[Foto: Vali Nasr është profesor i studimeve të Lindjes së Mesme në Universitetin Johns Hopkins.]
Vali Nasr është një nga ekspertët kryesorë të Iranit në SHBA. Në këtë intervistë, profesori i Universitetit Johns Hopkins shpjegon se çfarë mund të arrijë përforcimi ushtarak i Trump në Lindjen e Mesme dhe si mund të vijë ndryshimi nga brenda.
Nga Christian Weisflog, Washington [NZZ] / 01.02.2026, 15.25
Z. Nasr, Donald Trump fillimisht u bëri thirrje protestuesve në Iran të përmbysin regjimin. Tani ai dëshiron ta detyrojë Teheranin të negociojë një marrëveshje të re bërthamore. Cili është qëllimi i tij i vërtetë?
Askush nuk e di. Dhe kjo është pjesë e problemit. Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve SHBA-Iran, Trumpi kërcënoi hapur me ndërhyrjen ushtarake për shkak të trazirave të brendshme. Ideja ishte të detyronte ndryshimin e regjimit duke përdorur sulmet ajrore amerikane për ta privuar Republikën Islamike nga aftësia e saj për të shtypur protestat. Por më pas Trumpi nuk bëri asgjë. Tani ai dëshiron ta detyrojë Iranin të ulet në tryezën e negociatave me një armatë trupash dhe nuk po flet për të drejtat e njeriut apo demokracinë. Brenda një jave, objektivi i SHBA-së ka ndryshuar.
Le të supozojmë se Trumpi tani dëshiron të negociojë. A mund ta detyrojë vërtet Iranin të bëjë lëshime me kërcënimin e forcës ushtarake?
Presioni sigurisht që mund të ndihmojë. Në vitin 2015, presioni ekonomik i solli gjithashtu iranianët në tryezën e negociatave. Por nëse qëllimi i Trumpit është ta detyrojë Iranin të kapitullojë në negociata, atëherë nuk besoj se ai do të ketë sukses. Është e pamundur që Irani të braktisë plotësisht pasurimin e uraniumit, programin e tij të raketave dhe politikat e tij rajonale. Regjimi nuk do t’i mbijetonte një kapitullimi. Do të ishte një fund i turpshëm për dyzet vjet rezistencë kundër Amerikës. Regjimi ka disa vija të kuqe në lidhje me pasurimin e uraniumit, programin e tij të raketave dhe interesat e tij rajonale. Iranianët gjithashtu duan një marrëveshje me shkrim. Sepse ekziston një çështje besimi. Ata kishin një marrëveshje me SHBA-në dhe e respektuan atë. Trumpi u tërhoq. Pastaj ata negociuan përsëri me të (vitin e kaluar) dhe ai i dha Izraelit dritën jeshile për të shkatërruar në thelb atë që po negocionin. Por është e qartë: Iranianët nuk duan luftë. Dhe toni i ndryshuar i Trumpit sugjeron se as ai nuk dëshiron luftë. Postimi i tij në Truth Social ishte shumë kërcënues, por mund të interpretohet edhe ndryshe: “Mund të bëj gjëra vërtet të këqija, por ju lutem mos lejoni që të vijë deri aty, uluni në tryezën e negociatave.”
Uashingtoni po kërkon mbi të gjitha tri gjëra: asnjë pasurim të uraniumit, një program të kufizuar raketash dhe asnjë mbështetje për milicitë e huaja. Ku i shihni vijat e kuqe të Iranit?
Aktualisht, iranianët nuk po pasurojnë uranium. Por ata këmbëngulin në të drejtën për ta bërë këtë. Një kompromis i mundshëm do të ishte pasurimi në një konsorcium me fuqi të tjera rajonale. Ata ndoshta do të ishin gjithashtu të gatshëm të hiqnin dorë nga 400 kilogramët e uraniumit të pasuruar shumë, por vetëm për lëshime të prekshme. Uraniumi vlen shumë miliarda dollarë dhe prodhimi i tij zgjati me vite. Meqenëse pjesa tjetër e programit të tyre bërthamor u bombardua, kjo është monedha e tyre më e fortë e negociatave. Çështja e raketave është më e vështirë. Me dobësimin e Hezbollahut në Liban dhe rënien e regjimit të Asadit në Siri, raketat janë mjeti i vetëm i mbetur i mbrojtjes së Iranit. Problemi i milicive, nga ana tjetër, praktikisht është zgjidhur vetë. Ushtarakisht, vetëm milicia Huthi në Jemen ende luan një rol. Hezbollahu nuk përbën më një kërcënim për Izraelin. Por në këtë fazë, përparësia është ndërtimi i besimit për negociatat mbi çështjen bërthamore përpara se të adresohen raketat. Me zero besim, Amerika nuk mund të kërkojë gjithçka nga Irani menjëherë.
