HISTORI
Nga Mr. Sc. Metush Zenuni
Ujmir- Klinë, 04/05/06 tetor 1991
Në përpjekje për gjetjen e rrugës për rezistencë aktive, në kushtet dhe rrethanat e krijuara, pas fillimit të shkatërrimit të Jugosllavisë, LPRK, brenda dhe jashtë vendit, filloi konsultimet për hartimin e strategjisë dhe veprimit politiko – ushtarak. Kryesia e LPRK-së brenda dhe jashtë vendit, vendosën dhe bënë përgatitje që më 4 tetor të vitit 1991, të mbajë Mbledhjen e III të Përgjithshme të saj. Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e LPRK-së, kësaj radhe u vendos të mbahet brenda vendit.
Hartimin e dokumenteve për Mbledhjen e III të përgjithshme gjatë muajve shkurt – tetor 1991, e bënë: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi dhe Ismet Sylejmani, ndërsa në stafin teknik ishin veprimtarët Ahmet Haxhiu dhe Azem Syla. Për të ndihmuar në përgatitjen e mbledhjes, Emrush Xhemajli, Sekretar Organizativ i LPRK-së, Dega Jashtë Vendit, me dokumente të falsifikuara, në fund të shtatorit 1991, me ndihmën e Ahmet Haxhiut, nga aeroporti i Shkupit, hyn në Kosovë.
Në Organizimin e Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme ndihmuan anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LPRK-së që vepronin në Kosovë, veçanarisht Ahmet Haxhiu, i cili ishte anëtar i Grupit të Riorganizimit të radhëve të LPRK-së dhe anëtar për organizimin e Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme të LPRK-së.
Në shtëpinë e tij janë shtypur materialet e Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme nga Ibish Neziri, Emrush Xhemajli dhe anëtarët e LPRK-së brenda vendit si Ramadan Avdiu, Azem Syla, Ahmet Haxhiu etj, të cilët bënin përpjekje që edhe në kushte shumë të vështira ta mbanin mbledhjen.
Mbledhja u caktua të mbahet në Ujmirë të Klinës. Ahmet Haxhiu dhe Azem Syla, kishin biseduar me Sadri Shalën, që Mbledhja e III e LPRK-së të mbahej në shtëpinë e tij, por pa i treguar atij se kush do të vinte aty dhe çka do të flitet në atë Mbledhje. Baca Sadri, si edhe shumë fshatarë shqiptar atdhetar të Kosovës, u kishte hapur dyert dhe zemrën delegatëve të MTP të LPRK-së. Ai bashkë më dy djemt e tij, Ukën, veprimtar i LPRK-së dhe Ymerin, kishin siguruar delegatët e MTP të LPRK-së, se nuk do të bien në duart e armikut.
Të gjithë anëtarët e familjes Shala, nga Ujmiri i Klinës ishin vënë në shërbim të ruajtjes së sekretit dhe vëzhgimit të terrenit, sepse tërë ditën në fshat silleshin forca të mëdha policore serbe. Në shtëpinë ku do të mbahej Mbledhja, Emrush Xhemajli, i dërguar nga Dega e LPRK-së Jashtë Vendit, ishte marrë me punën përgatitore të mbledhjes. Në orët e vona të datës 4 tetor 1991 kishin filluar të vinin delegatët e MTP të LPRK-së. Mbledhja u mbajt në shtëpinë e Sadri Shalës, në një odë burrash ku kishte vend të mjaftueshëm për delegatët.
Mbledhja zgjati punimet tri ditë, ndërsa pas përfundimit të saj, delegatët nën përkujdesjen e Sadri Shalës, Ukë Shalës, Ymer Shalës dhe Ahmet Haxhiut, u larguan nga Ujmiri pa patur ndonjë problem.
Në këtë mbledhje u diskutuan shumë çështje me rëndësi për të ardhmen e LPRK-së dhe të situatës në Kosovë.
