Nga Dr. Ibrahim SHALA
Prej se që është LVV në pushtet me zotin Albin Kurti Kryeministër i Qeverisë, kritika më e madhe që ju ka bërë ishte se: 1) Kryeministri Kurti po i sforcon çështjet shtetërore, si integritetin dhe sovranitetin për popullizëm, dhe protagonizëm kombëtar; 2) Edhe pse parti e majtë nuk është marrë fare me çështjet sociale dhe me kushtet e jetës së qytetarëve; 3) Nuk ka realizuar projekte të mëdha zhvillimore, për shkak të mungesës së vizionit për zhvillimin dhe përparimin e shtetit. Këtë fushatë të orkestruar kundër Qeverisë Kurti e ndihmonte edhe fryma e përgjithshme e mos stabilitetit qeverisës, nga përsëritja e shpeshtë e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, që janë pasojë e bllokadës së opozitës së dobësuar dhe humbëse e pa dinjitet.
𝐏ë𝐫𝐜𝐚𝐤𝐭𝐢𝐦𝐢 𝐩𝐚 𝐦ë𝐝𝐲𝐬𝐡𝐣𝐞 𝐩ë𝐫 𝐦𝐚𝐣𝐭𝐢𝐳ë𝐦 𝐭ë 𝐦𝐨𝐝𝐞𝐫𝐮𝐚𝐫
Në opinion dhe debatin publik krijohej përshtypja se LVV-ja më në krye Albin Kurtin, ishte deklaruar e majtë dhe ishte shumë e zëshme vetëm sa ishte në opozitë, por kur erdhi në pushtet, gradualisht sikur largohej nga majtizmi si ideologji dhe sidomos nga politikat sociale të qeverisjes majtiste. Kjo akuzë bëhej zëshëm nga partitë e djathta opozitare dhe ri përsëritej me shumë besnikëri nga ‘kokat intelektuale të pavarura’. Mirëpo kjo mjegull u zhduk me fillimin e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Në tubimin fillestar të hapjes së fushatës në Prishtinë ( 24.05.2026), Kryetari i LVV-së dhe Kryeministër në detyrë zoti Albin Kurti shpalosi një listë të gjatë politikave të majta, që shkojnë në shërbim të qytetarëve të të gjitha gjinive dhe moshave. Ai nuk kishte dhënë ndonjëherë një listë kaq në hollësi për programin social qeverisës.
Ligji për çmimet tavan, biletë mujore të integruar “Anembanë”, shtesa për gjyshet që kujdesen për nipat dhe mbesat, 3,000 euro për secilën nënë lehonë pa punë, sigurimi i pagës e 13-të në sektorin publik dhe privat me synim planifikimin gradual edhe të pagës së 14-të, sigurimi i pagës pas humbjes së punës – Fondi i Sigurimeve Shoqërore, mbështetjen me bursa do edhe për studentët që vijojnë studimet në kolegje private, Check-up shëndetësor për çdo qytetar, ligjit për sigurimet shëndetësore, mbulimi i kostos së barnave jashtë spitalore, grante për fermerë të pa përkrahur etj. etj.
U pa dukshëm se në këtë plan qeverisës të paraqitur në fushatë, vëmendja ishte përqendruar te qytetari i Kosovës, duke ofruar masa se si të bëhet jeta e tij më e lehtë dhe më e mirë.
Po ashtu u prezantua edhe lista e madhe e investimeve kapitale në: themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik, siguria energjetike dhe diversifikimi i burimeve, fleksibiliteti i rrjetit elektro energjetik, ngrohja qendrore në të gjitha rajonet, mbrojtje dhe siguri, industri ushtarake, industri, infrastrukturë, energjetikë, hidro sisteme, hekurudha, autostrada, etj. etj.
