Nga Dr. Gurakuç KUÇI
𝘛𝘳𝘢𝘻𝘪𝘳𝘢𝘵 𝘦 17–18 𝘮𝘢𝘳𝘴𝘪𝘵 2004 𝘶 𝘪𝘯𝘪𝘤𝘪𝘶𝘢𝘯 𝘯𝘨𝘢 𝘚𝘦𝘳𝘣𝘪𝘢 𝘥𝘩𝘦 𝘮𝘢𝘯𝘪𝘱𝘶𝘭𝘶𝘢𝘯 𝘻𝘦𝘮ë𝘳𝘪𝘮𝘪𝘯 𝘦 𝘮𝘢𝘴ë𝘴 𝘱ë𝘳 𝘵ë 𝘬𝘳𝘪𝘫𝘶𝘢𝘳 𝘯𝘫ë 𝘨𝘫𝘦𝘯𝘥𝘫𝘦 𝘵ë 𝘳𝘦 𝘯ë 𝘒𝘰𝘴𝘰𝘷ë, 𝘲ë 𝘬𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘵ë 𝘣ë𝘯𝘵𝘦 𝘮𝘦 𝘬𝘢𝘯𝘵𝘰𝘯𝘪𝘻𝘪𝘮𝘪𝘯 𝘦 𝘴𝘢𝘫. 16 𝘴𝘩𝘵𝘢𝘵𝘰𝘳𝘪 2026 𝘮𝘶𝘯𝘥 𝘵ë 𝘬𝘦𝘵ë 𝘲𝘦𝘯ë 𝘳𝘢𝘴𝘵𝘪 𝘪 𝘥𝘺𝘵ë 𝘱ë𝘳 𝘬𝘳𝘪𝘫𝘪𝘮𝘪𝘯 𝘦 𝘯𝘫ë “𝘔𝘢𝘳𝘴𝘪 2”, 𝘮𝘦 𝘴𝘺𝘯𝘪𝘮 𝘥𝘰𝘣ë𝘴𝘪𝘮𝘪𝘯, 𝘯𝘥𝘢𝘳𝘫𝘦𝘯 𝘥𝘩𝘦 𝘴𝘩𝘧𝘶𝘲𝘪𝘻𝘪𝘮𝘪𝘯 𝘦 𝘴𝘩𝘵𝘦𝘵𝘪𝘵 𝘵ë 𝘒𝘰𝘴𝘰𝘷ë𝘴, 𝘥𝘶𝘬𝘦 𝘯𝘫𝘰𝘭𝘭𝘰𝘴𝘶𝘳 𝘭𝘶𝘧𝘵ë𝘯 𝘦 𝘜Ç𝘒-𝘴ë, 𝘴𝘩𝘵𝘦𝘵𝘪𝘯 𝘦 𝘒𝘰𝘴𝘰𝘷ë𝘴 𝘥𝘩𝘦 𝘴𝘩𝘲𝘪𝘱𝘵𝘢𝘳ë𝘵, 𝘴𝘪 𝘢𝘬𝘵𝘰𝘳ë 𝘮𝘦 𝘲ë𝘭𝘭𝘪𝘮𝘦 𝘬𝘶𝘯𝘥ë𝘳 𝘬𝘰𝘮𝘶𝘯𝘪𝘵𝘦𝘵𝘪𝘵 𝘴𝘦𝘳𝘣.
***
Planet për ndarjen dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës duket se janë kalkuluar edhe me revoltën e pritshme të qytetarëve pas shpalljes së dënimeve për krerët të UÇK-së në Hagë. Një reagim në afekt, nxitje e orkestruar dhe manipulim emocional sipas modelit të trazirave të marsit 2004, do të ishte skenari më fatal kundër Kosovës.
Se cilat ishin synimet e Serbisë me trazirat e marsit 2004 mund të lexoni më shumë këtu.
