Nga Dr.Enver Bytyçi
Nga 29 maji e këtej Shqipëria, e sidomos Tirana, janë në protestë e në revoltë kundër një regjimi antipopullor dhe antikombëtar të instaluar në këtë vend. Rinia dhe studentët kanë vendosur që të mos e durojnë më dhunën, mashtrimin, shitjen e grabitjen e vendit, si dhe poshtërimin e shqiptarëve nga një qeveri dhe kryeministër arrogant dhe i pabesë.
Opozita e partisë më të madhe dhe atyre të vogla i janë bashkuar kësaj proteste-revoltë dhe përpiqen të zënë një vend në perspektivën e zhvillimeve të mëtejshme. Megjithatë deri tani shohim se ka vetëm retorikë kritike, madje edhe retorikë përçarjeje midis protestuesve dhe pak ose aspak mendim politik se si do të ndërtohet e ardhmja e këtij vendi.
Janë formuluar pesë apo gjashtë kërkesa, ndër to dorëheqja e parevokueshme e kryeministrit, por vetëm kaq. Kërkohet abrogimi i disa ligjeve, ndërkohë kryeministri vazhdon shantazhin dhe këmbngul për çuarjen deri në fund të projekteve të shpopullimit dhe shitjes së pronave dhe tokave të Shqipërisë tek të huajt.
Nga ana tjetër duket se grupimet e ndryshme të organizuara ose ende jo, janë përqëndruar te efektet politike të një pakti PS-PD të vitit 2008 për ndryshime kushtetuese sa i përket modelit zgjedhor.
Nuk mund ta them nëse është një kurth apo jo. Por ajo marrëveshje nuk është shkaku më i thellë i protesaive dhe revoltave të rinisë. Shkaku i vërtetë është nxjerrja e Shqipërisë në ankand nga një kryeministër, i cili ka përmbysur jo vetëm konceptin e shtetit, por edhe të vlerave dhe virtyteve njerëzore. Kësisoj nuk kritikohen në të njëjtën masë ndryshimet kushtetuese të vitit 2020, me të cilat mazhoranca e sotme i dha shqelmin e fundit lirisë së zgjedhjeve në Shqipëri.
E ndërkohë që është devijuar adresa e shitjes së Shqipërisë për interesat personale të pushtetit nga ana e kryeministrit të vendit. Qytetarët, sidomos studentët dhe rinia janë në shesh. Por ajo që nuk po i bind ata për të krijuar besim për ndryshimin e madh ka të bëjë me mungesën e alternativës.
Një mungesë alternative vihet re te partitë e vogla, të cilat kanë një ose dy deputetë në parlmentin e Shqipërisë, si dhe tek Partia Demokratike si opozita kryesore.
Mungesa e zgjidhjeve shihet gjithashtu te grupet e interesit që janë përfshirë në revoltë. Nuk mundet që të kërkohet ndryshim i sistemit dhe të mos artikulohen se cilat janë ndryshimet që duhen arritur.
Cilat janë problematikat në këtë aspect?
1. Protestuesit kritikojnë përqëndrimin e pushtetit në duart e një njeriu, kryeministrit të Shqipërisë. Një kritikë të tillë e ka bërë opozita vazhdimisht prej një decade. Po a mjafton vetëm konstatimi se kryeministri shqiptar i ka shtënë në dorën e tij dhe i komandon të gjitha pushtetet në Shqipëri?
A mjafton konstatimi se ai bën ligje me kartonin e mazhorancës sipas intersit të tij për pushtet?
A mjafton kritika për mungesën e balancës së pushteteve?
Të gjitha këto janë të vërteta dhe shqiptarët i ndjejnë në kurrizin e tyre pasojat e një situate si kjo. Këto konstatime janë artikuluar edhe nga opozita prej vitesh. Ajo që ka munguar dhe mungon është alternativa. Duhen ide se si nuk do të përsëritet kjo situatë në të ardhmen. Ose se si do të duhet të reformohet sistemi politik, sistemi i qeverisjes dhe ai i zgjedhjeve, me qëllim parandalimin e fenomeneve si këto.
Difektet e mësipërme kanë ekzistuar edhe më pare në qeverisjet e Berishës dhe Fato Nanos. Por së paku, sa kohë që Shqipëria nuk kishte në drejtimin e saj antikombëtarë, u ruajt njëfarë balance, u bënë dhe rrotacione, sidoqë ai i vitit 1997 ishte i dhimbshëm.
Prandaj me modesti do të jap disa shembuj. Nëse problematika e sotme lidhet me mosfunksionimin e parlamentit, kjo ndodh për shkak se opozitës i mohohet e drejta e kontrollit mbi ekzekutivin. Më saktë kjo i mohohet vetë parlamentit.
Atëherë alternativa mund të jetë që opozita, cilado qoftë ajo, ta ketë të drejtën të krijojë komisione hetimore parlamentare për kontrollin e qeverisë pa patur nevojë për votën e mazhorancës.