Dhe këto zotime u përfunduan me një kontratë publike, që u bë dhe u vulos përmes sloganit shumë përmbledhës “Krejt për shtet – Shtet për krejt”. Ky ishte zotimi i madh, ky ishte programi i gjerë social majtist i përmbledhur vetëm në tri fjalë. Në këto tri fjalë shumë qartësisht është përqendruar qasja filozofike majtiste dhe programi kombëtar, për shtetin dhe llojin e qeverisjes. Me këtë slogan të promovuar në këto zgjedhje, LVV-ja me kryetarin Albin Kurti e bëri hapin e madh, publikisht dhe me vendosmëri ritheksoi fuqishëm orientimin, formën dhe përmbajtjen majtiste të partisë dhe programit qeverisës, në kushtet e pluralizmit partiak dhe demokracisë moderne të bazuar në vlerat euro-atlantike.
𝐒𝐢 𝐭ë 𝐭𝐡𝐲𝐡𝐞𝐭 𝐛𝐥𝐥𝐨𝐤𝐚𝐝𝐚 𝐞 𝐩𝐚𝐫𝐭𝐢𝐯𝐞 𝐨𝐩𝐨𝐳𝐢𝐭𝐚𝐫𝐞?
Bllokadat e opozitës i mundësonte moszgjedhja e presidentit, që e qonte vendin në zgjedhje të parakohshme. Përmes kushtëzimit të zgjedhjes së presidentit humbësit kërkonin pushtet. Po fituesi i zgjedhjeve çfarë faji kishte për të ndarë pushtetin e fituar pastër me mbi 51%?! Ky ngërç ka nxjerrë në pah mungesën dhe dobësinë e legjislacionit tonë zgjedhor për themelimin e institucioneve shtetërore dhe qeverisës. Kërkohet të përcaktohet me ligj mënyra e zgjedhjes efikase e presidentit, me pa mundësi të bllokimit dhe zvarritjes si formë e shantazhit të kundërshtarit politik. Procedurat e përplotësuara duhet të njohin dhe garantojnë fitoren e fituesit dhe ta obligojnë atë të zbatoj programin qeverisës të shpallur në fushatë parazgjedhore.
Aq shumë është thelluar kontradikta dhe kundërshtimi politik për themelimin e institucioneve shtetërore qeverisëse që përcaktohen nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare, sa vetëm një rezultat më i thellë, një rezultat për partinë fituese me përmasat referendumit mund të ofroj një zgjidhje afatgjatë.
E para, që LVV-ja të fitoj vota të mjaftueshme për të krijuar qeverinë pa vonesë, dhe
E dyta, LVV-ja të ketë vota të mjaftueshme, ose fuqi imponuese sa për të zgjedhur presidentin.
E treta, që LVV-ja pas fitores së madhe, pa presion dhe kur nuk është temë, të filloj nismën që bashkë me partitë opozitare të gjejnë formën më të lehtë dhe më efikase, që e zgjedhë presidentin përkundër mospajtimit të partive humbëse.
Vetëm kështu zgjidhet ngërçi dhe bllokada që i ka humbur padrejtësisht kaq shumë kohë Kosovës duke e bërë shtet jo funksional. Për të arritur këto ndryshime duhet ti jepet LVV-së fitorja e madhe e pa kontestuar. Kjo fitore e madhe sa ka rëndësi për konsolidimin e qeverisjes dhe shtetit, po aq rëndësi të madhe ka që të mundësohet realizimi i programit të begat të qeverisjes së ardhshme, i cili ka përmbajtje shumë sociale që do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin dhe ngritjen e nivelit të jetesës së qytetarëve.
Ky ndryshim që të bëhet realitet është i varur nga vota e madhe qytetarëve, prandaj dita e zgjedhjeve është dita kur qytetarët duhet të kryejnë obligimin e vet ndaj LVV-së dhe liderit të saj. Kurse pas fitores së madhe radha kalon nga qytetari te lideri Albin Kurti dhe Qeveria e re, që të kalohet nga fjalët në vepra, që përmbajtjen e sintetizuar të kontratës së madhe “𝐊𝐫𝐞𝐣𝐭 𝐩ë𝐫 𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐒𝐡𝐭𝐞𝐭 𝐩ë𝐫 𝐤𝐫𝐞𝐣𝐭” ta bëjë realitet.
