Nga Dr. Elez Elezi
Historia nuk ndryshohet nga ata që pajtohen me rrjedhën. Ajo ndryshohet nga ata që guxojnë të ndërhyjnë në të. Figura si Nelson Mandela, Charles de Gaulle, Mustafa Kemal Atatürk dhe – në rrethanat tona ,
Albin Kurti, janë shembuj të liderëve që nuk e pranuan gjendjen si të pandryshueshme. Ata sfiduan status quo-në dhe ndryshuan kahjen e kombeve të tyre.
Kosova, për më shumë se dy dekada, ka qenë rob i një status quo-je që e ka mbajtur vendin në vendnumërim. Sistemi i pasluftës ndërtoi një strukturë pushteti që e mbante larg ndryshimin: elitat politike, nepotizmi, interesat e ngushta dhe një shoqëri e lodhur nga pritja. Ajo që na ka munguar më së shumti ka qenë guximi politik për ta përmbysur këtë realitet.
Çfarë na mësojnë liderët që e ndryshuan historinë?
- Nelson Mandela qëndroi 27 vjet në burg, por kur doli, nuk kërkoi hakmarrje ,kërkoi ndërtim të përbashkët.
- Charles de Gaulle, kur Franca ishte në kolaps, nuk pranoi kapitullimin, por krijoi një sistem të ri.
- Mustafa Kemal Atatürk, pas rënies së Perandorisë Osmane, nuk kërkoi kthim pas, por ndërtoi një Turqi moderne, laike dhe sovrane.
Në rrethanat e Kosovës,
4.Albin Kurti përfaqëson përpjekjen për të ndalur një sistem të korruptuar dhe për t’ia kthyer shtetin qytetarit.
Dallimet mes këtyre figurave janë të mëdha, por një gjë i bashkon: nuk ishin të dashur për sistemin, sepse synonin ta ndryshonin atë.
Në Kosovë, guximi shpesh shihet si rrezik
Kur dikush flet ndryshe, shpallet “i papjekur”, “i rrezikshëm” apo “populist”. Të njëjtat etiketime i morën edhe Mandela, de Gaulle dhe Atatürk. Ata u përballën me rezistencë të ashpër, sepse status quo-ja nuk dorëzohet lehtë. As në Afrikën e Jugut, as në Francë, as në Turqi – dhe as në Kosovë.
Por vjen një moment kur populli ngopet: me korrupsionin, me varfërinë, me premtimet boshe. Dhe atëherë kërkon një ndryshim të vërtetë, jo thjesht ndërrim emrash në pushtet.
A është Albin Kurti lideri që do ta përmbushë këtë mision?
Kurti ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët, por mbi vete bart edhe pritje të mëdha. Ai është përballur me rezistencë nga jashtë dhe nga brenda vendit, nga aktorë politikë, ndërkombëtarë dhe struktura interesi. Megjithatë, në shumë qëndrime ka mbetur i palëkundur.
Por historia nuk e gjykon vetëm qëndrueshmërinë; ajo gjykon aftësinë për të ndërtuar. Sfida e tij sot nuk është vetëm kritika e sistemit, por ndërtimi i një alternative të fortë, të drejtë dhe të qëndrueshme për Kosovën.
Sot Kosova ka nevojë për liderë që guxojnë, jo për ata që kalkulojnë.
Siç ka thënë Albin Kurti në një ligjëratë të mbajtur në Nju Jork para studentëve, duke iu referuar çështjes së veriut të Kosovës:
“Ne nuk mund ta lëmë këtë problem për gjeneratën tuaj. Gjenerata ime është ajo që duhet ta përfundojë këtë.”
Kjo thënie përforcon bindjen se ne nuk kemi luksin ta presim një tjetër brez. Ky brez duhet ta thyejë rrethin e vjetër. Kosova nuk duhet të mbetet vendi ku “gjërat nuk ndryshojnë kurrë”, por të shndërrohet në vendin ku njerëzit guxojnë të besojnë – dhe pastaj të veprojnë.
Status quo-ja nuk do të thehet vetvetiu – duhet tronditur
Kosova ka nevojë për një rrëfim të ri kombëtar, për një vizion të ri dhe për guxim të ri. Kjo nuk është punë vetëm e një lideri. Është punë e një populli që thotë “mjaft më” dhe e mbështet ndryshimin jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime.
Le të mos bëhemi spektatorë të historisë që shkruhet nga të tjerët. Le ta shkruajmë vetë.
