Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Specialja përballë sovranitetit
Protestat e ditëve të fundit në Prishtinë, të nxitura nga aktgjykimi i 16 shtatorit dhe të shoqëruara me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, kanë rikthyer në qendër të debatit publik një çështje që për një kohë të gjatë ishte trajtuar kryesisht në rrafshin juridik. Në thelb, ajo që po diskutohet sot nuk është vetëm fati i një ligji. Është raporti ndërmjet sovranitetit të Republikës së Kosovës, rendit të saj kushtetues dhe një mekanizmi të jashtëzakonshëm të drejtësisë të krijuar në rrethana të jashtëzakonshme politike. Këtu qëndron edhe paradoksi themelor.
Ligji mund të ndryshohet. Kushtetuta nuk mund të anashkalohet përmes një ligji të zakonshëm.
Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin nr. 05/L-053, por njëkohësisht miratoi edhe Amendamentin Kushtetues nr. 05-D-139, duke i dhënë Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar një bazë kushtetuese. Neni 162 i Kushtetutës përcakton organizimin, funksionimin dhe mandatin e tyre.
Ky fakt është vendimtar për ta kuptuar drejt debatin aktual. Kuvendi i sotëm nuk po përballet thjesht me një ligj të zakonshëm të miratuar në kushte të zakonshme. Ai po përballet me një arkitekturë juridike që është futur në vetë strukturën kushtetuese të Republikës.
Prandaj, kërkesa për ndryshimin e ligjit duhet të ndahet nga kërkesa për shfuqizimin ose ndryshimin e vetë bazës kushtetuese të Dhomave.
Kjo ndarje nuk është formalizëm juridik. Ajo përcakton kufirin e veprimit politik të Kuvendit.
Kompromisi i vitit 2015
Për ta kuptuar dimensionin politik të kësaj çështjeje duhet të rikthehemi te viti 2015.
Krijimi i Dhomave të Specializuara ishte produkt i një kompromisi politik ndërkombëtar, në një periudhë kur Kosova përballej me presion të konsiderueshëm për t’u përgjigjur akuzave që lidheshin me periudhën e luftës. Kosova pranoi krijimin e një mekanizmi të veçantë gjyqësor, jashtë sistemit të saj të zakonshëm gjyqësor, duke e integruar atë përmes një amendamenti kushtetues.
Ky ishte një akt me pasoja juridike, duke u konsideruar atëbotë nga lidershipi kosovar dhe nga 82 deputetë që e votuan si një zgjedhje politike dhe strategjike e shtetit të ri!
Ajo që duhet pyetur sot, njëmbëdhjetë vjet më vonë, është nëse ndryshimi i rrethanave politike dhe juridike justifikon rishikimin e këtij kompromisi.
Kjo është një pyetje legjitime politike.
Por përgjigjja ndaj saj nuk mund të jepet vetëm përmes emocionit të momentit dhe as vetëm përmes rezultatit të një aktgjykimi. Kjo çështje kërkon një vlerësim më të gjerë: çfarë synonte kompromisi i vitit 2015, çfarë ka prodhuar ai dhe a janë ende të njëjta kushtet politike që e bënë të mundur?
Nga kërkesa për ndryshim ligjor te çështja e sovranitetit
Këtu protesta e sotme merr një dimension të veçantë.
Nëse kërkesa është ndryshimi i disa dispozitave të ligjit, Kuvendi ka hapësirë për të vepruar, për aq sa ndryshimet janë në përputhje me Kushtetutën dhe me detyrimet përkatëse të Kosovës.
Nëse kërkesa shkon më tej – drejt ndryshimit të mandatit, statusit ose vetë ekzistencës së Dhomave – atëherë çështja kalon në një nivel tjetër. Nuk kemi më të bëjmë vetëm me ndryshimin e një ligji, por me rishikimin e një pjese të arkitekturës kushtetuese të Republikës.
Kjo është arsyeja pse sloganet politike, sado të fuqishme të jenë, nuk mund ta zëvendësojnë procedurën kushtetuese.
Por as e kundërta nuk është e mjaftueshme.
Sidoqoftë kushtetuta nuk duhet të shndërrohet në argument për mbylljen e debatit politik.
Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e Kuvendit: të artikulojë kërkesën politike, ta përkthejë atë në iniciativa konkrete ligjore dhe, kur është e nevojshme, të hapë edhe debatin kushtetues.
Aktgjykimi si katalizator politik
Aktgjykimi i 16 shtatorit e ka bërë këtë çështje përsëri qendrore.
Për mbështetësit e ish-drejtuesve të UÇK-së, vendimi ka prodhuar një ndjenjë të fortë padrejtësie dhe ka rritur kërkesën për rishikimin e mekanizmit juridik që po gjykon figurat drejtuese të luftës.
Por, përtej këtij dimensioni emocional dhe politik, aktgjykimi ka prodhuar një efekt tjetër: ka rikthyer në diskursin publik vetë kompromisin institucional të vitit 2015.
Në këtë kuptim, aktgjykimi nuk është vetëm një fund procedural i një procesi gjyqësor; ai është bërë edhe katalizator i një debati të ri politik mbi sovranitetin dhe drejtësinë në Kosovë, madje duke marrë përmasat e një kauze politike për dy partitë opozitare: PDK-në dhe Alencën.
Kjo nuk do të thotë se Kuvendi mund të ndërhyjë në një aktgjykim konkret. Ndarja e pushteteve e kufizon qartë këtë mundësi. Por Kuvendi mund të diskutojë ligjin mbi të cilin funksionon institucioni, për sa kohë ndërhyrja e tij respekton Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës.
