Interesat turke dhe dilemat strategjike për Shqipërinë dhe Kosovën
Nga këndvështrimi i dy republikave shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, Pakti i Mekës nuk është një zhvillim periferik. Ai është një sinjal për ndryshimin e arkitekturës së fuqisë në hapësirën nga Gjiri Persik deri në Mesdheun Lindor dhe, për pasojë, edhe për mënyrën se si Ankaraja mund ta konceptojë rolin e saj në Ballkan.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrje
Më 7 gusht 2026, Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani nënshkruan në Mekë Marrëveshjen e Përbashkët të Mbrojtjes, e cila përcakton se një sulm i armatosur ndaj njërit prej tre shteteve do të konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Marrëveshja parashikon mekanizma të koordinimit politik dhe ushtarak, stërvitje të përbashkëta në tokë, det, ajër dhe hapësirën kibernetike, si dhe bashkëpunim në teknologjitë e reja, sistemet pa pilot dhe industrinë e mbrojtjes.
Edhe pse Ankaraja dhe Islamabad-i e kanë përshkruar paktin si mbrojtës dhe jo të drejtuar kundër një shteti të caktuar, vetë struktura e marrëveshjes e vendos atë në qendër të një procesi më të gjerë: fuqitë rajonale po përpiqen të ndërtojnë kapacitete autonome sigurie, në një kohë kur besueshmëria e garancive tradicionale të sigurisë po vihet gjithnjë e më shumë në diskutim.
Kjo është ajo që e bën Paktin e Mekës të rëndësishëm edhe për Ballkanin.
Thelbi i Paktit të Mekës është politikisht i qartë: një sulm i armatosur ndaj cilësdo prej tri palëve do të konsiderohet sulm ndaj të gjithave. Në këtë pikë, marrëveshja shkon përtej një deklarate të zakonshme të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Ajo krijon një parim të mbrojtjes së ndërsjellë dhe institucionalizon një nivel të ri të koordinimit strategjik ndërmjet Ankarasë, Riadit dhe Islamabadit. Pakti mbështetet mbi marrëveshjen bilaterale strategjike të mbrojtjes së ndërsjellë të nënshkruar nga Arabia Saudite dhe Pakistani në shtator 2025 dhe e zgjeron atë përmes stërvitjeve të përbashkëta, shkëmbimit të inteligjencës, bashkëpunimit teknologjik dhe industrisë së mbrojtjes.
Megjithatë, formulimi politik i marrëveshjes duhet dalluar nga kapaciteti i saj real strategjik. Për momentin, Pakti i Mekës nuk përbën një aleancë gjithëpërfshirëse të krahasueshme me NATO-n. Ai është më tepër një koalicion në zhvillim, i ndërtuar mbi bashkimin e kapaciteteve të ndryshme, por komplementare. Arabia Saudite sjell kapitalin financiar, burimet energjetike dhe pozitën gjeografike mbi disa prej korridoreve më të rëndësishme të energjisë; Turqia sjell industrinë e zhvilluar të mbrojtjes, kapacitetet ushtarake dhe përvojën e gjatë brenda NATO-s; ndërsa Pakistani sjell një forcë të konsiderueshme njerëzore, përvojë të gjatë ushtarake dhe, mbi të gjitha, kapacitetin e deklaruar bërthamor. [Murray Hunter: 2026]
Pikërisht kjo ndërthurje e tri formave të fuqisë – kapitalit dhe energjisë saudite, fuqisë ushtarako-industriale turke dhe kapacitetit bërthamor pakistanez – i jep Paktit një peshë që tejkalon dimensionin formal të marrëveshjes. Secili prej këtyre shteteve ka burime që dy të tjerët nuk i posedojnë në të njëjtën masë. Nëse këto kapacitete arrijnë të ndërthuren përmes mekanizmave të qëndrueshëm të koordinimit, transferimit teknologjik, prodhimit të përbashkët dhe ndërveprueshmërisë ushtarake, mund të krijohet gradualisht një ekosistem i ri rajonal i sigurisë dhe i mbrojtjes.
