Nga Dr. Skënder Demaliaj
Që në Luftërat Ballkanike në vitin 1912, në Mbretërinë Jugosllave e gjatë Luftës së Dytë
Botërore, forcat çetnike i kanë masakruar shqiptarët për të bërë pastrimin etnik e për të krijuar
Serbinë e Madhe. Këto forca terroriste u aktivizuan nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit në vitet 1992-1999 në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë, me mbështetjen e strukturave
shtetërore të Serbisë, të ushtrisë, të policisë, të shërbimit informativ, të Akademisë së Shkencave
të Serbisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe.
Millosheviçi në këto vite ndërmori veprime të dhunshme në Kosovë, shtoi atje forcat ushtarake,
policore dhe paraushtarake, duke u besuar këtyre të fundit detyrat që të plaçkisnin, të vrisnin e të
digjnin shqiptarët e Kosovës.
Arkani, udhëheqësi ushtarak i paramilitarëve serbë (i çetnikëve), dora e zgjatur dhe e sigurtë e
krimit, e Millosheviçit në një intervistë të tij thoshte: “Millosheviçi i zgjoi serbët, ai më zgjoi
edhe mua nga gjumi” (Gazeta “The Independent”, 17 janar 2000).
Kur një diplomat kroat, i cili zhvilloi negociata të fshehta me Millosheviçin e pyeti rreth Arkanit, më 1993, ai vuri buzën në gaz dhe iu përgjigj: “Edhe unë duhet të kem dikë që t’i kryejë disa punë për mua”.
Pasi lideri jugosllav, Tito ndërroi jetë dhe shteti filloi të shpërbëhej, Serbia zhvilloi një kuptim të ri të historisë së Luftës së Dytë Botërore me çetnikët nacionalistë, duke i vlerësuar si heronj serbë, kurse komunistët si shtypës. Serbët, pjesa më e madhe e tyre, nuk e duan Titon, sepse janë besnikë të idesë për një “Serbi të Madhe”. Tito e pengoi këtë. Projekti i Millosheviçit ishte për kthimin e Jugosllavisë në Serbosllavi kundër të cilit ishte Tito. Bashkëpunimi i Millosheviçit me çetnikët filloi dhe u konkretizua në vitet `90, kur filluan luftërat në Kroaci, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë.
Procesi i reabilitimit të çetnikëve në Serbi tashmë është i përfunduar. E gjejmë në veprat e
historianëve serbë, në veprimtaritë politike që organizojnë ata, në ngritjen e monumenteve, në
rrjetet sociale, në qendrimet dhe veprimet e udhëheqjes kryesore të Serbisë. Te libri “Golgota
boshnjake” i historianëve serbë Bojan Dimitrijeviç dhe Nemanja Deviç bëhen përpjekje për të
rehabilituar Lëvizjen Çetnike.
Në vitin 2009 u rehabilitua Dragisha Vosiçi, ideolog i Lëvizjes Çetnike. Më parë ishte nënkryetar i Klubit Kulturor Serb në Beograd, ku Vaso Çubrilloviçi, më 7 mars 1937 e lexoi elaboratin famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve”. Ky erdhi në verën e vitit 1941 në shtabin e Drazha Mihajlloviçit dhe konsiderohej si zëvendës i tij.
Në Gjykatën e Beogradit në vitin 2006 është rihapur çështja e rehabilitimit të liderit çetnik, Drazha Mihajlloviç. Kërkesa për rehabilitimin e tij u paraqit nga nipi i tij, Vojslav Mihajlloviç, por seanca e parë dëgjimore u zhvillua vetëm në vitin 2010. Midis njerëzve në sallë ishte edhe Vojsllav Sheshel, i cili e quan veten “dukë çetnik”. Drazha Mihajlloviçi u rehabilitua në Beograd në vitin 2015 pas një procesi të gjatë ligjor, ku përfshiheshin historianë si dëshmitarë ekspertë.
Po kështu është bërë rehabilitimi i çetnikut Nikola Kalabiç, komandant i njësiteve çetnike Korpusi i Gardës së Malit të Zi.
