Na Dan GASHI / Njujork
Sulmi izraelit ndaj fushës së deponimeve të gazit në Parsin e Jugut të Iranit, një nga më të mëdhatë në planet, përbën eskalimin kulmor.
Trumpi deklaroi se Izraeli sulmoi Parsin e Jugut “nga zemërimi” dhe se SHBA “nuk dinte asgjë për këtë sulm specifik”. Katari nuk ishte “në asnjë mënyrë apo formë i përfshirë”. Irani reagoi menjëherë duke goditur impiantet e gazit të lëngshëm (LNG) të Katarit në shenjë hakmarrjeje.
Pa paragjykuar deklaratën e Trumpit, Izraeli është duke e zvarritur SHBA-në në një Luftë totale energjetike me pasoja shkatërruese për ekonominë globale duke i rreshtuar petro-monarkitë e Gjirit kundër Iranit. Megjithatë, është e qartë se një operacion i tillë ndjeshmërie, koordinimi dhe madhësie, si mjet për të “ushtruar presion” mbi Teheranin, kërkon përfshirje të CENTCOM-it (Komanda Qendrore e SHBA-së) dhe miratim presidencial.
Ishte gabim të mendohej se Teherani më në fund do të dorëzohej pas një sulmi mbi asetin më të çmuar energjetik.
Përgjigjja iraniane, siç pritej, ishte e menjëhershme, duke e eskaluar ashpër konfliktin. Lista e objektivave për kundërsulmin ishin rafineritë e Haifës në Izrael, pastaj rafineria Ras Laffan e Katarit etj.
Ajo që është në rrezik të një tragjedie të paparë mund të ndodhë me Parsin e Jugut, ku janë impiantet e LNG-së, gazit të lëngshëm.
Kompleksi gjigant përbëhet nga një varg komponentësh të dizajnuar për të përpunuar, pastruar dhe konvertuar gazin natyror në LNG. Për shkak të procesit sekuencial vargor të stabilimenteve, në zhargonin teknik ato stabilimente i quajnë “trena kompresorësh”, që shndërrojnë gazin natyror në gjendje të lëngëzuar për transport detar në tregjet botërore.
Projekti “Qatar 2” në rafinerinë masive Ras Laffan u projektua nga Chiyoda dhe Technip, një sipërmarrje e përbashkët japonezo-britanike. Ato janë impiantet më të mëdhenj të LNG-së në botë, nga të cilat “trenat” 4 dhe 5 janë dëmtuar nga sulmet iraniane.
Këta “trena-impiante” operohen nga Qatar Gas, ExxonMobil, Shell dhe ConocoPhillips qe janë të lidhura me interesa të amerikanëve dhe Perëndimit, dhe si të tilla objektiva legjitimë për Iranin.
Vlen të potencohet se në tërë botën funksionojnë vetëm 14 të ashtuquajtur “trena” dhe nuk është hiperbolike të thuhet se ekonomia perëndimore varet nga prodhimi dhe funksionimi i tyre.
Prodhimi, instalimi dhe vënia në funksion e vetëm një “treni” merr mbi 10 vjet. Të gjithë këta 14 trena janë brenda rrezeve të raketave balistike dhe hipersonike të Iranit, përfshi edhe ata pjesërisht të dëmtuar.
Lufta e parë totale High-Tech në Azinë Perëndimore
Eskalimi pas sulmeve të Parsit Jugor ishte i pashmangshëm, pasi rregullat e reja të vendosura nga Irani në Ngushticën e Hormuzit binin ndesh me qëllimet amerikane.
Elementi tjetër po aq i rëndësishëm për eskalim është paranoja, alarmi dhe presioni i kompanive të siguracioneve perëndimore, që kontribuoi në mbylljen e Ngushticës shumë më tepër sesa potenciali mbrojtës i kombinimit iranian dron/raketë balistike. Më pas Irani njoftoi se Ngushtica ishte e hapur për Kinën dhe për disa shtete të tjera që u angazhuan në negociata, edhe shtetet e Gjirit që do të dëbonin ambasadorët e SHBA-së.