Në Mbledhje merrnin pjesë: Emrush Xhemajli i deleguar nga D.J.V, si dhe udhëheqësit e delegatët e LPRK-së brenda vendit, si: Dr.Muhamet Mehmeti- Prishtinë, Xhavit Haziri- Obiliq, Ahmet Haxhiu- Prishtinë, Ilaz Kadolli- Therandë, Behajdin Allaqi- Prizren, Bahri Fazliu- Prishtinë, Ismet Sylejmani- Gjilan, Mehmet Hajrizi – Vushtrri, Hydajet Hyseni – Gjilan, Berat Luzha – Kaçanik, Musa Demiri – Kërçovë, Orhan Ibrahimi – Kumanovë, Guximtar Labinishti – Strugë, Lumnije Azemi – Ferizaj, Ibish Neziri – Pejë, Sabit Veseli – Mitrovicë, Xheladin Gashi – Drenas, Ali Lajçi – Pejë, Bislim Elshani – Therandë, Xhevat Hasani – Sharr, Bedri Halimi – Sharr, Fadil Fazliu – Prishtinë, Hidajete Krasniqi – Pejë, Tahir Gjonbalaj – Plavë, Nazmi Hoxha – Gjilan, Gani Syla – Drenas, Nazmi Gashi – Ferizaj, Azem Syla – Drenas, Binak Berisha – Rahovec, Fadil Bajrami – Rahovec, Rexhep Morina – Therandë, Mustafë Lajçi – Pejë, Halil Selimi – Preshevë, Hajredin Hyseni – Besianë, Sahit Berisha – Klinë, Abdyl Buja – Lipjan, Ramadan Avdiu – Prishtinë, Ramiz Lladrovci – Drenas, Hashim Thaçi -Skenderaj, Fisnik Cukaj – Pejë, Halit Krasniqi – Klinë.
Në këtë mbledhje është zgjedhur Këshilli Drejtues prej 17 anëtarësh si dhe u miratuan ndryshimet programore dhe statutore. Mbledhja ka zgjatur 2 ditë e një natë; pjesëmarrës ishin kryesisht njerëz të burgosur politik dhe të dëshmuar kombëtarisht, të cilët kishin kaluar vite të tëra nëpër burgjet jugosllave. Ditën që po mbahej mbledhja në Ujmir, policët serb ishin ndalur në rrugë dhe shikonin njerzit që vinin, por meqë një shtëpi afër kishte t’pame, nuk e dinin arsyen reale të ardhjes. Uka, nikoqir i Mbledhjes historike, duke parë situatën e krijuar, ka ndezur traktorin aty në rrugë para dyerve të podrumit, gjoja se po rregulloja diçka në te, me qëllim të largimit të dyshymit nga policia serbe. Gjatë gjithë kohës sa mbahej Mbledhja, familja Shala, bënte roje, me qëllim që për çdo lëvizje të dyshimtë që do të shihnin ti tregonin Ukës.
Më 5 tetor në mbremje vone ka perfunduar mbledhja. Të gjithë delegatët e Mbledhjes, me traktor janë percilljur nga Ujmiri në drejtim të Kijeves, ndërsa pasi ato ditë kishte vdekur nji kusheri i Sadri Shalës, që quhej Januz Shala, për çdo rast në qoftëse do të ndalonin nga policia serbe, ata duhet të thonin se ishin për ngushllime.
Në shtëpinë ku ishte mbajtur Mbledhja, kishin mbetur vetëm Emrush Xhemajli, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi dhe Ahmet Haxhiu.
Më 11 tetor 1991 në shtëpinë e Azem Sylës në Kizhnarekë (tash Ndrekaj), mbahet Mbledhja e Këshillit Drejtues i dalur nga MTP, i cili e zgjodhi Kryesinë e LPRK-së . Kryetar u zgjodh Gani Syla, ndërsa në udhëheqësinë e ngushtë ishin: Xhavit Haziri, Ramandan Avdiu, Halil Selimi, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Ahmet Haxhiu, Musa Demiri, Ramë Buja, Azem Syla, Hydajete Krasniqi, dhe Guximtar Labënishti nga Struga.
Në kuadër të Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme të LPRK-së, në tetor 1991, u botua edhe programi dhe statuti i LPRK-së me ndryshimet që bëri MTP.
Programi i LPRK-së i vitit 1991, dallon dukshëm nga programi i dalur nga mbledhja e parë dhe e dytë e LPRK-së. Tani kohët kishin ndryshuar, e bashkë me te edhe kërkesat e shqiptarëve në Jugosllavi.
Më poshtë po i shenojmë disa nga pikat e programit dhe statutit të LPRK-së, të cilat u ndryshuan në MTP të LPRK-së:
Pjesë nga Programi dhe Statuti i LPRK-së, i dalur nga Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e LPRK-së
II. Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës(më poshtë LPRK) është organizatë demokratike nacional – çlirimtare që ka për qëllim:
1. Zgjidhjen e çështjes kombëtare të popullit shqiptar të robëruar nën Serbi, Maqedon dhe Mal të Zi në bazë të parimit të së drejtës së vetëvendosjes, duke përfshirë edhe të drejtën për shkëputje;
2. Ndërtimin e shoqërisë së re, të lirë dhe demokratike shqiptare në përputhje me vullnetin e popullit.
3. Arritjen e këtyre qëllimeve LPRK-ja e sheh nëpërmjet bashkimit të gjith popullit të robëruar shqiptar dhe forcave të tij të organizuara në një front të përbashkët pa dallim përkatësie klasore, ideologjike, fetare e krahinore.