Në mars të vitit 2014, gazetarët boshnjakë u sulmuan nga anëtarë të Lëvizjes Çetnike gjatë
përkujtimores së 70 vjetorit të arrestimit të liderit të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, Drazha
Mihajlloviç. Policia nuk ndërhyri dhe e kaloi rastin sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Shteti serb,
Kisha Ortodokse serbe, Akademia e Shkencave serbe janë bërë një me çetnikët, i mbështetin, i
promovojnë, i ndihmojnë finaciarisht dhe i përdorin për të realizuar Serbinë e Madhe. Më 28 qershor 1914, në Sarajevë u vra Princi Franc Ferdinand, bashkë me të shoqen, Sofia Hahenberg nga i riu serb, Gavrilo Princip, 20 vjeç, student, kur ai po inspektonte manovrat e ushtrisë së tij.
Në krye të aksionit ishit tetë vetë, të ndarë në dy grupe, në të cilat bënte pjesë edhe Vaso Çubrilloviçi. Ky atentat u përgatit nga Shoqëria e fshehtë, “Bashkim ose vdekje”, e quajtur “Dora e zezë”, në krye të së cilës ishte koloneli Dragutin Dimitrijeviç. Në vitin 2015, Tomisllav Nikoliç, President në atë kohë dhe Millorad Dodik, President i serbëve të Bosnjes zbuluan, monumentin për të në qendër të Beogradit.
Gjeneral nënkolonel Millosav Simiç, Komandant i Ushtrisë Tokësore të Serbisë këndonte këngë
të njohura çetnike në prezencë të Aleksandër Vulinit, i cili në atë kohë ishte Ministër i Mbrojtjes
së Serbisë. Ky e përcillte me pasion këngët e tij.
Toka serbe paguhet me koka! Liri a vdekje! – këto janë mesazhet që deklarohen në rrjetet sociale nga grupe çetnike. Pra ato përhapen lirshëm, duke shprehur hapur qëllimet e tyre për krijimin e Serbisë së Madhe. Në mars të vitit 2019, dyqind anëtarë të lëvizjes ultranacionaliste serbe çetnike u mblodhën në Vishegrad, në lumin Drina, i cili shënon kufirin midis Serbisë dhe Bosnjës për të shënuar përvjetorin e arrestimit të udhëheqësit të tyre në Luftën e Dytë Botërore, Drazha Mihajlloviçit. Ata kënduan këngën: “Do të jetë përsëri ferr / Dhe Drina e përgjakur / Ja çetnikët nga malet serbe”.
Vishegradi ka qenë një nga vendet, ku ka patur masakra të myslimanëve gjatë fillimit të luftës në Bosnje në vitin 1992. Aty u vranë më shumë se 1500 civilë. Në ndihmë të ushtrisë ruse në Ukrainë kanë shkuar vullnetarë çetnikë, ashtu siç kanë ardhur vullnetarë rusë në Republikën Srepska, kur zhvilloheshin atje luftime. Lidhjet midis Serbisë dhe Rusisë janë të kaherëshme. Bratisllav Zhivkoviç, komandant i të ashtuquajturës Lëvizje Çetnike dëgjoi nga rreshtat e parë fjalimin e Presidentit rus, Vladimir Putin, i cili tri ditë para përvjetorit të pushtimit të Ukrainës iu drejtua Parlamentit të Rusisë. Ky ishte me grada të
larta dhe me dekorata.
Në mars të vitit 2019 ekspozohen fotografi të çetnikëve me pjesëtarë të ushtrisë serbe, të cilët me
uniforma ushtarake vendosin kurora në monumentin e Drazha Mihajlloviçit dhe të të rënëve të të
ashtuquajturës Lëvizje Çetnike e Ravnogorasve. Nacionalistët serbë në Podgoricë këndojnë
këngë çetnike kundër Kosovës e pro Rusisë.
Nxënësve serbë u mësohet në tekstet mësimore figuara e Drazha Mihajlloviçit. Aty shkruhet se
ai ishte “dënuar padrejtësisht me vdekje dhe pushkatuar me akuza të rreme për tradhti dhe
bashkëpunim me armikun”.
Gazeta DANAS, 28-29 prill 2020 njoftonte për krijimin e Gardës së Car Lazarit në shkrimin me titull: “Vasileviç! I kemi 5000 vullnetarë për të mbrojtur Kosovën!”
Në komunën e vogël me shumicë serbe të Ranillugës u propozua që dy rrugëve t’u viheshin emrat e Drazha Mihajlloviçit dhe Sllobodan Millosheviçit. Në aspektin e gjenocidit ndaj popujve josebrë dhe të aspiratës për krijimin e Serbisë së Madhe të dy janë të barazvlefshëm.
