Nga Dr. Sadri RAMABAJA
1. Hyrje
Rikthimi i gjeopolitikës si paradigmë dominuese në marrëdhëniet ndërkombëtare ka rihapur debatin mbi format e organizimit politik dhe kapacitetet reale të shteteve të vogla për të vepruar në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më konkurrues. Në këtë kontekst, ideja e një Federate Shqiptare, si bashkërendim funksional ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, kërkon një rishqyrtim kritik përtej narrativave identitare, duke u analizuar si një projekt potencial strategjik në raport me Bashkimin Evropian dhe transformimin e tij të brendshëm. Kjo ese synon të argumentojë se një konfigurim i tillë mund të ketë relevancë vetëm nëse arrin të harmonizojë legjitimitetin e brendshëm me racionalitetin gjeopolitik dhe kompatibilitetin institucional me BE-në.
Rikthimi i gjeopolitikës si logjikë dominante e marrëdhënieve ndërkombëtare ka vënë në pikëpyetje premisat mbi të cilat u ndërtua rendi liberal pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në këtë kontekst, shteti-komb – dikur i konsideruar si njësi në transformim drejt integrimeve supranacionale – po rikthehet si aktor kyç i sigurisë, sovranitetit dhe konkurrencës strategjike. Kjo ese argumenton se shteti-komb nuk është në zhdukje, por në proces rikonfigurimi, duke ndërthurur dimensionin klasik territorial me forma të reja të ndërvarësisë dhe rivalitetit global.
2. Shteti-komb si njësi e qëndrueshme e rendit ndërkombëtar
Pavarësisht parashikimeve për tejkalimin e tij, shteti-komb mbetet struktura themelore e organizimit politik. Ai ruan monopolin mbi përdorimin legjitim të forcës, kontrollin territorial dhe prodhimin e identitetit politik.
Në këtë kuptim, rikthimi i gjeopolitikës ka forcuar tri funksione kyçe të shtetit-komb:
- sigurinë, në një mjedis gjithnjë e më të pasigurt;
- sovranitetin ekonomik, përballë varësive globale;
- dhe identitetin kolektiv, si burim legjitimiteti politik.
Megjithatë, shteti-komb nuk është rikthyer në formën e tij klasike. Ai operon në një mjedis të ndërvarësisë së thellë, ku fuqia nuk matet vetëm me territor apo ushtri, por edhe me kapacitete teknologjike, ekonomike dhe normative.
3. Nga rendi normativ te rikthimi i gjeopolitikës
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, rendi evropian u ndërtua mbi premisën e një progresi linear drejt integrimit dhe zgjerimit të Bashkimi Evropian, duke privilegjuar normat, institucionet dhe ekonominë e tregut si instrumente stabilizimi.[1] Megjithatë, zhvillimet e dekadës së fundit—nga krizat në Lindjen e Mesme e deri te lufta në Ukrainë—kanë rikthyer gjeopolitikën si logjikë dominante të ndërveprimit ndërkombëtar.[2]
Që nga Samiti i Selanikut, Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një hapësirë “në pritje të integrimit” në Bashkimi Evropian, duke reflektuar një tension të vazhdueshëm ndërmjet premtimit politik dhe realitetit të zgjatur të tranzicionit.[3] Ky status liminal – as plotësisht i integruar, as i përjashtuar – ka prodhuar një vakum strategjik që është mbushur gradualisht nga ndërhyrje dhe interesa të shumëfishta ndërkombëtare.
Në këtë kuptim, rajoni është shndërruar në një hapësirë ku ndërthuren interesa gjeopolitike të aktorëve globalë si Rusia dhe Kina, si dhe të fuqive me ambicie rajonale si Turqia, por edhe të aktorëve kryesor europianë si Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.[4] Ky pluralitet interesash e transformon Ballkanin Perëndimor nga një periferi e integrimit në një hapësirë konkurrimi strategjik, ku normat e integrimit ndërthuren me logjikën e fuqisë.