Tani Irani imponoi një grup rregullash:
-Nëse ngarkesa është tregtuar me petroyuan,
-Mund të kalohet lirshëm por duhet të paguar taksën e kalimit.
-Duhet të lundrohet vetëm në ujërat territoriale iraniane, afër ishullit Qeshm, dhe jo përmes mesit të Ngushticës.
Ministri i Jashtëm iranian Araghchi deklaroi qartë: “Pasi lufta të përfundojë, ne do të dizajnojmë mekanizma të rinj për Ngushticën e Hormuzit. Ne nuk do t’i lejojmë armiqtë tanë të përdorin këtë rrugë ujore. Çfarëdo që të ndodhë më pas, Ngushtica e Hormuzit do të ketë një pikë pagese të përhershme, të kontrolluar nga Irani”.
Duke lënë të kuptohet se anijet që udhëtojnë përmes Ngushticës tani e tutje do të duhet të paguajnë një taksë prej 10%. Kjo mund të gjenerojë deri në 73 miliardë dollarë në vit, mjaftueshëm për të kompensuar dëmet e luftës dhe sanksionet e SHBA-së.
Në aspektin ushtarak, kjo luftë po konfigurohet si Lufta e Parë Totale High-Tech në Hemisferën e Azisë Perëndimore.
Strategjikisht, siç përcaktohet nga analistët e kësaj lufte, kjo nënkupton një grumbull interesant terminologjish të reja si:
-Shtrëngimi i Madh (The Great Constriction), i aplikuar përmes strategjisë së “sulmeve kirurgjikale” tejet të fokusuara.
-Thyesi i Mburojës 16-Mach, teknologjia e raketave të reja si: Khorramshahr-4 dhe Fattah-2, të cilat arrijnë shpejtësi terminale prej Mach 16, duke udhëtuar me 5.5 km në sekondë.
-Paradoksi i Mbrojtjes Zero-Sum, ndërsa një kompjuter nga më të sofistikuarit llogarit një vektor përgjimi me trajektoren goditëse, koka e raketës me një bllokues elektronik tashmë ka goditur cakun.
Edhe pse Izraeli dhe SHBA-ja kanë investuar me biliona dollarë ne mbrojtje kundraajrore,duke tentuar një përgjim dhe pengim me 100% probabilitet suksesi, Irani shpenzon një fraksion të kësaj dhe arrin të godasë caqe të mbrojtura nga këto sisteme.
Doktrina e Katër organeve vitale
Izraeli me rreth 9 milionë banorë mbijeton falë vetëm dy porteve kryesore me ujëra të thella. Kjo ka shtyrë Teheranin të kalojë në modalitetin e ashtuqujtuar ” Paralizës Strukturore”, duke u fokusuar sistematikisht në katër “pika fatale”, nyje tejet të koncentruara të infrastrukturës izraelite që, po u shkëputën, do ta kthejnë atë në një vend të izoluar ekonomikisht.
Sipas kësaj doktrine, këto janë pikat vitale:
-Asfiksia Hidrologjike – goditja e 85% të ujit të pijshëm të Izraelit në pesë impiante shkripëzimi
-Protokolli i Errësirës (Blackout Protocol) – goditja e stacionit elektrik Orot Rabin, sistemit të rrjetit kombëtar;
-Furnizimi Ushqimor – goditja e porteve të Haifës dhe Ashdodit, importit të 85% të grurit që i nevojitet Izraelit;
-Dekapitimi Energjetik – shkatërrimi i rafinerisë së Haifës, i vetmi burim izraelit i naftës së rafinuar.
Mbetet të shihet se në ç’drejtim do të marrë ky qark vicioz me pasoja katastrofale për botën.
