Nga Boiken ABAZI
Në vitin 2014 Greqia kaloi një situatë të ngjashme me atë që po kalon sot Kosova në lidhje me zgjedhjen e presidentit. Në atë kohë në Greqi:
1. Presidenti zgjidhej me shumicë të cilësuar nga Kuvendi në tri raunde: në dy raundet e para nevojiteshin 2/3 e votave të Kuvendit; në raundin e tretë nevojiteshin së paku 60% e votave. Ky rregull ia pamundësonte qeverisë (apo koalicionit qeverisës) që kishte shumicë të thjeshtë (mbi 50%), por jo shumicë të cilësuar (mbi 60%) që ta zgjidhte presidentin pa mbështetjen e opozitës, duke i dhënë opozitës “de facto” një veto mjaft të fortë institucionale – mundësinë për të bllokuar.
2. Në atë kohë, në Greqi, në rast se presidenti nuk zgjidhej me shumicë të cilësuar në 3 raunde, Kuvendi shpërbëhej. Pra (mos) zgjedhja e Presidentit nga Kuvendi lidhej direkt me shpërbërjen e Kuvendit, edhe nëse në Kuvend ekzistonte një parti/koalicion që kishte shumicën e thjeshtë.
Rasti i Greqisë ka qenë mjaft unik mes atyre shteteve që konsiderohen si demokraci liberale. Kjo pasi në demokracitë liberale ku presidenti zgjidhet nga Kuvendi (republikat parlamentare), dështimi i zgjedhjes së presidentit nga Kuvendi nuk çon automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje parlamentare. Për të mos e patur një bllokim të ngjashëm sërish në të ardhmen, në vitin 2019 Greqia e ndryshoi kushtetutën e saj duke gjetur mekanizma të tjerë për zhbollikimin e situatës: deri në 5 raunde në Kuvend për zgjedhjen e presidentit, ku në fund fiton thjesht kandidati që merr më shumë vota në Kuvend dhe jo shumicën e cilësuar. Në këtë mënyrë zgjedhja e presidentit u nda shumë më qartë nga shpërndarja e Kuvendit, në favor të konsolidimit të një republike parlamentare (dhe jo presidenciale).
Ka disa demokraci liberale (si Italia, Estonia, etj.) të kategorizuara si republika parlamentare që hasin në një problem të ngjashëm në lidhje me zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi. Mirëpo, asnjë prej tyre nuk e lidh zgjedhjen e presidentit me shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe kanë krikuar mekanizma për zhbllokim situate ose për vazhdimin e funksioninit të Kuvendit pa patur nevojë për zgjedhje të reja parlamentare. Greqia ishte e fundit që e bënte lidhjen e fortë mes zgjedhjes së Presidenit dhe shpërndarjes së Kuvendit, por edhe ajo e bëri ndarjen shumë më të qartë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2019, duke mos lejuar që Kuvendi të shpërndahet në rastet kur nuk zgjedh dot presidentin me shumicë të cilësuar. Përse Kosova nuk e ndoqi këtë rrjedhë që kanë ndjekur edhe republikat e tjera parlamentare?
Kushtetuta e Kosovës nuk ka qenë ndoshta shumë e qartë prej hartimit të saj sa i takon lidhjes mes zgjedhjes së presidentit nga Kuvendi me shumicë të cilësuar dhe shpërndarjes së Kuvendit.
Vendimi i këtij viti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mund të shkonte në dy drejtime:
1. në një ndarje më të qartë që nuk do e lidhte zgjedhjen e presidentit me shpërbërjen e Kuvendit; dhe 2. me një lidhje më të fortë mes zgjedhjes së presidentit dhe shpërndarjes së Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese zgjodhi opsionin e dytë, dhe tashmë zgjedhja e presidentit në Kosovë është bërë gati e barasvlefshme me funksionimin e Kuvendit. Pra, Gjykata Kushtetuese vendosi që ekzistenca e një shumice të thjeshtë (50%+) në Kuvend nuk mjafton që Kuvendi të vazhdojë të funksionojë nëse nuk zgjedh edhe një president me shumicë të cilësuar – pasi kuorumi (pjesëmarrja) në raundin e parë për zgjedhjen e presidentit përmbushet vetëm në prezencë të 2/3 të deputetëve dhe pa u përmbushur ky kuorum për zgjedhjen e presidentit procesi bllokohet dhe afatet kohore çojnë më tej në shpërndarjen e Kuvendit.
Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese e Kosovës jo vetëm i ka dhënë (cilado) partive opozitare në Kosovë (sot dhe në të ardhmen) një veto të fortë institucionale, por ka ndryshuar edhe formën e demokracisë në Kosovë nga një republikë parlamentare, në një republikë me tipare presidenciale.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka lënë institucionin më lart të republikës – Kuvendin – në dorë të partive pakicë, dhe jo të shumicës parlamentare.
Në këtë mënyrë Kosova ka dal nga shinat e një republike tipike parlamentare dhe po ecën në territor të panjohur, mbushur me mundësi bllokimi të ngjashëm institucional edhe në të ardhmen.
Situata nuk është e pazgjidhshme, por në kuptimin e kuadrit kushtetues, zgjidhjet janë bërë shumë më të vështira se më parë …