Në këto rrethana, bëhet gjithnjë e më e qartë se modelet tradicionale të shtetformimit dhe bashkëpunimit rajonal – të ndërtuara mbi supozimin e një integrimi linear në BE – kërkojnë një rishikim të thellë konceptual. Ky rishikim nuk është vetëm institucional, por edhe epistemologjik: ai nënkupton rivlerësimin e narrativave historike dhe politike që kanë strukturuar perceptimin e rajonit, veçanërisht në raport me pozitën e shqiptarëve dhe konfigurimin e përgjithshëm të hartës politike të Ballkanit.[5]
Këto dinamika marrin një dimension të ri në dritën e fuqizimit të kapaciteteve ushtarake të Serbia, e cila në vitet e fundit ka investuar në modernizimin e arsenalit të saj, përfshirë sistemet e avancuara të mbrojtjes dhe teknologjitë e reja si dronët.[6] Ky zhvillim nuk duhet parë thjesht si proces teknik modernizimi, por si pjesë e një ripozicionimi strategjik në një mjedis rajonal dhe ndërkombëtar gjithnjë e më të pasigurt.
Në këtë kontekst, çështjet e pazgjidhura politike – përfshirë Bosnjën e Hercegovinën, Maqedoninë, por edhe edhe raportet mes Kosovës dhe Serbinë – marrin një peshë të shtuar, duke e bërë të domosdoshëm artikulimin e qasjeve të reja strategjike që tejkalojnë paradigmat e dekadës së pasluftës.
4. Ballkani dhe rikthimi i çështjeve të pazgjidhura
Në hapësira si Ballkani, rikthimi i gjeopolitikës ka riaktivizuar çështje të pazgjidhura historike, përfshirë raportet ndëretnike dhe kufijtë politikë. Këtu, shteti-komb vazhdon të jetë si proces historik i papërfunduar, duke prodhuar tensione ndërmjet realitetit demografik dhe strukturës institucionale.
Në këtë kontekst, debati mbi forma alternative të organizimit politik – si federalizimi apo bashkëpunimi ndër-shtetëror – reflekton përpjekjen për të përshtatur shtetin-komb me realitete komplekse shoqërore.
5. Federata Shqiptare: ndërmjet identitetit dhe racionalitetit strategjik
Ideja e një bashkimi më të ngushtë ndërmjet Shqipëria dhe Kosova ka qenë historikisht e ngarkuar me dimensione identitare dhe simbolike. Megjithatë, në kushtet aktuale, ajo duhet të riformulohet si një projekt racional, i bazuar në kapacitete konkrete shtetërore.
Një federatë funksionale mund të justifikohet vetëm nëse:
(a) rrit efikasitetin institucional dhe ekonomik;
(b) konsolidon koordinimin në fushën e sigurisë;
(c) dhe kontribuon në stabilitetin rajonal.
Në mungesë të këtyre elementeve, rreziku është që projekti të mbetet në nivelin e retorikës politike, duke prodhuar më shumë tension sesa kohezion.
6. Dialektika ndërmjet integrimit evropian dhe bashkimit kombëtar
Një nga dilemat kryesore është raporti ndërmjet integrimit në Bashkimi Evropian dhe formave alternative të bashkimit politik. Tradicionalisht, këto janë parë si procese paralele, në mos konkurruese.
Megjithatë, në një perspektivë më dinamike, një bashkërendim më i thellë Shqipëri–Kosovë mund të shërbejë si një mekanizëm parapërgatitor për integrim, duke harmonizuar politikat publike dhe standardet institucionale. Nga ana tjetër, në rast të stagnimit të zgjerimit, ai mund të funksionojë si një strategji kompensuese, duke rritur autonominë vepruese të aktorëve lokalë.
Megjithatë, çdo projekt i tillë përballet me kufizime të konsiderueshme. Së pari, statusi ndërkombëtar i Kosovës mbetet i kontestuar, duke ndikuar në aftësinë e saj për të hyrë në marrëveshje të reja politike. Së dyti, raportet me Serbia dhe balancat rajonale e bëjnë çdo ndryshim të konfigurimit politik potencialisht të ndjeshëm.
Së treti, vetë BE-ja ka qenë tradicionalisht skeptike ndaj formave të bashkimit që mund të perceptohen si rishikim i kufijve ekzistues, duke favorizuar integrimin gradual mbi transformimet strukturore të menjëhershme.
