Nga DAN PERRY [The Jerusalem Post]
Sulmet ndaj udhëheqësve më të lartë të Iranit nga Izraeli dhe SHBA-ja sinjalizojnë një ndryshim të rrezikshëm, duke rrezikuar paqëndrueshmëri globale dhe duke i bërë të gjithë krerët e shteteve objektiva të mundshme.
28 MARS 2026,
Po jetojmë në një epokë kaq të çuditshme dhe kaq të shkëputur nga normat që kanë qeverisur prej kohësh gjeopolitikën, saqë diçka e jashtëzakonshme ka kaluar pothuajse pa u vënë re.
Për dekada të tëra, në politikën ndërkombëtare ekzistonte një rregull i pathënë: udhëheqësit e vendeve nuk vrisnin njëri-tjetrin. Kjo po shembet – dhe ndërsa logjika në rastin e Iranit duket bindëse, pasojat mund të jenë brutale.
Shfaqja e papritur e një strategie “prerjeje kokash” ( eliminim lidershipit) e përqafuar qartë nga Izraeli dhe, për rrjedhojë, nga Shtetet e Bashkuara në luftën e tyre të përbashkët – shënon një ndryshim të thellë nga mënyra se si janë sjellë edhe kundërshtarët e betuar në epokën moderne.
Dhe thuhet se ndodhi në minutën e parë të luftës, me vrasjen përmes bombardimit të udhëheqësit suprem Ali Khamenei – dhe më pas me vrasjen javën e kaluar të shefit të sigurisë Ali Larijani, i cili besohet se kishte qenë në fakt në krye të vendit në atë kohë.
Kjo është mjaft domethënëse në implikimet e saj të mundshme për të kërkuar shqyrtim si një doktrinë – një doktrinë pa precedent në epokën moderne. Shtetet kanë ndërmarrë pushtime, kanë rrëzuar qeveri dhe kanë vrarë figura ushtarake, por pothuajse kurrë nuk e kanë pranuar ose normalizuar shënjestrimin e drejtpërdrejtë të një kreu shteti. Vetë Izraeli ka vrarë udhëheqës terroristë më parë – dhe gjithnjë e më shumë pas masakrës së Hamasit më 7 tetor, e cila filloi serinë aktuale të luftërave – por jo krerë shtetesh.
Edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik i shmangen veprime të tilla. Të dyja u angazhuan në operacione të fshehta, mbështetën grushte shteti dhe u përpoqën të ndikonin ose të largonin udhëheqës të huaj përmes përfaqësuesve të tyre. Rrëzimi i presidentit kilian Salvador Allende në vitin 1973, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, është një shembull konkret; Allende u vra në grusht shteti, por jo nga amerikanët.
Normalizimi i shënjestrimit të udhëheqësve politikë
Sadam Huseini u shënjestrua gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003 dhe u ekzekutua pas një gjyqi, por gjyqi u mbajt nga një gjykatë speciale irakiane. Dhe Muamar Gadafi u vra gjatë luftës civile në Libi me përfshirjen e NATO-s – por nga një turmë vendase. Periudhat e hershme historike ofrojnë precedentë më të lirshëm, kur sundimtarët ndonjëherë vriteshin në luftë ose intriga, por nën një sistem ndërkombëtar të ndryshëm.
Edhe vrasja e Arkidukës Franz Ferdinand në vitin 1914 një vrasje që ndihmoi në ndezjen e Luftës së Parë Botërore nuk ishte shënjestrim i një kreu shteti në detyrë nga një qeveri tjetër. Ai ishte trashëgimtari i fronit austro-hungarez, i vrarë nga një konspirator nacionalist serb, jo nga një aktor shtetëror.
Në epokën moderne, udhëheqësit sovranë, sado të papranueshëm ose armiqësorë, nuk trajtoheshin si objektiva rutinë ushtarake. Kishte edhe një instinkt vetëruajtjeje në lojë: Pasi krerët e shteteve bëhen objektiva legjitime, të gjithë krerët e shteteve bëhen objektiva legjitime. Mund të mos ketë fund kjo gjë.
Në fakt, tani po shtohen frikat se udhëheqësit amerikanë ose izraelitë mund të bëhen shënjestra. Irani ka kërcënuar Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe ka raportime për kërcënime me dronë kundër zyrtarëve të tij të lartë. Për më tepër, krahu antiamerikan dhe antisionist i mediave sociale është plot me pretendime të rreme, të cilat disa i besojnë vërtet, se Kryeministri Benjamin Netanyahu është shënjestruar dhe vrarë.