Opozita dhe protesta duhet ta marrin në konsideratë këtë lloj antidoti, sepse ndryshe nuk bëhen të besueshëm te qytetarët.
Vërtet opozita nuk qeveris, por ajo është në parlament për të kontrolluar qeverinë. Mekanizmi është hetimi dhe debati parlamentar. Kjo ka munguar dhe mungon. Atëherë duhet bërë i mundshëm. Eksperienca të tilla ka në parlamentet e vendeve europiane, edhe pse atje nuk ka problematika të disbalancimit të piushteteve. Nëse sot është problem sjellja arrogante e kryeministrit edhe në sallën e parlamentit, atëherë do të duhet që alternativë të jetë që me ligj dhe rregullore parlamentare t’i ndalohet kryeministrit të kërkojë llogari në parlament, qoftë dhe ndaj një deputeti të vetëm.
Ky fenomen vërtet ka ekzistuar edhe më parë, por që të dalë në foltoren e parlamentit çdo ministër e çdo deputet i mazhorancës për ta denigruar opozitën, kjo nuk kishte ndodhur më parë. Llogaridhënia duhet përcaktuar si detyrim dhe jo tekë e secilit kryeministër që vjen pas Edi Ramës.
Nëse kryeministri dhe ministrat nuk pranojnë të shkojnë në interpelancë në parlament, do të duhet që me ligj dhe rregullore të parlamentit të parashikohen ndëshkime administrative të rënda për ta, deri në penalitete të rënda.
Duhet ndaluar me ligj që kryeministri ta delegojë interpelancën. Duhet të detyrohet me ligj kryeministri të jetë në kohën e kërkur në llogaridhënie. Parlamenti dhe dhënia llogari e ekzekutivit është mbi çdo lloj aktiviteti tjetër i kreut të ekzekutivit dhe ministrave të tij.
Kush nënvleftëson dhe injoron sovranin duhet të përgjigjet dhe të ndëshkohet. Ka edhe një aspekt tjetër. Presidenti i Republikës është një degë e ekzekutivit dhe kompetencat e tij kushtetuese duhen parashikuar në funksion të kontrollit të qeevrisë, si dhe të mazhorancës. Për këtë arsye ai mund e duhet të zgjidhet nga qytetarët me votë të drejtpërdrejtë dhe të ketë të drejtën e bllokimit të ligjeve për një vit, me qëllim gjetjen e konsensusit në miratimin e tyre ose pengimin e zbatimit të ligjeve anti-kombëtare dhe anti-popullore, siç ka ndodhur me këtë mazhorancë që kemi sot. Nuk mjafton që vetëm Gjykata Kushtetuese të jetë guardian i ligjeve anti-kushtetuese. Ajo shpesh është kompromentuar nga presioni i ekzekutivit.
Ka edhe ligje që formalisht bazohen te kushtetuta, por që janë kundër interesave të vendit. Të tilla ishin ligjet për investitorët strategjikë, për PPP-të, për zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve, ose shitjen të huajve të tokave bujqësore.
Kur një ligj të dëmshëm për vendin dhe qytetarin nuk e ndalon kushtetuta, duhet të krijohet në mekanizëm pengues kushtetues. Dhe meqë jemi te gjykata kushtetuese, ka nevojë që emrimi i anëtarëve të saj të mos bëhet nga parlamenti, të cilin e manipulon qeveria.
Nëse qeveria emron anëtarët e gjykatës kushtetuese, ajo do të niset nga interesi i saj për t’u mbrojtur nga ndëshikimi i ligjit.
Presidenti nuk ka kompetenca ekzekutive të menaxhimit të pasurive dhe buxhetit, prandaj dhe ai është më i përshtatshëm t’i emrojë anëtarët e gjykatës kushtetuese si dhe ata të gjykatës së lartë.
2. Protesta është drejtuar kundër korrupsionit qeveritar, në të cilin janë përfshirë zv. Kryeministra, ministra, deputetë të mazhorancës, kryetarë të bashkive po ashtu të mazhorancës, përfshirë dhe atë të kryeqytetit, funksionarë të lartë të administratës publike etj.
Pra, protestohet kundër grabitjes së pasurive publike, jashtë së cilës nuk është as vetë kryeministri.
Po cila është alternativë e ndërtimit të një sistemi politik e të qeverisjes që parandalon korrupsionin endemik të sotëm?!
Eshtë krijuar ideja se luftën kundër korrupsionit e bën vetëm drejtësia. Por ky është një arsyetim dhe kjo është një pikëpamje krejt metafizike, e pa vërtetë.
Shqipëria ka nevojë për një sistem të ri politik, institucionesh dhe në qeverisje, me qëllim luftën kundër korrupsioni. Ky system i ri duhet ta përjashtojë mundësinë që paratë publike t’i administrojë vetëm një njeri. Pushteti i këtij njeriu buron pikërisht nga ajo se ai ka në dorë përdorimin e parave tona sipas dëshirës dhe vullnetit të tij personal, gjë që nuk e kishte këtë autoritet as diktatori i regjimit komunist.