Janë ngritur komisione të ndryshme hetimore, sipas legjislacionit të ri serb që kanë për detyrë gjetjen e varreve të çetnikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe listimin e viktimave me qëllim: rehabilitimin e tyre dhe zhvarrosja e tyre të bëhet me ceremoni dhe fjalime patetike. Gjykatat në Trebinje dhe Bulljina në Bosnje – Hercegovinë kanë refuzuar kërkesat për të ndaluar shoqatat nacionaliste serbe çetnike nën dyshimin “për nxitje urrejtje dhe intolerancë etnike”.
Në vitin 2023 me këngë çetnike në Beograd u zbulua monumenti i Drazha Mihajlloviçit dhe u hap muzeu në Rrugën Bregalniçka. Akademik Matija Beçkoviç mbajti një fjalim frymëzues, në të cilin e glorifikoi figurën e tij.
Aleksandër Vuçiç darovit muzikantët në festën me këngët çetnike. Për këtë është publikuar edhe
një video.
Me këngë çetnike, Presidenti Aleksandër Vuçiç feston hapjen e një autostrade, më 23 korrik 2025.
Më 7 gusht 2025 në fshatin Gornje Zaostro, komuna Berane, në veri të Malit të Zi u ngrit një monument për Pavlle Gjurishiç, komandant i Lëvizjes Çetnike në Mal të Zi gjatë Luftë së Dytë Botërore, pa lejen e autoriteteve vendimmarrëse. Pas një reagimi të publikut u çmontua dhe u zhvendos në oborrin e Kishës lokale. Mitropoliti serb për Jugun e Malit të Zi e konsideron atë një hero serb.
Në programet televizive serbe, çetnikët paraqiten me një imazh pozitiv. Paradat që përkujtojnë çlirimin e Beogradit portretizohen si një “ushtri serbe që korri një fitore ndaj fashizmit”. Në këtë fitore bëjnë pjesë edhe çetnikët, të cilët janë pjesë e protokollit në Ditën e Çirimit të Beogradit.
Shteti serb promovon një narrativë për “pajtimin kombëtar” midis mbështetësve të çetnikëve dhe
partizanëve. Një Ligj i miratuar në vitin 2004 i kategorizoi të dyja lëvizjet në mënyrë ekuivalente si antifashiste. Ata që lavdërojnë çetnikët mohojnë që nga forcat serbe të jetë kryer ndonjë krim në çdo periudhë historike, pra edhe nga vetë çetnikët.
Kroacia e ka miratuar Ligjin kundër simboleve çetnike. Frazat si: “në tokën serbe” dhe “vdiq për Krajenën serbe” nuk do të lejohen më në monumentet në Kroaci, ndërsa monumentet që kanë përshkrime të tilla dhe janë vendosur pas majit të vitit 1990 duhet të largohen.
Ish-presidenti kroat, Stjepan Mesiç e sheh reabilitimin e çetnikëve një rrezik për Rajonin dhe e vlerëson si një pranim fatal të nacionalizmit serbomadh. Sipas tij, çetnikët dhe ustashët nuk ishin armiq, ishin aleatë në krimin e bashkëpunimit dhe në skllavërimin e vendit të tyre.
Të gjithë këta shembuj që dhamë më sipër vërtetojnë lidhjet e shtetit serb, dje dhe sot me
ultranacionalistët serbë. Gjykata e Hagës nuk e bën përgjegjës shtetin serb, as për gjenocidin e
Srebrenicës dhe krimet e tjera të ushtrise dhe të policisë serbe në Kroaci, Bosnje – Hercegovinë
dhe Kosovë. Kjo do të thotë të mbyllësh sytë e të bësh veshin shurdhë ndaj masakrave që kanë
bëra ata bashkeë me çetnikët në këto vende. Shteti serb e kalon përgjegjësinë e këtyre masakrave
te forcat paramilitare, çka nuk është e vërtetë.
Rezoluta e OKB-së për gjenocidin serb në Srebrenicë është një vendim i drejtë, i argumentuar
plotësish, por i vonuar. Është një goditje e rëndë për politikëbërësit e djeshëm e të sotëm të
Serbisë.
