Nga Dan GASHI / Njujork
Për të kuptuar sado pak realitetin e ri se në çfarë niveli e kanë ngritur mashtrimin dhe manipulimin elita politike në bashkëpunim me atë financiare, mjafton të shohim çfarë ndodhi sot në bursat e këmbimit. Dikush brenda kampit të Trump e çoi manipulimin e tregut në një nivel të ri.
Tregu i bursave (Stock Exchange) u hap me pretendimin e zakonshëm të legjitimitetit dhe besueshmërisë, si dhe nën hijen e errët të luftës në Lindjen e Mesme — konkretisht me afatin e skadimit të kërcënimit të SHBA-së për një sulm shkatërrues ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit. Ndërkohë, erdhi një sinjal paraprak dhe fill pas tij, në orën 7:04 të mëngjesit (sipas kohës lindore), Presidenti i Shteteve të Bashkuara deklaroi se SHBA-ja dhe Irani ishin angazhuar në diskutime produktive për t’i dhënë fund luftës. Brenda gjashtë minutash, vlera e indeksit “S&P 500” u rrit me 240 pikë. Një shtesë prej 2 trilionë dollarësh në kapitalizimin e tregut erdhi si rezultat i një deklarate të vetme.
Njëzet e shtatë minuta më vonë, Irani mohoi të ishte i angazhuar në bisedime. Manipulimi u zbulua para se tregjet të mbylleshin. Deri në orën 8:00 të mëngjesit, indeksi kishte rënë me 120 pikë, duke fshirë 1 trilion dollarë si humbje. Efekti neto ishte një luhatje prej 3 trilionësh brenda 56 minutash. Ajo që ndodhi nuk ishte një reagim i tregut ndaj lajmeve, por një manipulim në nivelin më të lartë.
Vetëm pesë minuta para njoftimit për pezullimin e sulmeve ndaj Iranit, u vendos një bast prej 1.5 miliardë dollarësh për rritjen e aksioneve, shoqëruar me një rritje prej 192 milionë dollarësh në kontratat e naftës. Këto tregtime ishin katër deri në gjashtë herë më të mëdha se çdo transaksion tjetër në treg. Nuk pati rrjedhje informacioni, as spekulime në shtyp, as indikacione publike. Të vetmit njerëz që e dinin përmbajtjen e atij njoftimi ishin në dhomë me Presidentin kur u mor vendimi. Dikush në atë dhomë njoftoi dikë jashtë. Me një transaksion të vetëm, ata fituan më shumë para sesa shumica e amerikanëve mund të imagjinojnë.
Ky nuk është një rast i izoluar. Çdo veprim i kësaj administrate, qoftë përmbysja e politikave tarifore, përshkallëzimi apo ulja e konflikteve, është lënë në hije nga transaksione të dyshimta të bëra pak minuta më parë. Ky është operacioni më i paturp i “insider trading” (tregtimit të brendshëm) në historinë e politikës amerikane. Kushdo tjetër që do të vepronte mbi bazën e një informacioni të tillë do të ndëshkohej me ligj. Megjithatë, këto figura rrethi i ngushtë dhe familja janë vendimmarrës në pararojë të luftërave, duke vënë baste miliarda dollarëshe, ndërsa asnjë agjenci nuk heton, edhe pse loja është qartësisht e trukuar.
Pas çdo krize vjen një kërcënim me një afat të ri apo një deklaratë urgjente. Tregu i naftës përgjigjet rrufeshëm dhe fitohen miliarda dollarë. Afati skadon dhe asgjë nuk ndryshon. Ekosistemi mediatik, i kalibruar për të amplifikuar çdo përsëritje, e mbulon çdo afat sikur të ishte i pari, dhe çdo krizë sikur e njëjta shfaqje të mos ishte luajtur dhjetëra herë më parë. Tregu e di me saktësi; paratë e dinë gjithashtu. E mbi të gjitha, e dinë multibiliarderët që përfitojnë në çdo baticë dhe zbaticë të bursës.
Tregu i naftës, në këtë kontekst, zbulohet për atë që ka qenë gjithmonë: një mekanizëm për transferimin e pasurisë. Ai lëviz vlerën midis atyre që kanë informacionin më të mirë dhe atyre që nuk kanë asgjë; midis atyre që formësojnë ngjarjet dhe atyre që vetëm mund të reagojnë ndaj tyre. Kur një president në detyrë mund të lëvizë kontratat e naftës me 3% përmes një postimi të sajuar, transferimi i pasurisë nuk është një produkt anësor, por qëllimi kryesor.
Sa herë që përsëritet ky mashtrim, paratë lëvizin nga të painformuarit tek ata që kanë pushtetin. Është një sistem i krijuar për shpërndarjen e pasurisë tek njerëzit e brendshëm. Arkitektura rregullatore ligjet e letrave me vlerë, SEC, statutet kundër manipulimit duket se vlen për të gjithë, përveç tyre. Nëse një menaxher fondesh do të publikonte lajme të rreme për të lëvizur tregun, do të përfundonte në gjykatë federale. Kur e bën Presidenti, quhet “politikë e jashtme”.
Ky sistem që kërkon rritje të pafundme, ndërkohë që gërryen themelet e besimit, është një paralajmërim i frikshëm për ekonominë botërore. Kur e vetmja gjë që mbështet çmimet është aftësia e të fuqishmëve për të prodhuar “realitete” minutë pas minute, llogaridhënia përfundimtare nuk do të jetë thjesht një korrigjim tregu, por një përplasje (crash) që askush nuk e ka parë ndonjëherë.
Tani që bota po kupton se si triliona dollarë janë vjedhur përmes manipulimeve nga “klasa e Epstein”, nuk ka dyshim se këto fitime do të përdoren për ta bërë sistemin edhe më të sofistikuar. Ndërkohë, faji do t’u mbetet emigrantëve apo grupeve të tjera, për të bindur popullin se xhepat ua zbrazën ata, dhe jo elita që drejton lojën.