Nëse diplomacia dështon, cilat do të jenë opsionet ushtarake të Trumpit?
SHBA-të mund të sulmojnë ose edhe të pushtojnë objektet iraniane të naftës. Irani, nga ana tjetër, do të synojë infrastrukturën e naftës së vendeve të tjera në rajon. Nëse Trumpi zgjedh një ofensivë të madhe, regjimi mund të shembet. Por Teherani gjithashtu mund të hakmerret kundër objektivave në Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe ose Arabinë Saudite. SHBA-të kanë 35,000 trupa të stacionuara në rajon. Ky është i gjithë territor i paeksploruar. Ofensiva izraelite vitin e kaluar ishte kryesisht e suksesshme. Ishte një fitore. Por izraelitët u habitën që Garda Revolucionare nuk u shemb dhe filluan të sulmonin objektiva në Izrael që të nesërmen. Ata goditën Haifën dhe Tel Avivin fuqishëm. Pothuajse i gjithë arsenali izraelit i raketave anti-ajrore u shkatërrua. Një sulm ndaj një anijeje amerikane në Gjirin Persik mund të përshkallëzohet në një konflikt krejtësisht të ndryshëm. Nëse regjimi do të shembet, administrata Trump nuk ka ide se çfarë do të pasojë. Nuk ka alternativë ndaj Republikës Islamike. Nëse vendi shpërbëhet si Siria ose Libia, kjo paqëndrueshmëri do të ndikojë në çmimet e energjisë dhe te ekonomitë e shteteve të Gjirit. Kjo është arsyeja pse ata po përpiqen me dëshpërim të gjejnë një zgjidhje diplomatike.
Megjithatë, regjimi u duk mjaft i pambrojtur në luftën kundër Izraelit. Sa më shumë dëme mund t’u shkaktonte vërtet armiqve të tij?
Shtetet e Bashkuara mund ta shkatërrojnë Iranin. Shumë ekspertë ushtarakë në Uashington e thonë këtë. Dhe kjo është e vërtetë. Por SHBA-të dhe Presidenti Trump duhet të jenë të qartë për pikën e tyre të thyerjes. A janë tre amerikanë të vdekur, 300 apo 15,000? Irani thotë: “Mund të na vrisni, por ne jemi të aftë t’ju plagosim shumë herë”. Irani nuk ka pse ta mposhtë SHBA-në. Mjafton nëse regjimi është i aftë të kërkojë një çmim nga amerikanët. Kjo është arsyeja pse Trumpi ende nuk ka zgjedhur luftën. Ai i kupton rreziqet e larta. Ai nuk dëshiron një konflikt që përfundon duke u dukur si një luftë tjetër neokonservatore.
Shpresa mund të jetë që sulmet ndaj aparatit të sigurisë së regjimit do t’i motivojnë njerëzit për protesta të reja. Por sa guxim kanë ende iranianët pas shtypjes së përgjakshme?
Protestat nuk mund të programohen si një lëshim raketash. Iranianët janë të zemëruar, por edhe të tronditur nga gjakderdhja. Ata duan një regjim të ndryshëm, por as një vend të shkatërruar. Pyetja është nëse Garda Revolucionare mund të neutralizohet me sulme ajrore, apo nëse do të jenë ende në gjendje të vrasin 20,000 demonstrues. Shitësit e tregut protestuan sepse duan biznes më të mirë, jo rrënim. Ata duhet të binden se problemet e tyre ekonomike mund të përmirësohen shpejt. Përndryshe, ata do të thonë me vete: “Ne e urrejmë Republikën Islamike, por e urrejmë kaosin edhe më shumë”.
