Nga Bislim ELSHANI
Para ca ditësh njëri ndër vizitorët e ngeshëm të postimeve të mia , duke iu referuar një citati të publikuar prej meje, bëri një koment ku ndër të tjera e cilësonte Marksin si një mashtrues.
Fillimisht mu kujtua një vërejtje e dikurshme e hollë e diplomatit Viktor Çami mbi kakofoninë propagandistike që kishte kapluar opinionin publik shqiptar në vitet 90. Kur dikush deklaroi se mediat ua kishin bërë mendjen çorbë shqiptarëve, ai tha se “atë detyrë kanë” dhe se gjithkush ka të drejtë të hedhë rrjetën e mashtrimit në gjol për të zënë sa më shumë peshq. Puna është se kush do të zërë më shumë! (parafrazimi im, BE). Sa shumë ngjan ajo periudhë me këtë që po kalojmë sot, kur idiotizmi ka pushtuar mediat dhe ku thirrjet për dhunë janë bërë më të zakonshme se thirrjet për koncert apo për ndeshje futbollistike.
Por t’i kthehemi Marksit: mund të mos pajtohemi me ata që e kanë zbatuar në praktikë filozofinë politike të Marksit (disa thonë se vetë Marksi ishte më së paku marksist), mirëpo duhet të jesh shumë mendjelehtë për ta quajtur “mashtrues” një filozof që i ka dhënë vulën mendimit filozofik të pothuajse dy shekujve, 19 dhe 20. Në anën tjetër, gjithë filozofia e sotme postmoderniste e poststrukturaliste, sipas Terry Eagletonit, s’është veçse një replikë ndaj marksizmit (bëhet fjalë jo vetëm për shkollën e Frankfurtit, por edhe për shumë dijetarë të tjerë si Fuko, Derrida, Burdie, Badju, Çomski, Althuser, e të mos përmendim figura te tilla të shquara si Zhizhek, Eagleton, Jameson, Anderson, Varoufakis e shumë të tjerë).
Zotëria tha se Marksi ishte mashtrues. OK, por a s‘janë mashtrues të gjithë filozofët, që nga Platoni e këtej? Kush mund të pretendojë se e ka zbuluar të vërtetën absolute? A nuk janë mashtrues edhe të gjithë ndjekësit e teorive konspirative, të komplotit global të çifutëve, të Rotshildëve e të ndonjë Bilderbergu fantazmagorik? Marksi krijoi utopinë komuniste të barazisë së plotë sociale. Mirëpo barazinë e të gjithë njerëzve para zotit në utopinë parajsore e shpiku i pari Jezu Krishti dhe jo Marksi. Ai u tha fukarenjve: kush vuan në këtë botë do të shpërblehet me parajsë në botën tjetër. Para zotit të gjithë jemi të barabartë, dhe më parë hyn devja përmes vrimës së gjilpërës se sa zengjini në parajsë. Pra rezulton që komunisti (mashtruesi) i parë në botë ishte Jezu Krishti! Dhe çfarë bëri Marksi me mashtrimin e Jesuit? Ai u tha besimtarëve fukarenj: Nuk ka zot dhe as ferr e parajsë, ndërsa parajsën që duam do ta kemi në këtë botë, qoftë përmes ligjeve ekonomike e dialektike, qoftë përmes revolucionit. E vetmja gjë që mund të themi sot është se “mashtrimi” i Jesuit ishte simplist dhe primitiv, ndërsa ai i Marksit tejet i sofistikuar dhe shkencor (sepse shërbehej me të dhëna të sakta ekonomike e statistikore). Mirëpo as Jesuit dhe as Marksit nuk mund t’i mohohen qëllimet humaniste, dhe përpara se për mashtrim, mund të akuzohen thjesht për iluzione.
Mashtrimet, në anën tjetër, nuk janë të gjitha të njëllojta, të këqija apo të dëmshme. Ka përplot mashtrime të lezetshme, psh. të ashtuquajturat surpriza që ua bëjmë të dashurve, ose mashtrimi i fëmijëve për t’i ruajtur nga ndonjë e keqe. Projekti komunist për të punuar natë e ditë për cakun e largët të shoqërisë pa shtet e pa klasa rezultoi thjesht një utopi që faktorin ekonomik e cilësoi si një makinë të sigurt drejt komunizmit, dhe që rezultoi i gabuar, por jo edhe mashtrim, sepse Marksi besonte sinqerisht në drejtësinë dhe moralitetin e qëllimeve të tij në dobi të njerëzimit. Në filozofi, ashtu si dhe në shumë fusha të tjera të kulturës e të artit, rëndësi prioritare ka mënyra se si përshkruhet apo argumentohet, dhe jo qëllimi final. Në art, bukuria e rrëfimit, ndërsa në filozofi e në shkenca, fuqia e argumentimit. Fakti se utopia marksiste dështoi nga fitorja e botës kapitaliste pas Luftës së Ftohtë dhe nga realitetet e krijuara pas saj nuk ia ulë aspak vlerën filozofisë së Marksit. Filozofi grek, Yanis Varoufakis, në librin e tij për teknofeudalizmin, të shkruajtur në një formë polemike plot nostalgji e mirëkuptim me babain e tij të vdekur, i cili kishte shkuar “në atë botë” me ëndrrën e parealizuar të shembjes së kapitalizmit, vërteton me argumente të fuqishme se po, kapitalizmi kishte vdekur. Mirëpo jo ashtu siç kishte ëndërruar Marksi dhe pasardhësit e tij. Bashkë me babain e tij. Kapitalizmi kishte vdekur aktualisht nga feudalizmi qiellor i reve (kapitali cloud), një çiflig i pakufishëm ku e kanë shtrirë sundimin e tyre teknofeudalët modernë si Amazoni, Ali Baba, Netflix, AIRbnb, Spotify, Google, Facebook etj., të cilët na manipulojnë për çdo ditë për të na bërë myshterinj të tillë që synimet e tyre për përfitime t’i perceptojmë e t’i përkthejmë ne vetë si nevoja tona të domosdoshme jetësore. Kështu që në vend të projektit të individit të lirë e të pavarur marksist, tani kemi pseudo-individët e manipuluar të gjeneratës Z. Varoufakis thotë edhe një gjë paradoksale: do të vijë koha kur vetë prodhuesit kapitalistë do të hyjnë në aleancë me punëtorët për të luftuar teknofedualizmin.
