Maria Zakharova paralajmëron
Fabrikat në Evropë që prodhojnë armë për Ukrainën janë objektiva të mundshme ushtarake për Rusinë, deklaroi të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Zakharova, gjatë një konference për media, tha se vendet evropiane janë të përfshira drejtpërdrejt në konflikt përmes mbështetjes ushtarake që i japin Ukrainës, duke shtuar se aktivitete të tilla e shtyjnë përfundimin e luftës.
Ajo iu përgjigj një pyetjeje lidhur me gatishmërinë e Polonisë për të ndërtuar në territorin e saj një fabrikë për prodhimin e raketave interceptuese për sistemin Patriot, të destinuara për Ukrainën.
“Fabrikat e armëve në vendet evropiane që prodhojnë armë për Ukrainën janë objektiva të mundshme ushtarake për Rusinë dhe nuk duhet menduar se fabrikat ushtarake jashtë territorit të Ukrainës, të cilat prodhojnë armë për regjimin e Kievit, do të jenë të sigurta. Kushdo që mendon kështu, gabon.”
— deklaroi Zakharova.
Ajo shtoi:
“Vendet evropiane janë të përfshira drejtpërdrejt në konfliktin ukrainas. Ato nuk po ofrojnë vetëm ndihmë. Përmes hapjes së fabrikave të armëve dhe krijimit të sipërmarrjeve të përbashkëta, ato janë përfshirë plotësisht [në konflikt]. Dhe kjo vetëm e shtyn zgjidhjen e konfliktit, në vend që të ndihmojë në zgjidhjen e tij, siç mendojnë ose e imagjinojnë disa forca në Evropë.”
Ndërkohë, NATO dhe shumë vende evropiane kanë deklaruar se do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën, duke e ndihmuar atë të zmbrapsë forcat ruse dhe të vazhdojë rrëzimin e dronëve dhe raketave ruse. [GN/HINA]