Dobësimin e sovranitetit të Kosovës dhe paraqitjen e serbëve në Kosovë si pre e “spastrimit etnik”, Serbia ka kohë që është duke e bërë me një dinamikë të shtuar.
Kur kemi parasysh se në Kosovë janë kapur spiunë të BIA-s, të cilët kishin plane të nxisnin trazira ndëretnike duke provokuar situatën dhe pastaj pala tjetër do t’i “hidhte benzinë”, atëherë 16 shtatori, në ditën kur vendimi për ish-krerët e UÇK-së do të ishte dënues, mund të ketë qenë ajo ditë për realizimin e një “Marsi 2”.
Rreziku ishte që zemërimi i krijuar në Kosovë të shfrytëzohej për të provokuar një incident ndëretnik: protesta të devijuara drejt zonave me shumicë serbe ose objekteve të Kishës Ortodokse, përplasje, viktima dhe më pas ndërkombëtarizim të menjëhershëm të krizës. Një skenar i tillë do ta zhvendoste brenda pak orësh debatin nga padrejtësia e Hagës te pyetja nëse Kosova është e aftë t’i mbrojë serbët dhe trashëgiminë ortodokse. Pikërisht ky është lloji i pasojës politike që, pas marsit 2004, ushqeu planet për decentralizim etnik, autonomi, ndarje dhe më pas zhbërje të shtetit të Kosovës.
𝙑𝙪ç𝙞𝙦 𝙙𝙝𝙚 𝙞𝙣𝙛𝙤𝙧𝙢𝙖𝙘𝙞𝙤𝙣𝙚𝙩 𝙥𝙖𝙧𝙖 𝙖𝙠𝙩𝙜𝙟𝙮𝙠𝙞𝙢𝙞𝙩
Qysh më 3 shtator, trembëdhjetë ditë para aktgjykimit, Aleksandar Vuçiq deklaronte se ishte i shqetësuar për protestat në Kosovë dhe pretendonte se po paralajmërohej dhunë nëse Hashim Thaqi nuk lirohej.
Nëntë ditë më vonë ndodhi diçka edhe më e pazakontë. Më 12 shtator, Vuçiq tregoi se shërbimet serbe i kishin dhënë fillimisht informacion se Thaçi do të merrte një dënim që afërsisht do t’i mbulonte vetëm kohën e paraburgimit. Por më pas, duke iu referuar kontakteve në Paris me liderë evropianë dhe botërorë, tha se kishte marrë “indikacione tjera” se mund të jepej një dënim i rëndë.
Vizita e Vuçiqit në Paris dhe takimi i tij me Emmanuel Macron më 9 shtator janë gjithashtu të dokumentuara nga Presidenca e Serbisë.
Katër ditë më vonë, Thaçi dhe Jakup Krasniqi morën nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli 18 dhe Rexhep Selimi 13 vjetë burgim.
Kjo ngre një pyetje që nuk duhet anashkaluar: çfarë informacioni për një vendim ende të pashpallur po qarkullonte në nivelet politike dhe diplomatike?
𝙉𝙜𝙖 𝙧𝙖𝙥𝙤𝙧𝙩𝙞 𝙈𝙖𝙧𝙩𝙮 𝙩𝙚 𝙝𝙞𝙨𝙩𝙤𝙧𝙞𝙖 𝙚 𝙀𝙐𝙇𝙀𝙓-𝙞𝙩
Edhe origjina e procesit kërkon rikujtim. Mocioni i 15 prillit 2008, që dërgoi më pas te raporti i Dick Martyt, u iniciua nga Konstantin Kosachev i Rusisë; ndër nënshkruesit ishin Milosh Aligrudiq nga Serbia dhe Mikhail Margelov nga Rusia, krahas parlamentarëve nga vende të tjera.
