Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Ngjarjet e ditëve të fundit po e ndryshojnë gradualisht pyetjen mbi sigurinë evropiane. Më 15 shtator, Kaja Kallas deklaroi se që nga pushtimi i plotë i Ukrainës ka pasur një rritje të vazhdueshme të sulmeve hibride ruse ndaj Evropës, duke përmendur incidente të reja në hapësirën e NATO-s. Madje, në fillim të muajit ajo i përshkroi veprimet ruse si një valë sulmesh hibride “gjithnjë e më kinetike”.
Një ditë më vonë, Ursula von der Leyen paralajmëroi se kërcënimet hibride po bëhen “gjithnjë e më pak hibride”: sulme kibernetike, sabotazh, zjarrvënie dhe inkursione me dronë. Komisioni tashmë po kërkon edhe një mekanizëm evropian reagimi për incidente që ende ndodhen nën pragun e agresionit të armatosur. Franca, ndërkohë, ka urdhëruar forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe industrisë së saj të mbrojtjes kundër sulmeve me dronë dhe atyre kibernetike.
Në një analizë të botuar më 10 gusht argumentoja se Perëndimi po blen kohë për t’u riarmatosur, për të rritur prodhimin ushtarak, rezervat e municionit, mbrojtjen ajrore dhe mobilitetin ushtarak. Por ngrita edhe paradoksin se koha që Perëndimi po blen nuk i përket vetëm Perëndimit.
Rrethanat e shtatorit e shtyjnë këtë argument më tej.
Pyetja tani është nëse Rusia është e gatshme thjesht të presë derisa Evropa të jetë më e armatosur dhe më e përgatitur.
Nuk kemi prova se Moska ka marrë një vendim për të shkaktuar një konfrontim të drejtpërdrejtë përpara se Perëndimi të përfundojë mobilizimin e tij. Por intensifikimi i presionit hibrid ngre një hipotezë serioze strategjike: Rusia mund të ketë interes jo vetëm ta shfrytëzojë dritaren aktuale të dobësisë relative perëndimore, por edhe ta ngushtojë atë, duke e detyruar Evropën të reagojë para se ajo të ndihet plotësisht e gatshme.
Nëse kjo është dinamika që po formohet, atëherë vitet 2029 apo 2030 nuk duhet parë vetëm si afate të përgatitjes perëndimore. Problemi real bëhet shumë më imediat: a do t’i lejohet Perëndimit ta ketë këtë kohë?