Duket e sigurt të thuhet se niveli i kërcënimit për çdo udhëheqës të çdo vendi që udhëton tani nëpër botë është rritur ndjeshëm dhe përfundimisht një sulmues mund të ketë sukses. Ata – dhe mbështetësit e tyre – do të jenë po aq të bindur për drejtësinë e kauzës së tyre sa ata që mbështesin vrasjen e Khameneit.
Pra, a ishte ky një veprim i zgjuar?
Argumenti i legjitimitetit është joshës, por i rrezikshëm. Shumë do të argumentonin se një mori diktatorësh në të gjithë botën, që nxisin luftëra dhe qëndrojnë në pushtet përmes shtypjes dhe vrasjeve masive, “meritojnë” të largohen nga skena. Por veçanërisht në një botë kaq të polarizuar sa e jona, do të ketë shumë të tjerë që janë cinikë ndaj Perëndimit dhe do të gëzoheshin për vrasjen e udhëheqësve të tij të zgjedhur.
Ndonjëherë mund të argumentohet se qëllimi justifikon mjetet. Lidershipi ka rëndësi dhe sistemet që duken të qëndrueshme mund të jenë të brishta nën sipërfaqe. Hiqni figurat kyçe dhe ndoshta ato mund të shemben mes një gëzimi të përgjithshëm.
Ka raste të rralla, por ekzistojnë kur mund të formohet një konsensus rreth dëshirueshmërisë dhe legjitimitetit të ndërhyrjes së këtij lloji. Rasti konkret është Adolf Hitleri: regjimi nazist ishte mjaftueshëm monstruoz sa për të justifikuar ndërhyrjen, dhe i gjithë parimi i tij organizues varej nga një njeri i vetëm.
Në rastin e Iranit, mund të jetë e mundur të argumentohet se kushti i parë është përmbushur – jo vetëm për shkak të represionit të brendshëm, por edhe për shkak të këmbënguljes për të eksportuar revolucionin xhihadist te fqinjët përmes milicive. Por kushti i dytë mund të mos jetë – ka pak arsye për të besuar se Khamenei personalisht ishte kritik për mbijetesën e aparatit të Republikës Islamike.
Mesazhi u drejtohet edhe aktorëve të tjerë – ndoshta kryesisht ushtrisë, me shpresën se do të organizojë një grusht shteti. Por ekziston edhe mundësia që në situata të tilla, kushdo që futet në një pozicion kaq të rrezikshëm të jetë po aq fanatik sa të ndjerët, ose edhe më keq.
Regjimi iranian mund të shembet, por mund edhe të dyfishojë ndikimin e tij. Udhëheqja e mbetur duket se po vë bast se mund t’i trondisë tregjet e naftës aq shumë sa Trumpi përfundimisht ta ndalojë këtë proces.
Cilat janë mësimet e nxjerra?
Nëse objektivi është që Iranit t’i imponohen kushte dorëzimi ose të rrëzohet regjimi, vetëm “prerja e kokës” ndoshta nuk do të mjaftojë. Një sistem si ai i Iranit do të bjerë vetëm kur të mos funksionojë më – kur të mos mund t’i shtypë apo t’i paguajë njerëzit e tij. Kjo kërkon një vizion të besueshëm për atë që do të pasojë.
Shtetet e Bashkuara duhet të kishin përgatitur themelet shumë kohë përpara nisjes së luftës, duke u siguruar që kur sistemi të pësonte goditjen e parë, burra me armë të merrnin kontrollin, të mbështetur nga populli. Protesta të tilla do të kërkonin një grup të ri figurash civile dhe ushtarake që paraqiten si strukturë tranzicioni drejt demokracisë.
Në fakt, kjo është e mundur në Iran, sepse pjesa më e madhe e shoqërisë është mjaft moderne. Një version i kësaj mund të funksionojë ende në të ardhmen.
Dhe nëse ndodh, do të jetë thelbësore të përçohet mesazhi se gjithçka në lidhje me këtë luftë ishte një përjashtim. Nuk ka asnjë avantazh në normalizimin e vrasjes së udhëheqësve. Nëse kjo bëhet mjet i qeverisjes, çdo udhëheqës është një shënjestër. Kjo do të shkatërrojë ekuilibrin e brishtë që e ka mbajtur botën disi të qëndrueshme.
Shënim: DAN PERRY është ish-redaktori i Associated Press për Lindjen e Mesme me qendër në Kajro dhe redaktori i Associated Press për Evropën/Afrikën me qendër në Londër, ish-kryetar i Shoqatës së Shtypit të Huaj në Jerusalem dhe autor i dy librave. [Përktheu: Dan GASHI]