7. Roli i fuqive evropiane dhe dimensioni historik
Në analizën e qëndrimeve evropiane, nuk mund të anashkalohet pesha historike e marrëdhënieve të disa shteteve me rajonin. Për shembull, politika e Franca ndaj Ballkanit është ndikuar nga një traditë e gjatë marrëdhëniesh me Serbinë, e cila në momente të caktuara ka reflektuar një prirje për stabilitet përmes status quo-së.[7]
Megjithatë, reduktimi i politikave evropiane në një vijë të vetme “pro-serbe” do të ishte një thjeshtim i tepruar, pasi vendimmarrja në BE karakterizohet nga pluraliteti i aktorëve dhe interesave.
8. Maqedonia e Veriut dhe rikthimi i çështjes shqiptare në kontekstin e ri gjeopolitik
Zhvillimet e fundit në Maqedonia e Veriut, të reflektuara ndër të tjera në protestat e studentëve shqiptarë lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurispodencës dhe jo vetëm, dëshmojnë për një rikthim të tensioneve të fjetura ndëretnike dhe për një brishtësi të vazhdueshme të arkitekturës institucionale të ndërtuar pas vitit 2001. Këto zhvillime nuk mund të reduktohen në incidente të izoluara administrative, por duhet të interpretohen si manifestime të një krize më të thellë të implementimit të barazisë substanciale.
Në këtë kontekst, roli i VMRO-DPMNE si forcë dominante në qeverisje merr një rëndësi të veçantë. Historikisht, kjo forcë politike ka shfaqur një qasje më restriktive ndaj avancimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve, duke favorizuar një model shtetëror më unitar dhe më pak të ndjeshëm ndaj pluralizmit etno-politik.[8] Kjo prirje nuk duhet interpretuar automatikisht si rreshtim formal me Serbia, por ajo reflekton një afërsi konceptuale në trajtimin e çështjeve të identitetit dhe të organizimit shtetëror në rajon.
Megjithatë, nuk mund të injorohet fakti se Serbia ruan interesa të vazhdueshme strategjike në hapësirën e Maqedonisë së Veriut, sidomos në kontekstin e balancave rajonale dhe të menaxhimit të çështjes shqiptare. Ndikimi i saj nuk manifestohet domosdoshmërisht përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta, por më tepër përmes kanaleve politike, kulturore dhe të sigurisë që synojnë ruajtjen e një status quo-je të favorshme.[9]
Në këtë kuadër, tensionet aktuale duhet të vendosen në një kontekst më të gjerë rajonal, ku ndërthuren faktorë të brendshëm institucionalë me dinamika të jashtme gjeopolitike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur rajoni po përballet me një rritje të konkurrencës strategjike ndërmjet aktorëve ndërkombëtarë dhe me një riaktivizim të logjikave të fuqisë.
Një element kyç në këtë analizë mbetet implementimi i pjesshëm i Marrëveshja e Ohrit, e cila, ndonëse vendosi themelet e një rendi të ri ndëretnik, nuk arriti të institucionalizojë plotësisht barazinë funksionale. Kjo ka krijuar një hendek ndërmjet normës dhe praktikës, i cili shpërfaqet periodikisht në forma tensioni politik dhe shoqëror.[10]
Në këtë kuptim, zhvillimet e fundit rikthejnë në rend të ditës natyrën e papërfunduar të çështjes shqiptare në Maqedonia e Veriut. Edhe pse shqiptarët janë pjesë konstitutive e shtetit dhe gëzojnë të drejta të konsiderueshme në krahasim me periudha të mëparshme, pozita e tyre mbetet e kushtëzuar nga balanca politike dhe nga vullneti i elitave qeverisëse.
Në një plan më të gjerë, kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me temën qendrore të kësaj eseje: nevojën për rishikimin e modeleve të shtetformimit dhe bashkëpunimit rajonal në epokën e rikthimit të gjeopolitikës. Nëse arkitektura ekzistuese institucionale nuk arrin të absorbojë dhe të menaxhojë në mënyrë efektive pluralizmin etnik, atëherë tensionet e tilla do të vazhdojnë të rikthehen si simptoma të një problemi të pazgjidhur strukturor.
Shih për këtë, ideja e federalizimit të Maqedonia e Veriut mbetet si alternativa më e mirë e mundshme për stabilizim afatgjatë, por kjo po ndodh më shumë sepse po rishfaqet një problem real strukturor—para së gjthash sepse është zgjidhje e ndërmjetme.
