Nga Dan GASHI
Pas Luftës së Dytë Botërore, ekuilibri mes fuqive të mëdha u mbajt në këmbë falë një rrjeti të gjerë aleancash ushtarake: nga NATO-ja në Evropë dhe SEATO-ja në Azinë Juglindore, te paktet dypalëshe të Uashingtonit me Tokion, Seulin e Manilën, e deri te Traktati i Varshavës në kampin tjetër. Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, këto marrëveshje funksionuan mbi një parim të thjeshtë, por të prerë: cenimi e njërit do të thoshte luftë me të gjithë.
Sot, në një klimë ndërkombëtare ku përplasjet po ashpërsohen çdo ditë, këto garanci të shekullit të kaluar po kalojnë testin më të rëndë që nga rënia e Murit të Berlinit. Mes konflikteve rajonale, sulmeve kibernetike dhe trysnive ekonomike, në qarqet ushtarake dhe diplomatike po shtohet dilema nëse këto aleanca kanë ende reflekset e duhura për t’u përshtatur me realitetin e ri gjeopolitik.
Arkitektura e sigurisë së asaj kohe u ndërtua në realitetin dhe kontekstin e një bote ku rregullat e lojës ishin shumë më të qarta. Përballja me Bashkimin Sovjetik dhe Paktin e Varshavës kishte vija të prera gjeografike, rreziku ishte i dukshëm dhe epërsia ushtarake amerikane nuk vihej në dyshim.
Aleatët në Evropë dhe Azi funksiononin të sigurtë nën ombrellën bërthamore dhe praninë e trupave të SHBA-së, ndërsa Uashingtoni mbante mbi supe koston kryesore financiare e ushtarake.
Të njëjtën skemë, por me mjete të tjera, e zbatonte edhe Moska me vendet e bllokut komunist.
Gjeopolitika e sotme e ka rrezikuar këtë komoditet. Vetë natyra e luftës ka ndryshuar dhe nuk i bindet më modelit klasik të mbrojtjes së ndërsjellë nga sulmet e hapura frontale.
Sot, sulmet, agresionet veprojnë në hije dhe rrallë japin një shkas të pastër ligjor. Në vend të pushtimit klasik, rivalët godasin rrjetet energjetike me sulme kibernetike, këpusin kabllot nënujore të komunikimit, gazperquesit ose përdorin grupe indirekte guerile (proxy).
Kur një vend aleat potencialisht gjunjëzohet nga bllokadat ekonomike ose paralizohet nga sulme digjitale pa autor të konfirmuar, liderët e aleancave e kanë thuajse të pamundur të bien dakord nëse duhen aktivizuar klauzolat e mbrojtjes së përbashkët, e aq më pak të kundërpërgjigjen ushtarakisht, nga frika se mos ndezin një luftë globale.
Nga ana tjetër, edhe peshat brenda vetë aleancave kanë lëvizur ndjeshëm. Me Shtetet e Bashkuara të detyruara të ruajnë interesat e brendshme, të frenojnë hovin e Kinës në Indo-Paqësor dhe njëkohësisht të shuajnë vatrat e krizave në Lindjen e Mesme e Evropë, Uashingtoni po e bën gjithnjë e më të qartë se mbrojtja amerikane nuk është më garancion i pakontestueshem.
Pas samitit të NATO-s në Hagë më 2025 dhe rishikimit të strategjisë amerikane të mbrojtjes në vitin 2026, mesazhi i Shtëpisë së Bardhë është i prerë: partnerët evropianë dhe aziatikë duhet të rrisin buxhetet ushtarake, të ringrenë industrinë e armatimeve dhe të marrin përsipër sigurinë e të tyre.
Edhe pse lufta në Ukrainë i zgjoi shumë kryeqytete evropiane, hendeku i shpenzimeve dhe debatet se deri ku duhet varur nga Amerika vazhdojnë ta gërryejnë unitetin e brendshëm.
Ndërkohë, lëvizje po ndodhin edhe në kampet rivale. Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive e udhëhequr nga Rusia po tkurret dhe po humb besueshmërinë, pasi dështoi t’u dilte zot aleatëve të saj në krizat e fundit rajonale. Paralelisht, po lindin formate të reja bashkëpunimi, si paktet trepalëshe në Indo-Paqësor apo marrëveshjet e reja të sigurisë në Lindjen e Mesme. Në vend të koalicioneve të mëdha dhe të ngadalta në vendimmarrje, shtetet po anojnë gjithnjë e më shumë drejt grupeve të vogla e fleksibile, të krijuara enkas për detyra konkrete, si patrullimet detare, mbrojtja ajrore apo shkëmbimi i inteligjencës.
Megjithatë,aleancat tradicionale ende ruajnë një vecori unike; peshën e tyre të përbashkët ekonomike dhe teknologjike. Të marra së bashku, SHBA-ja dhe aleatët e saj përbëjnë bllokun më të pasur dhe më të avancuar në botë. Fakti që Finlanda dhe Suedia hoqën dorë nga neutraliteti historik për t’u futur me shpejtësi në NATO, tregoi se kur rreziku është evidënt, shtetet kërkojnë strehë te garancitë ushtarake, e jo te izolimi.
Traktatet e Luftës së Ftohtë nuk jane zhbërë, por me mentalitetin e shekullit të kaluar nuk mund të mbijetojnë gjatë. Në botën shumëpolare që po merr formë, këto aleanca do të mbeten të besueshme vetëm nëse heqin dorë nga varësia e plotë ndaj Uashingtonit, ndajnë realisht barrën e shpenzimeve dhe sinkronizojnë mbrojtjen e tyre për kërcënimet e reja.
