Nga Zoran METER / Geopolitika News, Zagreb
- Në fund të Luftës së Ftohtë, Gorbaçovit iu dha garancia se Rusia do të merrte “garanci të qëndrueshme për sigurinë” – me fjalë të tjera, se NATO-ja nuk do të zgjerohej drejt Lindjes. Në vitin 1991, Rusia e njohu sovranitetin e Ukrainës pas shpalljes së pavarësisë së saj. Kjo e bën të qartë dallimin ndërmjet deklaratës së sovranitetit dhe shpalljes së pavarësisë. Në deklaratë thuhej se Ukraina “shpall solemnisht synimin e saj për t’u bërë një shtet përherë neutral dhe për të mos iu bashkuar asnjë aleance ushtarake” – kështu thuhet në tekstin e mediave britanike.
- – Evropa duhet më në fund të heqë dorë nga një formulim diplomatik klishe, i cili nuk ka të bëjë aspak me diplomacinë e mirëfilltë: pretendimi se BE-ja është e gatshme të arrijë menjëherë një marrëveshje me Rusinë për përfundimin e luftës në Ukrainë, sapo ushtria ruse të tërhiqet nga territori ukrainas. Është e qartë se kjo nuk përbën diplomaci të vërtetë, por një ultimatum politik, të cilin Moska – siç e dinë të gjithë – nuk do ta pranojë kurrë. Për ta pranuar një marrëveshje të tillë, Rusia do të duhej të mposhtej ushtarakisht dhe më pas të nënshkruante aktin e kapitullimit. Kjo do ta detyronte Rusinë ta pranonte humbjen e saj përballë Ukrainës.
Ditëve të fundit, pasiqë presidenti amerikan Donald Trump i ka tejkaluar kufijtë dhe, për një periudhë që nuk e dimë sa do të zgjasë, është afruar sërish me qëndrimet e presidentit rus Vladimir Putin lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë, në mediat perëndimore po shfaqen gjithnjë e më shumë shkrime dhe analiza që lënë të kuptohet se opinioni publik mund të jetë duke u përgatitur për përfundimin e mundshëm përfundimtar të kësaj lufte tashmë shumë të gjatë, e cila ka hyrë në vitin e pestë.
Megjithatë, jo më në mënyrën që e kishte propaganduar dhe premtuar Evropa (BE-ja dhe anëtarët evropianë të NATO-s) — “ta ndihmojmë Ukrainën për aq kohë sa të ketë nevojë” — një formulim i përdorur fillimisht nga ish-presidenti amerikan Joe Biden. Po ashtu, ashtu siç ishte premtuar se do t’i “shkaktohej Rusisë një disfatë strategjike”. Edhe kjo e fundit i përket periudhës së Bidenit në Shtëpinë e Bardhë dhe, varësisht nga dëshirat, interpretimet dhe perceptimi i situatës në Ukrainë, herë zinte më shumë e herë më pak vend në skenën politike dhe mediatike. Në këtë kontekst, po rikujtoj fjalët e Celeste Wallander, këshilltare e Lloyd Austin-it, sekretarit të atëhershëm të Mbrojtjes së SHBA-së, të cilat ajo i shprehu para kamerave televizive, gjatë një fjalimi në institutin e rëndësishëm kërkimor Atlantic Council:
Detyra e SHBA-së ndaj Rusisë dhe, rrjedhimisht, ndaj sigurisë evropiane dhe integritetit territorial të Ukrainës, është të sigurojë që kjo krizë të përfundojë me kolapsin strategjik ushtarak dhe politik të Rusisë. Detyra e SHBA-së është të forcojë unitetin evropian kundër agresionit rus. Është e nevojshme të trajtohen në shkallë globale pasojat negative të Rusisë për rendin botëror. Për më tepër, kriza duhet të përfundojë me kolapsin ekonomik të Rusisë, me sanksione dhe ndalime të eksportit, të cilat gjithnjë e më shumë do të godasin jo vetëm sektorin ushtarako-industrial, por edhe tërë ekonominë.
