Nga Lirim Gashi
Shkrimet e mia nuk janë për t’u lexuar sipërfaqësisht, as për t’u përtypur me instinkt tufash. Ato kërkojnë tru. Dhe kush i lexon me kujdes dhe vëmendje, e kupton mirë se unë nuk kritikoj për qejfi, as për protagonizëm, por vetëm mbi bazën e argumentit logjik, analizës së ftohtë dhe diagnozës së saktë.
Unë nuk jam zhurmues mendimesh. Unë jam krijues qasjesh.
Jam krijues botëkuptimesh të reja, të cilat disa – nga mungesa e mendimit të pavarur – i quajnë “kauza”, ndërsa unë i quaj përpjekje njerëzore për dinjitet, për barazi, për drejtësi dhe për çlirim nga budallallëku i organizuar.
Sepse sot budallallëku nuk është aksidental; është industri.
Bota që unë kritikoj është ajo ku njeriu është një gomar i papërmirësueshëm që vullnetarisht bart mëkatet e politikanëve të korruptuar, të klerikëve manipulues, të bankierëve grabitqarë, të mësuesve pa mision, të tregtarëve pa etikë, të mjekëve dhe farmacistëve të shitur dhe të oligarkëve të pangopur.
Dhe mbi të gjitha, bota që unë kritikoj është ajo ku njeriu modern është një gomar i papërmirësueshëm, që vullnetarisht bart mëkatet e shenjtorëve të rremë të cilët janë mjeshtër të hipnozës kolektive morale.
Këta njerëz të poshtër nuk e sundojnë njeriun e painformuar me kamxhik, por me premtime boshe.
Nuk e grabisin me armë, por me doktrina mashtruese.
Ata ua shpërlajnë trurin njerëzve të painformuar, aq mjeshtërisht, sa të mjerët jo vetëm që nuk e kuptojnë se janë viktima të tyre të drejtpërdrejta, por edhe ua dorëzojnë vullnetarisht xhepat, llogaritë bankare dhe ndërgjegjen – dhe në fund i falënderojnë për grabitjen.
Dhe pikërisht ky është kulmi i skllavërisë moderne:
Ata sot skllavit të mendjes dhe të trupit ia shpëlajnë trurin aq mjeshtërisht, saqë ai e mbron vullnetarisht zinxhirin me të cilin e kanë lidhur për brirë si kafshën shtëpiake.
Ata që i lexojnë vetëm titujt e shkrimeve të mia zakonisht janë të njëjtët që më vonë kapen për kokë, kur realiteti u përplaset në fytyrë.
Por atëherë është vonë.
Sepse mosleximi nuk është pafajësi – është bashkëfajësi.
Dhe do ta them hapur:
Unë nuk jam tutor që edukon dembelë. Nuk mund të shkruaj, të lexoj dhe të kuptoj për ju njëkohësisht. Sepse mendimi kërkon përpjekje. Liria kërkon guxim. Dinjiteti kërkon konflikt me gënjeshtrën.
Dhe sepse truri nuk është zbukurim biologjik. Është armë.
Kush nuk e përdor, e përdor dikush tjetër kundër tij.
Nga ana tjetër, rendi i sotëm shtetëror dhe botëror nuk mbështetet te fuqia intelektuale, por te budallallëku i institucionalizuar, te gënjeshtra e legalizuar dhe te bindja servile e shitur si virtyt.
Politikanët, klerikët, oligarkët, bankierët, tregtarët, mediat, autoritetet e rreme – të gjithë funksionojnë mbi të njëjtin parim:
Ta shndërrojnë njeriun modern në bartës të vetëdijshëm të mëkateve të huaja.
Mashtrimi më i madh i epokës moderne nuk është varfëria fizike, por varfëria mendore, e cila njeriun e shndërron në rob të injorancës së tij.
Prandaj unë nuk shkruaj për t’u pëlqyer. Unë shkruaj për të thyer tabu dhe për të hapur horizonte të reja. Sepse liria nuk vjen përmes komoditetit, por përmes konfliktit me gënjeshtrën, mashtrimin dhe manipulimin.
Unë nuk shkruaj për t’ua përshtatur të vërtetën mendjeve të helmuara me gënjeshtra politike, me mashtrime fetare, me manipulime mediatike dhe me sofizma filozofike.
Këto mendje janë tashmë të kapura nga një robëri e heshtur, apo nga një zgjedhje që ua kanë imponuar politikanët dhe klerikët e pamoralshëm, të cilët e kanë ndërtuar sistemin e tyre të rafinuar për të krijuar skllevër fizikë dhe mendorë.
Rezultati?
Një zbrazëtirë e thellë në shpirtin e njerëzve.
Sepse jo vetëm që ua kanë nxjerrë logjikën e shëndoshë nga truri dhe ua kanë shkelur me këmbë dinjitetin, por ua kanë zbrazur vazhdimisht edhe xhepat, duke i lënë të varfër në mendje, në shpirt dhe në xhep.
Shumë shqiptarë kanë rënë viktimë e këtij manipulimi dhe vullnetarisht kanë hyrë në pyllin e budallallëkut, duke mos parë më larg se dy metra përtej hundës.
Prandaj këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me mungesë dijesh dhe vetëdijesh, por veçanërisht me hipnozë kolektive mendore.
Shumica e shqiptarëve nuk kanë mendim të vetin për asgjë, prandaj çdo e vërtetë e dhimbshme, çdo reflektim kritik, u duket kërcënim.
Por ata nuk janë për t’u mëshiruar. Ata duhet të përballen me pasojat e botëkuptimeve dhe veprimeve të tyre budallaqe me një brutalitet të pashmangshëm.
Sepse vetëm kështu lind mundësia që të mësojnë të mendojnë, të perceptojnë dhe të analizojnë me kokat dhe emocionet e tyre.
Vetëm përmes këtij konfrontimi ekzistencial mund t’i kuptojnë gabimet, t’i shmangin në të ardhmen dhe ta ndërtojnë lirinë e vërtetë mendore, fizike, morale dhe materiale.
Nga ana tjetër, politikanët, klerikët, gazetarët dhe analistët që kanë ushqyer këtë robëri mendore dhe fizike, mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
Sepse ata janë arkitektët e një sistemi që ka krijuar errësirë për mendjet dhe shpërfillje për dinjitetin e njerëzve.
Ata nuk mund ta mbulojnë mëkatin e tyre me retorikë të zbrazët, kur morali i tyre është i rrënuar si një shtëpi prej kartoni.
Prandaj pikërisht ky është momenti kur shoqëria duhet të kërkojë llogari – jo me hakmarrje primitive, por me ndërgjegjësim dhe me përballje të qartë me të vërtetat e dhimbshme.
Në këtë përballje ekzistenciale dhe morale, shqiptarët mund ta mësojnë një mësim të çmuar:
Se liria nuk është dhuratë, por detyrë; se e vërteta nuk është rehati, por sfidë dhe se morali nuk është normë e imponuar, por përgjegjësi e brendshme.
Vetëm përmes kësaj zgjedhjeje, individi dhe shoqëria mund të lindin të lirë – mendërisht, shpirtërisht, materialisht, etikisht dhe moralisht – duke e sfiduar errësirën që u është imponuar dhe duke e ndërtuar një të ardhme të ndritshme.