Serbia dhe Rusia më pas vazhduan ta shtynin ndërkombëtarisht çështjen. Në prill 2011 Serbia kërkoi krijimin e një mekanizmi hetues nën autoritetin e Këshillit të Sigurimit, ndërsa më 23 qershor Rusia qarkulloi në emër të Serbisë një projekt-rezolutë për krijimin e këtij mekanizmi. Rusia vazhdoi ta mbështeste kërkesën serbe edhe në diskutimet e mëvonshme në Këshillin e Sigurimit.
Ndërkohë, gjyqtari kryesues Charles Smith kishte qenë më parë pjesë e strukturës së lartë gjyqësore të EULEX-it. Sipas biografisë zyrtare të Dhomave të Specializuara, ai ishte gjyqtar i EULEX-it nga viti 2010 deri më 2013, anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe më pas nënkryetar e kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.
Në vitin 2021, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, në një çështje tjetër para Speciales kërkoi përjashtimin e tij, duke iu referuar pretendimeve të ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons dhe korrespondencës elektronike lidhur me sjelljen e Smith gjatë kohës në EULEX. Vendimi zyrtar mbi kërkesën për përjashtimin e Smithit u refuzua, por konfirmon se materialet dhe pretendimet ishin paraqitur në procedurë.
Këto elemente krijojnë një konvergjencë që meriton hetim: origjina politike e çështjes, interesi afatgjatë i Serbisë dhe Rusisë, informacionet paraprake të presidentit serb, historia institucionale e gjyqtarit kryesues dhe një kontekst ku Perëndimi njëkohësisht kërkon ta mbajë Serbinë sa më larg orbitës ruse. Në vitin 2026, Serbia ka “vazhduar” rrugën drejt BE-së dhe njëkohësisht ka nisur hapa për “reduktimin” e varësisë energjetike nga Rusia dhe sigurimin e furnizimeve përmes mekanizmave evropianë.
𝙉𝙟ë “𝙢𝙖𝙧𝙨 2004” 𝙞 𝙧𝙞 𝙙𝙝𝙚 𝙞𝙣𝙩𝙚𝙧𝙚𝙨𝙞 𝙥𝙖𝙨 𝙫𝙚𝙣𝙙𝙞𝙢𝙞𝙩
Pyetja më e rëndë, megjithatë, është ajo që vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë.
Nëse zemërimi në Kosovë mbetet protestë politike, kemi krizë të drejtësisë dhe besimit. Por, nëse zemërimi tranformohet në dhunë kundër serbëve ose kishave ortodokse, atëherë kemi diçka tjetër: një krizë sigurie që mund të përdoret për të rikthyer argumentin se Kosova nuk mund të funksionojë si shoqëri multietnike dhe se duhet një zgjidhje tjetër.
Këtë model Kosova e ka parë njëherë, në marsin e vitit 2004. Prandaj, pyetja sot nuk është vetëm se çfarë vendosi Haga.
Pyetja është se çfarë skenarësh mund të ishin kalkuluar me vendimin e Dhomave të Specializuara. Nëse planet tashmë kanë dështuar – dhe me sa duket po – atëherë në apel mund të kemi një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së. Mirëpo, mbetet në detyrën tonë si shtet dhe shoqëri që këto plane t’i mbajmë të dështuara. Në këtë drejtim, do të duhej shikuar mundësitë që Oda e Avokatëve të Kosovës ta mbështesë mbrojtjen në Hagë përmes një ekipi të specializuar për analizën e aktgjykimit, identifikimin e gabimeve juridike e faktike, kërkimin e jurisprudencës, shqyrtimin e provave të reja dhe simulimin e seancave të apelit. Ajo mund të kërkojë edhe status amicus curiae, pasi Rregulla 67 e Rregullores së Procedurës dhe Provave lejon që një organizatë ose person të kërkojë leje ose të ftohet nga paneli për të paraqitur vërejtje si amicus curiae, ndërsa drejtimin procedural e mban ekipi mbrojtës në Hagë.
