[Foto: Një pamje nga vendngjarja tregon shkatërrimin e ndërtesave pas dy sulmeve të njëpasnjëshme hakmarrëse nga Irani, që synuan rajonin jugor të Izraelit, përfshirë zonën e Termocentralit Bërthamor të Dimonës, më 22 mars 2026]
22 mars 2026
Nga Dr. Ramzy Baroud dhe Romana Rubeo [MIDLE EAST MONITOR]
Terminologjia është e njohur. Urgjenca është gjithmonë absolute. Implikimi është i pagabueshëm: Izraeli nuk po e zgjedh luftën; ai po detyrohet të hyjë në të.
Për shumë njerëz, ky pretendim është në thelb kontradiktor. Si mundet një shtet të nisë një luftë dhe në rastin e Gazës, të mbajë gjallë një gjenocid, ndërkohë që këmbëngul se thjesht po mbrohet nga asgjësimi? Megjithatë, brenda diskursit politik izraelit dhe në pjesën më të madhe të mediave perëndimore, kjo kontradiktë rrallëherë shqyrtohet. Ajo është normalizuar.
Ky normalizim nuk është rastësor. Ai është themelor.
Dimona nuk është një qytet i zakonshëm. Ai ndodhet pranë Qendrës së Kërkimeve Bërthamore të Negevit, e cila njihet gjerësisht si qendrore për programin e armëve bërthamore të Izraelit. E vendosur thellë në shkretëtirën e Naqabit, kjo ndërtesë është trajtuar prej kohësh si një nga pikat më të ndjeshme strategjike të Izraelit, e lidhur me prodhimin e plutoniumit dhe aftësitë afatgjata të armatimit.
Ky kontekst i jep kuptim sulmit.
Goditja iraniane mbi Dimona erdhi pak orë pas një sulmi të përsëritur amerikanos-izraelit mbi objektin bërthamor të Natanz-it në Iran, herët në të njëjtën ditë.
Sipas raporteve ndërkombëtare dhe iraniane të transmetuara nga Reuters, kompleksi i pasurimit në Natanz, në provincën e Isfahanit, u shënjestrua në mëngjesin e 21 marsit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike konfirmoi dëme, por jo rrjedhje rrezatimi.
Sekuenca nuk është e rastësishme. Natanz-i u godit në mëngjes; Dimona u godit më vonë gjatë asaj dite. Edhe pa një kronologji të saktë orë pas ore, afërsia vendos një logjikë të qartë operacionale: një objekt bërthamor në Iran pasohet nga një objekt i ngjashëm bërthamor në Izrael brenda pak orësh.
Që nga fillimi i luftës më 28 shkurt 2026, Irani ka ndjekur një model të qëndrueshëm. Çdo përshkallëzim pritet me përshkallëzim dhe çdo goditje mbi infrastrukturën strategjike pasohet me presion mbi objektiva po aq strategjikë.
Kjo thyen modelin historik të luftërave të SHBA-së dhe Izraelit në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi kryesisht rridhte në një drejtim.
Për dekada, Uashingtoni dhe Tel Avivi përcaktuan tempon dhe kufijtë e konfliktit. Të tjerët thjesht thithnin goditjet, rikalibroheshin dhe mbijetonin. Irani e ka sfiduar këtë model duke rishpërndarë cenueshmërinë në fushëbetejë, duke zgjeruar gjeografinë e konfrontimit dhe duke refuzuar të qëndrojë brenda kufijve të paracaktuar.
Doktrina e “Të Çmendurit” dhe “Tërbimit”
Ideja ishte e thjeshtë: forca dërrmuese, disproporcionale dhe në dukje e pakontrolluar do të pengonte kundërshtarët duke e bërë koston e konfrontimit të papërballueshme. Izraeli nuk do të përgjigjej thjesht; ai do të përshkallëzonte përtej parashikueshmërisë.
Rrënjët intelektuale të kësaj qasjeje qëndrojnë pjesërisht në vetë doktrinën ushtarake izraelite. Gjatë luftës së viteve 2008–2009 në Gazë, ministrja e Jashtme e asaj kohe, Tzipi Livni, e artikuloi këtë logjikë me terma të qartë:
“Izraeli nuk është një vend mbi të cilin lëshohen raketa dhe ai nuk përgjigjet. Është një vend që kur qëllohet mbi qytetarët e tij, ai përgjigjet duke u ‘tërbuar’ (going wild) dhe kjo është një gjë e mirë.”
Kjo nuk ishte një rrëshqitje gjuhësore. Ishte një deklaratë doktrine.
Për vite me radhë, kjo funksionoi në një drejtim. Logjika nuk ishte thjesht ushtarake, por psikologjike parandalim përmes teprimit.
Një logjikë e ngjashme ishte artikuluar dekada më parë në SHBA përmes asaj që u bë e njohur si “teoria e të çmendurit” (madman theory), e lidhur me Richard Nixon-in. Ideja ishte se paparashikueshmëria e një lideri madje edhe perceptimi i iracionalitetit mund të shërbente si mjet detyrimi. Nën Donald Trump, kjo qëndrim rishfaqet në një formë më të hapur, ku paparashikueshmëria kornizohet si avantazh.
Por Irani duket se e ka brendësuar këtë logjikë dhe e ka kthyer mbrapsht. Sulmi në Dimona nuk është vetëm hakmarrje; është replikim. Teherani po aplikon të njëjtën doktrinë mbi krijuesit e saj. Goditni Natanz-in dhe Dimona nuk është më e paprekshme. Ajo që dikur ishte një doktrinë dominimi e njëanshme, po bëhet një mekanizëm përshkallëzimi i dyanshëm.
Një realitet i ri i rrezikshëm
Kjo dinamikë ka shqetësuar Uashingtonin. Mediat amerikane raportuan në mes të marsit se administrata Trump ishte paralajmëruar për hakmarrjen iraniane, por shkalla dhe koordinimi i përgjigjes i tejkaluan pritshmëritë.
Më 21 mars, Trump tregoi se Uashingtoni po konsideronte opsione për të “mbyllur” luftën, edhe pse forca shtesë u vendosën në terren.
Tërheqja do të sinjalizonte një humbje gjeopolitike; përshkallëzimi rrezikon një humbje edhe më të thellë.
Izraeli përballet me një realitet tjetër po aq të rrezikshëm.
Për kryeministrin Benjamin Netanyahu, përshkallëzimi shpesh ka shërbyer si strategji për të zvarritur krizat e brendshme. Por adoptimi i kësaj logjike nga Irani e komplikon këtë qasje. Kur të dyja palët përqafojnë përshkallëzimin si parim, parandalimi (deterrence) fillon të gërryhet.
Irani duket se po operon me një horizont më të gjatë. Aftësitë e tij shtrihen përtej shkëmbimeve të raketave, duke përfshirë ndikimin mbi pikat kyçe detare (si ngushtica Bab al-Mandeb përmes Ansarallahut) dhe aleancat rajonale.
Ironikisht, doktrina që po i jep formë luftës tani është ajo që Izraeli ndihmoi të normalizohej. Më 21 mars, Natanz-in dhe Dimonën u lidhen bashke brenda së njëjtës ditë sulmesh, ky transformim u bë i pagabueshëm.
Lufta nuk përcaktohet më nga kush përshkallëzon por nga ajo që ndodh kur të dyja palët zgjedhin, qëllimisht, të “tërbohen”. [Përktheu: Dan GASHI]
Shënim: Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të ISHGJ-së