Por pikërisht këtu shfaqet edhe kufizimi i parë i këtij projekti. Kapacitetet komplementare nuk nënkuptojnë automatikisht interesa strategjike identike. Pakistani vazhdon ta perceptojë Indinë si kërcënimin e tij kryesor; Turqia duhet të menaxhojë njëkohësisht marrëdhëniet me NATO-n, Greqinë, Qipron, Izraelin dhe Iranin; ndërsa Arabia Saudite e sheh sigurinë e Gjirit, Iranin dhe mbrojtjen e korridoreve energjetike si prioritete themelore. Pra, tri shtetet mund të bashkojnë kapacitete, pa pasur domosdoshmërisht të njëjtën hartë të kërcënimeve.
Kjo e bën Paktin e Mekës më interesant si projekt i autonomisë strategjike rajonale sesa si një aleancë klasike ushtarake. Ai nuk e zëvendëson arkitekturën ekzistuese të sigurisë dhe, të paktën në këtë fazë, as nuk synon domosdoshmërisht ta bëjë këtë. Por dëshmon se fuqitë rajonale po përgatiten për një sistem ndërkombëtar në të cilin garancitë tradicionale të sigurisë nuk konsiderohen më të mjaftueshme dhe në të cilin kapaciteti për të prodhuar vetë siguri po bëhet pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e fuqisë shtetërore.
Për këtë arsye, rëndësia e Paktit të Mekës nuk duhet matur vetëm me pyetjen nëse ai do të shndërrohet në një “NATO islame”. Pyetja më relevante është nëse ky model do të arrijë të shndërrojë kapacitetet e shpërndara të tri fuqive në një instrument të qëndrueshëm të parandalimit dhe veprimit të përbashkët. Nëse kjo ndodh, atëherë Pakti do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në rikonfigurimin e ekuilibrave të fuqisë nga Gjiri Persik deri në Mesdheun Lindor – dhe pikërisht këtu fillon rëndësia e tij për Turqinë, Ballkanin dhe hapësirën shqiptare.
I. Nga aleancat e varësisë te koalicionet e fuqisë
Për dekada, arkitektura e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan u ndërtua mbi një premisë të ngjashme: fuqia rajonale ishte e ndërthurur me garancinë e një fuqie më të madhe, mbi të gjitha Shteteve të Bashkuara.
Pakti i Mekës nuk e përmbys këtë rend, por i shton një dimension të ri. Ai përfaqëson përpjekjen e tri fuqive për të krijuar një kapacitet rajonal parandalues duke bashkuar tri lloje të ndryshme fuqie: kapitalin dhe peshën financiare saudite, kapacitetin ushtarak-industrial turk dhe fuqinë bërthamore pakistaneze. Analizat e para mbi marrëveshjen e vënë theksin edhe te krijimi i një ekosistemi të përbashkët të industrisë së mbrojtjes, investimeve, transferimit teknologjik dhe prodhimit të përbashkët.
Pra, ajo që po shfaqet nuk është domosdoshmërisht një “NATO islame”, siç është cilësuar në qarqe të veçanta. Institucionalisht dhe operacionalisht hendeku me NATO-n mbetet i madh. Por është një hap drejt një koncepti tjetër: autonomisë strategjike rajonale.
Dhe pikërisht këtu fillon rëndësia e Turqisë.
II. Turqia: nga fuqi rajonale në fuqi me projekt hapësinor
2.1 Thellësia strategjike e Davutoglu-së dhe Ballkani
Për ta kuptuar më thellë politikën e sotme turke, përfshirë rolin që Ankaraja synon të luajë përmes Paktit të Mekës, është e nevojshme t’i rikthehemi konceptit të “Thellësisë strategjike: Pozicioni ndërkombëtar i Turqisë” të Ahmet Davutoglu-së. I artikuluar në mënyrë sistematike në veprën e tij Stratejik Derinlik: Türkiye’nin Uluslararası Konumu (2001), ky koncept përbën një prej përpjekjeve më të rëndësishme teorike për ta rikonsideruar pozitën e Turqisë në sistemin ndërkombëtar.