4. LPRK-ja në luftën e saj përdor të gjitha format dhe mjetet demokratike, paqësor e politike të luftës. Në rrethana kur janë të pa shmangshme përdor edhe format dhe mjetet jopaqësore si vetëmbrojtje popullore e domosdoshme.
5. LPRK kombinon format ilegale dhe legale të veprimit në përputhje me rrethanat dhe situatat që krijohen.
6. LPRK është kundër formave fashiste, raciste, anarkiste e terroriste të veprimit.
IV.
1. LPRK faktor kryesor të luftës çlirimtare konsideron forcën e brendshme. Ndihmat nga jashtë realizohen nëpërmjet të këtij faktori.
2. LPRK- ja përkrah të gjitha proceset progresive dhe demokratike në Evropë dhe botë.
V.
1. Këtë program mund ta ndryshojë Mbledhja e Përgjithshme apo organi të cilin e ngarkon ajo.
2. Aprovuar në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPRK-së.
Statuti i LPRK-së i aprovuar në MTP të LPRK-së
1. LPRK është Organizatë( politike) demokratike nacional- çlirimtare e pjesës së kombit shqiptar të robëruar nën Jugosllavi ( nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi).
2. LPRK-ja është pjesë përbërëse e Lëvizjes së popullit shqipëtar në Jugosllavi për çlirim kombëtar.
3. LPRK-ja ka për qëllim që bashkë me të gjitha forcat përparimtare, patriotike e revolucionare, me të gjitha subjektet politike brenda popullit tonë të robëruar të ndihmoj forcimin e frontit të përbashkët dhe të gjerë popullor( pa dallim përkatësie ideologjike, fetare, krahinore, etj.) për dëbimin e pushtuesve nga trojet tona të pushtuara.
4. LPRK-ja lufton për çlirimin e plotë të popullit shqiptar dhe për ndërtimin e shoqërisë së re shqiptare: të lirë, demokratike dhe të pavarur në përputhje me vullnetin sovran të popullit.
• Përpjekjet e LPRK-së, për organizimin e luftës së armatosur
Pak kohë pas përfundimit të Mbledhjes nga LPRK-ja u larguan, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi dhe Gani Syla, i cili ishte edhe Kryetar i LPRK-së. Si pasoj e largimit nga LPRK të Kryetarit dhe një pjese të Kryesisë, LPRK brenda vendit u dëmtua shumë. Largimi i tyre ndodhi për shkak se ky grup pati kërkuar zyrtarisht të dilej me deklarimin për të shpallur LPRK-në inekzistente. Si arsyetim jepej fakti se gjoja LPRK qenka e tepërt në jetën plurale të Kosovës dhe se sipas tyre, LPRK e kishte kryer detyrën e vet politike e shoqërore dhe se tash partitë legale duhet ta bëjnë politikën në vend. Pas largimit nga LPRK-ja të Kryetarit Gani Syla dhe të një pjese të Kryesisë së LPRK-së, Dega jashtë vendit, pas MTP-së e mori tërë aktivitetin e LRPK-së. Kryesia e LPRK-së D.J.V. përbëhej nga: Fazli Veliu – Kryetar, Muhamet Kelmendi – n. Kryetar, Emrush Xhemajli – Sekretar, Gafurr Elshani – përgjegjës Financiar, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti dhe Agush Buja. Kryesia e D.J.V, filloi të punoj për një organizëm tjetër në fushën ushtarake, krahas vazhdimit të punës për ndërtimin e LPRK-së e cila parashikohej si bazë politike .
Në nëntor të vitit 1991 LPRK-ja kishte marrë vendim që të kërkonte rrugë të reja veprimi për përgatitijen e njësive guerile, sepse ajo e dinte se Kosova nuk mund të çlirohej pa luftë.
Në këtë kohë në Prekaz, Adem Jashari, pas kthimit ilegal me njësitin e tij të armatosur nga Shqipëria, tani veq kishte krijuar formacionin e parë ushtarak, i cili ende nuk quhej UÇK.
Pasi ky njësit ishte dekonspiruar nga Qeveria Bukoshi qysh në Shqipëri, policia dhe ushtria serbe, në mëngjesin e 30 dhjetorit 1991 e kishte rrethuar familjen Jashari në Prekaz. Adem Jashari dhe familja e tij, kishin vendosur të mos dorëzoheshin, por të luftonin deri në vdekje për Liri. Pushka e Adem Jasharit dhe formacioni i tij ushtarak në dhjetor 1991 është kushtrimorja e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas arrestimit më 25 dhjetor 1991 të Halil Selimit, Azem Syla, Ahmet Haxhiu, Ramadan Avdiu dhe Xhavit Haziri, kalojnë në ilegalitet dhe shkojnë mënjëherë në Drenicë dhe pas një takimi konsultativ, mes Udhëheqësve të LPK-së: Ramadan Avdiut, Xhavit Hazirit dhe Ahmet Haxhiut, vendoset që i tërë armatimi në bazat ilegale në shtëpinë e Ahmet Haxhiut në Prishtinë, të dërgohet tek familja Jashari në Drenicë. Mitralozi të cilin e mban Adem Jashari rreth qafe në fotografinë që e përshkoi tërë botën, është njëri nga 6 mitralozët e dalur nga shtëpia e Ahmet Haxhiut, të cilin në Drenicë e dërgoi Azem Syla.