Atëherë si duhet të ndërtohet shteti, që njëshi të mos e ketë mundësintë e keqpërdorimit të parave tona publike?
Ka shumë forma reagimi ndaj këti fenomeni. Një prej tyre lidhet me mekanizmat parlamentarë dhe detyrimin që çdo para publike e shpenzuar të miratohet nga parlamenti dhe komisionet parlamentare. Mundet që të përcaktohet që një komision parlamentar, psh ai i financave, të ketë detyrimin që të miratojë shpenzimet e buxhetit përmes konsensusit.
Mundet që të përcaktohen komptenca shtesë për ministrin e financave si përgjegjës për administrimin e financave të vendit.
Por ka edhe mundësi dhe alternative të tjera. Psh që të shihet si alternativë krijimi i rajoneve, ose sicc quhen ndryshe kantoneve apo landeve, të cilat të kenë të drejtën e menaxhimit të të gjitha pasurive, burimeve financiare, çështjeve urbane dhe projekteve të zhvillimit për rajonin në fjalë.
Në këtë rast financat dhe administrimi i tyre decentralizohet. Kjo ia zbeh një kryeministri arrogant e tradhtar të interesave kombëtare që të spekullojë me kompetencën e tij.
3. Decentralizimi dhe autonomia lokale e financiare është një mënyrë tjetër e parandalimit të spekullimit me paratë publike. Tenderimi duhet të shkojë te pushteti lokal autonom. Qeveria duhet të ketë vetëm mekanizmin e kontrollit, por jo edhe të tenderimeve. Praktika e tenderimit nga një qendër e autorizuar, e kontrolluar dhe e diktuar nga kryeministri ose ministrat e tij duhet të marrë fund.
Përqëndrimi i kompetencave është shkaku kryesor i krijimit të një shteti autoritar. Prandaj është e nevojshme autonomia lokale dhe financiare, e parashikuar në Kartën e Autonomisë Lokale të Këshillit të Europës.
Në Shqipëri për gati 14 vite ka ndodhur krejt e kundërta. Aq sa qeveria është marrë edhe me planfikimin e parcelave dhe sipërfaqes që duhet mbjellë me hashash.
Duke krahasuar buxhetin e shtetit për pushtetin lokal në Shqipëri dhe në Kosovë rezulton një diferencë absurde e dedikimit të fondeve te qytetarët përmes komunave në Kosovë dhe bashkive në Shqipëri.
Në Kosovë shkon gati dhjetë përqind e GDP-së, ndërsa në Shqipëri vetëm 3 përqind e saj.
Në Kosovë ka kritere strikte për shpërndarjen e kuotave financiare për çdo komunë, në Shqipëri Rroskoveci kishte marrë fonde më shumë se Shkodra, kur kjo e fundit drejtohej nga opozita.
Ligji dhe sistemi i kontrollit e përgjegjësisë duhet të vendosë rregulla.
4. Ndryshime strukturore dhe kushtetuese sa i përket kodit zgjedhor duhen të bëhen medoemos si në aspektin e administrimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme ashtu dhe atyre lokale.
Opozita dhe protestuesit kanë të drejyën e Zotit të kërkojnë me ngulm ndryshime në legjislacion sa i përket formulës së zgjedhjeve, krijimit të koalicioneve dhe shpërndarjes së votave të partive që nuk kapin pragun e hyrjes në parlament.
Modeli proporcional kombëtar do të ishte modeli më i drejtë. Ky model është provuar i sukseshëm në Kosovë dhe vende të tjera të rajonit. Në këtë rast numrohen dy lloj votash, ajo për partitë politike dhe vota për deputetët. N
umrimi i votave për partitë politike mund të realizohet në kohë rekord dhe qytetarët mësojnë pak orë pas zgjedhjeve se sa deputetë do të ketë çdo subject politik.
Ndërsa emrat e deputetëve përcaktohen në ditët në vijim, pasi të jetë bërë numërimi i votave për ta.
Listat presupozohet që detyrimisht të jenë të hapura. Kush nga deputetët e çdo partie merr numrin më të madh të votave, ai futet edhe në parlament.
Kjo formulë favorizon gjithashtu partitë e vogla, të cilat në rang kombëtar mund ta realizojnë më lehtë jyrjen në parlament.
Një grup ekspertësh mund të zbulojë shumë mekanizma të tjerë për të bërë ndryshimin e madh, të cilin e kërkojnë protestuesit e rinj sot në Shqipëri. Ndërsa me këto propozime vetëm sa doja ta ngacmoj idenë e ndryshimit dhe ndërtimit të një Shjqipërie të re e demokratike.
Kryesore është të ndalet abuzimi me pushtetin në emër të forcës së tij, siç po ndodh në vendin tonë.
Ka ardhur koha që alternativa të ndërtohet dhe artikulohet qartë. Nëse bëhet kjo, duhet besuar se sheshi do të mbushet plot dhe do të rikthehet besimi te fitorja.
Besimi te fitorja krijon frymë dhe frymën e një populli nuk mundet ta mbytë asnjë regjim autoritar apo diktatorial.