Në thelb, Davutoglu argumenton se fuqia e një shteti nuk përcaktohet vetëm nga territori, ekonomia apo kapaciteti ushtarak, por edhe nga thellësia historike, gjeografike, kulturore dhe civilizuese. Turqia, sipas tij, zotëron një pozitë të jashtëzakonshme sepse ndodhet në kryqëzimin e disa hapësirave strategjike: Evropës dhe Azisë, Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, Detit të Zi dhe Mesdheut. Për më tepër, trashëgimia osmane i ka lënë Ankarasë lidhje historike, shoqërore dhe kulturore në një hapësirë shumë më të gjerë se kufijtë e Republikës së Turqisë.
Prandaj, Turqia nuk duhet të sillet si një shtet periferik që pret zhvillimet në hapësirat përreth saj, por si fuqi qendrore, e aftë të ndërtojë marrëdhënie dhe ndikim në disa rajone njëkohësisht.
2.2 Ballkani si pjesë e thellësisë strategjike
Në këtë konceptim, Ballkani zë një vend të veçantë. Davutoglu nuk e trajton atë thjesht si një rajon fqinj të Turqisë, por si një prej hapësirave që përcaktojnë pozitën ndërkombëtare të saj. Ballkani, Lindja e Mesme dhe Kaukazi formojnë, në një masë të konsiderueshme, tri hapësira kryesore ku pozita historike dhe gjeografike e Turqisë mund të shndërrohet në kapital strategjik.
Për Davutoglu-në, dobësimi i ndikimit turk në njërën prej këtyre hapësirave do të kishte pasoja edhe për pozitën e Turqisë në hapësirat e tjera. Kjo e shpjegon faktin pse politika e jashtme turke nuk mund të kuptohet vetëm përmes marrëdhënieve Ankara–Bruksel apo Ankara–Uashington. Ajo duhet parë edhe përmes marrëdhënieve të Turqisë me Ballkanin, Kaukazin, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe Afrikën.
Në këtë kuptim, Ballkani nuk është vetëm “fqinjësi” për Turqinë. Ai është pjesë e hapësirës së saj të projeksionit strategjik.
Davutoglu e lidh këtë pozitë edhe me trashëgiminë osmane. Por rëndësia e kësaj trashëgimie, në logjikën e tij, nuk duhet kuptuar thjesht si nostalgji për Perandorinë Osmane. Ajo përfaqëson një kapital historik, të cilin Turqia mund ta shndërrojë në marrëdhënie diplomatike, ekonomike, kulturore dhe politike.
Kështu, politika turke ndaj Ballkanit merr karakter shumëdimensional: investimet dhe tregtia plotësohen nga diplomacia kulturore, arsimi, institucionet fetare, infrastruktura dhe, gjithnjë e më shumë, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
2.3 Nga “thellësia” te “rrjetet” e fuqisë
Politika e Turqisë së sotme nuk është identike me doktrinën e Davutoglu-së dhe nuk do të ishte e drejtë të reduktohej çdo veprim i Ankarasë te kjo doktrinë. Megjithatë, ekziston një vazhdimësi e rëndësishme në mënyrën e konceptimit të Turqisë si fuqi që nuk duhet të kufizohet në një hapësirë të vetme gjeopolitike.
Në këtë aspekt, mund të flasim për një evolucion nga “Thellësia strategjike” drejt asaj që mund të quhet rrjetëzim strategjik.
Nëse Davutoglu e shihte gjeografinë, historinë dhe trashëgiminë civilizuese si burime të fuqisë, Turqia e sotme po përpiqet t’i shndërrojë këto burime në rrjete konkrete ndikimi: marrëveshje politike, partneritete ekonomike, bashkëpunim ushtarak, eksporte të industrisë së mbrojtjes, prani diplomatike dhe ushtarake dhe lidhje infrastrukturore.