Qasja më e fundit e Trumpit për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës, e parë nga këndvështrimi i një ish-zyrtari të lartë të administratës amerikane, anon qartazi më shumë nga kushtet e Moskës për përfundimin e luftës, siç e interpretojnë sot shumë analistë perëndimorë. Unë pajtohem me këtë vlerësim, por kam në mendje edhe një tjetër këndvështrim.
Ndryshe nga ata që e interpretojnë këtë qasje dhe e kritikojnë ashpër Trumpin, unë nuk besoj se ai po vepron kështu për t’i bërë qejfin Putinit apo sepse ky i fundit është “njeriu i tij”. (Më besoni, SHBA-ja do të kishte mjetet dhe mënyrat për ta zgjidhur shpejt dhe me efektivitet këtë çështje, nëse vërtet do të ishte kështu.) Këto pretendime, të cilat i hasim në media, bëhen nga njerëz të ndryshëm të painformuar, që nuk e njohin strukturën e sistemit politik amerikan dhe as forcat e brendshme politike që ndikojnë vendosmërisht në të.
Trump vepron kështu sepse, si president i SHBA-së, duhet të udhëhiqet para së gjithash nga interesat kombëtare amerikane. Për më tepër, institucionet përkatëse i kanë vënë në dispozicion një pasqyrë të gjerë analitike të situatës së përgjithshme, si në luftën në Ukrainë, ashtu edhe në rrethanat gjeopolitike në Evropë dhe në botë në tërësi.
Deri në njëfarë mase, është e kuptueshme kritika se, në rastin konkret, Trumpi po neglizhon, madje edhe po dëmton, interesat e aleatëve të tij evropianë dhe të Ukrainës. Megjithatë, në të vërtetë, ai nuk po sillet ndryshe nga udhëheqësit e tjerë amerikanë, të cilëve u është dashur të marrin vendime të vështira në interes të vendit të tyre dhe që janë udhëhequr nga thënia e famshme e “magjistarit” të diplomacisë amerikane, Henry Kissinger:
“Mund të jetë e rrezikshme të jesh armik i Amerikës, por të jesh mik i Amerikës është fatale.”
Shembuj të kësaj janë, ndër të tjera, Lufta e Vietnamit, kurdët e Sirisë dhe shumë raste të tjera.
Kissingeri i ndjerë — ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare dhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, i cili arriti ta largonte përfundimisht Kinën komuniste nga fqinji i saj i madh dhe i fuqishëm komunist, Bashkimi Sovjetik, dhe ta afronte atë me SHBA-në — e dinte shumë mirë se çfarë po thoshte dhe çfarë kuptimi kishte fjala e tij. Kjo kthesë strategjike çoi në tërheqjen e njohjes amerikane të Tajvanit dhe në njohjen e Republikës Popullore të Kinës si aktor ndërkombëtar, e cila më pas u bë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Prandaj, të gjithë ata që sot bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-në ose, në gjuhën e përditshme, krijojnë miqësi me të, duhet ta kenë ditur se çfarë pasojash mund të sillte lufta në Ukrainë.
Për të mbështetur tezën e paraqitur, këtë herë kam përzgjedhur një shkrim interesant të publikuar më 23 tetor në median britanike UnHerd, të autorëve Anatol Lieven dhe Ted Snider, me titull: “Ukraina nuk mund t’ia lejojë vetes iluzionet evropiane për fitoren”.
Lieven është pasardhës i një babai me origjinë nga Bashkimi Sovjetik. Ai është gazetar dhe analist i spikatur, i njohur në qarqet profesionale si kritik i mprehtë, por edhe si realist — domethënë, si analist objektiv i çështjeve të Federatës Ruse dhe i zhvillimeve politike e shoqërore atje.
Ata i ushqyen me mite
Rusia dhe Ukraina kanë shprehur ditët e fundit mbështetjen e tyre për vazhdimin e negociatave lidhur me një marrëveshje të mundshme paqeje. Edhe pse hollësitë janë ende të kufizuara, këto janë sinjale premtuese. Megjithatë, kjo vlen vetëm nëse Brukseli dhe Kievi janë të gatshëm të paraqesin një ofertë të përbashkët, të bazuar në kushte të arsyeshme. Kjo mund ta shtyjë Rusinë të heqë dorë nga kërkesat e saj të paarsyeshme. Një nga arsyet e qëndrimit të palëkundur të Moskës është bindja se qeveritë evropiane nuk kanë interes për një marrëveshje paqeje dhe se do të bëjnë gjithçka për ta penguar atë.