Kurthi politik i PDK-së
Përplasja e krijuar rreth rendit të ditës së Kuvendit, veçanërisht ndërmjet procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe votimit në lexim të dytë të ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara, tashmë ka marrë një dimension që shkon përtej një mosmarrëveshjeje të zakonshme procedurale.
Nëse dy çështje me peshë të tillë institucionale vendosen përballë njëra-tjetrës në mënyrë që Kuvendi të detyrohet të zgjedhë njërën duke shtyrë tjetrën, atëherë kemi të bëjmë me një konfigurim politikisht problematik. Njëra çështje lidhet me vazhdimësinë e institucioneve kushtetuese, ndërsa tjetra me rishikimin e një prej mekanizmave më të debatueshëm të drejtësisë në historinë e Republikës së Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye, krijimi i një përplasjeje artificiale ndërmjet tyre mund të shihet si një kurth politik: cilado zgjedhje që bëhet, njëra palë mund të akuzojë tjetrën për pengim të një procesi kushtetues apo për bllokim të një kërkese politike që tashmë është artikuluar fuqishëm edhe përmes protestave.
Por zhvillimet e sotme kanë sjellë një kthesë të rëndësishme.
Në konferencën e sotme për shtyp, kryeministri Albin Kurti deklaroi se votimi i ligjit në lexim të dytë mund të bëhet, duke kërkuar nga PDK-ja që paraprakisht të bëjë një zotim publik për votimin e Presidentit të Republikës. Në thelb, kjo është një ofertë për ta zhbllokuar nyjën politike përmes një marrëveshjeje reciproke: ligji në këmbim të funksionalizimit të institucioneve kushtetuese.
Në këtë pikë, përgjegjësia politike kalon te PDK-ja.
Nëse oferta e kryeministrit interpretohet siç është paraqitur – pra, si gatishmëri për të votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në këmbim të një zotimi publik për zgjedhjen e Presidentit – atëherë hapësira për ta mbajtur peng njërën çështje për shkak të tjetrës ngushtohet ndjeshëm.
Kjo nuk do të thotë se dallimet politike zhduken. Përkundrazi. Por demokracia parlamentare funksionon pikërisht përmes kompromisit, sidomos kur përballë janë dy interesa të rëndësishme shtetërore që nuk duhet të përjashtojnë njëri-tjetrin.
PDK-ja ka deklaruar se çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara e konsideron detyrim politik dhe qytetar dhe se nuk dëshiron ta lidhë atë me zgjedhjen e Presidentit. Por nëse njëkohësisht kërkon që ligji të votohet para zgjedhjes së Presidentit, atëherë, pavarësisht formulimit politik, të dy proceset faktikisht janë lidhur në një rend të caktuar parlamentar.
Këtu qëndron paradoksi.
Nëse dy çështjet janë vërtet të ndara, atëherë duhet të ekzistojë edhe mundësia për t’i zgjidhur ato përmes një kompromisi procedural dhe politik, pa e shndërruar njërën në peng të tjetrës.
Prandaj, pas deklarimit të sotëm të Kurtit, pyetja nuk është më vetëm se kush e ka krijuar këtë konfigurim.
Pyetja është: A është PDK-ja e gatshme ta shfrytëzojë ofertën për ta zhbllokuar njëkohësisht çështjen e Ligjit për Specialen dhe atë të Presidentit?
Sepse, nëse përgjigjja është po, atëherë ekziston një rrugë për dalje nga ngërçi.
Ligji mund të votohet. Presidenti mund të zgjidhet. Institucionet mund të funksionalizohen.
Kjo do të ishte një zgjidhje në frymën e logjikës parlamentare: asnjëra palë nuk merr gjithçka, por asnjëra nuk humb gjithçka.
Kompromisi historik – si rrugëdalje
Në fund të fundit, demokracia dhe politika janë, në thelb, art i kompromisit. Kompromisi nuk është domosdoshmërisht dobësi politike; në një sistem parlamentar ai mund të jetë pikërisht mekanizmi përmes të cilit interesat e ndryshme shndërrohen në një zgjidhje institucionale.
Prandaj, për Republikën, do të ishte e rëndësishme që sot të gjendet një kompromis historik: të hapet rruga për votimin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe, njëkohësisht, të garantohet vazhdimësia kushtetuese përmes zgjedhjes së Presidentit.
Kjo nuk do të ishte fitore e një partie ndaj tjetrës.
Do të ishte një përpjekje për të shmangur që dy çështje të rëndësishme të shtetit të përdoren si pengje të njëra-tjetrës.
Në këtë kuptim, oferta e sotme politike e Kurtit e zhvendos edhe një herë peshën e vendimit te PDK-ja. Tashmë asaj i ofrohet një rrugë për të dalë nga konfigurimi që vetë e ka konsideruar të papranueshëm.
Mbetet të shihet nëse kjo rrugë do të shfrytëzohet.
Dhe pyetja që do të mbetet për historinë politike të kësaj dite është po ajo që e kemi shtruar më herët: Kush e ka konceptuar këtë konfigurim dhe kujt i shërben politikisht?
Por sot kësaj pyetjeje i shtohet një tjetër, ndoshta edhe më konkrete: A do të mbizotërojë kompromisi shtetëror mbi logjikën e përplasjes partiake?
Sepse në fund të kësaj dite, Republika nuk ka nevojë për një fitues të radhës në betejën partiake.
Ka nevojë për institucione funksionale dhe për një vendim që e vendos interesin e shtetit mbi kalkulimin e momentit.