Pakti i Mekës mund të shihet në këtë kontekst. Ai e lidh Turqinë me Arabinë Saudite dhe Pakistanin dhe, potencialisht, krijon një platformë të re bashkëpunimi që shtrihet përtej kufijve të Lindjes së Mesme. Ndërkohë, Ankaraja ruan dhe zgjeron praninë e saj në Kaukaz, Azinë Qendrore, Afrikë dhe Ballkan.
Pra, thellësia strategjike po shndërrohet në gjeografi të rrjetëzuar të fuqisë.
2.4 Ballkani dhe hapësira shqiptare
Kjo perspektivë është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën por edhe përgjithësisht për hapësirën shqiptare në rajon. Në hartën e thellësisë strategjike turke, hapësira shqiptare nuk është pa rëndësi. Shqipëria, me daljen e saj në Adriatik, dhe Kosova, me pozitën e saj në qendër të Ballkanit, përbëjnë dy pika që lidhen me korridore strategjike shumë më të gjera.
Kjo nuk do të thotë se Turqia e sheh hapësirën shqiptare vetëm përmes një projekti të centralizuar gjeopolitik. Por do të thotë se Ankaraja ka interesa të qëndrueshme për një Ballkan të hapur ndaj pranisë dhe ndikimit turk.
Pikërisht këtu duhet të bëhet dallimi ndërmjet interesit turk dhe interesit shqiptar.
Interesi turk është të ruajë dhe zgjerojë hapësirën e vet të veprimit. Interesi i Shqipërisë dhe Kosovës është të konsolidojnë sovranitetin, sigurinë dhe subjektivitetin e tyre ndërkombëtar dhe të avancojnë integrimin euroatlantik.
Këto interesa mund të përputhen në shumë raste, por nuk janë identike. Prandaj, marrëdhënia me Turqinë duhet të ndërtohet si partneritet strategjik, jo si varësi strategjike.
Ky është edhe përfundimi më i rëndësishëm që mund të nxirret nga leximi i Davutoglu-së: një fuqi e aftë për të menduar në terma të “thellësisë strategjike” nuk vepron vetëm brenda kufijve të saj formalë. Ajo kërkon hapësira ku mund të projektojë fuqinë dhe të krijojë rrjete ndikimi.
Kjo duhet t’i shtyjë tok Shqipërinë dhe Kosovën të mendojnë përtej kufijve të ngushtë shtetërorë dhe të ndërtojnë thellësinë e tyre strategjike: përmes lidhjes Shqipëri–Kosovë, Adriatikut, NATO-s, BE-së, partneritetit me SHBA-në dhe marrëdhënieve strategjike me Turqinë.
Sepse, në një rend ndërkombëtar ku fuqitë e mesme po fitojnë gjithnjë më shumë hapësirë manovrimi, nuk mjafton të jesh pjesë e hapësirës strategjike të dikujt tjetër; duhet të kesh edhe aftësinë për të prodhuar hapësirën tënde strategjike.
III. Ballkani nuk është periferi e projektit turk
Për Ankaranë, Ballkani nuk është thjesht një hapësirë historike ose kulturore. Ai është korridor strategjik që lidh Mesdheun Lindor me Evropën Qendrore.
Prandaj, Shqipëria dhe Kosova kanë rëndësi të veçantë.
Shqipëria i ofron Turqisë një dalje të rëndësishme në Adriatik, ndërsa Kosova përfaqëson një pikë kyçe në brendësi të Ballkanit Perëndimor. Nëse këto dy hapësira shihen së bashku, rëndësia e tyre rritet ndjeshëm.
Por këtu duhet bërë një dallim themelor.
Interesat turke dhe interesat shqiptare mund të përputhen në shumë fusha, por nuk janë identike.