Sipas autorëve, përkrahësit perëndimorë të një lufte pa fund janë mbështetur për një kohë të gjatë në mite për fitoren e Ukrainës, por kjo nuk mund të vazhdojë më. Siç deklaroi politikani ukrainas i opozitës, Oleksiy Honcharenko, vendi i tij jo vetëm që po e humb luftën, por tashmë nuk ka as mjetet e nevojshme për ta qeverisur vendin.
Sulmet ajrore të Rusisë kundër infrastrukturës energjetike dhe të transportit në Ukrainë jo vetëm që po shkatërrojnë industrinë vendase, por po minojnë edhe çdo mundësi të Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian — një synim ndaj të cilit Moska, në parim, ka dhënë pëlqimin e saj.
Por, siç theksohet më tej në tekst, vendet evropiane duhet të marrin parasysh edhe kostot financiare. Banka Botërore i vlerëson shpenzimet për rindërtimin e Ukrainës në 588 miliardë dollarë amerikanë. Nëse lufta vazhdon, kjo shumë do të jetë edhe më e lartë deri në pranverën e ardhshme.
Përballë mungesës së theksuar dhe gjithnjë në rritje të mjeteve buxhetore, si dhe pakënaqësisë së qytetarëve, shtrohet pyetja: a mund të garantojnë vërtet vendet evropiane se do të jenë në gjendje të sigurojnë shuma të tilla?
Kjo duket edhe më pak e mundshme nëse merret parasysh se Marine Le Pen, favoritja për zgjedhjet presidenciale franceze të verës së ardhshme, tashmë ka deklaruar se, në rast se zgjidhet presidente, do t’i ndërpresë ndihmat financiare të Francës për Ukrainën.
Idealet joraciste dhe premtimi i Ukrainës për neutralitet
Nuk do të ketë një paqe “të drejtë”, siç kërkohet nga qeveritë perëndimore — ky, në fakt, ka qenë gjithmonë një ideal jorealist. Përkundrazi, synimi duhet të jetë ruajtja e pjesës më të madhe të Ukrainës si shtet i pavarur, me një rrugë realiste drejt anëtarësimit në BE dhe me aftësinë për të frenuar sulmet e ardhshme ruse. Nëse kjo mund të arrihet përmes një zgjidhjeje të negociuar, atëherë ajo nuk duhet të konsiderohet humbje e Ukrainës, por fitore e saj, vlerësojnë autorët e shkrimit.
Megjithatë, për të arritur çfarëdo rezultati, Kievit duhet t’i mohohet anëtarësimi në NATO, ndërsa duhet t’i jepen arsye konkrete për të shpresuar në anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, nuk duhet harruar se dëshira e Rusisë për të penguar anëtarësimin e Ukrainës në NATO nuk është aspak e pabazuar.
Në fund të Luftës së Ftohtë, Mihail Gorbaçovit iu dha garancia se Rusia do të merrte “garanci të qëndrueshme për sigurinë” — me fjalë të tjera, se NATO-ja nuk do të zgjerohej drejt Lindjes.
Në vitin 1991, Rusia e njohu sovranitetin e Ukrainës pas shpalljes së pavarësisë së saj. Kjo e bën të nevojshëm dallimin ndërmjet deklaratës së sovranitetit dhe shpalljes së pavarësisë. Sipas raportimeve të mediave britanike, në deklaratën e saj Ukraina shprehte synimin për “t’u bërë një shtet përherë neutral” dhe për të mos iu bashkuar asnjë aleance ushtarake.
„Jashtëzakonisht e dhimbshme“
Nëse Ukraina dëshiron t’i japë fund konfliktit, ajo duhet të heqë dorë nga të gjitha planet për rikthimin e territoreve që tashmë ndodhen nën kontrollin rus. Për më tepër, duhet t’i garantojë gjuhës ruse statusin e një gjuhe të pakicës, të krahasueshëm, për shembull, me statusin që ka gjuha suedeze në Finlandë. Kjo do të ishte plotësisht në përputhje me rregullat dhe normat e Bashkimit Evropian.