Një mik i gjeneratës së të burgosurve politikë të viteve 80 më akuzoi se kisha braktisur marksizmin dhe isha bërë me liberal se liberalët.
Përgjigja ime është se kam braktisur jo marksizmin, por të gjitha izmat tjera të kësaj bote. Por ky fakt nuk më bën që të humbas respektin as për marksizmin dhe as për filozofitë e teoritë tjera të të gjitha kohëve, që nga parasokratikët e deri më sot. Të gjitha kishin paragjykime e teori të gabuara, por të gjitha meritojnë respektin për faktin që i shtynë rrotat e dijes përpara që gjeneratave të ardhme t’ua bëjnë më të kollajtë zgjidhjen e problemeve të tyre dhe të kohës së tyre. Marksizmi nuk ishte një teori e ngurtë dhe e padiskutueshme. Dhe pikërisht gjatë diskutimit të tij lulëzuan pikëpamje e filozofi të reja të krijuara kryesisht gjatë replikimit apo kundërshtimit të tij. Ndër më interesantët e më të argumentuarit më është dukur kundërshtimi që i bëjnë materializmit dialektik dhe marksizmit Sartri dhe Kamyja. Mirëpo as njëri dhe as tjetri nuk e hedhin poshtë marksizmin, por e trajtojnë me respekt, si çdo sistem tjetër filozofik.
Më la përshtypje një fakt interesant: në universitetet zvicerane njëra ndër lekturat e domosdoshme që u rekomandohet studentëve është edhe romani i autorit francez Didier Eribon “Kthimi në Reims”. Ky roman autobiografik, akoma i papërkthyer në shqip, bën fjalë për kthimin e vonshëm të autorit nga Parisi në vendlindjen e tij në një provincë franceze nga e cila ishte shkëputur në të gjitha kuptimet, fizikisht, kulturalisht dhe filozofikisht. Mirëpo gjatë kthimit ai zbulon një fakt: ato që i kishin thënë kolegët universitarë të poststrukturalizmit në Paris i dolën të gjitha “mashtrime”! Nën ndikimin e tyre ai ishte bindur se problemet e tij në jetë ishin identitare, ato e kishin burimin tek orientimi i tij homoseksual. Vetëm me t’u kthyer në vendlindje ai e kupton se ajo që kishte vulosur fatin e tij ishte prejardhja klasore (proletare) përpara çdo zgjidhjeje tjetër që kishte bërë në jetë. Kështu që kthimi në Reims në fakt ishte kthimi te Marksi.
Gjatë leximit të tij mu desh të kuptoja prejardhjen time klasore nën titizmin, ku edhe po të kisha kushedi çfarë vlerash intelektuale nuk do të depërtoja dot në qerthullin elitar të Prishtinës të mbushur me horra e mediokër. Mu kujtua edhe Ukshin Hoti, të cilit në aktgjykimin e gjykatës së qarkut në Prizren, në rubrikën përkatëse të gjendjes ekonomike i shkruante: “Rrjedh nga një familje e varfër”, dhe që me gjithë përvojën e tij të shkëlqyer diplomatike dhe të bibliotekës së Harvardit, iu desh të duronte taktikat serbe, të mbështetura edhe nga kolegët e tij në Prishtinë, të izolimit e të detyrimit për t’u marrë me mbijetesën fizike në vend se me shkencën. Vetëm nga një bisedë televizive të z. Nenad Çanak kuptova se taktikat e tilla ishin përpunuar dhe kthyer në shkencë nga organet represive staliniste e titiste në detyrimin e kundërshtarëve politikë që të merren me hallet e tyre jetësore në vend se me kundërshtimin disidentist të politikave zyrtare. Metoda, që burimin e kishte te shërbimi sekret i Gjermanisë lindore (STAS-i), quhej Zersetzung, që do të thoshte “shthurje” ose “shpërbërje”, në kuptimin që individi të zhvishej nga personaliteti e individualiteti, dhe të kthehej ne një qenie pa identitet që lufton thjeshtë për mbijetesë. Pikërisht këto metoda staliniste përqafohen sot edhe nga shumë demokraci liberale apo në tranzicion: kundërshtarët politikë i detyrojnë të merren me hallet e tyre jetësore në vend se me opozitarizëm.
Mirëpo personi që më nxiti të bëj këtë shënim nuk është as i vetmi dhe as më i egri në diskualifikimin moral të Marksit. Një shkrimtar i shquar kosovar, njëkohësisht edhe akademik, shkroi para ca vitesh një tregim në të cilin e hedh në pusin e kalasë së Rozafës marksistin e fundit të Shkodrës (Sic!).
Do të ishte për të qeshur, po të mos pasqyronte ky fakt mjerimin intelektual ku ndodhet sot shoqëria kosovare që nuk po i jep dot zgjidhjen e duhur problemeve që i dalin përpara.