Ky dallim është thelbësor për një politikë të pjekur shtetërore.
Turqia kërkon ndikim, tregje, korridore strategjike, prani ushtarake, eksporte të industrisë së mbrojtjes dhe kapital diplomatik. Shqipëria dhe Kosova, ndërkaq, kanë interesa të tjera themelore: konsolidimin e sovranitetit, integrimin euroatlantik, stabilitetin rajonal, parandalimin e ekspansionit serb dhe ruajtjen e hapësirës strategjike shqiptare.
Prandaj marrëdhëniet me Ankaranë duhet të ndërtohen mbi partneritet strategjik, jo mbi varësi strategjike.
IV. Rreziku i keqleximit: miqësia nuk është doktrinë sigurie
Këtu qëndron një prej dilemave më të rëndësishme.
Shqipëria dhe Kosova kanë arsye historike dhe politike për të kultivuar marrëdhënie të mira me Turqinë. Ankaraja ka qenë mbështetëse e rëndësishme e Kosovës, ndërsa bashkëpunimi ushtarak me të dyja republikat është zgjeruar gjatë viteve.
Por një shtet serioz nuk duhet ta ndërtojë doktrinën e tij të sigurisë mbi afërsitë emocionale, historike apo fetare.
As Shqipëria, as Kosova nuk duhet të shndërrohen në pjesë të ndonjë projekti të gjerë konfrontues turk në Lindjen e Mesme.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që Pakti i Mekës mund të shndërrohet në një strukturë më të gjerë. Nëse zgjerimi i tij vazhdon, Turqia do të fitojë një platformë të re për të projektuar fuqinë e saj jashtë kufijve. Kjo nuk është domosdoshmërisht negative për shqiptarët; përkundrazi, mund të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim. Por mund të krijojë edhe dilema nëse interesat turke në një krizë të caktuar bien ndesh me prioritetet e NATO-s ose të BE-së.
Kjo është arsyeja pse orientimi euroatlantik duhet të mbetet boshti i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë dhe Kosovës.
Turqia mund të jetë partner strategjik. Por ajo nuk mund të zëvendësojë arkitekturën euroatlantike.
V. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?
Për Kosovën, implikimet janë edhe më të drejtpërdrejta.
Republika e Kosovës ndodhet në një hapësirë ku ndërthuren interesat e BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe fuqive rajonale. Në këtë konfigurim, Turqia mund të luajë rol të rëndësishëm si fuqi e NATO-s dhe si aktor që ka marrëdhënie të veçanta me botën myslimane.
Por pikërisht kjo pozitë e dyfishtë e Ankarasë duhet të shfrytëzohet me kujdes.
Kosova nuk ka nevojë për një “mbrojtës” të vetëm. Ajo ka nevojë për rrjet mbështetjeje strategjike.
Kjo do të thotë se Prishtina duhet të thellojë njëkohësisht marrëdhëniet me Uashingtonin, Londrën, Berlinin, Brukselin, Ankaranë, Parisin, Romën dhe partnerët e tjerë të NATO-s.
Në vend të politikës së varësisë nga një fuqi, Kosovës i duhet një politikë e diversifikimit strategjik.
Në këtë kuptim, edhe marrëdhënia me Turqinë duhet të ridimensionohet: nga marrëdhënie e bazuar kryesisht në afërsi politike dhe ushtarake, në një partneritet të strukturuar në fushën e industrisë së mbrojtjes, inteligjencës, teknologjisë, sigurisë kibernetike, dronëve, mbrojtjes ajrore dhe trajnimit.
VI. Shqipëria: Adriatiku si kundërpeshë strategjike
Për Shqipërinë politike, zhvillimi më i rëndësishëm mund të jetë shndërrimi i pozitës gjeografike në kapacitet strategjik.
Në një kohë kur Turqia rrit praninë e saj në Mesdheun Lindor dhe në hapësirat përreth, Shqipëria duhet ta kuptojë më qartë rëndësinë e Adriatikut.