Fuqitë rajonale aleate me SHBA-në, si Arabia Saudite, Emiratet dhe Turqia, janë të vendosura të parandalojnë një luftë. Por ka edhe raportime për një pakt mossulmimi midis Izraelit dhe Iranit…
Nuk është një marrëveshje e shkruar. Izraeli dëshiron që mbrojtja e tij të garantohet. Por Izraeli do të jetë plotësisht i kënaqur nëse SHBA-të shkojnë në luftë kundër Iranit dhe do të kujdesen për problemin. Izraeli ende dëshiron të përmbysë regjimin dhe dëshiron një Iran dukshëm më të dobët ose të ndarë për të fituar më shumë liri në marrëdhëniet e tij me fqinjët e tij. Dhe unë mendoj se Izraeli nuk dëshiron që Trumpi të negociojë. Nuk do të ishte i lumtur nëse Trumpi do të arrinte një marrëveshje me Iranin.
Turqia dhe shtetet e Gjirit po mbështeten në diplomaci sepse kanë frikë nga kaosi. Por ekziston edhe një teori se ata duan të ruajnë regjimin iranian në mënyrë që Izraeli të mos bëhet shumë i fuqishëm në Lindjen e Mesme…
Kjo gjithashtu luan një rol. Irani ishte një armik i madh për ta; sot nuk është një problem kaq i madh. Arabia Saudite po përpiqet të mbrohet nga aleanca midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Riadi më parë shqetësohej për milicitë pro-iraniane në Jemen. Tani Arabia Saudite është e shqetësuar për milicitë e mbështetura nga Emiratet në Jemen dhe Sudan, dhe ndikimin izraelit në Somaliland. Ky është një moment i përsosur [Kissinger: armiku i armikut tuaj është miku juaj.] Princi i Kurorës Saudite po shqyrton se si të krijojë një kundërpeshë ndaj boshtit Izrael-Emirate. Një ide është një partneritet strategjik me Pakistanin dhe Turqinë. Ideja tjetër është se nëse Izraeli mbetet i preokupuar me Iranin, nuk do të jetë në gjendje ta dominojë plotësisht rajonin. Kjo është realpolitika e mirë e vjetër. Por pastaj janë kostot e luftës për shtetet e Gjirit: Çfarë do të thotë kjo për investimet e huaja direkte?
A do të investojnë Microsoft dhe kompanitë e tjera në ndërtimin e qendrave të të dhënave nëse lëshohen raketa? Çfarë do të thotë kjo për Emirates Airlines? Këto janë frikërat që shfaqen këtu.
Le të supozojmë se regjimi është përmbysur. Çfarë skenarësh janë të imagjinueshëm? Shumë po flasin për djalin e ish-Shahut që udhëheq një tranzicion demokratik…
Kjo është joreale. Reza Pahlavi nuk ka asnjë lloj organizimi në vend. Ju nevojitet diçka si një parti dhe një kuadër personeli. Ai nuk është kthyer në vend për pesëdhjetë vjet. Ai nuk ka bërë asnjë përpjekje për të krijuar marrëdhënie me udhëheqësit politikë të burgosur në Iran, si Mir Hossein Mousavi ose Mostafa Tajzadeh. Skenari i vetëm për të gjithë këta njerëz në mërgim, dhe gjithashtu për djalin e Shahut, do të ishin trupat amerikane në Teheran, ngjashëm me atë që ishte më parë në Bagdad ose Kabul. Protestuesit në rrugë nuk mund ta përmbysin regjimin dhe ta kurorëzojnë atë mbret pa një organizatë brenda vendit. Prandaj, skenari më i mirë është që regjimi të prodhojë një udhëheqës të moderuar nga brenda – një Deng Xiaoping ose një Jelcin. Ata nuk ishin bijtë e një perandori ose cari të mëparshëm. Protestat janë një shenjë e pakënaqësisë së popullit, por ato ende nuk janë një rrugë drejt një programi politik. Dhe nëse gjërat dalin vërtet jashtë kontrollit, Garda Revolucionare dhe ushtria do të shpërbëhen në milici. Atëherë do të duket si Libia ose Siria. Atëherë do të jetë një luftë civile.
Dhe çfarë është në fund të fundit më realiste: përmbysja e regjimit apo një marrëveshje me Trumpin?
Regjimi do të ndryshojë, veçanërisht nëse Khamenei vdes. Por në këtë pikë, unë supozoj se regjimi nuk do të bjerë. Ai i ka mbijetuar provës së tij më të madhe. Dhjetëra mijëra, madje qindra mijëra, iranianë protestuan në rrugë. Regjimi ishte në gjendje t’i shtypte brutalisht demonstratat pa ndonjë çarje të brendshme. Nëse nuk ka luftë, regjimi do të mbijetojë. Prandaj, Trumpi është faktori kyç: A do të shkojë në luftë apo jo? [Përktheu: ISHGJ]
