshme që këto kontakte kanë pasur një qëllim të përbashkët?
Sepse nuk mjafton më të thuhet: “Nuk ka prova.”
Nëse ekzistojnë dokumente, komunikime, takime, transferta, dëshmi dhe lidhje të verifikueshme, ato duhet të vendosen njëra pranë tjetrës.
Jo për të prodhuar një fajtor me shkrim. Por për të parë nëse ekziston një model.
Dhe pastaj publiku mund të gjykojë vetë nëse kemi të bëjmë me rastësi të izoluara apo me një mekanizëm të përsëritur ndikimi.
Sepse pazëlli ka një zakon të keq: kur i vendos të gjitha pjesët në vend, fillon të tregojë një fotografi — edhe nëse pjesët, njëra pas tjetrës, kanë bërë sikur nuk njihen.
Dhe këtu qëndron rëndësia e aferës “Leptir”.
Ajo nuk është domosdoshmërisht fotografia e plotë. Është vetëm një pjesë e pazëllit.
Pjesët e tjera duhet të kërkohen në vitin 2020, në krizën politike të pandemisë, në rrëzimin e Qeverisë Kurti, në përplasjet rreth krijimit të institucioneve sipas vullnetit të shprehur përmes votës së qytetarëve, në marrëdhëniet politike dhe ekonomike rreth veriut, në betejën për kontrollin dhe reformimin e institucioneve të drejtësisë dhe në rrjetin e kontakteve ndërmjet politikanëve, gazetarëve, analistëve, biznesmenëve dhe aktorëve të jashtëm.
Dhe duhet kërkuar edhe te paratë. Sepse paratë kanë një kujtesë shumë më të mirë se njerëzit. Ato lënë gjurmë.
Nëse një oligark shqiptar pasurohet përmes tregtisë me struktura të lidhura me Serbinë dhe më pas, drejtpërdrejt ose tërthorazi, financon media që sistematikisht dobësojnë institucionet e Kosovës, atëherë nuk mjafton të shikosh vetëm bilancin financiar.
Duhet të shikosh edhe bilancin e ndikimit.
Sa para hynë? Ku hynë? Nëpër cilat kanale? Te kush përfunduan? Çfarë narrative u prodhua? Kush përfitoi prej saj?Dhe a ekziston një lidhje kohore ndërmjet financimit dhe fushatave mediale?
Kjo është mënyra se si hetohet një rrjet ndikimi: jo duke shpallur fajtorë me hamendësim, por duke ndjekur paratë, komunikimet, pronësinë, interesat dhe pasojat.
Nëse ato pjesë bashkohen dhe fotografia del ashtu siç dyshohet, atëherë nuk do të kemi më një histori për një person të vetëm. Do të kemi një hartë të ndikimit.
Dhe në atë hartë, secili duhet të përgjigjet vetëm për pjesën e vet: Kush me kë bashkëpunoi, për çfarë qëllimi dhe në shërbim të kujt? Sepse në fund të fundit, pazëlli nuk zgjidhet duke bërtitur se fotografia është e rreme. Pazëlli zgjidhet duke i vendosur të gjitha pjesët në vend.
Dhe ndonjëherë problemi më i madh nuk është se fotografia është e tmerrshme.
Problemi është se, pasi i ke bashkuar të gjitha pjesët, nuk mund të pretendosh më se nuk e njeh fotografinë.