Portet, korridoret energjetike, infrastruktura detare, hapësira ajrore dhe lidhjet me Italinë, Kroacinë, e sidomos qasja me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut nuk janë vetëm çështje ekonomike.
Ato janë infrastrukturë gjeopolitike.
Shqipëria mund të shndërrohet në një nyje të rëndësishme të sigurisë euroatlantike në Adriatik. Por kjo kërkon investime në kapacitetet detare, mbrojtjen ajrore, inteligjencën, mbikëqyrjen, dronët, luftën elektronike dhe sigurinë kibernetike.
Në këtë kuptim, marrëdhëniet me Turqinë duhet të përdoren për të rritur kapacitetet shqiptare, jo për të krijuar një varësi të re.
VII. Nga importues i sigurisë në prodhues të sigurisë
Ky është mësimi më i madh që Shqipëria dhe Kosova mund të nxjerrin nga zhvillimet aktuale.
Pakti i Mekës bashkon kapitalin, teknologjinë dhe fuqinë ushtarake. Kjo është pikërisht logjika që duhet të merret seriozisht edhe në hapësirën shqiptare.
Dy republikat shqiptare nuk mund të mbeten vetëm konsumatorë të sigurisë. Ato duhet të ndërtojnë një ekosistem të përbashkët shqiptar të sigurisë dhe mbrojtjes.
Shqipëria ka avantazhin e anëtarësimit në NATO dhe pozitës së saj gjeostrategjike. Kosova ka nevojën e ndërtimit të mëtejshëm të kapaciteteve të veta mbrojtëse dhe të integrimit gradual në arkitekturën euroatlantike.
Bashkëpunimi mund të përfshijë:
- industrinë e mbrojtjes;
- prodhimin dhe mirëmbajtjen e dronëve;
- sigurinë kibernetike;
- inteligjencën dhe analizën strategjike;
- komunikimet e sigurta;
- mbrojtjen civile;
- mbikëqyrjen detare dhe kufitare;
- kërkimin dhe zhvillimin teknologjik;
- trajnimin e përbashkët;
- standardizimin e kapaciteteve sipas NATO-s.
Këtu Turqia mund të jetë një partner shumë i rëndësishëm.
Por partneriteti duhet të jetë trekëndësh: shqiptar–turk–euroatlantik, jo zëvendësim i njërit me tjetrin.
VIII. Dimensioni serb dhe rus
Në analizën e zhvillimeve në Ballkan nuk mund të lihet jashtë Serbia.
Beogradi do ta ndjekë me vëmendje çdo zgjerim të ndikimit turk në Ballkan. Serbia ka ndërtuar marrëdhënie të rëndësishme me Turqinë, përfshirë në fushën ekonomike dhe të mbrojtjes. Kjo krijon një paradoks: e njëjta Turqi mund të jetë partnere e Serbisë dhe njëkohësisht partnere strategjike e Kosovës.
Kjo është dëshmi e qartë se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk funksionojnë mbi bazën e miqësive absolute. Ato funksionojnë mbi bazën e interesave.
Prandaj Prishtina dhe Tirana duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Në vend që ta shohin Turqinë si “aleat të natyrshëm” në çdo rrethanë, duhet ta shohin si fuqi partnere me të cilën negociohen interesat.
Kjo qasje është më e shëndetshme dhe më e qëndrueshme.
IX. Pakti i Mekës dhe mundësia e një rendi të ri rajonal
Një element tjetër që nuk duhet nënvlerësuar është mundësia e zgjerimit të Paktit të Mekës.
Pakistani e ka deklaruar marrëveshjen të hapur për vende të tjera të rajonit, ndërsa Ankaraja ka përmendur mundësinë e përfshirjes së Egjiptit.
Nëse ky proces do të zhvillohej, do të shfaqej një konfigurim i ri i fuqisë nga Gjiri deri në Mesdhe.
