Sa herë që rritet presioni për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, qarqet e caktuara politike në Shkup flasin për “plane për destabilizim” nga partitë shqiptare. Edhe nxitja e zemërimit kundër pastrimit të shqiptarëve nga administrate shtetërore, ose kundër tendencave për reduktimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, mund të jetë pjesë e këtij plani, kurse Stoilkoviqi është zgjedhur vetëm si një lloj aparatçiku që kujdeset për mbarëvajtjen e këtij procesi degradues.
Nga Emin AZEMI, publicist/studjues e shkrimtar
Rasti i suspendimit të administratorëve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, e udhëhequr nga Ivan Stoilkoviq, nuk mund të trajtohet thjesht si një procedurë disiplinore e izoluar, por një tregues i qartë i tensionit politik dhe etnik që po rritet brenda strukturave shtetërore të Maqedonisë së Veriut pas ndryshimeve të fundit qeveritare.
Sikundër dihet, Ministria e Stoilkoviqit është pasardhëse e Sekretariatit për Implementimin e MO-së. Fakti që sulmet administrative po ndodhin pikërisht në këtë dikaster që është pasardhëse e Sekretariatit për Implementimin e MO-së, kjo në publik vetvetiu perceptohet si një tentativë simbolike për të zhbërë arritjet e vitit 2001. Përdorimi i arsyeve banale (si “sjellja e dyshekëve”) për të larguar kuadrot shqiptarë, tregon një qasje degraduese që synon të frikësojë dhe të demotivojë administratorët shqiptarë në sektorin publik.
Është absurde dhe iracionale që, përkundër vendimit të Agjencisë për Administratë (shkalla e dytë) që e shpalli suspendimin e parë si të padrejtë, Komisioni i Stoilkoviqit insiston në të njëjtin ndëshkim. Kjo tregon një sfidim të organeve mbikëqyrëse dhe një dëshirë për të instaluar një lloj “absolutizmi” brenda ministrisë, ku ministri vepron mbi ligjin për të realizuar agjenda partiake (shpesh të akuzuara si pro-serbe dhe pro-ruse).
Pas goditjeve të tilla që vijnë nga segmente të caktuara qeveritare, ekziston një perceptim publik në rritje se politikanët shqiptarë, të etur për të ruajtur karriget, po bëjnë lëshime strategjike që prekin thelbin e përfaqësimit etnik. Largimi i administratorëve në këtë mënyrë është një “test” – nëse kalon pa pasoja politike për Stoilkoviqin, kjo do të bëhet një praktikë standarde edhe në ministritë e tjera.
Çështja e këtyre pesë punonjësve është “llamba e kuqe” për barazinë etnike. Nëse partitë shqiptare nuk krijojnë një strategji të përbashkët (përtej ndasive pozitë-opozitë) për të mbrojtur administratën nga spastrimet selektive, procesi i degradimit të të drejtave të fituara me 2001-shin do të përshpejtohet.
Ka plot zëra që pyesin se çka do të ndodhte dhe a do të mund të ndodhte që një ministër shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë, të veprojë njësoj si Stoilkoviqi, duke i suspenduar nga puna punonjësit maqedonas? Fundja, sipas këtyre zërave, pse ndonjë ministër shqiptar nuk bën test, duke e zbatuar një praktikë të njejtë si Stoilkoviqi?
Nëse një ministër shqiptar do të guxonte të suspendonte 5 maqedonas me akuza qesharake, reagimi do të ishte i rrufeshëm: Mediat maqedonase do ta cilësonin menjëherë si “shovinizmë shqiptar”, “shkelje të shtetit të së drejtës” dhe “sulm ndaj bashkëjetesës”. Prokuroria dhe Avokati i Popullit do të aktivizoheshin brenda orëve, ndryshe nga rasti i Stoilkoviqit ku institucionet heshtin ose zvarriten.
Historikisht, administrata në Maqedoni është ndërtuar mbi një strukturë ku segmente të caktuara të fuqisë (siguria, gjyqësori, financat) kontrollohen nga elita maqedonase. Një ministër shqiptar që guxon të “pastrojë” stafin maqedonas do të përballej me sabotim total nga brenda sistemit dhe me presione të tmerrshme nga partneri maqedonas i koalicionit. Për fat të keq, shumë ministra shqiptarë ndër vite kanë vuajtur nga nevoja për t’u dukur “institucionalistë” dhe “konstruktivë” në sytë e opinionit të brendshëm (maqedponas) dhe atij ndërkombëtar. Frikë se mos etiketohen si “nacionalistë”, ministrat dhe funskonarët shqiptarë në përgjithësi, janë treguar lojalë më tepër se ç’është dashur dhe ky lojalitet pastaj nuk është përkthyer në mirënjohje shtetërore për ruajtjene kohezionit të brendshëm etnik e social. Përkundrazi, sa më shumë që janë treguar lojal shqiptarët, estabilishmenti politik maqedonas ka shfaqur mosaprovim të hapur ndaj kërkesave të shqiptarëve për status shtetmofurmues në Maqedoni.
Stoilkoviqi, nga ana tjetër, nuk ka këtë kompleks dhe nuk ka nevojë fare të dëshmojë një lloj lojaliteti ndaj shtetit për hir të kohezionit të brendshëm etnik e social. Ai vepron hapur me një agjendë që sfidon barazinë etnike, duke e ditur se ka mbrojtjen e heshtur të politikës konzervative maqedonase.