8.1 Problemi bazë: shtet unitar me shoqëri të ndarë
Modeli aktual i Maqedonisë së Veriut është formalish shtet unitar, por realisht funksionon mbi një kompromis ndëretnik të ndërtuar pas Marrëveshjes së Ohrit. Ky kompromis ka sjellë stabilitet, por jo integrim të plotë. Përkundrazi, shqiptarët dhe sllavo-maqedonët vazhdojnë të bëjnë jetë si dy shoqëri plotësisht të ndara, pran njëra-tjetrës!
Federalizimi prandaj shihet si mënyrë për ta institucionalizuar këtë realitet dual, në vend që ai të mbetet i paartikuluar.
8.2 Logjika e federalizimit: nga konflikti te bashkëjetesa funksionale
Në teori, federalizimi ofron:
- autonomi territoriale dhe politike për komunitetet kryesore,
- reduktim të konfliktit për kontrollin e qendrës,
- dhe një formë të “ndarjes së pushtetit” më të qartë dhe më pak konfliktuale.
Pra, ai premton një zhvendosje nga konkurrenca për dominim në bashkëjetesë të rregulluar institucionalisht. Disi ngjashëm siç u realizua një ndarje e urtë dhe civilizuese e kantonit të Bernit, me ç’rast qe krijuar Kantoni Jura.
Por krijimi i Kantonit Jura në vitet ’70 ishte rezultat i një procesi demokratik: referendume të njëpasnjëshme, negociata dhe një kulturë e thellë kompromisi brenda Zvicrës.
Pra, konflikti u zgjidh përmes mekanizmave institucionalë dhe konsensusit, jo përmes përshkallëzimit.
Ky është elementi më i rëndësishëm që e bën këtë rast referencë për debat.
Në rastin e Jurës, kishim një ndarje mes një popullsie frankofone dhe katolike dhe një strukture kantonale të dominuar nga një shumicë gjermanofone dhe protestante. Kjo krijoi një ndjenjë mospërfaqësimi dhe margjinalizimi, e cila çoi në kërkesa për autonomi dhe më pas për ndarje.
Në Maqedonin e Veriut, kemi një tension të ngjashëm në plan strukturor: një komunitet shqiptar që kërkon barazi substanciale dhe përfaqësim real, përballë një shteti që historikisht ka funksionuar si unitar.
Për një pjesë të elitave dhe opinionit shqiptar, federalizimi:
- garanton barazi më substanciale, jo vetëm formale;
- shmang varësinë nga vullneti i shumicës sllavo-maqedone;
- dhe krijon një hapësirë më të sigurt për zhvillim politik, kulturor dhe ekonomik.
Në këtë kuptim, ai shihet si korrigjim i kufizimeve të modelit aktual.
8.3 Pse kundërshtohet fuqishëm nga pala tjetër
Nga perspektiva e një pjese të elitës sllavo-maqedone (p.sh. brenda VMRO-DPMNE), federalizimi perceptohet si hap drejt ndarjes së shtetit, respektivisht rrezik për integritetin territorial dhe si një transformim i identitetit shtetëror.
Kjo e bën atë politikisht shumë të ndjeshëm, pothuaj tabu.
8.4 Kufizimi real: mungesa e konsensusit dhe konteksti ndërkombëtar
Pa një konsensus minimal ndërmjet dy komuniteteve dhe pa mbështetje ndërkombëtare (veçanërisht nga Bashkimi Evropian dhe NATO), federalizimi mbetet më shumë hipotezë teorike sesa projekt i realizueshëm.
8.5 Paradoksi thelbësor
Pavarësisht se Federalizimi për palën sllavo-maqedone mbetet çështje tabu, ndërkaq për palët e interesit [qendrat vendimmarrëse perendimore dhe jo vetëm] si një hipotezë teorike sesa projekt I realizueshëm, ai duket si zgjidhje sepse:
- trajton drejtpërdrejt problemin e barazisë dhe përfaqësimit;
por njëkohësisht: - krijon frikë nga fragmentimi dhe ndarja.
