Nga Dr. Selim IBRAIMI
114 vjet pas Luftës së Parë Ballkanike (8 tetor 1912), bashkëpunimi rajonal mbetet i brishtë dhe mësimet e luftërave ballkanike mbeten të zbatuara nga qeveritë rajonale. Që nga shpërbërja e Lidhjes Ballkanike, ka ekzistuar një gjendje që i ka mbajtur popujt të armiqësuar mes tyre. Duhet pranuar se këtu kemi të bëjmë me më shumë se një gjendje: irredentizmi, nacionalizmi dhe format e ndryshme të veprimit modern hibrid, të cilat i pengojnë popujt e rajonit të ecin përpara, kanë rrënjë të thella. Në kontekstin ballkanik, kemi katër raste për shqyrtim: i pari është ai i Kosovës, e cila për gati dy vjet ka kaluar nga njëri cikël zgjedhor në tjetrin. Por, në momentin e fundit më 6 tetor të këtij viti, mbizotëroi arsyeja dhe vullneti për të arritur marrëveshje bazë, duke shmangur kështu zgjedhjet e reja parlamentare. Kjo shihet si një mundësi për të parë përpara dhe për të bërë përmirësime në kohë, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme. Deri më tani, Kosova është përballur me një izolim të moderuar nga BE-ja dhe ShBA-ja.
Por dinamikat e reja mund të çojnë në një drejtim të ri, krahas sfidave që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë, AKS-në dhe raportet me Serbinë. Pavarësisht se çfarë do të ndodhë më tej, ky është një sukses strategjik për Kosovën që mundëson nxjerrjen e mësimeve nga gabimet e së kaluarës. I dyti është rasti të cilin e kemi trajtuar në artikujt tanë të mëparshëm në kuadër të temave të ndryshme. Ka të bëjë me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Sipas lajmeve të fundit, situata është zhgënjyese, pasi do të duhet edhe vite të tjera për të përmirësuar marrëdhëniet me Bullgarinë, e cila kërkon nga pala maqedonase ndryshimet kushtetuese me pakicën bullgare në Preambullë. Mediat në Shkup kanë raportuar se të dyja palët kanë zhvilluar bisedime lidhur me ndryshimet kushtetuese. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Timço Muçunski (Timco Mucunski) është takuar me ministren e Jashtme të Bullgarisë Velislava Petrova pa ndonjë rezultat konkret. Ata kanë rënë dakord që të t’i vazhdojnë takimet në të ardhmen. Nga kjo mund të konkludojmë se drejtuesit e të dyja shteteve nuk kanë arritur ende nivelin e duhur të të mësuarit nga gabimet e së kaluarës. Rasti i tretë që dëshiroj të theksoj ka të bëjë me zgjedhjet e mbajtura në Bosnjë-Hercegovinë më 4 tetor të këtij viti, ndërhyrjen e huaj dhe implikimet që lidhen me personalitete amerikane në Bosnjë dhe lidhjet e njerëzve atje me Rusinë.
Në Bosnjë-Hercegovinë, kandidatja serbe Zheljka Cvijanoviq (Željka Cvijanović), e cila akuzohet nga kundërshtarët se mbështet separatizmin, ka fituar postin në Presidencën e re të Bosnjë-Hercegovinës. Ajo u mbështet fuqishëm nga ish-presidenti i Republikës Serbe, (Republika Srpska) Milorad Dodik, i cili që nga fundi i vitit 2025, nuk është më nën sanksionet e ShBA-së. Si në ShBA, ashtu edhe në rajon, janë ngritur shqetësime sigurie lidhur me bashkëpunimin e mundshëm midis miqëve të ngushtë të presidentit amerikan Donald Trump me personalitete serbe që mbështeten nga Rusia. Presidenti Trump i ka mohuar këto pretendime. Rasti i katërt ka të bëjë me Serbinë, ku zgjedhjet që duhet të mbahen më 25 tetor të po këtij viti i kanë mobilizuar nacionalistët, në retorikën e të cilëve përfshihet edhe çështja e Kosovës. Më 7 tetor, Ivica Daçiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme i Serbisë, deklaroi gjatë një fjalimi në Rashkë se “herët a vonë, flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren”.
Ndërkohë, në Uashington janë ndezur “dritat e kuqe” dhe shqetësimet janë shtuar, veçanërisht në lidhje me Aktin për Serbinë, (H. R. 10183 Srbija Act) i cili synon të monitorojë nga afër veprimet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën. Nga ngjarjet e lartëpërmendura shihet se brenda së njëjtës javë, kemi katër raste me përfundime të ndryshme, por me një jehonë të njëjtë. Këto raste tregojnë se ndikimet e jashtme mund t’i mbështesin ndarjet etnike e fetare, ashtu si në vitet 1912-13. Në mbarë rajonin dëgjohen zëra që rikthejnë atmosferën e konflikteve që historikisht është dëshmuar se kanë qenë zëra të gabuar, që lanë pas vuajtje dhe viktima. Retorika e tillë nuk është e re, pasi edhe në vitet 1912-13, ambiciet për territore të reja i kthyen aleatët e deridjeshëm në kundërshtarë. Minimumi që mund të bëhet është mos përsëritja e gabimeve të viteve 1912-13. A do të mund tani të paktën disa qeveri rajonale dhe shtetet e fuqishme të Evropës ta tejkalojnë veten? Kjo mbetet të shihet në vitet që vijnë, nëse ngjarjet e mësipërme do të zhvillohen në të njëjtën trajektore apo do ta ndryshojnë përgjithmonë rrjedhën e tyre.