E gjithë kjo do të jetë jashtëzakonisht e dhimbshme për Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë. Megjithatë, ata duhet të pyesin veten nëse kushtet për një zgjidhje të mundshme të çështjes së Ukrainës nuk do të jenë edhe më të pafavorshme pas gjashtë muajsh, thuhet në shkrim. Ndërsa pas një viti tjetër konflikti, ekonomia ukrainase mund të shkatërrohet plotësisht.
Në fund, autorët e shkrimit shtrojnë pyetjen: A ia vlen vërtet ta çosh Ukrainën drejt një shkatërrimi të mundshëm dhe a është kjo ajo që bëjnë miqtë e vërtetë?
Përmbyllje
Me fjalë të tjera, do të thosha se realistët në Perëndim e kuptojnë se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Jo për t’i ndihmuar Putinit dhe Rusisë — një gjë e tillë as ekziston dhe as mund të ekzistojë. Perëndimi dhe Rusia do të mbeten rivalë gjeopolitikë afatgjatë, pa qenë e nevojshme të jenë armiq dhe të jetojnë në frikën e vazhdueshme të shpërthimit të një lufte.
Por lufta duhet të përfundojë sepse vazhdimi i saj jo vetëm që do t’i shkaktonte dëme edhe më të mëdha Ukrainës, sovranitetit të saj shtetëror, ekonomisë, gjendjes sociale dhe demografisë, por do të çonte edhe në dobësimin e vetë Perëndimit. Këtë e kanë kuptuar tashmë edhe elitat amerikane. Dobësimi i Perëndimit duhet parë jo vetëm në raport me fatin e Ukrainës, por edhe në kuadër të rivalitetit global me Kinën, i cili për Perëndimin ka rëndësi shumë më të madhe strategjike sesa vetë fati i Ukrainës.
Kur flas për dobësimin e Perëndimit, mendoj para së gjithash për Evropën, e cila është përfshirë thellësisht në këtë luftë dhe ka marrë përsipër pjesën më të madhe të detyrimeve financiare — rreth 80 për qind, krahasuar me aleatët e tjerë, me përjashtim të SHBA-së — si dhe të furnizimit të Ukrainës me armë. Kjo ndodhi pasi Amerika e Trumpit, gjatë vitit të kaluar, u tërhoq me elegancë nga kjo përfshirje, duke ia kaluar barrën e luftës dhe të furnizimit të Ukrainës Evropës së plakur, e cila tashmë po shfaq shenja gjithnjë e më të mëdha shqetësimi.
Ne i dimë pasojat që do të kishte për Evropën vazhdimi i luftës në Ukrainë për një kohë të pacaktuar, duke u shndërruar në një “vrimë të zezë” që përpin paratë e taksapaguesve evropianë. Këta të fundit do t’i ndienin shumë shpejt pasojat, madje në jetën e tyre të përditshme — pasoja që, në fakt, kanë filluar t’i ndiejnë tashmë.
Prandaj, Evropa duhet të heqë dorë nga formulimet e saj diplomatike klishe, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me diplomacinë e mirëfilltë. E tillë është deklarata se BE-ja është e gatshme të arrijë menjëherë një marrëveshje me Rusinë për përfundimin e luftës në Ukrainë, sapo ushtria ruse të tërhiqet nga territori ukrainas.
Është e qartë se kjo nuk është diplomaci e vërtetë, por një ultimatum politik, të cilin Moska — siç tashmë është bërë e qartë për të gjithë — nuk do ta pranojë kurrë.
Për ta pranuar një marrëveshje të tillë, Rusia fillimisht do të duhej të mposhtej ushtarakisht dhe më pas të nënshkruante një deklaratë kapitullimi. Kjo do të nënkuptonte pranimin e humbjes së Rusisë përballë Ukrainës dhe detyrimin e saj për të paguar reparacione.
Mendojeni vetë se sa realist është një skenar i tillë për një superfuqi bërthamore. Është njësoj sikur SHBA-ja, pas një lufte kundër Meksikës, e cila furnizohet me armë nga Kina dhe Rusia, të nënshkruante një akt kapitullimi. [ISHGJ]