Ministrat shqiptarë në qeverinë aktuale janë në një pozicion defensiv. Ata po përpiqen të dëshmojnë se janë partnerë “të ndershëm” të Mickoskit. Prandaj një “test”, duke e zbatuar një praktikë të njejtë si Stoilkoviqi, do të nënkuptonte prishjen e koalicionit dhe daljen nga pushteti. Shumë politikanë shqiptarë preferojnë të gëlltisin poshtërimin e administratorëve të tyre sesa të rrezikojnë postet, ndërkohë që Stoilkoviqi nuk po vepron vetëm; ai ka mbështetjen e heshtur të frymës aktuale qeveritare që kërkon “disiplinimin” e shqiptarëve në administratë.
Nëse Stoilkoviqi lejohet ta bëjë këtë pa një përgjigje reciproke apo një veprim që do të shpiente në krizë qeveritare nga ministrat shqiptarë, krijohet një precedent i rrezikshëmpër faktin se barazia etnike shndërrohet në një dhuratë që ministrat maqedonas mund ta tërheqin kur të duan.
Prandaj, është shumë e rëndësishme të thuhet se zgjidhja nuk është që ministrat shqiptarë të sillen si Stoilkoviqi (duke dëmtuar punonjësit maqedonas), por që ata të kushtëzojnë qëndrimin në qeveri me shkarkimin e ministrave që shkelin ligjin dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Spastrimi i administratës shtetërore nga kuadrot shqiptare sipas recetës së Stoilkoviqit, mund të jetë uvertyrë e një krize të re politike në vend, duke i zëvendësuar temat e integrimit dhe zhvillimit ekonomik me çështje që Maqedonisë do t’i krijonte alibinë e largimit nga axhenda integruese evropiane. Edhe në të kaluarën kanë ndodhur manovrimet e tilla të konjukturave politiek e shtetërore maqedonase. Ngjarjet e Bit Pazarit të 6 nëntorit 1992, ku mbetën të vrarë katër qytetarë shqiptarë nga policia maqedonase, u shfrytëzuan si një “alibi” kyçe nga udhëheqja e atëhershme politike (veçanërisht presidenti Kiro Gligorov) për të dramatizuar rrezikun e një konflikti të brendshëm etnik dhe për të kërkuar anëtarësim më të përsçpjetuar të Maqedonbisë në OKB. Vetëm katër ditë pas ngjarjeve, më 11 nëntor 1992, presidenti i atëhershëm i kërkoi zyrtarisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së dërgimin e vëzhguesve për të parandaluar përhapjen e luftërave jugosllave në Maqedoni. Për pasojë, ngjarja u paraqit si dëshmi se vendi ishte buzë luftës civile etnike dhe se pa prani ndërkombëtare, stabiliteti i rajonit ishte në rrezik.
Rezultati: Më 11 dhjetor 1992, OKB-ja miratoi zgjerimin e mandatit të UNPROFOR-it në Maqedoni (më vonë UNPREDEP), duke shënuar herën e parë që OKB-ja dërgonte trupa parandaluese në një shtet.
Udhëheqja maqedonase e përdori pasigurinë e brendshme për të bindur fuqitë e mëdha se njohja e shpejtë ndërkombëtare ishte e vetmja mënyrë për të parandaluar shpërthimin e dhunës. Duke projektuar imazhin e një vendi të brishtë që mund të destabilizonte Ballkanin, ata arritën të anashkalonin veton greke për emrin dhe të pranoheshin në OKB më 8 prill 1993, nën referencën e përkohshme (FYROM).
Ndërsa ngjarja u përdor si alibi për sigurinë ndërkombëtare, ajo shërbeu gjithashtu si një mjet për disiplinimin e faktorit politik shqiptar brenda vendit, duke i akuzuar ata për “separatizëm” dhe destabilizim në një moment kritik për shtetin.
Në këtë kontekst, Bit Pazari i vitit 1992 shpesh cilësohet si një skenar i organizuar ose i shfrytëzuar politikisht për të krijuar një “krizë të kontrolluar” , kjo shërbeu për t’i paraqitur shqiptarët si element “destabilizues” dhe “rebelë” që sulmojnë rendin shtetëror. Dhe si “nus –produkt” ishte e ashqtuquajtura “Afera e Armëve” (nëntor 1993) e cila erdhi saktësisht një vit pas Bit Pazarit. Autoritetet maqedonase arrestuan figura të larta politike shqiptare n; radh;t e partisë s atëhershme – PPD, duke i akuzuar për formimin e një “ushtrie ilegale” që po e rrezikonte dhe destabilizonte shtetine Maqedonisë.
Paradkosalisht, ekziston një ngjashmëri drastike dhe ciklike midis strategjisë së viteve ’90 dhe retorikës aktuale në Maqedoninë e Veriut. Në të dyja rastet, “kërcënimi shqiptar” përdoret si një perde tymi për të mbuluar dështimet diplomatike ose për të shmangur obligimet e rënda ndërkombëtare.
Sa herë që rritet presioni për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, qarqet e caktuara politike në Shkup flasin për “plane për destabilizim” nga partitë shqiptare. Edhe nxitja e zemërimit kundër pastrimit të shqiptarëve nga administrate shtetërore, ose kundër tendencave për reduktimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, mund të jetë pjesë e këtij plani, kurse Stoilkoviqi është zgjedhur vetëm si një lloj aparatçiku që kujdeset për mbarëvajtjen e këtij procesi degradues.
Duke zhvendosur vëmendjen nga fakti që Shkupi nuk po i plotëson kushtet e kornizës negociuese, gjegjësisht nuk po ka vullnet të ballafaqohet me kërkesat e Sofjes, si parakusht për integrim në BE, prodhohen kriza të tilla artificiale ku, si gjithmonë, shqiptarët paraqiten fajtorë kujdestarë!
Shkup, 19 mars 2026
