Nga Korab BLAKAJ
Në emër të një multietniciteti të keqkuptuar, në Kosovë është krijuar një rrymë politike dhe mediatike që sistematikisht del kundër interesit shtetëror dhe kombëtar. Këta aktorë shfaqen gjithmonë në anën e kundërt të forcimit të shtetit: kundër armatosjes, kundër sovranitetit, kundër bashkimit politik e shoqëror të vendit.
Sa herë që shteti i Kosovës tenton të ndërtojë kapacitete mbrojtëse, ata reagojnë me alarmizëm. Sa herë që flitet për identitet kombëtar apo fetar si pjesë e trashëgimisë historike, ata e paraqesin këtë si rrezik. Por çuditërisht, reagimet e tyre mungojnë kur Instrumenti i Shtetit të Serbisë-Lista Serbe , saboton institucionet apo kur veriu i vendit shndërrohet në zonë tensioni të përhershëm.
Multietniciteti, si koncept demokratik, nuk nënkupton asimetrinë morale, ku dhuna relativizohet dhe shteti fajësohet për çdo akt kriminal. Kur vrasja e policëve në veri relativizohet, kur autoriteti i rendit quhet “provokim”, atëherë nuk kemi më të bëjmë me mbrojtje të të drejtave, por me normalizim të destabilizimit.
Akoma më problematike është shndërrimi i Kushtetutës në një “dok të shenjtë”, të paprekshme nga asnjë debat kritik, edhe kur ajo prodhon bllokada funksionale për shtetin. Kushtetuta është instrument, jo fetishe. Ajo duhet t’i shërbejë shtetit dhe qytetarëve, jo të përdoret si mburojë për status quo-në që e mban Kosovën të dobët.
Terrorizmi politik dhe institucional nuk është e drejtë e garantuar. Ai nuk justifikohet as me multietnicitet, as me dialog, as me “paqen”. Pa drejtësi, pa rend dhe pa barazi para ligjit, paqja është vetëm një iluzion i rrezikshëm.
Kosova nuk ka nevojë për borizanë të frikës, por për zëra të përgjegjshëm që e kuptojnë se shteti nuk ndërtohet duke u tërhequr, por duke u forcuar.