Në teori, federalizimi i Maqedonisë së Veriut do të mund të luante një rol të ngjashëm me krijimin e Jurës:
- të kanalizojë kërkesat identitare në forma institucionale;
- të reduktojë tensionet përmes autonomisë;
- dhe të shmangë përshkallëzimin e konfliktit.
Pra, ideja është: ndarje funksionale për të ruajtur unitetin politik.
9. Rikthimi i gjeopolitikës: mundësi apo rrezik?
Rikthimi i gjeopolitikës krijon një ambivalencë strukturore. Nga njëra anë, ai hap mundësi për rikonfigurime të reja politike dhe për rritjen e autonomisë së aktorëve lokalë. Nga ana tjetër, ai rrit rrezikun e instrumentalizimit nga fuqitë e mëdha dhe të keqinterpretimit të projekteve rajonale.
Në këtë kuptim, çdo iniciativë për bashkim politik duhet të jetë e ndërtuar mbi një balancë të kujdesshme ndërmjet aspiratave të brendshme dhe realitetit ndërkombëtar.
10. Përfundime
Shteti-komb në epokën e rikthimit të gjeopolitikës nuk është një relike e së kaluarës, por një formë në transformim. Ai mbetet boshti i rendit ndërkombëtar, por funksionon në një mjedis të ri, ku ndërvarësia dhe konkurrenca bashkëjetojnë.
Në epokën e rikthimit të gjeopolitikës, koncepti i “gjeohapësirës së lirisë” nuk mund të reduktohet në dimensione simbolike apo identitare. Ai kërkon një përkthim në kapacitete konkrete shtetërore dhe në aftësi për t’u pozicionuar në një rend ndërkombëtar konkurrues.
Maqedonia e Veriut paraqet një rast paradigmatik të kufijve të modelit post-konfliktual në Ballkan: një rend formalisht i stabilizuar, por substancialisht i brishtë. Në këtë kontekst, tensionet e fundit nuk janë thjesht devijime të përkohshme, por tregues të nevojës për një rikonceptim më të thellë të marrëdhënieve ndëretnike dhe të pozitës së shqiptarëve në rajon, në përputhje me realitetet e reja gjeopolitike.
Federalizimi i Maqedonisë së Veriut duket mbetet tutje çelësi i një zgjidhjeje paqësore mes dy popullsive: asaj shqiptare dhe sllavo-maqedone.
Paralelja midis Jurës dhe Maqedonisë së Veriut është e vlefshme si metaforë e një zgjidhjeje paqësore përmes riorganizimit territorial. Por ajo nuk mund të transferohet mekanikisht. Ajo që mund të huazohet nuk është forma (kantoni), por logjika: pranimi i pluralizmit si bazë për arkitekturë shtetërore më fleksibile.
Në këtë kuptim, federalizimi mbetet një nga opsionet teorike për stabilizim—por vetëm nëse mbështetet nga një transformim më i thellë politik dhe kulturor.
Ndërkaq një Federatë Shqiptare mund të jetë pjesë e këtij vizioni vetëm nëse arrin të ndërtojë një sintezë ndërmjet legjitimitetit të brendshëm, pranueshmërisë ndërkombëtare dhe kompatibilitetit me projektin evropian. Përndryshe, ajo mbetet një ide që mobilizon emocione, por nuk prodhon fuqi reale politike.
Fusnota
1. Smith, Karen E. European Union Foreign Policy in a Changing World. Polity Press, 2014.
2. Mearsheimer, John J. The Tragedy of Great Power Politics. W.W. Norton, 2001.
3. European Commission, The Thessaloniki Agenda for the Western Balkans, 2003.
4. Bieber, Florian. The Rise of Authoritarianism in the Western Balkans. Palgrave, 2020.
5. Weller, Marc. Contested Statehood: Kosovo’s Struggle for Independence. Oxford University Press, 2009.
6. Zielonka, Jan. Europe as Empire. Oxford University Press, 2006.
[7] Judt, Tony. Postwar: A History of Europe Since 1945. Penguin Books, 2005.
8. Bieber, Florian. Power Sharing and the Implementation of the Ohrid Framework Agreement.
9. Economides, Spyros & Ker-Lindsay, James. The EU and the Western Balkans.
10. Brown, Keith. The Past in Question: Modern Macedonia and the Uncertainties of Nation.