Në një rast të tillë, Turqia do të ishte jo vetëm një fuqi e NATO-s në kufirin juglindor të Evropës, por edhe një prej qendrave të një arkitekture të re sigurie jashtë Evropës.
Kjo do ta rriste peshën e Ankarasë. Dhe sa më shumë të rritet pesha turke, aq më shumë rëndësi do të marrë edhe Ballkani. Për Shqipërinë dhe Kosovën kjo nënkupton një gjë: duhet të fillojnë ta mendojnë Ballkanin jo si hapësirë periferike, por si nyje të një sistemi më të gjerë euro-mesdhetar.
X. Dy republikat shqiptare përballë një bote shumëpolare
Pakti i Mekës është edhe një paralajmërim për Evropën.
Nëse fuqitë rajonale fillojnë të ndërtojnë kapacitete autonome sigurie, ndërsa SHBA-ja kërkon një shpërndarje më të madhe të barrës së mbrojtjes te aleatët, atëherë edhe Evropa do të detyrohet të rrisë kapacitetet e veta.
Në këtë realitet, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të presin pasivisht. Ato duhet të ndërtojnë një doktrinë shqiptare të sigurisë në Evropë. Kjo doktrinë nuk duhet të jetë kundër Turqisë, Rusisë, Serbisë apo ndonjë aktori tjetër. Ajo duhet të jetë në funksion të interesit kombëtar shqiptar dhe të integrimit euroatlantik.
Boshti i saj duhet të jetë:
BE + NATO + partneriteti me SHBA-në + marrëdhënie strategjike me Turqinë + bashkëpunim i thelluar Shqipëri–Kosovë.
Kjo formulë i jep hapësirës shqiptare fleksibilitet pa humbur orientimin strategjik.
Përfundim: partneritet, jo varësi
Pakti i Mekës mund të jetë ende një marrëveshje që do të dëshmojë kufizimet e veta. Ai nuk ka strukturën institucionale të NATO-s dhe mbetet për t’u provuar në një krizë reale. Edhe vlerësimet e para paralajmërojnë se mungesa e një komande të integruar dhe e strukturave të përbashkëta e kufizon aftësinë e tij për të funksionuar si një aleancë klasike kolektive.
Por rëndësia e tij nuk matet vetëm me pyetjen nëse do të funksionojë si një “NATO islame”. Në fakt rëndësia e tij qëndron te mesazhi gjeopolitik.
Rajonet po kërkojnë gjithnjë e më shumë kapacitetet e tyre të parandalimit. Fuqitë e mesme po kërkojnë hapësirë strategjike. Aleancat po bëhen më fleksibile. Dhe shtetet po përgatiten për një botë në të cilën asnjë garanci e jashtme nuk mund të merret më si e përhershme.
Në këtë botë, Turqia do të jetë një nga fuqitë që do të fitojë peshë.
Prandaj Shqipëria dhe Kosova duhet ta shohin rritjen e fuqisë turke me realizëm: jo si kërcënim, por as si zëvendësim të arkitekturës së tyre euroatlantike.
Ankaraja mund të jetë partner i rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve shqiptare të mbrojtjes. Mund të jetë partner teknologjik, ekonomik dhe diplomatik. Por interesi shqiptar kërkon që ky partneritet të vendoset brenda një kornize më të gjerë strategjike.
Në fund të fundit, çështja nuk është nëse Shqipëria dhe Kosova duhet të zgjedhin mes Turqisë dhe Perëndimit. Çështja është nëse ato do të kenë kapacitetin strategjik për të qenë partnere të vlefshme të të dyjave, pa u bërë instrument i asnjërës.
Kjo është sfida e vërtetë e dy republikave shqiptare në epokën e re të gjeopolitikës.
Dhe pikërisht këtu qëndron mësimi kryesor i Paktit të Mekës: shtetet që nuk prodhojnë vetë kapacitete strategjike, përfundojnë duke u bërë pjesë e llogarive strategjike të të tjerëve.