Me këtë po fillonte një epokë e re, epoka e UÇK-së dhe e Adem Jasharit.
Fillimisht formacioni i Adem Jasharit nuk është quajtur UÇK, por Ushtria e Kosovës. Në fund të vitit 1991, do të pasojë edhe një fushatë e madhe arrestimesh kundër Frontit të Rezistencës dhe pjesëtarëve të grupit që kishin marrë pjesë në stërvitjet në Shqipëri.
Përkundër kësaj LPRK vazhdoi me këmbëngulje për forcim të radhëve dhe gradualisht ata që në një mënyrë ishin dekonspiruar, kufizoheshin nga informacionet për të mbijetuar puna e LPRK-së. Ka pasur raste kur veprimtarët e LPRK-së, publikisht kanë dalur dhe kanë folur në emër të LPRK-së, sepse ishin të nxitur nga deklaratat e vazhdueshme legale të partive politike legale, duke pasur bindjen sikur nuk po vërehej prezenca e radhëve ilegale në Kosovë. Këto veprime, natyrisht që e dëmtonin organizimin ilegal. Ata veprimtarë, LPRK detyrohej t’i izolonte nga detyrat dhe informimi me punët që po bënte, sidomos për nismat e përgatitjes së bërthamave të armatosura. Megjithate, LPRK arriti t’i mbijetoj edhe kësaj sfide të radhës, dhe se aktivitetin e LPRK-së, deri në vitin 1993, e vazhduan, anëtarët e Kryesisë: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Guximtar Labënishti dhe Hydajete Krasniqi. Ata, me shumë vështirësi i mbanin lidhjet edhe me Kryesinë e LPRK-së D.J.V, e cila në këtë kohë përbëhej nga: Fazli Veliu – Kryetar, Muhamet Kelmendi, n. Kryetar, Emrush Xhemajli – Sekretar, Gafurr Elshani – përgjegjës Financiar, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti dhe Agush Buja. Kryesia e D.J.V, në bashkëpunim edhe me LPRK-në brenda vendit, punonte për një organizëm tjetër në fushën ushtarake, krahas vazhdimit të punës për ndërtimin e LPRK-së e cila parashikohej si bazë politike Dorëheqja e një pjese të Kryesisë së re të LPRK-së e dalur nga MTP dhe tendenca e tyre për t’a shëndrruar LPRK-në në Parti legale, rrezikuan që LPRK ta humb karakterin e saj Çlirimtar.
Ky problem, e nxori kryesinë e LPRK-së, d.j.v, para një akti të vështirë. Tani LPRK duhej të punonte në dy fronte. Së pari në në drejtim të zgjerimit të radhëve të LPRK-së brenda vendit, dhe së dyti në drejtim të krijimit të bazës politike e juridike, për të organizuar një forcë ushtarake e cila do të luftonte për çlirimin e Kosovës. Në nëntor të vitit 1991, Kryesi e LPK-së, e kishte ngarkuar Azem Sylën që të kërkonte rrugë të reja veprimi për përgatitjen e formacioneve të armatosura. Grupet ultranacionaliste paramilitare, të sponzoruara nga Millosheviqi, ishin dërguar në Kosovë për të kërcënuar dhe terrorizuar popullatën shqiptare. Edhe përkundër këtij terrori të vazhdueshëm, lidershipi shqiptar kishte zgjedhur qasjen joviolente dhe vazhdoi të ndërtojë strukturat paralele politike, ekonomike dhe një jetë nëntokësore kulturore dhe arsimore. Më 24 Maj1992, partitë legale në Kosovë, të udhëhequra nga LDK, organizuan ,, Zgjedhje të lira” nën okupim nga Serbia. Në këto zgjedhje LPK, nuk mori pjesë, sepse ajo mendon se nuk mund të ketë zgjedhje të lira, pa u çliruar vendi. LPK, mendon se nuk do të tregojë forcën e saj para partive politikie shqiptare, por këtë forcë ajo e ka treguar dhe do ta tregoj kundër pushtuesve, serb, maqedon e malazez.
Shkëputur nga Libri „ Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-2002“, Mr. Sc. Metush Zenuni.
